• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, June 4, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

ANALIZA E REL/ Fushata serbe në Kosovë mes Kurtit, Vuçiqit, protestave në Serbi…

by E S
04/06/2026 20:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Sandra Cvetkoviq, REL

Ndërsa Lista Serbe i cilëson si “referendum” zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është angazhuar në terren për t‘i bindur serbët e zhvendosur që të votojnë për këtë parti, të cilën e mbështet edhe Beogradi zyrtar.

E vetmja rivale e Listës Serbe në zgjedhje është Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, e cila, më 4 qershor, publikoi në rrjetet sociale një përmbledhje videosh nga protestat e studentëve antiqeveritarë në Serbi, me mesazhin: “Unë nuk dorëzohem dhe prandaj qëndroj”.

Muajin e kaluar, këta studentë kanë publikuar një memorandum, në të cilin thuhet se Kosova është “pjesë përbërëse e Serbisë”, duke nxitur reagime në publikun që i mbështet.

Në të njëjtin postim të partisë së Rashqit përmenden edhe marrëveshjet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe sugjerohet se mbyllja e institucioneve të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e tyre.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicë të Veriut, vlerëson se këto mesazhe tregojnë se partitë nuk kanë ide të reja dhe se nuk u ofrojnë qytetarëve një vizion për dalje nga “situata shumë e vështirë në të cilën ndodhet sot komuniteti serb”.

“Shqetësues është sidomos fakti që kjo fushatë zhvillohet në kohën kur serbët në Kosovë, sipas mendimit tim, gjenden në pozitën më të rëndë institucionale që nga viti 1999”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, vlerëson se qasja e Serbisë është “ndërhyrje në procesin zgjedhor” dhe se “është shumë e dëmshme për jetën demokratike të serbëve në Kosovë”.

“Sjell çekuilibër në garën politike dhe demotivon iniciativa të reja që do të ishin të dobishme për zgjerimin dhe përmirësimin e përfaqësimit të tyre politik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare në Kosovë në më pak se një vit e gjysmë, ndërsa Bashkimi Evropian bën thirrje për një proces zgjedhor të lirë dhe transparent, “pa ndërhyrje apo manipulim nga jashtë”.

Nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë thonë se ka ardhur koha që komuniteti serb “ta marrë jetën në duart e veta” dhe të vendosë vetë.

Rashiq, në fakt, shihet si bashkëpunëtor i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në qeverinë e të cilit ka shërbyer si ministër në dy mandate.

Kështu, nuk mungojnë as akuzat e ndërsjella për “serbët e Vuçiqit” apo “serbët e Kurtit”.

Nga Lista Serbe, përveç narrativit se Rashiq “e ka shitur besimin për një darkë”, vijnë edhe mesazhe se vota për Listën Serbe është “jo” për Kurtin.

Saviq vlerëson se pluralizmi politik brenda komunitetit serb është reduktuar në minimum dhe se pjesëtarët e këtij komuniteti kanë ndjesinë se në zgjedhjet e së dielës zgjedhin mes politikës së Aleksandar Vuçiqit dhe asaj të Albin Kurtit.

“Në bazë të gjendjes në të cilën është sot komuniteti serb, është vështirë të thuhet se politikat që janë bërë në vitet e fundit nga Beogradi dhe Prishtina, kanë sjellë rezultate që kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetesës, sigurinë apo pozitën politike të serbëve në Kosovë”, thotë ai.

Sipas tij, në fushatën zgjedhore, në vend të programeve konkrete, planeve të qarta dhe zgjidhjeve për problemet e grumbulluara, dominojnë “akuzat e ndërsjella, përplasjet politike dhe rritja e tensioneve”.

Në fillim të qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje që të gjithë serbët e Kosovës të votojnë për Listën Serbe – gjë që ndodh para çdo procesi zgjedhor në Kosovë ku merr pjesë kjo parti.

Fushatën për Listën Serbe në Serbi e udhëheq kryesisht Zyra për Kosovën, e drejtuar nga Petar Petkoviq.

Gjatë një vizite në qytetin e Kralevës më 2 qershor, ai u tha serbëve të zhvendosur nga Kosova se vota për Listën Serbe është “votë për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë e Metohi”.

Sipas tij, të gjithë ata që kanë dokumente të Kosovës dhe mund të ushtrojnë të drejtën e votës, duhet të votojnë për opsionin politik që mbështetet nga Beogradi, sepse është “shtylla kryesore e mbrojtjes së interesave kombëtare serbe në Kosovë e Metohi”.

Më herët, Komisariati për Refugjatë i Serbisë u bëri thirrje personave të zhvendosur që të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet në Kosovë dhe t’i drejtohen atij për më shumë informacione.

Në mesazhin e publikuar në Instagram thuhet se “çdo votë është e rëndësishme për mbijetesën dhe të ardhmen e popullit tonë në Kosovë e Metohi”.

Sipas Muhaxhirit, Lista Serbe është “instrument i drejtpërdrejtë politik i Aleksandar Vuçiqit” dhe nuk është e papritur që shteti i Serbisë i jep sërish mbështetje vetëm këtij subjekti politik.

Ai vlerëson se kjo është një mënyrë “për të ruajtur pushtetin në jetën politike të serbëve të Kosovës”.

