• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 22, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Antiheronjtë nuk i bën dot heronj, as Bashkia, as Partia !

by Kristo Mërtiri
03/09/2023 19:19
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Kristo Mërtiri

Përmetarin e mirë Thoma Vaso, me rrënjë nga Micani i Dangëllisë, e njoha vonë. E njoha si kryetar i Këshillit zonal nr.2 të Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të LANC, në Kryeqytet. Serioz, korrekt, i përkushtuar, i dashur dhe i sinqertë . Sa herë takohem e bisedoj me të, përjetoj një ndiesi paksa të vecantë. Se me atë nahije të bekuar jam lidhur pazgjithmërisht në dekada. Si qytetar e banor i hershëm, si familjar e gazetar profesionist. Janë disa udhë “për herë të parë” në jetën time, atje rrëzë Dhëmbelit e mbi Vjosën bukurishumë. Nuk lashë fshat e krahinë pa vajtur, që nga Dëshnica, Malëshova, Cerja, Dangëllia, Rrëza e Shqeria. Në cdo pëllëmbë vend gjej rininë time, gjurmët e saj të paharruara. “Edhe ti je një nga njerëzit e penës që i ke dhënë emër të mirë Përmetit tonë në median e djeshme e të sotme?,-më thotë shpesh Comja(kështu e thërras unë). Dhe mban në duar pak letra të printuara, shoqëruar me foto. Nuk janë reklama a njoftime për apartamente, dyqane, koncerte, piceri etj. Është një korrespondencë informative e problemore, e saktë dhe koncize për 7 martirë të Lirisë së Atdheut ! Të shtatë janë 19; 20; 24; 25 e 30 vjecarë, që falën jetën me Shqipërinë në sy e në zemër. Ranë në luftë kundër pushtuesit fashist. Mbyllën sytë përgjithmonë në Tiranë. Të shtatë djemtë e Nënave i torturuan, i masakruan dhe i varën të gjithë në litar ! Më thoni një kryeqytet në Evropë a në Botë që ka shembull të tillë me Heronj të Popullit e Dëshmorë të Atdheut ?! Se në themelet e arta të Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare është edhe vepra e tyre, shpirti i tyre atdhetar e luftëtar…

-Po mbushet një vit nga përgatitja, sidomos për Shyqyri Ishmin e Muhamet Gjolleshën që mbetën përjetësisht “banorë” të Lagjes sonë, te Pazari i Ri,-rrëfen Thomai.-Por gazetat e kanë mendjen vetëm te ca politikanë të akshamit dhe te “vipat”(rripat) që turbullojnë e cakërdisin trurin e rinisë. E di ti se c’farë metamorfoze të cuditëshme ka pësuar lapidari i tyre ?…Në fillim të vitit 2017 u rindërtua dhe u inaugurua Pazari, një mjedis i bukur, i pastër e modern, shlodhës e frekuentues për gjithë Tiranën. Por Bashkia “harroi” turpshëm rivendosjen e Lapidarit të mirënjohur (?!). Komiteti i Veteranëve dhe Shoqatat patriotike nuk heshtën pas asaj indinjate e zhgënjimi real. U thuhej se “do kompozohet për të qenë më me dinjitet dhe në harmoni me ndërtimet e tjera moderne, duroni edhe pak”. Kur u bë inaugurimi, veteranë e pasardhës të tyre dhe të dy dëshmorëve, protestuan menjëherë. Ja, shiko fotografitë! Pranë gardhit të një lokali restorant peshku, ishte hedhur një pllakë mermeri me ca gërma të coptuara. Buzë një pusete ! Më vonë e ngritën pak mbi një mur të vogël. Bashkia, që ka edhe detyrim ligjor, doli gënjeshtare ! Megjithse u harxhuan miliona e miliona pa hesap, për atë Memorial të rëndomtë “shpenzuan” dy thërrime për fjalinë “dha jetën për atdhe”. Asgjë më tepër. Asnjë fjalë se kush i vari në litar dhe përse ! Nga cilët fashistë e nga cilët bashkëpunëtorë kallauzë, u trembën vallë ? Kujt i vret sytë e vërteta e hidhur ? Qytetari, turisti dhe udhëtari i zakonshëm nuk mësonin asgjë. Sikur Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare të ishte thjesht një betejë për mendertendera e përfitime me allishverishe në kurriz të taksapaguesve ! Gati dy vite më parë vetë pronari e vendosi dicka më mirë se dikur, por larg asaj që u takon trimave Shyqyri Ishmi e Muhamet Gjollesha…

