NGA ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Në romanin “Ëndrra e doktorit”, Besnik Mustafaj rimerr subjektin e komedisë “Pas vdekjes” të Çajupit. Veprojnë thuajse të njëjtat personazhe, një pjesë e situatave janë po ato të komedisë, kurse tonet sarkastike dhe groteske ngjajnë të afërta me veprën origjinare. Megjithatë, kemi një prozë origjinale dhe dinjitoze. Rishkrimi i subjekteve të njohura ose rimarrja e motiveve të trajtuara nga të tjerë, janë dukuri të motshme sa vetë letërsia.
Nisin me kolosë të tillë si Homeri, Eskili, Sofokliu etj., për të vazhduar me Shekspirin, Servantesin, Racine etj., dhe për të ardhur te Joyce, Eliot, Pound, Markez dhe maja të tjera të letërsisë moderne. Në letërsinë tonë nisin me Naimin e Fishtën për të ardhur te Kadareja. Subjektet dhe motivet që rishkruhen janë të ndryshme. Vështirë se gjen dukuri përbashkuese mes “Iliadës”, “Don Kishotit” dhe “Hamletit” p.sh., apo mes “Lahutës së Malcis”, “Qerbelasë” dhe “Kush e solli Doruntinën”.
Megjithatë, përkundër kësaj larmie, gjithë rishkrimet e goditura bashkohen në një pikë: synojnë subjekte universale, për të përcjellë mesazhe që interesojnë një masë thuajse të pafund lexuesish, në kohë dhe vende të ndryshme.
HIÇI
Edhe Adham Uti i Çajupit, edhe Adhamudhi i Mustafajt ngërthejnë disa elementë universalë. Adham Uti është karakter i mbrujtur mbi një subjekt sa të thjeshtë aq edhe të gjetur. Një mjek sharlatan, një patriot egoist e vanitoz bën çmos të dijë për së gjalli se çfarë do të shkruhet për të menjëherë pas vdekjes. Dëshira për të pasur vëmendjen dhe vlerësimin e të tjerëve është pan njerëzore dhe e justifikuar, por tek Adham Uti merr tone komike e sarkastike se është në proporcion të zhdrejtë me meritat dhe vlerat që ka personazhi.
Ky kontrast mes dëshirës dhe faktit, mes pretendimit dhe realitetit bëhet burim komizmi dhe përvijon disa nga vlerat që e kanë bërë komedinë “Pas vdekjes” të vihet dhe të rivihet në skenë edhe në ditët tona, një shekull e ca pas krijimit. Përpjekjet për të lexuar që në gjallje nekrologjinë, përbëjnë vetëm njërin nga episodet e romanit “Ëndrra e doktorit”. Mustafaj e modelon Adhamudhin e vet në një spektër shumë më të gjerë, mbi një varg episodesh që japin e marrin me njëri-tjetrin dhe e nxisin lexuesin të thellohet në raportet “njeri – hiç”.
Në fakt, raportet e njeriut me hiçin si mosekzistencë kanë qenë një ngacmues i përjetshëm, universal, që ka vënë në lëvizje imagjinatën humane për të krijuar disa nga thesaret e kulturës shpirtërore të njerëzimit. Truri i njeriut, prej natyre, e ka pasur dhe e ka të vështirë ta perceptojë asgjënë. Por kur puna ia donte ta shihte vetveten si hiç apo si mosekzistencë, gjithçka bëhej më e vështirë, madje kthehej në mision të pamundur. Duket paradoksale, por kjo pamundësi është bërë gurrë e paçmuar arti në shekuj. Duke u ndeshur me frikërat e mosekzistencës, vetëdija njerëzore ka shkëndijuar nëpër kohëra, për të krijuar disa nga vagullitë më të magjishme të kulturës humane.
Për t’u ikur këtyre frikërave, gjatë shekujsh janë ravijëzuar tri magjistrale. Njëra e kërkonte shpëtimin këtu, në jetën tokësore që, nëpërmjet gjetjesh alkimie si eliksiri i rinisë etj., e shndërronte nga e përkohshme në të përjetshme. Tjetra, edhe më pjellore, e ka gjetur shpëtimin në jetën e përtejme, me ferrin dhe parajsën, dy imazhe sa ngashënjyese aq edhe drithëruese. E treta, mbase më pjellorja, e përvijon shpëtimin si jetë në kujtimet e të tjerëve se, siç do thoshte Ciceroni, vdekja i jep fund jetës, por jo marrëdhënies njerëzore.
