• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, September 22, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ministri gjerman: Politika e papërgjegjshme e opozitës s’mund të mbulojë atë që ka arritur Shqipëria

by Java News
29/05/2019 11:25
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ministër për Evropën, në Ministrinë e Jashtme Gjermane Michael Roth në një shkrim për mediet gjermane ka komentuar situatën në Ballkan. Duke u ndalur tek Shqipëria, Roth ka dënuar sjelljen e opozitës, duke theksuar se ajo po përpiqet që të japë një realitet tjetër  nga ai që ekziston.

Sipas Ministrit të Jashtëm gjerman, politika e papërgjegjshme e opozitës, s’mund të mbulojë atë ç’ka arritur Shqipëria, duke e këshilluar që të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në garën politike të ideve në Parlament.

“Në Shqipëri situata duket, në pamje të parë e ndërlikuar. Kjo për arsye se opozita ka arritur të prodhojë pamje dramatike – në vend që të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në garën politike të ideve në Parlament. Kjo politikë obstruktive dhe e papërgjegjshme nuk mund mbulojë gjithë atë që vendi ka bërë”, shprehet zoti Roth.

Më pas, Ministri i Jashtëm gjerman flet edhe për reformën në drejtësi, duke thënë se i gjithë procesi po ndiqet nga ekspertë europianë.

“Në kuadër të reformës në drejtësi po verifikohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët për integritetin e tyre. Ky është një proces unik në nivel botëror, që ndiqet nga ekspertë europianë”, përfundon opinionin e tij, Roth./tch

Shkrimi i plotë i ministrit gjerman, Michael Roth

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë hapur perspektivën e anëtarësimit për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor që në vitin 2003. Këtë premtim e përsëritën në vitin 2018.

Komisioni i BE-së do të publikojë këtë të mërkurë raportet vjetore për të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe do të rekomandojë çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai çertifikon për të dy këto vende, se i kanë bërë “detyrat e shtëpisë“ dhe se i kanë plotësuar kushtet që iu vendosën prej Këshillit vitin e shkuar. Tani e ka radhën BE të „bëjë detyrën e vet“.

Ne i qëndrojmë fjalës dhe duhet të mbajmë premtimin. Sepse për Ballkanin Perëndimor është shumëçka në lojë. Dhe për Bashkimin Evropian bëhet fjalë për interesa jetësore në aspektin e sigurisë, por edhe për besueshmërinë e tij.

Te shumë të rinj në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut Evropa e bashkuar e vlerave të përbashkëta nuk ka humbur asgjë prej rrezatimit të saj. Brezi i ri, në pjesën dërrmuese të tij, kërkon demokraci, shtet të së drejtës, mirëqenie, siguri dhe liri. Bashkimi Evropian ka nxjerrë mësimet e veta nga anëtarësimet e shkuara dhe kërkon prej vendeve kandidate të kenë plotësuar disa kushte që përpara nisjes së bisedimeve. Qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë duke punuar për një progra ambicioz reformash dhe kanë arritur progres të prekshëm në këtë drejtim. Në të dy këto vende populli dhe qeveria tregojnë se janë të gatshëm të bëjnë kompromise të dhimbshme në funksion të afrimit me Bashkimin Evropian.

Me zgjidhjen e konfliktit për emrin – përkundër të gjithërezistencës – Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë shkruar një pjesë tëhistorisë evropiane. Kësisoj bëhet i mundur fillimi i bisedimeve të anëtarësimit, rekomanduar prej Komisionit Evropian në mënyrë të herëpashershme që prej vitit 2009, pasi Greqia nuk e bllokon më këtë proces. Përpos kësaj qeveria ka hedhur piketat në reformat prioritare të përcaktuara nga BE, sikurse janë sektori i administratës publike, kontrolli i shërbimeve sekrete dhe lufta kundër korrupsionit. Thënë shkurt: Maqedonia e Veriut gjendet në një kurs të vendosur reformash.

Në Shqipëri gjendja, në pamje të parë, duket më e komplikuar. Kjo lidhet para së gjithash me faktin që opozita ia del gjithnjë të prodhojë pamje dramatike – në vend që të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në kontekstin e një konkurrimi politik idesh në parlament, të cilin aktualisht e ka bojkotuar. Por kjo politikë e papërgjegjshme obstruksioniste nuk duhet të errësojë gjithë sa vendi ka arritur.

Në kuadër të reformës në drejtësi, përmes një procesi deri më tani unik në mbarë botën – shoqëruar nga ekspertë evropianë – është duke u verifikuar integriteti i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Rreth dy të tretat e subjekteve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të verifikuar deri më tani nuk e kanë kaluar me sukses këtë test. Ata janë larguar në mënyrë konsekuente nga postet e tyre, të cilat janë duke u plotësuar hap pas hapi. Organet shqiptare të sigurisë – policia dhe strukturat e mbrojtjes së kufirit – bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mirë me autoritetet gjermane, austriake dhe italiane, e që prej pak kohësh edhe me Agjencinë e BE-së për Mbrojtjen e Kufirit FRONTEX. Shqipëria ka bërë një pjesë të mirë të rrugës në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian; veç të tjerash ajo është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009.

