• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, June 21, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

ANALIZA E REL/ Pse reduktimi i KFOR-it në Kosovë shkon përtej çështjes ushtarake?

by E S
21/06/2026 18:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Prania ushtarake ndërkombëtare në Kosovë po hyn në një fazë të re, ku reduktimi paraqitet si reflektim i realitetit në terren.

Zyrtarët flasin për stabilitet dhe vendime të maturuara, të mbështetura në vlerësime të vazhdueshme të sigurisë.

Por, në kohën kur balancat globale janë në lëvizje, edhe këto vendime marrin peshë tjetër, shkruan REL.

NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do të bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.

Sipas komandantit suprem të forcave aleate në Evropë, Alexus G. Grynkewich, ky zhvillim lidhet me rritjen e kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë, të cilat kanë krijuar hapësirë për zvogëlimin e misionit KFOR.

Aleanca theksoi se ndryshimet do të jenë të kujdesshme, në përputhje me kushtet në terren, dhe të kthyeshme nëse situata e kërkon.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për treguesit konkretë në terren, një zyrtar i saj nuk dha detaje, duke u thirrur në natyrën konfidenciale të çështjeve operacionale dhe të inteligjencës, por nënvizoi se situata monitorohet vazhdimisht përmes mjeteve të ndryshme, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm dhe efektiv.

Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ky është një lajm i mirë.

“Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, shohim se, në përgjithësi, vitin e kaluar ajo ka vazhduar të përmirësohet. Prandaj, është një lajm i mirë për Kosovën. Kjo është edhe arsyeja përse NATO-ja në janar ka ndaluar dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, tha Rutte në një konferencë për media këtë javë.

Në analizën e ministrit kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tani në detyrë, shtrirja e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës ka qenë një nga faktorët kyç që, sipas tij, ka ndikuar në vlerësimin e NATO-s për situatën e sigurisë.

Gjatë dy-tre vjetëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksiononin brenda sistemit të Serbisë, duke zgjeruar kontrollin në të gjithë vendin.

Paralelisht, në veri të Kosovës – ku një pjesë e madhe e popullsisë serbe vazhdon të mos i njohë institucionet e Prishtinës – autoritetet kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat më pas janë vënë në funksion për bizneset shqiptare.

Maqedonci e interpreton këtë zhvillim si konsolidim të kontrollit institucional.

“Kosova ka përmirësime në aspektin e sigurisë, veçanërisht pas dëbimit të grupeve terroriste dhe kriminale, të cilat kanë operuar për shumë vite në veri të vendit dhe të cilat, gjithmonë, kanë qenë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm, por edhe më gjerë”, thotë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 1999, veriu ishte vatër e vazhdueshme tensionesh, me struktura paralele, barrikada dhe përplasje të herëpashershme mes banorëve lokalë dhe forcave të rendit.

Një nga incidentet më të rënda ndodhi në maj të vitit 2023, kur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestues serbë, të cilët kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.

Kjo situatë çoi në dërgimin e përforcimeve shtesë nga NATO-ja.

Me mbi 4.600 trupa sot, KFOR-i pritet të reduktohet në rreth 3.500, sipas sekretarit Rutte, ndonëse mbetet e paqartë se cilat kontingjente do të preken.

Radio Evropa e Lirë kërkoi shpjegime nga Italia, Shtetet e Bashkuara dhe Hungaria – si tri kontribuueset më të mëdha në mision – por përgjigje mori vetëm nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara, e cila paralajmëroi se kontributi amerikan do të përshtatet në përputhje me planin e NATO-s.

“Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje të kontributit amerikan në KFOR – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – në përputhje me rishikimin e udhëhequr nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë”, tha një zyrtar i kësaj komande për Radion Evropa e Lirë.

Prania amerikane në KFOR konsiderohet thelbësore, pasi i jep misionit peshë politike, kapacitete shtesë ushtarake dhe efekt të fortë parandalues.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Douglas Lute, i cili ka komanduar Brigadën Shumëkombëshe Lindje në Kosovë në vitin 2002, beson se vendimi i Komandës Evropiane të SHBA-së është rezultat i një vlerësimi të kujdesshëm të kushteve në terren dhe jo sinjal i tërheqjes.

