Nga Fatos Tarifa
Nëse shprehja e Xhorxh Santajanës se “ata që nuk e kujtojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë” bën kuptim për periudhën e fashizmit, ose për të shkuarën komuniste, kjo maksimë bën edhe më shumë kuptim për “heronjtë” bolshevikë të postkomunizmit e, në radhë të parë, për njërin prej tyre, Sali Berishën, i cili, më shumë se kushdo—dhe për një kohë më të gjatë se kushdo tjetër në Europën Lindore – ka dëshmuar se sa të rrezikshme janë për demokracinë, për fatet e një vendi dhe për të ardhmen e rinisë së tij demagogjia antikomunsite dhe ajo nacionaliste.
Berisha dhe rinia e sotme
Studentët që kisha dje në auditor kanë lindur pas vitit 1997, disa edhe pas vitit 2000. Ata i përkasin gjeneratës më të re të shqiptarëve e të njerëzimit, asaj që në kulturën pop dhe në zhargonin e sotëm ka filluar të njihet si Generation Z. Kjo gjeneratë shqiptarësh nuk e ka njohur socializmin shtetëror dhe nuk e ka jetuar “Gulagun” shqiptar.
Sidoqoftë, të rinjtë e kësaj moshe janë rritur duke parë nga mëngjesi në mbrëmje, çdo ditë të jetës së tyre deri më sot, të njëjtat fytyra politikanësh që drejtojnë vendin dhe kanë në dorë mirëqenien dhe fatet e tyre.
Ndër to, fytyra më e zhubrosur nga koha dhe ajo që, më shumë se fytyra e cilitdo politikan tjetër “u ka mbirë në sy”, është ajo e Sali Berishës. Fytyra e Ilir Metës dhe e ajo Edi Ramës gjithashtu (edhe pse ky i fundit nuk mund të krahasohet me dy të parët), por fytyra e Berishës është relikja më e vjetër në kujtesën e tyre.
Après moi, le déluge
Fatkeqësisht—por edhe për fatin e tyre të mirë—të rinjtë e sotëm, ata që i përkasin pikërisht kësaj gjenerate, nuk e kanë njohur Berishën e mesit të viteve 1990, njeriun që shkaktoi marrëzinë e madhe kolektive të shqiptarëve më 1997, duke i mashtruar qytetarët e këtij vendi me skemat piramidale, duke i shkatërruar institucionet e shtetit, duke i rrahur e burgosur gazetarët dhe kundërshtarët e tij politikë, duke e çuar vendin në një kaos total, në të cilin, brenda disa javëve, u vranë 2,000 a 3,000 shqiptarë, më shumë se sa gjysma e ushtarëve amerikanë të vrarë në Irak nga marsi i vitit 2003, deri në dhjetor të vitit 2009.
Sepse, për Sali Berishën e atyre viteve, asgjë nuk kishte rëndësi veç pushtetit të tij—as mirëqenia e qytetarëve, as jeta e tyre, as fatet e vendit. Après moi, le déluge (pas meje, të bëhet qameti)—ky ishte parimi i Berishës në ato vite.
Këto ishin fjalët që ai, me një frëngjishte të keqe, ia kish thënë në sy, në pranverë të vitit 1997, mikut tim gazetar nga Bostoni, Peter Lucas, të cilat ky i fundit, me sytë shqyer nga habia, m’i ka thënë pak kohë më vonë.
Të rinjtë e sotëm nuk e kanë parë—dhe, prandaj, s’kanë se si ta kujtojnë—përpjekjen e këtij njeriu për të rimarrë pushtetin e humbur me turp përmes një grushti shteti në shtator të vitit 1998. Prindërit e tyre, pa dyshim, i kujtojnë ngjarjet e asaj kohe, por ato duhet t’ua themi e t’ua kujtojmë edhe të rinjve të sotëm.
Jo në auditor, sepse auditori nuk është një foltore politike, por vendi ku studentëve duhet t’u japim dijet që fitojmë nga progresi shkencor e teknologjik, si dhe nga hulumtimi i përparimeve të shoqërisë në ekonomi, në kulturë e në arte.
Revolucioni ka mbaruar
Nëse harrojmë t’i themi kësaj gjenerate të re shqiptarësh se cili është Sali Berisha i vërtetë dhe ç’kanë hequr me të në krye—dhe prej tij—ky popull dhe ky vend, mundet që disa prej të rinjve të sotëm ta marrin Berishën për njeriun që ai nuk është, për “revolucionarin e paepur”, për “demokratin e pakompromentuar”, për “politikanin e pakorruptueshëm”, për “patriotin e madh”.
Të rinjtë e sotëm duhet të mësojnë se Berisha nuk është asnjëri nga këta. Ai hyri në politikën shqiptare si një “revolucionar” i vonuar dhe si një demokrat, pa pasur asnjë prej cilësive të një revolucionari dhe të një demokrati të vërtetë, edhe pse në një kohë vërtet revolucionare, e cila qe pjekur për ndryshime demokratike në shoqëri.
