• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, April 12, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Analiza e REL/ Dialogu i ngrirë Kosovë-Serbi, shpresa për një takim këtë pranverë, por jo për marrëveshje

by E S
12/04/2026 16:20
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Në vitin 2013, ndërsa Evropa shihte zgjerim dhe stabilitet, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel. Pas viteve të tensioneve dhe dhimbjes së pasluftës, fqinjët dukeshin gati për një kapitull të ri – të pazakontë për historinë e rajonit.

Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dyja vendet, një hap më afër Evropës”, tha atëkohë Ashton, përcjell A2.

Goxha premtuese për dy vende që anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kanë synim strategjik – të paktën në fjalë. Kjo u pasqyrua qartë edhe nga të dy kryeministrat – me Thaçin që vuri theksin te potenciali i marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re – atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”, tha Thaçi në atë kohë.

Përtej shpresës së krijuar tash e 13 vjet, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.

Edhe pse udhëheqësit në Kosovë, Serbi dhe Bashkimin Evropian kanë ndryshuar ndër vite, përparimi në pikën kyç të marrëveshjes – krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – ka mbetur i kufizuar.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën në disa parime. Ndonëse ka lënë hapësirë për harmonizim, në Prishtinë ka pasur rezerva të vazhdueshme, për shkak të, siç është thënë, ndikimit të mundshëm të Asociacionit në funksionalitetin e shtetit, ndërsa Brukseli dhe Beogradi kanë këmbëngulur në themelimin e tij.

Në fund, pavarësisht dhjetëra takimeve, një draft-statuti evropian dhe një marrëveshjeje të re pas dhjetë vjetësh, procesi ka mbetur në vendnumëro.

Serbia, ka më shumë se një vit, që përballet me protesta antiqeveritare, ndërsa Kosova me përçarje politike, që për muaj të tërë e kanë lënë pa Kuvend funksional dhe me Qeveri në detyrë. Në këto rrethana ka munguar edhe kontakti i drejtpërdrejtë në nivel të lartë – një takim i tillë mes udhëheqësve të dy vendeve, Albin Kurtit në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiqit në Serbi, nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023.

Nga këndvështrimi i ish-diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch, ky bllokim i procesit të Brukselit mbart pasoja më të menjëhershme për Kosovën sesa për Serbinë.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai vlerëson se Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet dhe në orientimin e saj drejt së ardhmes, derisa politikat e saj mbeten kryesisht të brendshme dhe jo të përshtatura mjaftueshëm në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik.

“Sa herë që jam në Prishtinë ose flas me njerëzit atje, më krijohet përshtypja se ekziston vetëm Kosova dhe asgjë tjetër. Kjo është një qasje krejtësisht e gabuar. Zoti Kurti ka cilësi të dukshme, por nëse nuk kupton se duhet të veprojë si pjesë e një ekipi – si brenda vendit, ashtu edhe në arenën evropiane – gjërat nuk do të shkojnë mirë për zhvillimin e Kosovës”, thotë Petritsch.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është e hapur për një fazë të re të dialogut me Serbinë dhe për mënyrën se si planifikon ta shmangë ngecjen, por nuk mori përgjigje.

Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, muajin e kaluar, Kurti tha se Qeveria e tij do ta ndjekë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes një dialogu konstruktiv dhe kreativ.

“Siç kemi vepruar në katër vjetët e kaluar, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral e i jashtëm, e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme”, tha Kurti më 11 shkurt.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja amerikane deklaroi këtë javë se presidenti Donald Trump pret angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku, për të ulur tensionet dhe për t’u rikthyer në një dialog real, jo vetëm deklarativ. Sipas Tammy Bruce, SHBA-ja do të punojë nga afër vetëm me liderë që “shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara”.

Për Petritschin, hapi i parë duhet të vijë nga Prishtina, e cila duhet t’u ofrojë serbëve përgjegjësi konkrete kulturore, gjuhësore dhe administrative, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Kjo do të sinjalizonte, sipas tij, një qasje të re bashkëpunuese dhe do të krijonte mundësinë për një marrëdhënie të vërtetë me përfaqësuesit serbë. Edhe nëse Serbia do ta kundërshtonte, do të dilte ajo si bllokuese e procesit.

Petritsch vë në dukje se garancitë nga Brukseli janë thelbësore në këtë drejtim.

“Ka qenë e qartë që nga fillimi se evropianët nuk do të lejojnë krijimin e një tjetër Republike Sërpska. Kemi paguar një çmim të lartë për të në Bosnje e Hercegovinë dhe nuk duam që ajo të përsëritet në Kosovë. Andaj, qartazi, bëhet fjalë për çështje kulturore, gjuhësore dhe administrative që duhet të zgjidhen”, thotë Petritsch.

Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian nëse ka përpjekje për një fazë të re të dialogut, por nuk mori përgjigje. Këtë javë, por edhe muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi disa vizita në Kosovë dhe në Serbi, ku theksoi rëndësinë e çuarjes përpara të procesit.

Në mars, ai u prit edhe nga zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit në Uashington, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialog, por nuk dha më shumë detaje.

Rikard Jozwiak, redaktor për çështjet evropiane i Radios Evropa e Lirë, thotë se BE-ja po bën përpjekje aktive për një takim të ri mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili pritet të mbahet në fund të pranverës, por data e saktë dhe realizimi i tij do të varen nga zhvillimet në terren.

“Nuk ka pasur kurrë më shumë optimizëm për një takim mes dy liderëve që kur Kaja Kallas ka marrë detyrën si shefe e politikës së jashtme të BE-së. Kjo shihet si mundësia më e mirë në gati një vit e gjysmë që një takim i tillë të ndodhë. Kur saktësisht, nuk dihet, por shpresat janë për diku rreth majit ose qershorit”, thotë Jozwiak për Exoposenë.

