• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, August 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Arbitrazhi për Vlorën/ Shejtanët vallëzojnë gjithmonë jashtë shishes

by Lorenc Vangjeli
16/08/2026 10:24
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

Vitin e kaluar, në tetë maj 2025, tre ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, në pistën e aeroportit të Vlorës u ulën dy avionë. I pari për ta testuar, i dyti ishte fluturim privat i aksionerit kryesor të koncesionit te aeroportit. Pesëmbëdhjetë muaj me pas, festa është harruar dhe kanë ndodhur tre drama që lidhen me njëra-tjetrën: Shqipëria ende nuk e ka aeroportin e tretë të premtuar, shteti shqiptar rrezikon të paditet në arbitrazh dhe janë hedhur hije të forta dyshimi për faulle penale në procesin e garës koncesionare. Një fatalitet i trefishtë që ngjan me fatin e një pjese të madhe të garave të mëdha publike në Shqipëri.
Analiza e rrethanave që e kanë shkaktuar një gjë të tillë, i jep shkas logjikës të helmohet nga dyshimi dhe shërben edhe si një skaner për të kuptuar shumë të pathëna e për të ndriçuar shumë sekrete publike.
Duke nisur me arbitrazhin. Mundësia që Shqipëria të paditet në gjykatë arbitrazhi për aeroportin e Vlorës ka prodhuar frikë e ankth në Tiranë, por dhe një gaz të shfrenuar, po aq të lig e kriminal. Kjo është një linjë që ndan qartazi humnerën mes pozitës dhe opozitës. Të parët më shumë se faturën e mundshme financiare, vajtojnë goditjen politike që do ta pasojë atë me përmasa gati fatale; të dytët, duke njehsuar Ramën me Shqipërinë, besojnë sinqerisht se ja vlen t’i nxirret një sy Shqipërisë, me kusht që Rama të humbasë dritën e pushtetit. Shuma e frikshme që projektohet të shkojë deri në gjysëm miliardi e kusur, historia dramatike me “mashtruesin” e mrekullueshëm italian dhe gjoba të tjera – shuma totale e tyre ruhet si sekret shtetëror – do të jenë një gjyle hekuri që këllqet e hekurta të maxhorancës nuk do ta mbanin dot. Kjo është edhe linja e betejave mediatike, ku dy palë ndahen në bindjen që Shqipëria fiton ose humb në arbitrazhin e mundshëm duke dalë me opinione të ndryshme mbi shqyrtimin e të njëjtave fakte. Por deri atëherë është ende rrugë shumë e gjatë dhe gjithçka, se paku për momentin, është shumë ndryshe nga sa duket në vështrim të parë. Sepse vështrimi i parë jep gjithmonë pamje të rreme.
Ndarja e aksioneve të koncesionit të aeroportit, është pista nga ku u ngrit në fluturim sherri mes ish-miqve në jetë dhe ortakëve në biznes. Behxhet Pacolli e Valon Ademi janë në konflikt të egër tashmë dhe në këtë rast, lumenjtë e parave në mes, ju nxorri çfarë ju mbante barku, me akuza reciproke që shkojnë nga mashtrimi e deri tek puna në favor të fuqive të huaja, jo miqësore me Shqipërinë. Të dy marrin poza patriotësh, qëndrojnë në kulmin e ngrehinës së patriotizmit, por ky është vetëm ambalazh. As njëri dhe as tjetri nuk shkuan në Vlorë për sevap e flamur, por tundin flamurin e sevapit për të fituar para. Shumë para. Madje edhe për të shfrytëzuar çdo hapësirë përfitimi që jep sistemi defektoz i funksionimit të shtetit shqiptar, politikës dhe administratës së saj, për të shndërruar në llogari bankare lidhjet politike, njëlloj, siç të paktën është akuzuar se ka bërë Pacolli, me projekte që nga Rusia në Kazakistan.
Kjo është skena tipike e një tryeze feste mes miqsh, ku që në krye të herës, secili nga ta ka helmuar bukën e tjetrit.
Një hetim kompleks, detaje të të cilit janë të fshehur për publikun, ka gjasa të hyjë në thelbin e kësaj historie që pretendon të gjejë arbitër të huaj mes dy ortakëve të biznesit. Dhe thelbi qëndron në dyshimin serioz që koncesioni ka qenë i pilotuar, se Pacolli, ndonëse e mohon, ka pasur një marrëveshje informale për ndarjen mëvonshme të aksioneve me “ortakë” falsë, se futja dhe dalja e partnerëve turq nga fituesit e koncesionit ishte pjesë e marrëveshjes.
