• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, November 7, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Apeli i Borchardt për “Zgjedhoren”: Teknologjia e mundur, zbatimi kërkon kohë, duhet të nxitoni

by A R
31/05/2020 17:50
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Zoti ambasador, reforma zgjedhore ka nisur që në vitin 2017, është ndërprerë disa herë dhe në janar, mazhoranca dhe opozita u ulën së bashku për të përfunduar reformën. A ka ardhur koha që reforma zgjedhore të përfundojë, siç thatë edhe ju, idealisht më 31 maj, sot?

Ambasadori Borchardt: Keni plotësisht të drejtë. Ka ardhur koha që reforma të përfundojë. Ne, si Prezencë e OSBE-së dhe simotra jonë nga Varshava, ODIHR-i, e kemi mbështetur këtë reformë të rëndësishme për një kohë të gjatë tashmë dhe shpresojmë të shohim shumë shpejt rezultate përfundimtare dhe të plota, si edhe zbatim të reformës, ku të reflektohen të gjitha rekomandimet. Prandaj, u gëzuam shumë kur të gjitha forcat politike u mblodhën në të ashtuquajturin Këshill Politik për të diskutuar këto çështje. Ende vijoj të jem i inkurajuar që ata do të vijojnë punën. U takuan dje, do të takohen sërish edhe sot. Jam edhe paksa optimist, pasi për shumë nga rekomandimet tona, ndoshta jo për të gjitha, ka zgjidhje të prekshme – ende të paformuluara qartë, por të prekshme. Më lejoni të theksoj që kjo reformë është jetike. Shqipëria dëshiron t’i afrohet Bashkimit Evropian dhe reforma është parakusht i BE-së.

Shqipëria nuk ka realizuar një reformë zgjedhore prej vitit 2012, dhe OSBE/ODIHR-i ka bërë me dhjetëra rekomandime. A e mbështesni ju një depolitizim të plotë të komisioneve zgjedhore, çështje e cila është kthyer në një prej ngërçeve të reformës, pasi opozita nuk e pranon?

Ambasadori Borchardt: Po, keni plotësisht të drejtë. Ky është një ndër rekomandimet për të cilat debati është shumë i fortë. Ne e mbështetim plotësisht idenë e një depolitizimi të plotë të administratës zgjedhore, në mënyrë që të eliminohen të gjitha arsyet për dyshim dhe kundërshtim. Politikanët dhe individët e emëruar nga partitë në administratën zgjedhore përbëjnë një derë të pasme të hapur për kontestime. Depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore i shërben interesit të qytetarëve, duke parandaluar marrëveshjet politike në dëm të zgjedhjeve të ndershme. Reforma e administratës zgjedhore është urgjente – është një ndër rekomandimet tona më të hershme. Është po ashtu urgjente pasi duhet të vihet në zbatim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili me siguri do të ketë atëherë një përbërje tjetër, do të duhet ta zbatojë më pas edhe në të gjitha nivelet e tjera dhe kjo kërkon kohë.

Ka një kërkesë të re opozita që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ankimet zgjedhore. Si e shihni ju këtë?

Ambasadori Borchardt: Ky është një debat interesant, një ide e re. Është sigurisht më mirë se sa të mbështetesh te njerëz që nuk e kanë kaluar vetingun, ku nuk mund të mbështetesh 100 për qind. Prandaj, përfshirja e gjykatave më të larta është patjetër një opsion.

A është e realizueshme kërkesa e opozitës për aplikimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin dhe një projekt pilot për votimin dhe numërimin elektronik?

Ambasadori Borchardt: Pikë së pari, lejomëni të theksoj se tani po prekim çështje të cilat nuk janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Kjo është diçka e mundshme. Di dy shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, që e përdorin identifikimin biometrik. Pra, në parim, është e mundur. Nevojitet konsensus dhe ky konsesus duhet të jetë i shpejtë, pasi zbatimi kërkon kohë. Duhet bërë procesi i prokurimit, duhet përgatitur pajisjet, duhen kalibruar, duhen futur të dhënat, duhen testuar, në mënyrë që të mos ketë asnjë problem ditën e zgjedhjeve. Pra, shqetësimi im është koha – duhet të ndodhë shumë shpejt. Nëse vendoset, ne, sigurisht, do ta mbështetim Shqipërinë për zbatimin. Por ky është plotësisht vendim që i takon Shqipërisë ta marrë.

Si e shihni kërkesën e disa aktorëve politikë për ndryshimin e sistemit zgjedhor? Edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë një propozim për ndryshimin e sistemit, duke sugjeruar modelin danez.

Ambasadori Borchardt: Unë sigurisht e kuptoj, madje edhe e mirëkuptoj dëshirën për të ndryshuar sistemin zgjedhor, por kjo ka nevojë për një mazhorancë të fortë. Për shumicën e propozimeve të diskutuara duhet madje ndryshimi i Kushtetutës, pra dy të tretat e votave në parlament. Dhe, për momentin, duket se kjo shumicë nuk është arritur akoma.

Ky është një diskutim thelbësor, me pasoja të shumëfishta, për të cilin nevojiten, gjithashtu, hapa zbatimi. Por edhe këtu duhet të shtoj se as OSBE-ja dhe as ODIHR-i nuk rekomandojnë sisteme zgjedhore të veçanta. Ka shumë sisteme legjitime, dhe ky është një vendim që i takon Shqipërisë ta marrë, jo neve. Në momentin që do të ketë një vendim, natyrisht që ne do të mbështesim zbatimin e tij.

