Zgjidhja e vetme e çështjes së demarkacionit, i cili po kundërshtohet ashpër nga opozita, po shihet vetëm përmes dërgimit në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Pavarësisht se më 3 gusht do të mbahet një tryezë shkencore rreth demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, mjegullia në dhënien e argumenteve që konstatojnë qoftë shënimin gabim të demarkacionit, që po pretendon opozita dhe një numër i madh profesorësh, qoftë për punën e drejtë të Komisionit qeveritar të cilën po e mbron Qeveria, nuk do ta zgjidhë këtë çështje.
Mundësia që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit nuk mohohet as nga deputetët e partive në koalicionin qeverisës, por sipas tyre, së pari duhet të ekzistojnë faktet se po humbet territor.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, thotë për “Zërin” se nuk përjashtohet edhe kjo mundësi, që problemin e demarkacionit ta zgjidhin duke kërkuar ndihmën e Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.
“Nuk duhet përjashtuar asnjë solucion, asnjë variant. Por secili variant edhe ai që thotë është në rregull edhe ai që nuk është në rregull, duhet të kenë argumente, që kur të shkruhet diçka në letër të jetë brenda normave”, ka thënë Ferati. (b.an)