Nuk mund të themi se ky lloj menefregizmi e moskokëcarje tipike e pushtetit lokal në Lagje, Bashki e në Këshillin e Qarkut, bie erë neofashizëm apo “antikomunizëm” shpellor. Qesharakëzimi i premtimeve boshe për vota e duartrokitje kallpe, nuk i shërben aspak qytetërimit evropian e perëndimor. Përkundrazi. E zbeh ëndrrën popullore shqiptare drejt BE-së, për të ruajtur cdo vlerë që lë mënjanë antivlerat. Përshembull, deri ditët e fundit, në Gjermani po vijojnë gjyqet kundër bashkëpunëtorëve e ndihmësve të dikurshëm që realizuan shfarosjen hitleriane të qindra njerëzve nëpër Kampet e Internimit nazist. Ndërsa në Shqipërinë tonë hallemadhe, mjerisht vazhdojnë tentativat faqezeza për të rehabilituar djallëzisht e poshtërsisht ata që shërbyen nën kapotat e pushtimit nazifashist ! Kjo nuk është Demokraci e vërtetë. Është anarshi e rrumpallë institucionale. Por historinë vezulluese të luftës kundër nazifashizmit, nuk e fshijnë dot ca kalemxhinj të paguar me rroga shtetërore majtas e djathtas ?! Boll retushuan e “ringjallën” paturpësisht figura të urryera dhe tradhëtarë e vrasës me damkë, sic paskan bërë me Halil Alinë ! Ky vrau në Sinjë të Dibrës me dorën e vet gjakatare, motrën e mësuesit tonë të dashur në Tepelenë, partizanen 15 vjecare, Heroinën e Popullit, Nimete Progonati. Por dibranët e mencur ia ruajtën sot e kësaj dite Lapidarin, emrin e shkollës etj. “Trimëria” para një vajze të parritur mirë, flet shumë e trondit cdo malësor e fusharak, cdo shqiptar. Ose varja në litar te “Sheshi i Cercizit” në Gjirokastër, e Bule Naipit e Persefoni Kokëdhimës, tregon mjaft për egërsirat prapanicalëpirëse të pushtuesve. Pinjollët pasardhës injorantë, inatcorë e hajdutë me këmborë të fondeve qeveritare për të “persekutuarit”, morën yrysh më tej. Volën dekorata e prona, por ngritën edhe buste. Arritën t’i vendosin edhe në zemër të Tiranës(?). Deri përkrah ish hotel “Peza”! Një karshillëk e maskarallëk me okë përballë Veteranëve e Familjeve të Dëshmorëve. Nuk e di kush hodhi firmën për “Pishtar” a “Martir” i demokracisë. Nuk e di cilët firmosën e shpallën “Qytetar Nderi”…Por mbi 26 vite më parë, mbaj mend një trokitje të lehtë e drithërake në derën e redaksisë së gazetës “Kombi”. Ishte Hamdiu, veteran i Luftës e veteran i Shtypit, korrekt dhe i saktë si ai. Ashtu duardridhur  dhe me zë jo qaraman, kërkoi t’i shikonim shkrimin e sapopërfunduar. Po kujt t’ia shikonim ? Profesorit të djeshëm në Gazetari ! Fliste për masakrën e zezë të 4 Shkurtit dhe për rolin e ndyrë të personazhit me bust te ish hotel “Peza”. Fliste edhe si dëshmitar okular. Dy pika lotë po bëheshin gati të rrokulliseshin nga sytë e tij të rrëmbushur. Fliste Njeriu që në monizëm njërin vëlla ia pushkatuan dhe tjetrin ia syrgjynosën burgjeve !…Ndërsa Poeti gulconte e fliste thekshëm publikisht:

“S’ka heronj, heronjtë i përzumë,/ Me lavdi përditë i nanuritëm/ Dhe me lajka dalngadalë i vumë/ Një nga një në prehje dhe në gjumë”.

