Duke folur në Kuvend, deputeti Ilir Beqaj tha sot se situata e furnizimit me energji elektrike ka ndryshuar rrënjësisht krahasur me 7 vite më parë. Por sipas ish-ministrit, sfidat vazhdojnë.
Sipas tij, sistemi elektroenergjitik ia ka dalë të jetë në shërbim të familjeve dhe sipërmarrjeve shqiptare, pavarësisht situatës së vështirësuar prej Covid-19.
Beqaj tha se si deputet i qarkut Dibër mendon se lypet një komunikim i hapur, transparent, i vijueshëm me dibranët sa i përket projektit të HEC Skavicës.
Fjala e plotë ga Ilir Beqaj:
Në vitin 2019, përmbledhtazi, kemi këta tregues kryesorë të sistemit elektroenergjitik shqiptar:
– U vendosën në dispozicion rreth 7,6 terawatorë
– Rreth 1,6 terawatorë u hymbën në rrjet apo rreth 21,7 % e energjisë së vendosur në rrjet
– Rreth 6 terawatorë u përdorën nga konsumatorët
– 46 % u përdor nga konsumatorë familjarë dhe 54 % u përdor nga konsumatorë jofamiljarë
– Në vend u prodhuan rreth 5,2 terawatorë
– 42 % prodhimit vendas u përftua nga prodhues jopublikë
Çfarë do të thotë që humbjet kanë rënë 21,7 % nga 44,7 % që ishin në vititn 2013. Do të thotë që vetëm në 2019 janë kursyer 120 milionë euro.
Disa arritje të rëndësishme për sistemin elektroenergjitik për vitin 2019 janë :
– Ndarje e OSHEE apo procesi që quhet “unbundeling”. Janë krijuar FSHU, FTE dhe OSSH. Pra është kryer reformimi strukturor i sistemit të energjisë elektrike.
– Janë ndërmarrë hapat e parë për krijimin e Bursës së Energjisë apo e quajtuar ndryshe “Day Ahead Market of Albania”
– Njohja ndërkombëtare e sistemit elektroenergjitik të Kosovës si entitet më vehte e cila do të fuqizojë këmbimin e energjisë me Kosovën si dhe do të integrojë më mirë sistemet elektroenergjitike të dy vendeve
– U vunë në shfrytëzim 9 impiante të prodhimit të energjisë me burime fotovoltaike me fuqi deri në 2 Megawat
Ndërkohë edhe pse vendi kaloi një periudhë të vështirë prej pandemisë së Covid-19 kemi dy arritje shumë të rëndësishme këta muaj:
– Vënia në punë me kapacitet të plotë e HEC-ve mbi lumin Devoll duke rritur me rreth 9 % prodhimin vendas në një vit të plotë
– Përzgjidhja e fituesit të garës ndërkombëtare të ndërtimit të impiantit me fuqi të instaluar 150 Megawat të gjenerimit të energjisë me burime fotovoltaike.
Përgëzime të veçanta qeverisë shqiptare dhe skuadrës së Ministrisë së Energjisë që arritën të tërheqin investitorë seriozë më çmim fantastik 24,85 Euro më Megawatorë që konkluduan.
Situata e furnizimit me energji elektrike në Shqipëri ka ndryshuar radikalisht krahasuar me 2013. Por sfidat vazhdojnë.
Meqë jemi ende në pandeminë e Covid – 19.
Vendi ka kaluar në dhjetor 2019 dhe në pranverën 2020 situata të jashtëzakonshme. Sistemi elektroenergjitik ia ka dalë të jetë në shërbim të familjeve dhe sipërmarrjeve shqiptare.
Prandaj të gjithë punonjësit e këtij sistemi e meritojnë sot një falenderim të veçantë të sinqertë dhe pse jo edhe një duartrokitje.
Prej disa vitesh në rezolutën vjetore, si Kuvend i Shqipërisë, i kemi kërkuar ERE-s të mundësojë faturimin aforfe individual për dy muaj dhe leximin e matësit vetëm një herë në tre muaj. Ia kemi kërkuar qoftë edhe duke e pilotuar dhe ende nuk ishte bërë e mundur. Ra Covid – 19 dhe u bë fakt i kryer faturimi aforfe individual. Prandaj ERE duhet të jetë shumë më ambicioze dhe shtyjë përpara inoviacionin në administrimin e sistemit elektroenergjitik shqiptar.
Prej disa vitesh ne kemi ofruar lehtësi fiskale për automjetet elektrike. Në Tiranë janë sot mbi 100 autovetura të shërbimit taksi të tilla. Por mendoj se duhet të zgjerojmë mbështetjen. Nëse unë si individ blejë një autoveturë elektrike mund ta ngarkoj vetëm në oborrin e shtëpisë sime. Nëse shkoj në Vlorë, në Korçë, në Shkodër apo diku tjetër nuk kam se ku e ngarkoj. Mungojnë stacionet e ngarkimit për individët. ERE duhet të studjojë dhe rregullojë liçensimin e njësive që mundësojnë ngarkimin në mjedise publike e autoveturës elektrike kundrejt pagesës. Një kërkesë edhe për qeverinë. Nëse kemi ofruar lehtësi fiskale për vetë autoveturën, duhet të ofrojmë të njëjtën lehtësi fiskale për pajisjet e teknollogjisë së ngarkimit të autoveturës.
Prodhimi i energjisë elektrike nga HEC-et që i quajmë të vogla është rritur nga viti në vit. Por mendoj se ka vend rishikimi i marrveshjes me të cilën shteti ka marrë përsipër të blejë energjinë e prodhuar prej tyre. Në 42 muaj, nga korrik 2016 deri në dhjetor 2019, OSHEE ka paguar për të blerë energjinë e HEC-eve të vegjël 64 milionë euro shumë se po t’i kishte blerë në treg të hapur. Nga 64 milionë euro më shumë gjithsej, rreth 21 milionë euro vijnë nga ato që quhen disbalaca. Vendimi për disbalancat duhet të rishikohet. Nuk mund të ngarkohet gjithë barra mbi OSHEE. Në kushtet kur shteti u garanton blerjen e energjisë për 15 vjet, 15 % normë mbi çmimin e tregut do të ishte më se e mjaftueshme për të shlyer investimin me IRR vjetore 9 – 12 %.
Ditët e fundit ka filluar diskutimi në publik rreth hidrocentralit të Skavicës. Skavica vetë është një histori tashmë 50 vjeçare. Por kësaj here qeveria e Edi Ramës përtej dëshirës ka një qëllim konkret. Si deputet i qarkut Dibër e ndjej se duhet të përfshihem në këtë diskutim që tani. Lypet një komunikim i hapur, transparent, i vijueshëm me dibranët. Të mos krijojmë boshllëk në komunikim që mund të keqpërdoret nga keqdashësit apo të keqkuptohet nga naivët. Është e pakuptimtë që të fashitet që në gjenezë entuziazmi i dibranëve prej përfundimit të rrugës së Arbërit.
Rreth 1600 familjet që mund të preken nga zbatimi i projektit të bashkëngjiten në mënyrën sesi qeveria po zgjidh hallet e të pastrehëve nga tërmeti. T’u ofrohet të vijnë në jetojnë në Thumanë apo në Vorë në qytezat e reja që sapo kanë filluar të ndërtohen. Për pjesën e tokës bujqësore le të kompensohen sipas legjislacionit në fuqi.
Me të njëjtin agresivitet si po merret me Skavicën, qeveria duhet të shohë edhe vënien në punë të TEC-it të Vlorës.
Ju ftoj ta miratojmë projekrezolutën për aktivitetin e ERE-s për vitin 2019.