Adhamudhi synon rrugën e tretë, d.m.th., i mposht frikërat e vdekjes duke kërkuar jetëgjatësinë në kujtesën e bashkëkombësve. Vetëm se, ashtu si protokarakteri, d.m.th., Adham Uti, e jetëson marrëdhënien me bashkatdhetarët kryesisht si marrje, me pak ose aspak dhënie. Gjithë projektet që ndërmerr, nga alfabeti dhe abetarja, tek arkivi dhe ngjitja në hierarkinë e klubit, mbeten synime pa kurrfarë rezultati të dukshëm. Por Adhamudhi, ndryshe nga Adham Uti, nuk mbetet vetëm te frika e mosekzistencës. Në të shumtat e herëve, përjetimet dhe veprimet e tij motivohen nga një lloj tjetër hiçi: hiç që shfaqet si mungesë vlerash, si boshllëk a mediokritet.
Nëse hiçi si mosekzistencë shpie në një rrafsh makro dhe të nxit për meditime të përgjithshme të natyrës filozofike; hiçi si boshllëk e mediokritet priret nga një rrafsh mikro dhe të nxit për vrojtime psikologjike. Si i tillë është shumë më produktiv për artin dhe sidomos për prozën. Ndjesia se është bosh dhe pa vlera krijon në pavetëdijën e Adhamudhit ankth dhe frikëra. Për të shpëtuar sadokudo prej tyre, egoja e tij vë në lëvizje mekanizma psikologjikë mbrojtës që i reduktojnë këto frikëra. Dhe këtë e arrin duke manipuluar realitetin, duke përzier atë që është me atë që dëshiron, realen me të imagjinuarën, faktin me vagullinë.
Me fjalë të tjera materie që jep dorë për prozë klasi. Siç ndodh rëndom me këta individë, edhe Adhamudhi i qetëson frikërat e brendshme në disa rrugë dhe mënyra si fantazimet, idealizimi i vetes, projektimi i të keqes që ka brenda tek ata që e rrethojnë etj. Për të harruar mediokritetin që e karakterizon p.sh., arratiset në limeret e së ardhmes, ku e sheh veten si personalitet kombëtar, që ndikon deri politikat gjeostrategjike që përcaktojnë fatet e kombit. Në kushte të rënduara shëndetësore e psikologjike përfytyron varrimin e tij si një spektakël gjigandomadh, ku turma të tëra i përulen si të ishte udhëheqësi ideal. Vuan një vetmi beduini ngaqë, veset dhe të këqijat që ka brenda vetes, i projekton tek ata që e rrethojnë. Kjo bën që marrëdhëniet e tij me të shoqen, Vrukon, Lulushen, Zenelin, kryetarin, Haxhi Aliun etj., të mbizotërohen nga xhelozia, hipervigjilenca, paranoja, teoritë konspirative etj.
KOMBI DHE POLITIKA
Pavarësisht ngarkesave universale, Adhamudhi i Mustafajt është i mbrujtur thellë me lokalen, shqiptaren. Dëshmi për këtë janë sidomos lidhjet me kombin dhe çështjen kombëtare. Është mjek, krejt i ndërgjegjshëm për përparësitë që i siguron profesioni. Në takimin e parë me Vrukon i qan hallin se ka harxhuar kot rininë dhe paret e të atit, duke studiuar jurisprudencë; zanat e vlera ka vetë. Jo njëherë falënderon të atin që e detyroi të studionte mjekësi dhe sjell ndër mend se profesioni i mjekut i hap rrugën të jetë pranë trupit të kryetarit dhe të parisë, të krijojë njohje e lidhje dhe të ndihet dikushi.
Përkundër kësaj vetëdijeje për vlerat e profesionit, gjithë ëndrrat e Adhamudhit për bëma, lavdi dhe pavdekësi nuk sendërtohen në mjekësi a në shërbimin shëndetësor, por në politikë, në veprimtari patriotike. Teksti të shtyn të mendosh se etja për t’u marrë me politikë nuk është huq individual i doktorit, por prirje “e përjetshme” kombëtare. Nuk ka meditime të drejtpërdrejta për këtë, por episode të ndryshme e shtyjnë lexuesin të qëndrojë te pyetja: Ku i ka rrënjët dashuria jonë eterne me kombin si politikë?
Në pamje të parë duket se etja për t’u afirmuar përmes politikës dhe jo përmes punës e profesionit të përditshëm, lidhet me ngashënjimin që ngërthejnë në vetvete kombi dhe lëvizja kombëtare. Kombi është diçka e madhe dhe sublime. Profesioni dhe puna e përditshme, sado vlera të kenë dhe sado të çmuara të jenë, nuk të ofrojnë mundësitë e fqinjërimit me mitiken. Veç kësaj, kombi i thjeshtuar te politika, mbetet mjet efikas për të sublimuar interesa meskine.