A mjafton ndryshimi i ligjit për zgjedhje për të realizuar një proces me standarde sipas OSBE/ODIHR-it? A e lufton vetëm ligji fenomenin e shit-blerjes apo vullneti politik ka një rol dominant në këtë proces?

Ambasadori Borchardt: Blerja e votës është një problem serioz, patjetër. ODIHR-i e ka vendosur ndër rekomandimet e tij kryesore. OSBE/ODIHR-i ka rekomanduar, gjithashtu, masa proaktive nga Prokuroria dhe një bashkëpunim më të mirë me organet e tjera ligjzbatuese, si policia, për të hetuar krimet zgjedhore. Prandaj, na vjen mirë që ekzistojnë ide konkrete për të forcuar rolin e policisë dhe të prokurorisë në këtë kontekst. Tashmë duket se po shkohet drejt një konsensusi.

Ndryshimet ligjore, nëse zbatohen siç duhet dhe adresojnë pa mëdyshje problemet reale, janë një hap thelbësor përpara, sigurisht. Por duhet, gjithashtu, vullnet politik për të miratuar ndryshime të tilla, si edhe vullnet politik për t’i zbatuar ato me mirëbesim. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, ne bëmë edhe disa rekomandime të tjera në këtë fushë, si për shembull, angazhim konkret dhe të mirëfilltë nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votës, si edhe refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale. Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut tek integriteti i procesit zgjedhor.

Por, të mos harrojmë se ka edhe çështje të tjera në këtë kontekst, si për shembull, abuzimi me burimet shtetërore, presioni ndaj punonjësve publikë, si edhe praktika joetike e shpërndarjes së të ashtuquajturave kasetave të gatshme dhe më pas shfaqja e tyre pa asnjë lloj identifikimi që ato vijnë nga partitë dhe jo nga gazetarët. Pra, ka ende mjaft për të bërë.

Një qeveri kujdestare, a do t’u jepte zgjidhje problemeve zgjedhore në Shqipëri, siç pretendon opozita?

Ambasadori Borchardt: Kjo është përsëri një çështje, e cila kërkon konsensus politik. Deri më tani unë nuk e dalloj apo nuk e ndiej këtë konsensus. Por, sërish, ky është një vendim që duhet të merret nga Shqipëria dhe shqiptarët, dhe partitë në parlament dhe jashtë parlamentit. Nuk ka asnjë detyrim, as rekomandim nga ne për ta bërë një gjë të tillë, por është diçka që është e mundshme.

Next Post
Shenja më me fat për sot, 10 Korrik 2018

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 1 Qershor 2020

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ambasadori britanik takon Haxhiun: E rëndësishme është që strategjia shtetërore për apelimin në Hagë t’i shërbejë Kosovës!

Ambasadori britanik takon Haxhiun: E rëndësishme është që strategjia shtetërore për apelimin në Hagë t’i shërbejë Kosovës!

November 6, 2026
Turneu i parë në Amerikën Latine, Papa Leoni XIV mbërrin në Uruguai

Turneu i parë në Amerikën Latine, Papa Leoni XIV mbërrin në Uruguai

November 6, 2026
Kremlini njofton takim trepalësh midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës në Abu Dhabi

Putin zbulon datën e negociatave për Ukrainën: Rusia, SHBA-të dhe Kievi në të njëjtën tryezë bisedimesh!

November 6, 2026
“Uroj që përpjekjet të jenë të suksesshme”- Zhupa zbulon strategjinë e PD kundër Ramës: Bashkim i opozitës dhe mobilizim i madh qytetar!

“Uroj që përpjekjet të jenë të suksesshme”- Zhupa zbulon strategjinë e PD kundër Ramës: Bashkim i opozitës dhe mobilizim i madh qytetar!

November 6, 2026
Lufta me Rusinë/ Paketat e reja të ndihmave, Zelensky: Javën e ardhshme takime me partnerët europianë!

Zelensky i bën thirrje SHBA-së për raketat “Patriot”: Mos i shtyni dërgesat, Rusia po planifikon sulme të reja!

November 6, 2026
“Vetë propozova ligjin për të cilin u dënova”- Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla: Kërkova ashpërsimin e dënimit për mosdeklarimin e pasurisë

“Vetë propozova ligjin për të cilin u dënova”- Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla: Kërkova ashpërsimin e dënimit për mosdeklarimin e pasurisë

November 6, 2026
“Jam shtatzënë!”- Keisi bën për “ujë të ftohtë” Sabianin, ja si reagoi këngëtari kur mori kutinë e surprizës në dorë

“Jam shtatzënë!”- Keisi bën për “ujë të ftohtë” Sabianin, ja si reagoi këngëtari kur mori kutinë e surprizës në dorë

November 6, 2026
Giorgos Mazonakis, zëri i njohur i muzikës greke që la gjurmë në skenë dhe në repertor

Mediat greke zbulojnë detaje tronditëse: Dëshmi shokuese për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis, ekipet e EKAB…

November 6, 2026
Trump sulmon demokratët në fjalimin e fundit para zgjedhjeve: Janë jashtëzakonisht të rrezikshëm

Trump: Izraeli dhe Lindja e Mesme nuk do të ekzistonin pa ndërhyrjen e SHBA-ve ndaj Iranit!

November 6, 2026
Parashikimi i “Football Meets Data”: Egnatia e vazhdon rrugëtimin europian në Conference League!

Parashikimi i “Football Meets Data”: Egnatia e vazhdon rrugëtimin europian në Conference League!

November 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In