Për analistin Frrok Çupi, prej kohësh Tirana ka nisur jetën normale, kërkon qetësinë qytetare, larg protestave të dhunshme. Sipas tij, edhe protestat e fundit nuk përfaqësojnë qytetarët që kërkojnë liri dhe demokraci, por grupe të dhunshme që paguhen për të shkaktuar trazira. Çupi thotë se qytetarët e kanë mirëpritur paketën antidhunë, pasi këtë herë kanë garancinë se dhuna po frenohet nga ligji dhe forcat e rendit.
“Ka një specifikë, në 30 vitet e fundit sidomos, nuk ka provuar më terror vec se nën hijen e PD. PD e ka izoluar me luftë dhe pa luftë. Tirana e ka në palcë neverinë ndaj dhunës. Këtë radhë e përjetoi keq se u dogjën simbole të qytetit, erdhi një fuqi e verbër e dhunës. Njerëzit kanë pritur shumë mirë paketën antidhunë. Këtë herë kanë garancinë që dhuna po dominohet nga ligji dhe forcat e ruajtjes së rendit. Një gjë duhet hequr nga fjalori, kur protesta bën dhunë nuk ka rëndësi cfarë i thua vetes. Është një fjalor që nuk ka vend në demokraci, në fund vjen dhuna”, u shpreh Çupi, në një bisedë në studion e ABC News, ndërsa shtoi se në shesh nuk po dalin qytetarët që kërkojnë liri e demokraci, por grupe të dhunshme dhe të paguara.
“Praktikisht në shesh nuk dalin njerëzit e lirisë, demokracisë. Dalin ose hajdutët, ose të dhunshmit, që paguhen diku. Fiton grupi i zjarrit që paguhet prej PD, fiton ai grushti i vogël i Mulit, një grusht i vogël, naiv. Nëse do ishte protestë, do ishin qytetarë të Tiranës aty”, tha ai, ndërsa komentoi edhe reagimet e ndërkombëtarëve lidhur me veprimet e dhunshme në protestë.
“Franca ka marrë masa të egra kundër dhunës, në të njëjtën situatë kemi Itali, Portugalinë dhe Spanjën. Vendi më i rrezikuar u paraqit Shqipëria ditët e para. Kujtojmë një fakt që brenda 3 ditësh ambasada e SHBA reagoi tri hereë s’ka ndodhur kurrë. Informacioni që kishte ishte se në Shqipëri ishin bërë gati për të derdhur gjak,” theksoi Çupi.










