Nga Asllan Zemani|
Sipas dokumenteve të Legatës italiane me seli në Durrës, të cilat hedhin dritë dhe dëshmojnë se puna “parapërgatitore”me tendencë për blerjen e këtyre motovedetave, “Gardes-cote”, “per ruajtjen e b/detit nga zbarkimet e mundshme, derdhjes se mbeturinave por edhe k/kontrabandes”(F. 163, d. 152, viti 1925) nga ministri i Financave Myfit Libohova filloi qysh në muajin prill të këtij viti gjithmonë mbështetur dhe sipas kërkesës së “Ahmet bej Zogu prej shumë kohësh” ndonëse në këtë kohë Qeveria Shqiptare nuk kishte vendosur akoma për këtë operacion së paku financiar. Kështu në telegrafonin e datës 16 Prill 1925 dërguar Legatës sonë në Romë Mufit beu e ngarkoi atë për të gjetur “çmimin e zhozhazhin (madhësin) e detaje të tjera të rojësëve të brigjeve me qenë se kemi nevojë urgjente”. Për këtë arsye, Eqeremi, vëllai i tij, bëri shikim të shpejt të tregjeve dhe udhëtoi menjëherë për në Gjermani dhe sipas këtyre dokumenteve “përfundoi trativat blerëse për 2 anije r/bregdetare me parat e Q. Shqiptare” ndonëse nuk i pa asnjë herë këto mjete nga afër. Në përfundim të këtyre tratativave, të karakterit fare personal, ndërmjet vëllezërve Libohova e me mbështetjen intime të Presidentit Shqiptar, Eqerem beu i përgjigjet pas katër ditëve ministrit të Financave Shqiptare se “çmimi aproksimativ i dy anijeve 100 tonësh asht prej 7 a 800.000 franga (lireta), telegrafonani në lypset të negocioj këtë bëlerje”.Ndërkohë nuk mund të linte jashtë interesimit të tij edhe tregun italian ku ai vetë mund tëkishte përfitime personale financiare. Ky interesim i tij pasqyrohet edhe në telegramin nr. 1243, të datës 25 Qershor 1925 për Legatën italiane në Durrës e dërguar nga vetë Musolini. “Efektivisht Eqerm bej filloji kontaktet me Ministrinë e Marinës dhe u njoh me një numër ofertash të motoskafesh të vegjël që në pjesën më të madhe janë të paarmatosur e që ndodhen në Xhenova. Ahmet bej Zogu do të konfirmoj prokurimin për 2 motoskafe për roje bregdetare të tipit MAS”. Gjithësesi në bisedat e ndryshme negociuese të Eqerem beut edhe me Admiralin Paladini, Komandant i Marinës Luftarake Italiane ndër të tjerash iu kërkua që të interesohej për armatimin e anijeve lumore që mendohej për tu blerë tashmë në Gjermani të cilat “ndodhen për momentin në Napoli për t’iu bërë disa punime dhe instalime të ndryshme në to”.(teleg. Nr. 1323, F. 163, d. 152, fl. 6, dt. 7 07 1925).
Ardhja e këtyre mjeteve ludruese “për të ruajtur Kontrabandën” në qytetin e Durrësit gjeti një jehonë të konsiderueshme edhe në shtypin e kohës si ishte edhe “Gazeta e Korçës” që dilte po në Korçë, në të cilën shkruhej: “Qeveria jonë për të ruajtur kontrabandën t’anëdetit shqipëtar blevi dy anie të vogla lufte në Gjermani dhe të cilat u armatosën në Spezia t’Italisë. Të dy aniet u quajtën njëra “Ahmet Zogu” dhe tjetra “Shqipëria”. Janë t’armatosura me nga një top 75 përpara dhe me topa më të vegjël në krahët dhe prapa. Kanë gjithë veglat modern si dhe radiotelegraf”. Më pas anija, që në shtypi u emërtua me emrin “A. Zogu” iu ndryshua ai, me emrin kuptimplotë “Skënderbeu”.