Edhe në romanin e Mustafajt, të gjithë, nga maja te fundi, nga Kryetari e deri te Zeneli, flasin me pathos për kombin, e paraqesin si një ideal të kulluar. Përtej fjalëve, secili e përdor ligjërimin kombëtar për të arritur synimet e veta meskine. Kryetari dhe deputeti Haxhi Ali nuk lënë rast t’u kalojë pa nxjerrë përfitime për vete e pa zhvatur të tjerët. Në ëndrrat me sy hapur, Adhamudhi e sheh veten të veshur me lavdi dhe mirënjohje, si shpërblim për abetaren që po harton, por nuk harron të përfytyrojë shumat e parave që do derdhen e do derdhen çdo vit nga ribotimet e tekstit shkollor. Në konceptimin e vet prej shejtanbudallai, Zeneli thotë se detyra që i ka caktuar kombi është “të jem veshi i zgjatur i Kryetarit”, d.m.th., të spiunojë të tjerët.
Këtë e bën për të nxjerrë bukën e gojës dhe për të mbrojtur interesat e vogla të Kryetarit, që synon të mbajë me çdo mjet karrigen. Por Zeneli e sheh dhe e shet si detyrë kombëtare. Jemi të familjarizuar me stereotipin që e sheh kombin si ideal të kulluar, kurse veprimtarët e çështjes kombëtare si idealistë. Teksti i Mustafajt na grish t’i shohim ligjërimet për kombin edhe si propagandë dhe dyfytyrësi. Është kjo një grishje e shëndetshme dhe emancipuese.
Dijetarët që janë kritikë ndaj ligjërimeve kombëtariste kanë pasur e kanë si argument përbashkues faktin që këto ligjërime idealizojnë unitetin e shoqërisë, duke fshehur dallimet dhe interesat klasore. Si materie me përmbajtje sa historike aq edhe mitike, ligjërimet kombëtariste mbeten dhe sot e kësaj dite burim propagande, hipokrizie e sublimimi. Ka edhe një fakt jashtë tekstor që të shtyn të mendosh se prirja për ta kthyer gjithçka në politikë nuk ka perënduar, përkundrazi gjallon edhe sot e kësaj dite, madje duke marrë përmasa manie.
Fjala është për pritjen që media i bëri romanit “Ëndrra e doktorit” ose, thënë më saktë, për njoftimet e thata dhe të kopjuara nga njëri-tjetri, që ndoqën botimin. Ishte qëndrim thuajse unanim që “Besnik Mustafaj provokon Berishën”, madje jo rrallë u njoftua qysh në tituj. Vështirë se në tekst gjen elementë konkretë që lidhin figurën e Adhamudhit me Berishën apo politikanë të tjerë të lartë. Është e vërtetë që Adhamudhi është mishëruar si një figurë parabolike që merr disa kuptime dhe mund të të kujtojë persona që ke njohur, por thuajse në çdo lexim Adhamudhi mishëron njeriun e vogël, mediokër e hiç, që synon një karrierë në politikë, dhe dëshirat për vlerësim e lavdi i ka në proporcion të zhdrejtë me arritjet.
Po deshe që, si lexues ta ngresh stekën, mund të arrish shumë-shumë që pas bëmave të Adhamudhit të shohësh një parabolë për elitat e shoqërive të prapambetura, për vanitetin dhe mediokritetin që sjell me vete mungesa e meritokracisë. Por gazetarët tanë të kulturës nuk para lexojnë, thënë popullorçe, fasule hanë e politikë molloisin.
METATEKSTI DHE IRONIA
Siç është e natyrshme për një rishkrim, Mustafaj krijon edhe karaktere e linja të tjera subjekti. Ndër karakteret e shtuar tërheq vëmendjen sidomos Çajupi, d.m.th., vetë autori i tekstit origjinar. Çajupi i Mustafajt shfaqet në dy rrafshe: si personazh që hyn në marrëdhënie me Adhamudhin dhe karaktere të tjera, por edhe si autor që hyn në marrëdhënie me Besnik Mustafajn ose, më saktë, me atë që në tekst quhet kështu. Ky rrafshi i dytë, d.m.th., përshkrimi i marrëdhënies mes dy autorëve dhe, sidomos mes tekstit babë dhe tekstit bir, përbën një metatekst, d.m.th., tekst që flet për tekstin.