Por le të mos largohemi nga objekti konkret i shkrimit. Shumë mbase nuk e dinë ende se pas 19 vjecarit bregdetas Vasil Laci, në Tiranë janë varur në litar nga fashistët e sahanlëpirësit e tyre edhe Hamid Shijaku, Ferit Xhajko, Nikolla Tupe e Hamdi Mëzezi. Të gjithë në pranverë ! Të gjithë lule në lule të jetës ! Nga 19 deri 25 vjec. Ka të drejtë Thoma Vaso përmetari që propozon dhe këmbëngul me zemër për ngritjen e një Monumenti të përbashkët kushtuar 7 martirëve të Lirisë e të Demokracisë së vërtetë, të cilët dhanë jetën mizorisht në litar. Po troket 80 vjetori i Clirimit të Atdheut ! C’farë kanë menduar Këshilli Bashkiak apo Këshilli i Qarkut, pse jo edhe Qeveria, për këtë jubile të ndritur në historinë e Shqipërisë ? C’po bëhet me muzetë, pllakat përkujtimore, memorialet dhe botimet për brezin e ri që mjaft prej tyre nuk dinë asgjë për emrin e Dëshmorit që mban shkolla, rruga a rrugica ku kalojnë përditë, ose për vetë Clirimin e Kryeqytetit tonë që i ka themelet te gjaku dhe jeta e të rënëve. Po të isha ministër Arsimi (pas atij emisionit jo pak tronditës te “Fiks Fare”, ku gjimnazistët nuk kishin haber hic për disa figura të shquara kombëtare), unë do të jepja menjëherë dorëheqjen nga posti, pa e ngrënë turpin me bukë !…Po ai lajmi i djeshëm, titulluar: “Jam dakord me Hitlerin”, lajthit pedagogia e Ekonomikut”! Lajthitje nga vapa apo nga spaletat e rënda më sipërore “Profesor Doktor”?!. Mjerë brezi i ri në ata auditorë se c’farë kulture përvetëson ! Marrëzira nga istikamet institucionale, publike. Dhe Dekanati, Rektorati apo Ministria përkatëse, me sa duket fërkojnë barkun e bulcitë. Po reagimet e shumta të intelektualëve dhe të njerëzve të thjeshtë, a ua lëkundën sadopak kolltuqet drejtuesve të Arsimit në Kryeqytet e më lart ? Asnjë reagim e reflektim serioz !

                                    C’digjeni nga malli për heronjtë ?

Kushedi kur kthehen nga kjo anë !

C’i kërkoni ? Pritja është e kotë

S’ka heronj, tani ka pehlivanë !