Megjithatë, ai është pesimist për ndonjë përparim thelbësor apo avancim drejt anëtarësimit në BE në një të ardhme të afërt, sepse, siç thotë, udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd përfitojnë në politikat e brendshme duke mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Brukselit, dhe ata nuk presin përfitime konkrete nga BE-ja gjatë karrierave të tyre politike.

“Procesi i integrimit kërkon kohë. E shohim sa gjatë i është dashur Malit të Zi, që nuk ka probleme dypalëshe si këto dy vende. Shohim se sa e bllokuar është Maqedonia e Veriut. Shohim se sa e bllokuar është Bosnja. Ndaj, premtimi i BE-së, që ishte shumë i fortë në vitin 2013 – e madje edhe nga viti 2011 kur nisën negociatat midis Kosovës dhe Serbisë – nuk e ka më atë peshë. Sa vende janë anëtarësuar në BE që nga viti 2011? Vetëm Kroacia, e cila ishte në rrugë drejt anëtarësimit”, kujton Jozwiak.

Ai paralajmëron se kjo status quo mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme, por shton se Evropa është bërë indiferente ndaj këtij rreziku, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd kanë mësuar të jetojnë me të, e madje edhe të përfitojnë prej tij.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Petritsch, por ai nënvizon rëndësinë që Kosova të veprojë me urgjencë.

Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, shtetet e vogla dhe politikisht të brishta janë “të parat që bien” kur shpërthejnë kriza, thotë ai.

Me pasiguritë mbi rolin e NATO-s dhe të ardhmen e angazhimit amerikan, Petritsch paralajmëron se Kosova “nuk mund të lejojë status quo”.

Sipas tij, përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nuk është thjesht një detaj teknik, por një kusht thelbësor për stabilizimin e vetë ekzistencës së Republikës së Kosovës.

“Kosova në vitin 1999 ishte i vetmi vend në histori që u çlirua nga një aleancë që mori armët. Dhe kjo, sipas meje, i vendos një përgjegjësi të veçantë asaj: të veprojë me maturi, të bashkëpunojë, të bëjë atë që është e nevojshme dhe të shkojë një hap më tej, për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve evropiane”, thotë Petritsch.

Kosova, e cila ende nuk njihet nga pesë vende të Bashkimit Evropian, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status kandidati për anëtarësim në këtë bllok.

Serbia, e cila deri vonë konsiderohej lidere në procesin e pranimit në Bruksel, nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021, për shkak të refuzimit për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së.

Sipas Jozwiakut, i gjithë Ballkani Perëndimor zë tani një vend të ulët në agjendën e BE-së – është i rëndësishëm, por dukshëm në hije nga luftërat në Ukrainë dhe në Iran… derisa ndonjë krizë serioze të mos provokojë vëmendje./ REL

Next Post
Për herë të parë, një grua bëhet trajnere e një ekipi në Bundesligë

Për herë të parë, një grua bëhet trajnere e një ekipi në Bundesligë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Ndodhi ajo që kisha frikë”, makthi i Sonilës: Pas dy javësh që lindi djali, spitali na mori në telefon…

“Ndodhi ajo që kisha frikë”, makthi i Sonilës: Pas dy javësh që lindi djali, spitali na mori në telefon…

April 12, 2026
Kriza në Lindjen e Mesme, Putin ofron ndërmjetësim mes Iranit dhe SHBA-së e Izraelit

Kriza në Lindjen e Mesme, Putin ofron ndërmjetësim mes Iranit dhe SHBA-së e Izraelit

April 12, 2026
Kush është Peter Magyar, ish-aleati i Viktor Orbanit që sot kërkon ta rrëzojë nga pushteti

Kush është Peter Magyar, ish-aleati i Viktor Orbanit që sot kërkon ta rrëzojë nga pushteti

April 12, 2026
VIDEO/ Kaos në futbollin shqiptar! Bruno Telushi përplaset me policinë, arrestohet gjatë dhunës në ndeshje

VIDEO/ Kaos në futbollin shqiptar! Bruno Telushi përplaset me policinë, arrestohet gjatë dhunës në ndeshje

April 12, 2026
Dështimi i negociatave me Iranin në Pakistan, Vance largohet nga baza Ajrore Ramstein drejt Uashingtonit

Dështimi i negociatave me Iranin në Pakistan, Vance largohet nga baza Ajrore Ramstein drejt Uashingtonit

April 12, 2026
“Pritëm 12 vite”, The Guardian shkrim për riatdhesimin e Eva Dumanit. Frikë dhe pasiguri për të tjerët

“Pritëm 12 vite”, The Guardian shkrim për riatdhesimin e Eva Dumanit. Frikë dhe pasiguri për të tjerët

April 12, 2026
Ajo që zbuloi “Artemis II” në tokë

Ajo që zbuloi “Artemis II” në tokë

April 12, 2026
“Vajza lindi me ezofag të shkëputur…”, goditja e parë për Sonilën: Në një vit bëri 7 operacione!

“Vajza lindi me ezofag të shkëputur…”, goditja e parë për Sonilën: Në një vit bëri 7 operacione!

April 12, 2026
“Do të shpërthejmë minat!”/ Trump paralajmëron bllokimin e Ngushticës së Hormuzit pas dështimit të negociatave

“Do të shpërthejmë minat!”/ Trump paralajmëron bllokimin e Ngushticës së Hormuzit pas dështimit të negociatave

April 12, 2026
Moti i ngrohtë rikthen gjallërinë buzë detit, pushuesit nisin plazhin në Shëngjin

Moti i ngrohtë rikthen gjallërinë buzë detit, pushuesit nisin plazhin në Shëngjin

April 12, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In