Sipas tij, KFOR-i mbetet një mision thellësisht shumëkombësh, ku balanca e kontributeve mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë është thelbësore për efektivitetin e tij.

“SHBA-ja ka qenë gjithmonë – siç e thotë edhe NATO-ja – një nga vendet kornizë në KFOR. Që nga fillimi, ajo ka ofruar kapacitete që të tjerët nuk mund t’i sigurojnë, si: shërbime mjekësore të nivelit të lartë dhe aftësi për lëvizje ajrore me helikopterë. Prandaj, kontributi amerikan në KFOR është i rëndësishëm, por jo i vetëm dhe as dominues”, thotë Lute për Exposenë.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it – një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës.

Debati për rishikimin e mundshëm të kësaj pranie nisi qysh në fillim të vitit të kaluar, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një vizite në Varshavë, paralajmëroi se prania ushtarake e SHBA-së në Evropë mund të rishikohet dhe eventualisht zvogëlohet, në varësi të prioriteteve strategjike dhe kërcënimeve globale.

Në fillim të majit, Pentagoni njoftoi tërheqjen e 5.000 trupave amerikane nga Gjermania brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump nuk e përjashtoi as mundësinë e reduktimeve në Spanjë dhe Itali.

Për ministrin në detyrë, Maqedonci, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë të mirëpërgatitura për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të vendit.

Megjithatë, ai thekson se prania e amerikanëve në KFOR mbetet jetike për paqen dhe sigurinë.

“Përveç KFOR-it, duhet theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-në. Ka një prani të konsiderueshme amerikane brenda reparteve tona, aktiviteteve dhe punës së përditshme, por prezenca në KFOR mbetet e domosdoshme”, thotë ai.

Në këtë rrjedhë zhvillimesh, debati nuk mund të shihet i ndarë nga një kufizim i vjetër politik që ende përcakton rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri.

Ai buron nga një zotim i vitit 2013 – i formalizuar atëkohë nga kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre drejtuar NATO-s – sipas të cilit dislokimi i FSK-së në veri mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it.

Po, si mund ta ndikojë reduktimi i paralajmëruar i KFOR-it këtë situatë?

Maqedonci vlerëson se ky zotim nuk është dashur të bëhet, duke argumentuar se FSK-ja – me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – ka mandat të veprojë në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet me NATO-n.

“Për ne është e rëndësishme që çdo pjesë e Kosovës të ketë siguri. Besoj se, jo vetëm për çështjen e veriut, por me NATO-n duhet të diskutojmë edhe për çështje të tjera që lidhen me bartjen graduale të kompetencave te Forca e Sigurisë së Kosovës në aspektin e mbrojtjes”, thotë Maqedonci.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse reduktimi i paralajmëruar i KFOR-it ndryshon mënyrën e koordinimit me institucionet e sigurisë në Kosovë, një zyrtar i NATO-s tha se procesi i “optimizimit” nuk prek marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit me autoritetet vendore.

Ai shtoi se dislokimi i FSK-së në veri mbetet i kushtëzuar nga marrëveshjet aktuale dhe miratimi i komandantit të KFOR-it.

KFOR-i nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Lidhur me këtë çështje, gjenerali i pensionuar amerikan, Douglas Lute, thotë se NATO-ja dhe autoritetet e Kosovës janë në pozicionin më të mirë për të gjykuar nëse marrëveshja ka ende kuptim ose jo.

“Kam besim se komanda e NATO-s në Prishtinë po e ndjek nga afër situatën, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, dhe KFOR-i nuk ka gjasa të marrë përsipër rreziqe të panevojshme”, sipas tij.

Lute shton se, në këtë fazë, prioriteti kryesor i Kosovës duhet të jetë politik, e jo ushtarak.