Se çfarë ka ndryshuar rrugës që e prishi këtë marrëveshje, kjo mbetet për t’u verifikuar nëse ka të bëjë me ndonjë projekt të ngjashëm e të dështuar në veri të Afrikës, me kredi të marra në mënyrë të dyshimtë apo dhe me interesa të tjera okulte njerëzish që qëndrojnë pas tyre. Dhe më shumë se kaq, duhet zbuluar jo vetëm raporti i ortakëve me njëri-tjetrin, por dhe qëndrimi i shtetit ndaj tyre dhe vetë kontratës koncesionarë. Duke nisur me përgjigjen e pyetjes: çfarë ka ndodhur që nga dy fluturimet preelektoralë e deri tek kërcënimi me arbitrazh? A janë zbatuar klauzolat e kontratës për ndjekjen në dinamikë të kontratës koncesionare, “a këndojnë” kartat zyrtare apo ka vetëm fjalë lagjeje në ajër?
Intervista e famshme e Pacollit në Opinion, TV Klan, siç mund t’ja kenë konfirmuar mbrojtësit e tij ligjorë, ishte një autoakuzë perfekte. Që nuk mund të rrëzohet as nga përbetimet e tij se nuk ka paguar asnjë qindarkë si rryshfet dhe se kishte shkuar në Vlorë si patriot shqiptar për të shërbyer. Hetimi mund të bëjë transparencë edhe se çfarë dokumentesh, në audio e në formë dixhitale, ruan në kasafortë Pacolli me komunikime përvëluese me autoritetet, siç pretendon ai vetë se ka, nëpërmjet “zëdhënësve” jo zyrtarë të tij.
Po të njëjtën vlerë ka dhe gishti që i tregon Ademi atij për mashtrim, për marrjen e kredisë sekrete, për fallsifikime apo dhe shitje tek rusët për interesa okulte.
Edhe pse të dy bëjnë shenjën e shqiponjës në gjoks, kjo histori mban thjesht duhmën e pazarit të prishur. Kërcënimi me arbitrazh për Shqipërinë, mund të jetë edhe pjesë e një kompromisi për të dalë nga një histori që herët a vonë mund të ketë fund të lig për protagonistët e tij.
Njerëz pranë dy duelistëve dhe të tjerë me dijeni për historinë, kanë nisur të tregojnë detaje të reja e të panjohura më parë të historisë, që për protagonistët e tyre, vërteton dhe njëherë aksiomën e hershme: Tahmaja e madhe të le pa gjë! Ose dhe për më shumë, siç këshillon urtësia e hershme njerëzore, kush niset për t’u hakmarrë, duhet të mbajë në kurriz dy “arkivolë”: sepse një nga ta i duhet për veten!
Përpjekja e qeverisë dhe ministrisë përkatëse për prishjen e kontratës koncesionare është përgjigja e vetme që mund t’i jepet këtij mishmashi të neveritshëm me sheshin e kthyer në pershesh. Eshtë ndreqja e mëkatit në fillesën e tij. Eshtë leksioni i rradhës, as i pari dhe as i fundit që po merr politikisht Edi Rama. Për të kuptuar se kursi i gabuar i kembimit që ai ka vendosur për raportin mes besnikërisë memece dhe integritetit profesional e moral të bashkëpunëtorëve të tij, njëlloj si mbiçmimi i lekut përballë euros, është rrënja e helmuar e pyllit të tij qeverisës. Për të pranuar se dhe për atë vetë, Jo-ja e një armiku të mençur, vlen shumë më shumë se Po-ja budallaqe e miqve budallenj. Sepse ai soj miqsh nuk do te guxonte kurrë t’i thoshte se sot Shqipëria ka tre aeroporte. Dhe që pavarësisht se standartet ndërkombëtare i pranojnë distancat mes tyre minimalisht 220 kilometra, fatet i kanë shumë të ndryshëm. Aeroporti Nënë Tereza, nën menaxhim befasues privat është në ekspansion te frikshëm rritjeje, ai i Kukësit ka pistë funksionale, por jo avionë që ulen dhe aeroporti i Vlorës, i papërfunduar, që premton ta çojë
Shqipërinë në arbitrazh. Mund të ndodhë dhe kështu, por kjo nuk ndryshon asgjë për fatin e djajve që tashmë po vallëzojnë jashtë shishes. Festa ka mbaruar dhe pikiata në pistën e papërfunduar, mund të jetë në udhë e sipër. Për të parë nga lart sesi djajtë hedhin paprerë vallen e shpatave në shpinë ndaj gjithë shoqërisë shqiptare.

