Andrea Stefani ka botuar një shkrim në gazetën Dita, kundër akuzave që i janë bërë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizimi:
Adolf Hitleri këmbëngulte se “nëse thoni një gënjeshtër të madhe dhe e përsërisni vazhdimisht dhe mjaftueshëm, ajo do të besohet”.
Një thënie dhe taktikë që është pjesë themelore e artit të mashtrimit publik që nëse tolerohet, do të jetë me pasoja shumë të rënda për publikun.
Të çfarë natyre? Pikërisht të asaj natyre dhe madhësie që ishin pasojat e vuajtura nga publiku gjerman, pikërisht sepse besoi dhe mbështeti gënjeshtrën e madhe naziste.
Është pikërisht detyrimi që të bëj pjesën time të punës në demaskimin e industrisë së gënjeshtrës që është ngritur këto vite në Shqipëri, që më nxit të sqaroj edhe më tej publikun rreth një mashtrimi që u hodh pak kohë më parë mbi personin tim, duke më akuzuar publikisht me dokumente të falsifikuara, sikur paskam qenë spiun i Sigurimit të Shtetit dhe se gjoja paskam bërë që të dënohet një person.
Në Shqipëri po ndodh një tjetër katastrofë. Është katastrofa e të vërtetës që është njëherazi edhe triumf i gënjeshtrës. Ajo që po ndëshkohet është e vërteta ndërsa gënjeshtra lumturohet në qiejt e pandëshkueshmërisë.
Forma më e shëmtuar e kësaj katastrofe janë akuzat që politikanët i hedhin njëri-tjetrit në Parlament e jashtë tij dhe që shumë rrallë, përfundojnë në gjykata. Kjo mungesë dedikimi ndaj së vërtetës ka bërë që edhe kjo e fundit, të paragjykohet si gënjeshtër.
Por nuk ka investim më të madh në favor të gënjeshtrës dhe mashtrimit nëse nuk investohesh që të dalë e vërteta! Ushtar i mashtrimit nuk është vetëm kush mashtron, por edhe ai që hesht për të vërtetën.
Nuk kam aspak ndërmend të zhytem në llumin e kësaj kënete që po përbalt gjithë Shqipërinë duke bërë që e vërteta dhe gënjeshtra të kapërthehen aq ligsht, sa nuk mund të dallosh ku nis njëra e ku mbaron tjetra.
Por edhe për faktin se profesioni i gazetarit që ushtroj, jo vetëm nuk do të kishte kuptim, por do të qe pjesa më e ndyrë e industrisë së mashtrimit, nëse nuk do të kishte për idhull të vërtetën.
Prandaj, gjëja e parë që bëra pas hedhjes në qarkullim të shpifjes rreth meje, ishte gjetja në arkiva e dokumentit real që është falsifikuar duke shtuar mbi të emrin dhe mbiemrin tim dhe gjoja firmën time.
Pra, po publikoj dokumentin real ku emri dhe mbiemri Andrea Stefani dhe gjoja firma ime, nuk figurojnë gjëkundi.
Është ky një hap i parë që ja kisha borxh, lexuesve të “Ditës” por edhe më gjerë. Si edhe të vërtetës.
Ndërkaq, sikundër kam paralajmëruar, hapa të tjerë do të pasojnë duke dërguar para gjykatës median që e përhapi këtë mashtrim gjithë ngazëllim, duke injoruar çdo parim e teknikë profesionale.
Sepse është skandaloze që një gazetë të publikojë një akuzë ndaj një personi, pa verifikuar fare vërtetësinë e kësaj akuze.
Aq më keq kur dokumentet e publikuara janë të falsifikuara. Aq më keq kur edhe pasi njofton median në fjalë se e gjithë kjo është një mashtrim, ajo nuk lëviz as gishtin për ta korrigjuar mashtrimin. Gjë që të lë të dyshosh se media në fjalë ishte palë në mashtrim.
Ky është një dhunim i hapur i të gjithë kodeve të etikës gazetareske. Të bësh kështu do të thotë që media, e cila ka për mision mirëinformimin e publikut me anë të të vërtetave, të vihet në dispozicion të dezinformimit dhe të gënjeshtrës.
Do të thotë që media, si industri e të vërtetës, të degradojë në industri të gënjeshtrës.
Një orgji totale është edhe tolerimi në forumet e gazetave, i fyerjeve, shpifjeve dhe sharjeve për gazetarët që dalin me opinionet e tyre me emër dhe mbiemër por që linçohen me fjalor banal nga anonimë të pabesë dhe pa integritet që derdhin në to libidon e ndrydhur të një të keqeje që i torturon.
Është edhe ky një krim që kërkon ndëshkim nga ligji dhe e drejta. Mjaft me pandëshkueshmërinë edhe në këtë rrafsh!
Prandaj, do të shkoj në gjykatë që, sikundër e thashë në fillim, të jap kontributin tim, sado të vogël, kundër kësaj orgjie të gënjeshtrës dhe mashtrimit që mund të tolerohet, vetëm nëse nuk je i përgjegjshëm për rrënimin që sjell mashtrimi, por edhe për shpëtimin që vjen vetëm nga e vërteta.
Gazeta Dita