Meqë kemi të bëjmë me një prozator dhe jo me një gjuhëtar a semiolog, me një roman dhe jo me një studim, s’do mend që metateksti merr funksione artistike dhe jo studimore. Përkundër këtij fakti, Mustafaj ka zgjedhur që në pamje të jashtme t’i veshë metatekstit funksione studimore ose, së paku, popullarizuese. Kjo qasje krijon një atmosferë të këndshme dhe njëkohë- sisht gjeneron një ironi të lehtë. Autori që kthehet dhe i flet lexuesit për gjëra të profesionit, për atë që ka marrë nga Çajupi dhe atë që ka ndryshuar, për shqetësime dhe ngurrime që ka pasur gjatë shkrimit etj., etj., rrezaton një frymë babaxhani dhe vë në punë një mjet plus për ta tërhequr lexuesin.
Me një fjalë autori i romanit është i preokupuar të gjejë atë që ka ndodhur realisht, dhe, që pastaj, u bë tharm i komedisë “Pas vdekjes”. Thënë ndryshe, të gjejë të vërtetën historike, ta krahasojë me atë që ka shkruar Çajupi dhe të vendosë si do ta paraqesë vetë. Por me veprime s’e ka për gjë që, kur ia do interesi artistik, t’i ndryshojë thellësisht faktet historike. Kështu në tekstin e Mustafajt gazetari Vruko është Çajupi, por dihet se ky i fundit e krijoi Vrukon duke pasur si prototip publicistin Jani Vruho.
Po kështu Çajupi e shkroi komedinë “Pas vdekjes” edhe për t’u hakmarrë me Gjergj Adhamidhin, mjek e patriot bashkëkohës, ngaqë ky i fundit i kishte prishur një lidhje martesore në tentativë. Kurse në romanin e Mustafajt armiqësia e Çajupit, alias Vruko, me Adhamudhin ka arsye krejt tjetër, ushqehet nga rivaliteti mashkullor për të fituar zemrën e Lulushes.
Vështirë të thuash se Mustafaj nuk i njeh këto fakte historike, por i modifikon thellësisht ngaqë është shkrimtar dhe shkrimtari në çdo rast bën zanatin, d.m.th., trillon, mjafton që kjo t’i shërbejë veprës; në këtë rast krijimit të një intrige sa më kompakte. Me fjalë deklarohet vërtetësi historike, me vepra trilli lihet i lirë të bëjë gjithçka që i duhet romanit. Kjo qasje e tipit “të tjera bën, të tjera thua” shton ngjyrat e komizmit dhe ndihmon që të relativizohet kontradikta me shkrimtarin e burimit, aq e pranishme në rishkrime. Mustafaj e respekton Çajupin, madje kur flet drejtpërdrejt për të, anon nga idealizimi.
Por dihet se çdo rishkrim është rivalitet me autorin e tekstit origjinar, rivalitet që sjell, më së paku modifikim të këtij të fundit. Jo rastësisht përmendet Eliot Weinberger dhe një thënie e tij që “më ka shoqëruar si një grerëz gjatë gjithë shkrimit të kësaj historie”. Sipas eseistit amerikan, traditë do të thotë që i gjalli modifikon të vdekurin. “Kush është i vdekuri në këtë rast, autori Andon Zako-Çajupi apo personazhi i tij, Doktor Adhamudhi?”, pyet narratori i romanit me ton të qetë e të pafajshëm. Kurse lexuesi sjell ndër mend se rishkrimi në letërsinë postmoderne i largohet imitimit plot përunjësi të klasicizmit dhe anon nga mohimi, kritika apo parodizimi i tekstit origjinar.
Fryma komike dhe ironike që buron nga metateksti është në harmoni me komizmin që gjeneron gjithë romani dhe që lidhet sidomos me groteskun. Mustafaj stërzmadhon shumë gjëra, duke filluar nga përjetimet e karaktereve e duke ardhur tek episode e linja të tëra subjekti. Por këtë e bën me një gjuhë neutrale dhe me qasje objektive e gati-gati indiferente, që në disa skena të kujton Kafkën. Përzierja e komikes me seriozen, e groteskut me realen, e qesharakes me sublimen etj., përbën një nga vlerat më të çmuara të romanit, vlerë që nxit një lexim aktiv dhe e fton lexuesin jo vetëm të përjetojë thellë atë që po lexon, por edhe të bëhet bashkëkrijues.
Besnik Mustafaj ia ka dalë që, fshehur pas petkut të romanit të hershëm realist, të na sjellë një prozë postmoderne që rrezaton kulturë dhe klas. Kjo bëhet më e çmuar sidomos sot, kur kultura e fast foodit ka hyrë dhe në tempullin e letërsisë, kurse shumica e autorëve, që lançohen me hosana titujsh dhe estradë panairesh, ngjanë sikur vijnë nga pasarelat e modës.