Një komunist 24 karat si ai nuk mund të udhëhiqte një përmbysje postkomuniste në Shqipëri dhe, aq më pak, të krijonte një rend të vërtetë demokratik, veçse me të njëjtin mentalitet dhe me të njëjtat metoda komuniste.
Sot, “revolucionari” Berisha duket se i përket një shekulli dhe një planeti tjetër, jo Shqipërisë së shekullit të 21-të, jo përfytyrimit që kanë për të ardhmen e tyre dhe të shoqërisë së tyre 20-vjeçarët e sotëm të këtij vendi.
Berisha edhe vetë e ka kuptuar se koha e tij ka marrë fund dhe ajo kohë s’mund të kthehet më, as me demagogji, as me kuvende, as me protesta, as me dhunë.
“Revolucioni” ka mbaruar—nëse vërtet brezi im dhe dy breza të tjerë pas nesh panë të ndodhte ndonjëherë një revolucion në Shqipëri. “Revolucionari” Berisha dhe “revolucionarët” e tjerë që, si Lei Fengu kinez, i shkojnë pas “heroit” të tyre, janë krejt jashtë kohës dhe larg realiteteve të kësaj shoqërie, e cila s’mund të kthehet më në kohëra që i kemi lënë pas.
Jo më Gërdec dhe vrasje në bulevard!
Berisha nuk e ka harruar zakonin, as e ka humbur aftësinë për të shkaktuar trazira dhe për të bërë dëm, edhe pse ka rënë nga pushteti. Viti 1997 nuk ka të ngjarë të përsëritet, por një aventurë, e destinuar sërish të dështojë, si ajo e 1998-ës, kur ai ishte në opozitë, nuk mund të përjashtohet krejtësisht.
Thirrjet e tij për protesta kundër qeverisë nuk janë thirrje për demokraci, ose në emër të saj, por një përpjekje për të krijuar kaos, pasiguri dhe frikë. Këto—kaosi, pasiguria dhe frika e të tjerëve—janë burimet që e ushqejnë instinktin dhe impulsin politik agresiv të Berishës dhe e motivojnë sjelljen e tij.
Dhe, nëse në Gërdec, më 15 mars 2008 dhe, po kështu, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më 21 janar 2011, për shkak të tij—dhe për interesat e pushtetit të tij—u vranë dhjetra qytetarë të pafajshëm të këtij vendi, nuk ka asnjë garanci se, nëse forca e ligjit dhe vullneti i bashkuar i qytetarëve nuk e ndalin, Berisha përsëri mund të shkaktojë trazira, prej të cilave të rrezikohen jetë njerëzish. Marrëzia e këtij njeriu nuk njeh kufij.
Kush dhe pse i shkojnë pas Berishës
Ata që mendojnë, ose thonë se Berisha ka përkrahjen e një pjese të popullsisë, i siguroj se kjo nuk ka shpëtuar pa u vënë re. Por, njerëzve të tillë u kujtoj se, në çdo kohë ka pasur dhe ka njerëz që u kanë shkuar dhe u shkojnë pas të marrëve, diktatorëve, ose politikanëve autokratë e populistë.
Hitleri, Stalini, Musolini, Hirohito, Mao, Kastro, Salazar, Gadafi, Milosevici, Çavez, ose edhe Donald Trump—edhe pse ky i fundit në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me asnjërin prej diktatorëve të sipërpërmendur—janë vetëm disa shembuj.
Nëse duam të kuptojmë arsyet pse njerëz të tillë kanë mundur të tërheqin pas vetes masa të gjera njerëzish, shpjegime të vlefshme na i kanë dhënë me kohë sociologjia dhe psikologjia.
Vepra e psikanalistit të shquar austriak Wilhem Reich, Psikologjia masive e fashizmit (1933) është një ndër përpjekjet e para në këtë drejtim. Stanley Milgram, Jerry Burger dhe, së fundmi, Timothy Snyder, në studimin e tij Mbi tiraninë: 20 mësime nga shekulli i 20-të (2017), shpjegojnë se arsyet për të cilat një masë njerëzish, shpesh herë jo e vogël, u binden dhe u shkojnë pas politikanëve populistë dhe autoritaristë, kanë qenë e janë forca e autoritetit për ta nënshtruar gjykimin individual të njerëzve, burimet e kufizuara të informacionit të besueshëm ose mungesa e tij, – çka i bën disa njerëz tu besojnë verbërisht liderëve të tyre, propagandës dhe teorive të tyre konspiracioniste (Stalini thoshte: “S’ka informacion, s’ka problem”) – intimidimi dhe frika.
Arritjet e sotme në neuroshkencë na ndihmojnë të kuptojmë edhe më mirë një dukuri të tillë, sidomos arsyet pse frika mund të shërbejë si një mjet i fuqishëm për politikanët populistë dhe autoritaristë.
Joseph LeDoux, fjala vjen, ka zbuluar se, nëse ndaj informacionit që marrim dhe lë gjurmë në trurin tonë reagojmë të frikësuar, kjo e pengon, ose e bën të vështirë vlerësimin e një situate të caktuar duke përdorur aftësitë tona për të gjykuar në mënyrë racionale, arsye kjo për të cilën, në shumë raste, reagojmë— thujase instinktivisht—ndaj një kërcënimi të supozuar.
