Që nga 1 janari, më shumë se pesë milionë përfitues të ndihmës sociale (Bürgergeld) do të marrin mesatarisht 12 për qind më shumë para. Për beqarët, shuma e kësaj ndihme rritet me 61 euro dhe do të arrijë në 563 euro në muaj. Të rriturit që jetojnë me një partner do të marrin 506 euro dhe për çdo fëmijë, në varësi të moshës, nga 357 deri në 471 euro.
Shtesa për fëmijë
Ndihma për fëmijë (Kinderzuschlag) u jepet prindërve që punojnë në Gjermani, por kanë paga të ulëta. Shuma maksimale që mund të merret do të rritet nga 250 në 292 euro, në varësi të të ardhurave dhe pasurive të mundshme.
Kufi më i ulët të ardhurash për përfitimin e lehonisë
Kufij më të ulët për të ardhurat për përfitimin e së drejtës për pagesa gjatë lehonisë (Elterngeld) do të zbatohen së shpejti për prindërit që nuk punojnë ose kanë reduktuar orarin e punës pas lindjes së një fëmije. Deri tani këtë kompensim mund ta merrnin prindërit, të ardhurat e të cilëve, nuk i kalojnë 300 mijë euro në vit, ndërsa për prindërit që jetojnë vetëm me fëmijë, nëse nuk fitojnë më shumë se 250 mijë euro. Nga prilli i vitit 2024, ky kufi për çiftet do të ulet fillimisht në 200 mijë të ardhura vjetore, ndërsa nga prilli i vitit 2025 në 175 mijë euro. Për prindërit e vetëm, kufiri prej 150,000 euro hyn në fuqi nga prilli.
Rriten ndihmat për fëmijë
Kujdesi për fëmijët e sëmurë
Prindërit e punësuar, të cilët janë të siguruar ligjërisht, nga viti 2024 kanë të drejtën e pagesës për kohën sa kujdesen për fëmijët e sëmurë (Kinderkrankengeld) deri në 15 ditë, pra të dy 30 ditë. Ndërsa nëse me fëmijën jeton vetëm një prind ka të drejtë të paguhet deri në 30 ditë. Deri më tani kanë qenë 10, përkatësisht 20 ditë.
Rritja e pagave minimale
Nga viti 2024, paga minimale e përcaktuar me ligj do të rritet nga 12 në 12.41 euro bruto për një orë punë. Gjithashtu është planifikuar një rritje në 12.82 euro për një orë punë në vitin 2025. Kjo rrit shumën maksimale të lejuar për punonjësit me punën e ashtuquajtur minimale ( Minijob) nga 520 ne 538 euro. Ky është edhe kufiri i fitimeve, mbi të cilin nuk paguhen taksat dhe kontribute të tjera. Edhe paga minimale për përgatitjen profesionale (Azubi) në vitin e parë do të rritet me 4.7 për qind, në gjithësej 649 euro. Por këtu mund të ketë përjashtime përmes kontratave tarifore.
Baza më e lartë pa taksa
Të moshuarit
Shtesa e ndihmës dhe kujdesit (Pflegegeld) rritet me pesë për qind, që në varësi të nivelit të nevojës do të thotë 16 deri në 45 euro më shumë në muaj. Lehtësime do të ketë edhe për personat që kanë nevojë për kujdes dhe që qëndrojnë në shtëpi për të moshuarit: shtohen shtesat e kujdesit nga pesë deri në dhjetë për qind, në varësi të kohëzgjatjes së qëndrimit në institucion.
Rritja e moshës së pensionit
Mosha ligjore e pensionit në vitin 2024 është 66 vjeç. Kjo vlen për të lindurit në vitin 1958 e më parë. Për ata që kanë lindur më vonë, kufiri i moshës do të rritet me dy muaj në vit, që do të thotë se ata do të punojnë më gjatë.
Rregullat e reja të ngrohjes për ndërtimet e reja
Sa i përket energjisë, konsumatorët duhet të llogarisin me kosto më të larta. Nga viti 2024 do të hyjë në fuqi Ligji për Ngrohjen, sipas të cilit vetëm ato sisteme ngrohjeje që përdorin të paktën 65 për qind të energjisë nga burime të rinovueshme mund të instalohen në ndërtesat e reja të banimit brenda zonave të reja të ndërtuara. Në shumicën e rasteve, këto duhet të jenë pompa për ngrohje.
Kostot më të larta për CO2 dhe heqja e stimujve për makinat elektrike
Sasia e të ashtuquajturave taksa e CO2, do të thotë taksa mbi energjinë nga burimet që dëmtojnë klimën, do të rritet nga janari. Nga 1 janari kostoja shkon në 45 euro për ton, që do të thotë se do të shtrenjtohen karburantet, nafta ose gazi për ngrohje. Për shkak të boshllëkut në buxhetin e shtetit, nga 1 janari hiqet frenat shtetërore për çmimin e energjisë elektrike dhe të gazit. Por për shkak të rënies së çmimeve në treg, ato gjithsesi nuk luanin më asnjë rol për shumicën e konsumatorëve. Në vitin 2024 nuk do të ketë më subvencione të shtetit, i ashtuquajturi Umweltbonus, për blerjen e një makine elektrike.
Rritja e TVSH-së në gastronomi
Në vitin e ri do të shtrenjtohen edhe daljet në restorante dhe kafene. Nga 1 janari, do të ritkthehet norma e rregullt e TVSH-së në 19 për qind për gastronominë, në vend të shtatë sa ka qenë deri tani.
Ndryshimet e tjera
Nga 1 janari mjekët janë të detyruar të lëshojnë receta elektronike. Do të ketë ndryshime edhe për kthimin e ambalazheve polastike. Nga janari në Gjermani do të futet një pasaportë elektronike për fëmijë, me një kohëzgjatje më të gjatë dhe me mundësinë e përdorimit të saj për udhëtime në mbarë botën. Pasaporta e mëparshme e fëmijëve nuk kishte çip sigurie, kështu që lëshohej vetëm për një vit dhe nuk njihej në disa vende. Pergatiti BW