Ai thekson nevojën për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e lidhur këtë edhe me qëllimin fillestar të KFOR-it dhe Rezolutës 1244 të OKB-së për një Kosovë ku sundon rendi, ligji dhe bashkëjetesa ndëretnike.

“Sot në Kosovë, politika ka më shumë peshë se siguria. Gjendja e sigurisë është e mjaftueshme për të mundësuar përparim politik, prandaj pritet që, pas zgjedhjeve të fundit, parlamenti dhe qeveria të punojnë së bashku për ta çuar vendin përpara. Është koha për përparim politik”, thotë ai.

Pavarësisht se Kosova e sheh Serbinë si rrezikun kryesor për sigurinë – një perceptim i ushqyer edhe nga incidente si ai në Banjskë – Lute nuk sheh asnjë skenar të afërt për ndërhyrje ushtarake.

Përkundrazi, ai e zhvendos debatin larg kufijve dhe e sjell brenda shtetit, sidomos te forcimi i sundimit të ligjit dhe qeverisja./rel

Next Post
Kinematografia shqiptare në kryeqytetin e Spanjës. Dy ditë kushtuar pesë dekadave të filmit shqiptar në Círculo de Bellas Artes

Kinematografia shqiptare në kryeqytetin e Spanjës. Dy ditë kushtuar pesë dekadave të filmit shqiptar në Círculo de Bellas Artes

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Epsteini” ynë

Mos ia hiqni Albin Kurtit meritat për protestat në Tiranë

June 21, 2026
“Pak relaks me llajkefollouve të gunës”, video gazmore e Edi Ramës me influenceret e protestës

“Pak relaks me llajkefollouve të gunës”, video gazmore e Edi Ramës me influenceret e protestës

June 21, 2026
Dita e 22-të e tubimit në Tiranë/ Protestuesit mblidhen në sheshin “Skënderbej”, pritet marshimi i përhershëm drejt Kryeministrisë

Dita e 22-të e tubimit në Tiranë/ Protestuesit mblidhen në sheshin “Skënderbej”, pritet marshimi i përhershëm drejt Kryeministrisë

June 21, 2026
Përmirësim i madh financiar për 4 shenja të horoskopit deri në tetor

Përmirësim i madh financiar për 4 shenja të horoskopit deri në tetor

June 21, 2026
Zvicra pret bisedimet SHBA-Iran, programi bërthamor dhe lufta izraelite në Liban pikat kyçe të negociatave

Zvicra pret bisedimet SHBA-Iran, programi bërthamor dhe lufta izraelite në Liban pikat kyçe të negociatave

June 21, 2026
Dimensionet e frikshme të incidentit në ambasadën e Izraelit

Dimensionet e frikshme të incidentit në ambasadën e Izraelit

June 21, 2026
Kinematografia shqiptare në kryeqytetin e Spanjës. Dy ditë kushtuar pesë dekadave të filmit shqiptar në Círculo de Bellas Artes

Kinematografia shqiptare në kryeqytetin e Spanjës. Dy ditë kushtuar pesë dekadave të filmit shqiptar në Círculo de Bellas Artes

June 21, 2026
ANALIZA E REL/ Pse reduktimi i KFOR-it në Kosovë shkon përtej çështjes ushtarake?

ANALIZA E REL/ Pse reduktimi i KFOR-it në Kosovë shkon përtej çështjes ushtarake?

June 21, 2026
“Do t’i godasim shumë fort”, Trump paralajmëron Iranin: Ndaloni Hezbollahun, po shkaktojnë shumë probleme

“Do t’i godasim shumë fort”, Trump paralajmëron Iranin: Ndaloni Hezbollahun, po shkaktojnë shumë probleme

June 21, 2026
Balla dënon heqjen e flamurit izraelit: Akt i rëndë dhe i turpshëm. Nuk është në traditën e shqiptarëve

Balla dënon heqjen e flamurit izraelit: Akt i rëndë dhe i turpshëm. Nuk është në traditën e shqiptarëve

June 21, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In