Ndonëse e pompuar dhe hyperbolizuar, sidomos me armatimet luftarake që ato ishin pajisur, nga shtypi jospecialist për këto të dy motovedetetnga 230 tonëshe secila[1], “Skënderbeu” dhe “Shqipnia”, ato ishin mjaft të përdorura deri të vjetra por “të riparuara, të armatosura ose të vëna në efiçencë në Specia të Italisë, por përsëri kishin nevojë urgjente për tu rirregulluar. Ato kishin një shpejtësi maksimale prej 4 milje në orë dhe me konsum të madh të naftës. Në to ndodheshin edhe 2 distilier me rendiment të ulët sepse shërbejnë për të distiluar ujin e lumenjëve. Ndërsa kishin kapacitetin mbartës, për naftë rreth 43 ton e për ujin 47 ton(5 për pirje) me një harxhim për një orë rreth 8 ton. Të tilla motovedeta, që më parë ishin me djegie me qymyrë e më pas u transformuan për përdorim me naftë me shpresë për t’u mbështetur në prodhimin vendas, por zhgënjimi ishte i madh. Menjëherë lindën vështirësitë për furnizimin si për karburant por edhe për ujë (sepse të vetmet porte ku mund të gjendej ujë për kaldajat, ishin Vlora e Saranda) arsye për të cilat dy motovedetat lundruan shumë pak. Karakteristikat e tyre detare ishin midis të tjerash, pak të mira, sepse ishin të ndërtuara vetëm për lundrim lumor[2].
Me ardhjen e këtyre dy motovedeta të “psonisura” në Gjermani, do të hidheshin hapat e para drejt formimit të Flotës Luftarake Shqiptare, kryesisht me mision të rojes bregdetare, e natyrisht ky organizim do të ishte fare modest për një vend si ky yni që veçanërisht në këtë kohë, kishte resruse të limituara financiare e profesionale.
Një Komision Hetimor Parlamentar për ish- Ministrin e Financave Mufid Libohova
Jeta private plot zhurmë dhe veprimet e tij zyrtare famëkeqe e bindën parlamentin shqiptar të miratonte krijimin e një gjykate parlamentare për hetimin e veprimtarisë së tij. Si mbas vendimit të Dhomës së Deputetëve, të datës 24 tetor 1925, më 28 tetor u mblodh në Ministrinë e Financave, “në nji dhomë të veçantë” “Komisjoni hetues” i përbërë nga Rauf Fico, Maliq Bushati, Ndrekë Kiçi, Kasem Radovicka, Fiqri Rusi, Kristo Floqi dhe Vasil Bamiha. Kryetar i Komisionit u zgjodh Rauf Fico dhe sekretarë u caktuan Kristo Floqi dhe Fiqri Rusi. Meqenëse koha e hetimit ishte e shkurtër dhe çështjet për shqyrtim të shumta, Komisioni vendosi të ndajë hetimin në dy pjesë. Ky hetim parlamentar, sipas komisionit, mendohej se mund të përfundonte për rreth dy muaj por duke qenë se “Parlamenti mbaron sesjonin e tij me 15 Dhjetuer 1925” si dhe opininoni publik shqiptar ishte shumë i interesuar për nivelin e “grykësisë” së tahmasë për parà të këtij anëtari të Kabinetit Kryeministror, natyrisht pjesë e vendimarrjes, e pa të arsyeshme që ta ndajë hetimin në dy pjesë. Hetimet për pjesën e parë do të zgjasnin deri në datën 20 Nëntor 1925 dhe hapsira e hetimit do të përfshinte këto problematika: Shkeljet e bëra nga ish-ministri i financave Myfid Libohova për themelimin e Bankës Kombëtare; Kontratat e lidhuar me Shoqërinë “Aspjoti”, Korfuz, ku përblidheshin, shtypja e banknotave dhe e monedhave metalike, botimi i edicioneve të pullave për sistemin e drejtësisë, ato të postë-telegrafës, si ishte zbatuar baza ligjore ku është mbështetur lidhja e këtyre kontratave si dhe përcaktimi i mënyrës së lëvrimit të pagesave të kësaj firme. Objekt hetimi të këtij komisioni u bënë edhe veprimet e tjera korruptive dhe abuziviteti të ministrit të Financave shqiptare siç ishte e ashtuquajtura “Huaja e Prillit 1925” prej 1.000.000 fr. ari që iu dha paraprakisht qeverisë shqiptare, e cila u përdor nga Z. Ministri fuqiplotë në Romë, Ekrem Libohovës “për nevoja urgjente shtetërore” gjithmonë sipas porosisë së Presidentit Zog dhe Mufid Libohovës dhe që përfunduan në qepjen e një uniforme parade për presidentin, blerjen e dy vaporëve si dhe për blerjen e municioneve të vjetra për armë krahu, që u siguruan nga vetë Ekrem Libohova, vëllai i Mufidit, që të dy së bashku qëndronin prej kohësh në kontakt të ngushtë me italianët. Kështu ai u shpërblye nga italianët me 1 milion franga ari. E këtë veprim mirëfilli korruptiv ai e justifikonte me privilegjin që kishte ekzistuar në Perandorinë Osmane, ku Ministri i Financave përfitonte 2 për qind të vlerës së kontratës që ai firmoste, në rastin konkret, në emër të Presidentit Shqiptar.
