Avokati i Popullit i ka drejtuar Kryeministrit Edi Rama, një rekomandim për marrjen e masave të nevojshme për respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve. Sipas këtij institucioni, rekomandimi i është drejtuar më parë edhe Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave, por meqënëse nuk ka pasur asnjë reflektim mbi to, nga ana e këtyre institucioneve AP i është drejtuar edhe Kryeministrit të vendit.
Reagimi i Avoaktit të Popullit vjen pas një ankese të bërë nga ana e një grupi punonjësisht të Policisë së Burgjeve. Ankuesist shkruajën në letër se po u shkelen të drejtat e garantuara nga ligji dhe aktet nënligjore të cilat rregullojnë veprimtarinë e kësaj strukture. Ndërkohë ata parashtrojnë disa nga problemet që hasen në punën e përditshme të punonjësve të Policisë së Burgjeve të cilat janë:
– Nuk paguhet shtesa e pagës për oficerët e policisë që transferohen me shërbim jashtë rrethit.
– Punonjësit e Policisë së Burgjeve nuk e kanë marrë uniformën që prej 5 vjetësh.
– Atyre nuk u jepet ushqimi që prej 10 vjetësh.
– Orët shtesë, të cilat në disa sektorë shkojnë deri 12 orë në ditë, nuk u paguhen dhe ndërkohë ato nuk kompensohen me pushim.
– Nuk paguhet leja vjetore e pa kryer për nevoja pune.
– Nuk paguhet vjetërsia në punë, me përjashtim të 3 viteve të fundit.
Ankuesit ngrenë edhe shqetësimin që u krijohet nga aktet normative në fuqi, për trajtimin jo të barabartë të tyre me punonjësit e Policisë së Shtetit. Ata paguhen 30 % më pak se punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ja rekomandimet e AP adresuar kryeministrit
Ndërhyrjen Tuaj dhe ushtrimin e kompetencave ligjore ndaj Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Financave dhe Ministrit për Inovacionin dhe Administratën Publike për të bërë të mundur zbatimin dhe respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe konkretisht për:
-Marrjen e menjëhershme të masave organizative nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoritë e IEVP-ve për respektimin brenda afateve ligjore të të drejtës së punonjësve të Policisë së Burgjeve për kryerjen e lejeve vjetore të pa bëra dhe për kompensimin me pushime për orët shtesë të punës së kryer, ose në pamundësi të bëhet kompensimi në vlerë i tyre.
-Marrjen e masave të nevojshme dhe bërjen e propozimeve përkatëse Këshillit të Ministrave për rritjen e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të bërë të mundur respektimin e të drejtës për t’u pajisur me uniformë dhe dhënien e ushqimit punonjësve të Policisë së Burgjeve që nga koha e cenimit të tyre.
-Marrjen e masave për përgatitjen dhe dërgimin në Këshillin e Ministrave të projektit të VKM me qëllim trajtimin e barabartë ekonomiko-financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit.