Me pandeminë e koronavirusit që ka ekspozuar mangësitë e kahershme të sistemit të keqinvestuar të kujdesit shëndetësor të Polonisë, vendi i Europës Qendrore ka frikë nga largimi i trurit dhe po kërkon ndihmë nga jashtë vendit.
“Jam e lodhur nga lufta e vazhdueshme me sistemin”, thotë Patrycja Matczuk, një mjeke e re, në një nga spitalet pediatrike të Varshavës dhe nënë e tre fëmijëve.
Një nga mjeket e shumta që mendojnë të largohen nga vendi, ajo thotë se numri i madh i pengesave organizative dhe financiare po e detyron atë dhe të tjerë si ajo, të mendojnë të emigrojnë.
”Të kërkosh ilaçe mund të jetë një problem, spitalet zakonisht janë në gjendje të vështirë financiare dhe pacientët nuk mund të mjaftohen vetëm në sigurimin e një shtrati. Ekziston gjithashtu një mungesë e mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të shpëtimit parësor si dhe një mungesë e programeve të gjera profilaktike”, shpreh keqardhjen Matczuk.
Sipas të dhënave të OECD, Polonia po shpenzon shumë më pak në kujdesin shëndetësor sesa shumica e vendeve të tjera të BE.
Në vitin 2019, shifra qëndronte në 6,2% të PBB-së, dy pikë nën mesataren e BE dhe shumë nën 11,7% të ekonomisë më të madhe të BE, Gjermanisë.
“Si mjekë, ne thjesht duam të kryejmë mirë detyrat tona dhe të trajtojmë pacientë në një nivel që njohim nga literatura profesionale. Shpesh, megjithatë, nuk e kemi këtë mundësi”, shton ajo.
“Është shumë e vështirë të punosh… kur nuk mund ta përmbushësh misionin tënd”, thekson mjekja.
Pandemia e koronavirusit ka nxjerrë të gjitha mangësitë e sistemit të kujdesit shëndetësor të Polonisë, duke përfshirë mungesat e personelit dhe përkeqësimin e e disponueshmërisë për pacientët joCovid-19.
Ajo tregoi një rritje të nivelit të vdekshmërisë në kulmin e infeksioneve të koronavirusit në vjeshtë.
Midis rastit të parë të koronavirusit, që u konfirmua në vend në fillim të marsit dhe deri në fund të vitit 2020, rreth 400 000 persona kanë vdekur në Poloni, thënë ndryshe 70 000 më shumë krahasuar me periudhën përkatëse të vitit 2019.
”Mes shumë arsyeve të largimit të mjekëve polakë është trajtimi i keq që u bëhet atyre”, thotë Bartosz Kosmalski nga ”Futur1” me qendër në Dyseldorf, një kompani që rekruton mjekë për të punuar në Gjermani.
”Ankesat e tyre janë injoruar, jeta e tyre e punës është e organizuar dobët dhe ata funksionojnë brenda një sistemi që lejon punonjësit të anashkalojnë rregulloret e kohës së punës”, thotë ai.
Sipas raportit të OECD-së për Shëndetin, një mjek polak kreu mesatarisht 3 200 konsulta në vitin 2018 krahasuar me gati 2 300 në Gjermani dhe 656 në Suedi.
Polonia është gjithashtu vendi anëtar i BE-së me raportin më të ulët të numrit të mjekëve për 100 000 banorë: 238 në 2017.
”Largimet e mjekëve nuk kanë të bëjnë vetëm me pagat”, nënvizon Kosmalski.
“Më të rëndësishme janë mundësitë e zhvillimit profesional, që vendet perëndimore ofrojnë. Mjekët polakë gjithashtu duan të mbajnë një ekuilibër punë-jetë private dhe të kenë kohë për jetë normale”, deklaroi Rafal Holubicki, zëdhënës i Dhomës Polake të Mjekëve.
Edhe Matczuk i sheh gjërat në mënyrë të ngjashme.
“Po mendoj për karrierën time dhe zhvillimin profesional, por edhe për të ardhmen e fëmijëve të mi… Kombinimi i jetës familjare me karrierën time është shumë i rëndësishëm për mua”, thotë ajo.
Numri i certifikatave që vërtetojnë aftësinë e mjekëve dhe që lëshohet nga NIL, një dokument i nevojshëm për një mjek për të filluar punën në një vend tjetër të BE, ka rënë gradualisht.
Ndërsa gati 2 100 u lëshuan në 2005, viti i parë i plotë i anëtarësimit në BE, vetëm 460 u dhanë në 11 muajt e parë të vitit 2020. Sidoqoftë, kjo prirje mund të mos zgjasë.
“Frustrimi po rritet në komunitetin mjekësor”, tha Holubicki.
“Mjekët nuk do të largohen në mes të pandemisë dhe të lënë pacientët e tyre, por ju mund të dëgjoni në komunitet që një numër në rritje i njerëzve e konsiderojnë këtë mundësi kur situata të stabilizohet”, theksoi ai.
Bartosz Kosmalski konfirmon se firma e tij sheh “një interes të shtuar” për shërbimet e saj.
“Është një rritje e konsiderueshme krahasuar me 2019-n”, thotë ai.
Me pandeminë që ka ekspozuar mungesën e stafit mjekësor të Polonisë, vendi kërkon një zgjidhje në Lindje, ku kushtet e punës për mjekët janë akoma më të këqija.
Pak para vitit të ri, presidenti polak Andrzej Duda nënshkroi një ligj që lehtëson njohjen e diplomave për mjekët jo nga BE.
”Optimus Work”, një kompani punësimi, tashmë ka gati 500 aplikime nga mjekë të gatshëm për të punuar në Poloni, rreth 80% nga Ukraina dhe 20% nga Bjellorusia, thotë Kacper Gasienica-Byrcyn, pronari i firmës.
Mjekët tundohen nga pagat më të larta, mundësia për të punuar me pajisje moderne, por ka edhe motive politike: disa mjekë bjellorusë ndihen të shtypur nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos, thonë përfaqësuesit e kompanive.
Por, rruga më e lehtë për importimin e mjekëve jo nga vendet e BE ka ngritur shqetësime në vend.
”Kriteret e verifikimit të kualifikimeve të mjekut janë më liberale sesa në rastin e mjekëve vendas… dhe niveli i verifikimit të aftësive të tyre gjuhësore është gjithashtu i pamjaftueshëm”, paralajmëron Rafal Holubicki.
“Kjo është shqetësuese, veçanërisht duke marrë parasysh që mund të kërcënojë shëndetin dhe jetën e pacientëve tanë”, shton ai.
/DPA /a.r