Po e mbyllim me pakëz buzëqeshje rreth premtimeve(më saktë: mashtrimeve) që u ka dalë kallaji. Premtime që prehen e shullëhen nëpër sirtarët e zyrave me kondicioner dhe me plot salltanete. Nëpunës namusqarë që presin e përcjellin këmbë përmbi këmbë e fodullëk qytetarët, thjesht me ndonjë fjalë të mirë e gur në trastë. Por kur e bëjnë këtë karshillëk e syfetllëk edhe përballë Veteranëve, Familjeve të Dëshmorëve e Pasardhësve të tyre të nderuar, nuk mund të heshtim. Si mund të kycë gojën  Thoma Vaso përmetari me shokë ? Shembuj të tillë të afrojnë më tepër në Organizatën e Veteranëve, nuk të largojnë. Ai ka të drejtë të shqetësohet për premtimet e pambajtura të pushtetarëve lokalë…Mirëpo, mëhallaliu ynë gjirokastrit te Brryli, i dha karar muhabetit me një tip anekdote nga qyteti i gurtë mbi Malin e Gjerë: “ Qe një prift, ama ky qe elifmatrak fare. Se kur binin kreshmat, se kur binin pashkët, malum, me të shkuara s’i gjente dot. E c’na bënte ky ? Na mbante në xhep koqe bathe dhe cdo ditë hiqte nga një; dhe kështu sa i mbeteshin, u thosh fshatit se kur binin të krëmtet apo pashkët. Mirëpo, njëherë gruaja, duke parë se ky mbante bathë në xhep, pandehu se i pëlqenin e i mbante për të ngrënë, për të shkuar kohën dhe i hodhi dy grushte plotë. Nëmëro ky bathët, i duallën më tepër se c’kishte në fillim; hiq nga një përditë, po ku mbaroheshin ato !

-E, o uratë-i thanë-kur vijnë pashkët sivjet ?

-Sic tregojnë bathët, jo sivjet po dhe vitin që vjen s’kemi pashkë !….

Next Post
Nga kërcimi me Dash Sulën, te kostumet popullore! Pamjet nga dasma e vajzës së Luçiano Boçit

Nga kërcimi me Dash Sulën, te kostumet popullore! Pamjet nga dasma e vajzës së Luçiano Boçit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

VIDEO/ Tronditëse në Turqi, nxënësi plagos me armë drejtorin e shkollës pse e kritikoi! Arsimtari në gjendje të rëndë..

VIDEO/ Tronditëse në Turqi, nxënësi plagos me armë drejtorin e shkollës pse e kritikoi! Arsimtari në gjendje të rëndë..

December 22, 2025
Prej 13 muajsh në burg pasi protestoi për Gazën, ja historia e Teuta Hoxhës! Shqiptarja në grevë urie për Palestinën

Prej 13 muajsh në burg pasi protestoi për Gazën, ja historia e Teuta Hoxhës! Shqiptarja në grevë urie për Palestinën

December 22, 2025
Neres fundos Bolonjën në finale, Napoli fiton Superkupën

Neres fundos Bolonjën në finale, Napoli fiton Superkupën

December 22, 2025
Shuhet në moshën 74-vjeçare Chris Rea

Shuhet në moshën 74-vjeçare Chris Rea

December 22, 2025
“Sali Berisha është bingo e Edi Ramës”/ Koçi: Një opozitë e korruptuar nuk e lufton korrupsion

“Sali Berisha është bingo e Edi Ramës”/ Koçi: Një opozitë e korruptuar nuk e lufton korrupsion

December 22, 2025
Spahiu: Avokati i arrestuar nuk kreu vepër penale, por shkelje etike dhe rregulli në seancë

Spahiu: Protesta e Berishës u bë për të larguar Tikun nga bulevardi dhe Salianjin nga partia

December 22, 2025
Rritja e ekstremit të djathtë në Spanjë përcakton rezultatin e zgjedhjeve rajonale

Rritja e ekstremit të djathtë në Spanjë përcakton rezultatin e zgjedhjeve rajonale

December 22, 2025
Krijuesi i “Call of Duty” humb jetën në aksidentin tragjik

Krijuesi i “Call of Duty” humb jetën në aksidentin tragjik

December 22, 2025
“Largohu dhe ik”, Flamur Noka përplaset me gazetarin: S’marr pushkën unë djalosh

“O Muli ti je hajdut për vete, je babai i mushkës”/ Përplaset me komentuesit Flamur Noka: O bir, të kam vjedhur gjë?

December 22, 2025
Curri: Rama nuk bën gabim! Studenti im 24-vjeç është duke vdekur sot në paraburgimet e SPAK-ut

Curri: Lapaj, Qori dhe Shehaj nuk i bashkohen Berishës se duan të krijojnë qeveri teknike, u erdhi dita

December 22, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In