Next Post
Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

Një “Qendër” për Shqipërinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Plas mes organizatorëve! Gazetarja ironizoi protestën, aktivistët “i sulen”: Negativitet! Po merrni në qafë popullin…

Plas mes organizatorëve! Gazetarja ironizoi protestën, aktivistët “i sulen”: Negativitet! Po merrni në qafë popullin…

August 16, 2026
Në kërkim prej nëntorit, Ylli Zallës i zbulohen sërish armë! Dyshohet se furnizoi autorët e atentatit të Rinasit

Eksploziv në banesën e Ylli Zallës, gruaja lajmëroi Policinë nga Italia! Dyshimet se e ka vendosur vetë ai

August 16, 2026
Dron i paidentifikuar pranë kufirit me Moldavinë, ndërhyjnë avionët e NATO-s

Dron i paidentifikuar pranë kufirit me Moldavinë, ndërhyjnë avionët e NATO-s

August 16, 2026
“I gjithë kati ishte në flakë”/ Zjarrfikësi rrëfen tmerrin në hotelin e Vlorës: Pushuesit nuk dilnin dot nga shkallët

“I gjithë kati ishte në flakë”/ Zjarrfikësi rrëfen tmerrin në hotelin e Vlorës: Pushuesit nuk dilnin dot nga shkallët

August 16, 2026
Zjarr në një agroturizëm në Finiq! Flakët përfshijnë restorantin, dëme të konsiderueshme

Zjarr në një agroturizëm në Finiq! Flakët përfshijnë restorantin, dëme të konsiderueshme

August 16, 2026
Rikthehet aleanca Trump-Musk/ Pas përplasjes, miliarderi përgatit 100 milionë dollarë për republikanët

Rikthehet aleanca Trump-Musk/ Pas përplasjes, miliarderi përgatit 100 milionë dollarë për republikanët

August 16, 2026
Është e habitshme sa elastik bëhet kuptimi i ligjit, kur shkelja nuk na prek personalisht

“Ku ishin pyetjet për Veliajn?”/ Kritika nga Holanda: Europa reagoi për İmamoğlu, por heshti për kryebashkiakun e Tiranës

August 16, 2026
Dhunë ndaj shefit të Krimeve në Sarandë! Mateo Bakalli përfundon në spital, u godit me grusht

Dhunë ndaj shefit të Krimeve në Sarandë! Mateo Bakalli përfundon në spital, u godit me grusht

August 16, 2026
Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

Një “Qendër” për Shqipërinë

August 16, 2026
Burri që i është bërë barrë PD-së, peliçet e Gridës dhe dosja e Joridës

Arbitrazhi për Vlorën/ Shejtanët vallëzojnë gjithmonë jashtë shishes

August 16, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com