Një vëmendje e plot hetimi iu kushtua aktivitetit financiar për “veprimet për me ble 2 vapore të vogla, “Gardes-cote”/coastguard-boad/anije të vogla bregdetare/, të cilat do të shërbenin me justifikimin që “t’u pritet hovi kontrabandave qi janë tue bamë për s’gjatë bregut të detit”. Për të zgjidhur këtë problem, që ishte bërë gangrenë për doganat shqiptare, Këshilli i Ministrave mori një vendim, më datën 31.05.1925, “Për ndalimin e aktivitetit kandrabandistë” në brigjet shqiptare, e cila në lulëzimin e saj ishte një humbje e madhe për buxhetin e rrudhur financiar të Shtetit Shqiptar, duke formuar e përforcuar rojen bregdetare shqiptare edhe me anije patrulluese bregdetare. Në synim të këtij qëllimi, Këshilli i Ministrave vendosi që të autorizojë Ministrinë e Financave për “me u marr vesh e me ngarkuë Legatën t’onë të Romës qi të hyejë në marrvehtje me shoqnina të ndryshme detare për me ble 2 vaporaqe të vogjël me 2 topa e 2 mitralioza mbrenda”, dhe mandej t’i lajmrohet perfundimi i kushtimit të tyne për me bamë veprimet e blerjes”. Menjëherë këtë vendim të Këshillit të Ministrave, Ministri shqiptar i Financave, Mufit bej Libohova, ia telegrafoi shumë shpejtë qysh, më datë 4 Qershor 1925, Legatës sonë në Romë.
Por për para se të merrej ky vendim i Qeverisë Shqiptare Mufit Libohova në postin edhe të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme në marrëveshje me vet Presidentin Shqiptar njoftoi Legatën Shqiptare në Romë, pra vëllain e vet që ishte në detyrën e përfaqësuesit shqiptar në Itali ku i kërkonte çmime të përafërta për anije që do të ishin roje bregdetare për nevoja urgjente që kishte vendi. Jo më vonë se katër ditë, ministri shqiptar në Romë i dërgoi Mufit beut një çmim të përafërt e që arrinte në kuotat prej “7 a 800.000 franga (lireta) dhe njëkohësisht i kërkonte kohën e negocimit për blerjen e tyre. I interesuar për ta mbyllur sa më shpejtë këtë operacion financiar për të përfituar pjesën e tij në franga ari ai rikëmbënguli me telegramin e datës 26.V.25, Myfid Libohova i drejtoi prapë “Legatës s’onë në Romë nji telegram ku i thotë “Lutemi shpejtoni blerjen e rojtësve të bregut stop”. Në fillim të muajit qershor të këtij viti Eqrem Libohova erdhi në Tiranë dhe qëndroi disa ditë për arësye ai solli “çekun e Shoqërisë Qipriote “Aspjoti” si dhe takoi vet A. Zogun duke e vënë në dijeni për ecurinë e tratativave për blerjen e anijeve. Njëkohësisht ai solli pjesën e shumës financiare në franga ari që kishte mbetur nga “Huaja e Prillit 1925” 1 milonshe duke pasur në vëmendje edhe “qokën monetare” për Kryetarin të Shtetit Shqiptar, që ishte një shumë e konsiderueshme për llogarinë e tij personale. E mbas bisedimeve të fshehta me të vëllain dhe me miratimin e A. Zogut, Eqeremi filloi të ushtronte presion që të përfundonte sa më shpejtë kjo blerje dhe njëkohësisht nëpërmjet Legatës Shqiptare në Romë njoftoi Admiralin Italian, Paladinin, Komandant i Marinës Luftarake Italiane, që ta priste kthimin e tij në Itali për tu “marrë vesh nga afër”.
Të gjithë e dinin
Komisioni Hetimor Parlamentar, pasi grumbulloi të gjitha dokumentet e korespodencat e ndryshme, kryesisht me Legatën tonë në Romë, në hetim e sipër u gjykua se këto komunikime me shtrirje kohore para dhe pak pas vendimit të Këshillit të Ministrave, për rreth një muaj, hidhnin hije dyshimi të dukshme sidomos për paracaktime të termave financiar qysh nga çmimi, prej 800.000 lira stërlina pa marrë prasysh gjendjen fizike prezente të tyre. Dhe njëkohësisht, sapo doli vendimi i Qeverisë Shqiptare Eqrem Libohova kreu menjëherë përfundimin e blerjes së tyre, ku “Arka e Shtetit pagoj të hollat, 802.000 lireta qi bajnë 148. 794 fr. ar, pa ditun gja tjeter mbi kta dy vapore, përveç se janë ka 160 tonelata se e cilli prej tyne, kur se bisedimet mbi këtë çeshtje dhe përfundimi i blerjes mbas vendimit qi u dha, i perkitëte vetëm Këshillit Ministrial”[3].