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitorojnë zgjedhjet, “Demokracia në Veprim”, vlerësoi më 2 qershor se oferta programore e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore është “riciklim i ofertave të mëparshme, i paketuar në formën e premtimeve të reja”.

Violeta Haxholli, nga ky koalicion, e veçoi si shqetësuese “konkurrencën e pabarabartë”, për shkak të, siç tha, përdorimit të resurseve publike para fillimit zyrtar të fushatës.

Ajo shtoi se gjatë fushatës janë vërejtur raste të përdorimit të fëmijëve në tubime, gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale nga mbështetësit e partive politike, si dhe gjuhë fyese dhe diskriminuese nga vetë subjektet politike.

Muhaxhiri vlerëson se fushata ka treguar qartë se partitë politike nuk kanë qenë të përgatitura. Sipas tij, në vend të zgjidhjeve të reja dhe ndërtimit të platformave për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, dominojnë përplasjet personale dhe argumentet pseudopatriotike.

Si risi të vetme, ai sheh pjesëmarrjen e ish-presidentes Vjosa Osmani në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë qëndrimit në Prishtinë më 3 qershor, u bëri thirrje liderëve politikë që integrimet evropiane t’i vendosin si prioritet.

Ai tha se Kosovës i duhen institucione të forta dhe funksionale, që mund të zbatojnë reforma dhe të përmbushin obligimet që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi.

Por, Muhaxhiri vë në pah se dialogu me Serbinë është “diskredituar shumë herë gjatë qeverisjes së Kurtit” dhe se në disa raste është paraqitur si “tradhti shtetërore”.

Për këtë arsye, kjo temë nuk përmendet fare në fushatën zgjedhore.

“Për shkak të këtij konteksti shumë negativ, edhe partitë opozitare aktuale – të cilat më herët kur kanë qenë në pushtet, kanë qenë konstruktive në dialog – tani janë shumë të rezervuara dhe e shmangin plotësisht këtë çështje, nga frika e humbjes së votave”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011, ndërsa zyrtarët e BE-së kanë theksuar disa herë se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura është kusht thelbësor për përparimin e të dyja vendeve në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Next Post
“Marin Mema-kryeministër”, zhduken flamingot, “mbijnë” patriotët në protestën para Kryeministrisë

“Marin Mema-kryeministër”, zhduken flamingot, "mbijnë" patriotët në protestën para Kryeministrisë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kontrolle “blic” në Bllok/ Ndalohet Skerdi Sina, qarkullonte me një automjet të blinduar. I riu emër i njohur për Policinë

Kontrolle “blic” në Bllok/ Ndalohet Skerdi Sina, qarkullonte me një automjet të blinduar. I riu emër i njohur për Policinë

June 4, 2026
Nëna u bë shkak, si u zbulua vendi ku fshihej autori i vrasjes së policit në Maliq

Sherri me çobanin ‘e nxori zbuluar’, 43-vjeçari që vrau policin “ka qenë pjesë e forcave Komando”

June 4, 2026
Sondazhi/ A duhet të vijojë ndërtimi i resortit turistik në Zvërnec? Ja si përgjigjen shqiptarët

Sondazhi/ A duhet të vijojë ndërtimi i resortit turistik në Zvërnec? Ja si përgjigjen shqiptarët

June 4, 2026
Mbyllet pas më shumë se tre orësh dita e pestë e protestës, zbardhen 5 kërkesat e “grupit nismëtar”

Mbyllet pas më shumë se tre orësh dita e pestë e protestës, zbardhen 5 kërkesat e “grupit nismëtar”

June 4, 2026
Vuante nga problemet e shëndetit mendor, i dënuari gjendet i pajetë në spitalin e burgjeve ku po kurohej

Vuante nga problemet e shëndetit mendor, i dënuari gjendet i pajetë në spitalin e burgjeve ku po kurohej

June 4, 2026
“Nga dorëheqja te shfuqizimi i Paketës së Maleve”, pesë kërkesat e protestuesve ndaj kryeministrit Rama

“Nga dorëheqja te shfuqizimi i Paketës së Maleve”, pesë kërkesat e protestuesve ndaj kryeministrit Rama

June 4, 2026
Braçe kritika ministrit Salla: TVSH-ja ka groposur blegtorinë! Ministria duhet t’i ndihmojë fermerët, jo t’ua vështirësojë punën

Braçe kritika ministrit Salla: TVSH-ja ka groposur blegtorinë! Ministria duhet t’i ndihmojë fermerët, jo t’ua vështirësojë punën

June 4, 2026
Harmoni mes projektit dhe natyrës/ Arkitekti i kontraktuar për Zvërnecin, në Tiranë mes 600 arkitektëve botërorë

Harmoni mes projektit dhe natyrës/ Arkitekti i kontraktuar për Zvërnecin, në Tiranë mes 600 arkitektëve botërorë

June 4, 2026
A do vazhdojë protesta kundër Ramës dhe Berishës nëse Ivanka Trump tërhiqet nga projekti?

A do vazhdojë protesta kundër Ramës dhe Berishës nëse Ivanka Trump tërhiqet nga projekti?

June 4, 2026
“Hita, ki kujdes djalë”, Mit’hat Havari paralajmëron drejtorin e Policisë: Mos dhunoni protestuesit!

“Hita, ki kujdes djalë”, Mit’hat Havari paralajmëron drejtorin e Policisë: Mos dhunoni protestuesit!

June 4, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In