Kur politikanë populistë i mbajnë ndjekësit e tyre të trembur dhe emocionalisht të rënduar, stresi i vazhdueshëm i tyre mund të shndërrohet në ankth, duke e bërë më të lehtë reagimin ndaj kërcënimeve realë ose të imagjinuar. Efekti i propagandës dhe frika e pengojnë aftësinë për të gjykuar në mënyrë racionale dhe kjo e bën më të lehtë manipulimin e njerëzve prej politikanëve të tillë.
Me aftësinë tonë për të menduar racionalisht e në mënyrë kritike të kompromentuar, frika jonë mund të ndikojë që të manipulohemi më lehtë prej politikanëve të tillë.
Berisha, një antihero
Berisha është shquar si një njeri që ka prishur e ka shkatërruar për të marrë pushtetin ose, kur e ka humbur, për ta rimarrë atë; për të krijuar kultin e vet të individit, ose, kur kulti i tij ka rënë, për tu dukur ende i fortë, ndërkohë që, në fakt, e sheh se forca e ka lënë dhe ndihet i rrezikuar.
Berisha është epitoma e të gjitha këtyre: për pushtetin e vet, ai i vuri flakën Shqipërisë. Dhe është gati ta bëjë përsëri këtë. Me demagogjinë e tij dhe me pushtetin që mori krijoi për veten e tij kultin e një demokrati, të një lideri proamerikan dhe të një patrioti të pakompromentueshëm. Ky kult u provua se ishte i rremë dhe se Berisha nuk është—dhe as ka qenë ndonjëherë—as një demokrat i vërtetë, as një proamerikan i vërtetë, as një patriot i vërtetë.
Berisha, i cili gjithnjë ka besuar se është “heroi” i demokracisë shqiptare, siç kanë besuar edhe shumë të tjerë që i kanë shkuar pas dhe i kanë qëndruar afër, nuk ka pasur—dhe sot, sidomos, nuk ka—asgjë të përbashkët me heronjtë e vërtetë; ai, përkundrazi, është bërë sot antiheroi i ditës.
Berisha ka drejtuar me metoda jodemokratike. Armiqësia e tij ndaj shtypit të lirë dhe ndaj parimeve të qeverisjes demokratike në Shqipëri është krahasur me atë të diktatorëve të tillë si, Slobodan Milosevic në Serbi, Jean Bertrand Aristide në Haiti, Mahathir Mohammad në Malajzi, Alberto Fujimori në Peru apo Leonid Kravchuk dhe Leonid Kuchman në Ukrainë.
Patriotizmi, “streha e fundit e një sharlatani”
Berisha nuk ka qenë dhe nuk është “patrioti i madh” që ai thotë se është. Ai, përkundrazi, ka folur e flet për patriotizëm, ose në emër të patriotizmit sa herë që i është dashur—dhe sot që i duhet—të realizojë, ose të mbrojë interesat e veta.
Dy shekuj e gjysmë më parë, Samuel Johnson e denonconte atë lloj patriotizmi të rremë që shumë njerëz, “në të gjitha kohët dhe në të gjithë vendet e përdorin si një mantel për të fshehur interesat e veta”.
Patriotizmi i Berishës sot është një patriotizëm i rremë, si ai për të cilin shkruante Johnson në kohën e vet dhe, për t’i bërë nder këtij shkrimtari të madh anglez, është me vend të përsërisim me këtë rast, apotemën e tij të famshme, se “patriotizmi është streha e fundit e një maskarai”, ose e një “sharlatani”, në varësi se si do të donim ta përkthenim në shqip fjalën “scoundrel” që përdor ai.
Largohuni prej tij
Të rinjve të sotëm, që nuk e kanë njohur Berishën dhe nuk kanë dëgjuar për bëmat e tij, u them se ky njeri, për pushtetin dhe për interesat e veta, u dëshiron qametin të tjerëve; se ky njeri nuk sheh nga e ardhmja dhe nuk e kupton atë, por sheh nga e shkuara dhe kërkon t’ju mbajë në burgun e së shkuarës; se ky njeri nuk i njeh parimet xhefersoniane të qeverisjes, por kërkon të vijë në pushtet me dhunë dhe të qeverisë përmes intimidimit dhe frikës, pothuajse njëlloj si komunistët dikur, dishepull i të cilëve ai është.
Kushdo që është me Berishën sot dhe i shkon pas atij në tubime e protesta, duhet të dijë se është i humbur. Pa një kauzë të drejtë dhe që inspiron, pa një vizion për të ardhmen, pa kurrfarë dinjiteti apo force morale, i konsideruar i rrezikshëm për demokracinë dhe për interesat e vendit dhe i padëshiruar nga miqtë dhe aleatët tanë të mëdhenj përtej Atlantikut, Berisha është një histori e së shkuarës, jo një shpresë e së ardhmes.
Ai është një rrënojë arkaike e politikës, që po bie nga pak ditë pas dite. Që të mos u zerë edhe juve nën vete, largohuni prej tij një orë e më parë!