Meqenëse në të tre institucionet më të rëndësishme të Shtetit Shqiptar, ai i Punëve të Jashtme, i Financave dhe i vetë Këshillit të Ministrave, nuk gjendet asnjë praktikë shkresore për blerjen e këtyre mjeteve lundruese dhe ky fakt e shtrëngoiKomisionin që “me kërkue spjegime nga Z. Myfid Libohova i cilli me shkresën, datë 12.XI.925, n’a u pergjegj ksisojit: “Per të ndaluar kontrabanden e armëve dhe për të siguruar qetsin e brendeshme, Shkelqesia e Tij Kryetari i Republikës mendoj mjetet e ruajtjes së bregut të detit dhe më urdhëroj si Zev. i Ministris P. të Jashtme dhe si Ministër i Financave t’i porosis Legacionit t’onë në Romë blerjen e 2 “Gar-des-cote-ve”. Kjo gja u pelqye dhe u pranue dhe prej Këshillit Ministrial. Porositë e duhuna ju ban Legacionit në fjalë, dhe Ministri i jonë në Romë kerkoj në gjith Italin 2 vapore të vogjël siç n’a duheshin neve, por nuk gjeti hazërt. Në Gjermani, tek kta vapore të luftës, janë të ndaluar prej aleateve, gjenden mjaft vapore të cillët shiten si çeveshen e pastaj nga ç’do vegel luftarake. Pra Ministri i Jonë në Italie, vajti në Gjermani dhe bleu 2 vapore “Gardes-cote” të cillat erdhën në limanin e Species ku po armatosen. Vlefta e ktyne “Gardes-cote” u çmue prej teknisienve.
Kjo blerje u pelqye prej Shkelqesis së Tij Kryetarit të Republikës i cilli kryeson edhe Komanden e përgjithëshme të Shtetit. Per pvetjet të tjera, mundeni mejtoj, të merrni spjegime telegrafisht nga Legata e janë në Romë si edhe nga Komanda e Pergithëshme e Ushtëris”[4].
Të ndodhur përpara kësaj përgjigjeje zyrtare, e cila nuk jepte asnjë të dhënë për zgjidhjen e këtij “rebusi” i përvetësimit financiar nga ana Mufit Libohovës, Komisioni Hetues Parlamentar e pa të udhës që t’i drejtohej zyrtarisht titullarit të Komandës së Fuqive Armate, Nënkolonel Xhemal Aranitasit për t’i ofruar këtij Komisioni praktikat shkresore që lidheshin me operacionin financiar për blerjen e këtyre dy mjeteve lundruese që do të kryenin misionin e rojes bregdetare.
Në përgjigjen e datës 20.XI.1925 nga Nënkolonel Aranitasi, i bëri me dije këtij Komisioni, se në sekretarinë e kësaj Fuqie nuk ndodhej asnjë “urdhun ose vendim mbi blerjen e 2 vaporeve” por veçse “deftesës së pagimit” e bërë nga “Intendanca e Përgjithshme”, vetëm mbi bazën e urdhërit verbal të titullarit të kësaj Komande, Legatës Shqiptare në Romë nëpërmjet Eqerem Libohovës prej “148.794 fr. Ar për vaporet në fjalë”. Përgjigjia shkresore e ardhur tashmë pranë Komisionit hetues parlamentar shoqërohej edhe nga një kopje e kontratës në gjuhën italiane e lidhur midis Eqerem Libohovës dhe inxhinjerit italian, Anxhelo C. Rovelli, ku në thelb të kësaj kontrate shit-blerjeje qëndronte mbi baza thjeshtë personale a thua se Ministri fuqiplotë i Qeverisë Shqiptare bëhej pjesë e kësaj kontrate vetëm për interesa personale pa patur kështu tagrin juridik të firmosjes së saj si përfaqësuesi i Shtetit Shqiptar, gjë për të cilin nuk ekzistonte asnjë dokument delegimi. Dhe ja çfarë shkruhej ndër të tjerash në këtë kontratë: “Ingjenieri A. C. Rovelli shet 2 vapore të çelikta tipit F. M. n’emen të Cecedena 3 e Cecedena 4 nga 160 tonelata se i cilli, me i dorxue në Napoli sa ma shpejt qi të jetë e mundur me nji çmim lireta italiane 800.000. Shkelqesia e tij Eqrem Bej Libobova Ministri i Shqipnis në Romë blenë kta 2 vapore me çmimin e sipërthanun, tue pague po sa qi të nënshkruhet ky akt shumën e fiksueme në ket kontratë. Kuptohet, se voç ktyne, blersi merr persiper të gjitha taksat si dhe shpenzimet qi do të rrjedhin e do të ngarkohen mbi ket kontratë”