Stabilizimi dhe përfshirja e rajonit është në interesin evropian, e para sëgjithash në atë gjerman. Në fund të ditës Ballkani Perëndimor është atriumi i shtëpisë evropiane. Situata e këtyre vendeve, që shtrihen në mes të Evropës, rrethuar plotësisht nga shtete të BE-së, na prek drejt për së drejti. Nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Dhe që Bashkimi evropian të humbë ndikim në mënyrë të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk mund të jetë në interesin tonë. Suksesi në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian përcaktohet para së gjithash prej faktit, nëse ne do të mund të paqëstojmë, stabilizojmë dhe demokratizojmë Evropën në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim duhet të veprojmë duke vështruar para, me urtësi dhe kurajo.

E qartë mbetet një gjë: rruga drejt BE-së është e gjatë dhe e lidhur me kushte të qarta. Pra nuk bëhet fjalë aspak për një automatizëm anëtarësimi, përkundrazi kemi të bëjmë vetëm me etapën e parë të një procesi që – referuar përvojës – zgjat për vite të tëra. Në fund të fundit perspektiva e anëtarësimit për vendet e Balllkanit Perëndimor është një mundësi e shkëlqyer – po kështu edhe për BE-në. Në këtë mënyrë dërgojmë një sinjal të rëndësishëm në mbarë rajonin: përpjekjet për pajtim dhe reforma të vështira ia vlejnë. Dhe se tek Bashkimi Evropian mund të besosh. Përpjekjet e suksesshme në vendet aspirante duhet të ndiqen nga një progres konkret në procesin e anëtarësimit. Vetëm fjalët e ngrohta nuk mjaftojnë, sepse përndryshe premtimi për anëtarësim shndërrohet në një frazë boshe. Ballkani Perëndimor mbetet guri i provës për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, atij të demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës në siguri dhe mirëqenie. Vlerat tona mund të jenë vënë nën trysni, por ato vazhdojnë të mbetenprodukti më i rëndësishëm i eksporteve tona.

Michael Roth është deputeti SPD-së në Bundestag që prej vitit 1998 dhe që prej vitit 2013 mban postin e Ministrittë Shtetit për Evropën pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme.

g.kosovari

Next Post
Burri i veshur si grua grabit fëmijët në shkolla dhe udhëtarët në urbane (video)

Burri i veshur si grua grabit fëmijët në shkolla dhe udhëtarët në urbane (video)

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

98.65 mln lekë për platformë analitike/ OSHEE drejt Inteligjencës Artificiale: Synohet ulja e gabimeve dhe vendimmarrje më e saktë

Lehtësohen faturat e energjisë për klientët debitorë, ulen kamatëvonesat – 300 aktmarrëveshje në rajonin jugor

September 22, 2026
Arrestimi i Agasit në Durrës, SPAK: U kap pas një pune disa javore. Shpataraku përkrahu autorin

Apeli i Posaçëm le në fuqi masën “arrest në burg” ndaj Ergys Agasit

September 22, 2026
Shqiptari i lopës dhe mëzatit në Gjykatën e Hagës…

Processi ndaj ish-krerëve të UÇK / Avokati britanik zbardh strategjinë për rrëzimin e dënimeve në Apel

September 22, 2026
“Ouest France”: Shqipëria, zgjedhja mesdhetare për një javë pushimesh “all inclusive” me çmime të përballueshme

“Ouest France”: Shqipëria, zgjedhja mesdhetare për një javë pushimesh “all inclusive” me çmime të përballueshme

September 22, 2026
Erdogan kërkon OKB pa veto, Presidenti turk kërkon reformë të Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësim më të drejtë

Erdogan kërkon OKB pa veto, Presidenti turk kërkon reformë të Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësim më të drejtë

September 22, 2026
Horoskopi ditor për nesër, e hënë 1 qershor 2026

Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 23 Shtator 2026

September 22, 2026
Shtëpia e Bardhë prezanton “Trump TV”, vendimi vjen pas largimit të tre mediave amerikane

Shtëpia e Bardhë prezanton “Trump TV”, vendimi vjen pas largimit të tre mediave amerikane

September 22, 2026
“Do të harrohet shpejt”, shpërthen skandali 30 vite pas vdekjes së Princeshë Dianës

“Do të harrohet shpejt”, shpërthen skandali 30 vite pas vdekjes së Princeshë Dianës

September 22, 2026
Masa ndaj drejtueses së SHISH, Berisha: Nivel i ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës

Masa ndaj drejtueses së SHISH, Berisha: Nivel i ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës

September 22, 2026
Ermal Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni: Të palëkundur në forcimin rajonal, mbrojtje dhe siguri

Ermal Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni: Të palëkundur në forcimin rajonal, mbrojtje dhe siguri

September 22, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com