Komisioni Hetimor konstatoi mangësi e të meta të mëdha në hartimin e kësaj kontrate, e cila vetëm që detyronte Qeverinë Shqiptare për të bërë pagesën e menjëhershme prej 800.000 lireta. E firmosur në informalitet të plotë nga Eqerem beu, kësaj kontrate i mungonin mjaft specifikime e detajime të paktën teknike por edhe kohore në lidhje me këto mjete që u blenë “sa frëngu pulën”, siç ishin ato më kryesoret, data e dorëzimit të tyre pas pajisjes së tyre me asete armatimi, mungonin gjithashtu edhe të dhënat tekniko-taktike apo koha ekzakte e lundrimit të tyre etj. Komisioni arriti në përfundimin se abuzivizmi i paramenduar me interes përfitimi financiar të më shumë se 7.000 lira stërlina, lira angleze – siç quhej atëherë stërlina britanike, aq më shumë jashtë kontrollit të ministrisë së Financave në një kohë kur kjo shumë ishte depozituar për blerjen e aksioneve të Bankës Kombëtare, një tjetër aferë me përmasa katastrofike për Sigurinë Kombëtare të vendit të zhvilluara në prapaskenat e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në vitin 1925, duke i shkaktuar kështu vendit një humbje të konsiderueshme të kapitalit financiar bankar e përfaqësuesi i elitës politike shqiptare, Mufit bej Libohova për nevoja të ngushta personale favorizoi gjithmonë interesat e huaja.
Kështu që në përfundim të kapitullit të katërt të hetimit, Komisioni Hetimor Parlamentar arriti në përfundimin se “Tue qenë se në ketë blerje, ish Ministri i Financave dhe Zev. Ministri i P. të Jashtme Z. Myfid Libohova, ka tregue nji mos-kujdesi shëmbëllore, Komisjoni hetuës e akuzon ME SHKELJE LlGjIT NE PERDORIMIN E TE HOLLAVE SHTETNORE”.
vKomisioni i Hetimit Parlamentar për përfundimin e këtij hetimi u mblodh dhe diskutoi për 19 herë praktikat shkresore, në raste kur ekzistonin ato, duke zbuluar e argumentuar se ministri i Financave ishte fajtor për vjedhje të Shtetit gjë që i shkaktoi Shqipërisë një humbje të konsiderueshme të kapitalit të saj banker nëpërmjet korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe tahmasë për para ku shuma të mëdha të hollash të depozituara në Ministrinë e Financave si garanci për kapitalin ishin përdorur për qëllime të tjera. Myfiti nuk ishte në gjendje të jepte llogari për pjesën më të madhe të këtyre të hollave e për këtë Gjykata e akuzoi atë për tradhti të lartë. Sidoqoftë akuza nuk u zbatua, me sa duket për shkak të mbeshtetjes që Myfiti pati prej shtresës së pronarëve të tokave të Shqipërisë së Mesme, e cila, sikurse edhe ai vetë, në pjesën e saj më të madhe ishte italofile. Pa dyshim ministri ua shpërndau një pjesë të të hollave të vjedhura gjykatësve dhe deputeteve të ngarkuar me hetimin e çështjes. Prej gjithë kësaj historie, e vetmja pasojë për Myfitin ishte humbja e posteve zyrtare fitimprurëse.
Periudha e Republikës së Parë Shqiptare(1925-1928), formë mbretërie e pashpallur, si pjesë e rrugës historike që ka përshkruar shtetit shqiptar me shumë paqartësi dhe e mbushur me ekuivokë e të fshehta është kushtëzuar dhe nga cilësi komplekse etnotipike shqiptare, si protagonizmi, autoritarizmi, autokracia, mosmarrëveshja, korrupsioni, individualizimi, papërgjegjëshmëria që nuk është gjë tjetër vetëm një pulsion i yni shkatërrimtar ku përfaqësues të elitës politike shqiptare, për nevoja të ngushta personale favorizonin interesat e huaja në Shqipëri, madje pa hezituar fare edhe ta shisnin atë.