Nga Enver Robelli
Para syve të botës, para kamerave dhe para gazetarëve policia ruse arrestoi të dielën opozitarin, Aleksej Navalni. Ai kishte qëndruar në Gjermani nga muaji gusht, kur erdhi për t’u shëruar në një spital në Berlin nga pasojat e helmimit, pas të cilit me gjasë qëndron shërbimi sekret rus. Arrestimi nuk ishte një befasi e madhe: autoritetet ruse kishin paralajmëruar se do ta prangosnin Navalnin për shkak se nuk i ka respektuar disa rregulla të shpallura nga “drejtësia ruse”. Navalni aterroi në aeroportin “Sheremetjevo”. Fillimisht ishte planifikuar që ai të aterrojë në një aeroport tjetër. Por, atje Navalnin po e prisnin qindra përkrahës, andaj në momentin e fundit pilotët morën urdhër që avioni me opozitarin kryesor rus në bord të aterrojë në “Sheremetjevo”. Sipas gazetarëve, Navalni tregoi pasaportën, por autoritetet nuk i vendosën vulë hyrëse, siç është praktika e zakonshme.
Në një fjalim të mbajtur para gazetarëve gjatë fluturimit, Navalni tha: “Nuk kam frikë. Do të shkoj me një ndjenjë absolutisht normale te kontrolli i pasaportave dhe pastaj në shtëpi”. Në aeroportin ‘Vnukovo’, ku ishte planifikuar të aterrojë Navalni, policia ruse ua ndaloi gazetarëve të raportojnë dhe arrestoi disa përkrahës të kritikut më të rrezikshëm të Kremlinit. Autoritetet ruse pretendojnë se Navalni ka shkelur ligjet pasi nuk është lajmëruar tek organet e drejtësisë lidhur me dënimin me kusht. Më 2014, Navalni ishte dënuar me kusht me tre vjet e gjysmë burgim. Ndërkohë, autoritetet kanë hapur hetime të tjera kundër Navalnit për shkak të gjoja keqpërdorimit të mjeteve financiare.
Para se të nisej për në Moskë, Navalni iu falënderua gjermanëve për gjithçka që kanë bërë për të dhe i quajti ata njerëz të përzemërt dhe me sens për humor. Kancelarja Angela Merkel nuk ka bërë pak për Navalnin. Pas helmimit të tij gjatë një fluturimi nga provinca ruse drejt Moskës, Merkeli reagoi ashpër si gati asnjëherë më parë kundër Kremlinit, kërkoi zbardhjen e rastit dhe pas ardhjes së Navalnit në një spital në Berlin për trajtim, një ditë vetë Merkeli hyri në dhomën e tij dhe e vizitoi të helmuarin.
Helmimi i Navalnit vetëm e zgjat listën e veprimeve me gjasë të shërbimit rus kundër kritikëve. Në të kaluarën, regjimi rus është akuzuar se ka helmuar apo atakuar në mënyra të ndryshme oligarkë dhe ish-agjentë që janë strehuar në Perëndim. Agjentët rusë kanë vrarë në Berlin një çeçen. Në Rusi ishte helmuar opozitarja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Ana Politovskaja. Ajo e mbijetoi helmimin, por jo edhe goditjen e mëvonshme me armë. Politikani opozitar, Boris Nemcov, u vra jo larg Kremlinit në fund të shkurtit 2015.
Të gjitha këto raste dhe tani arrestimi i Navalnit tregojnë se regjimi i Putinit i frikësohet çdo shkëndije opozitare, sidomos pasi edhe në Bjellorusi mijëra njerëz prej muajsh po protestojnë kundër regjimit të Aleksandar Lukashenkos. Në rastin e Navalnit, nomenklatura e Putinit “ka arsye” personale për hakmarrje. Si asnjë opozitar rus Navalni me fondacionin e tij për hulumtimin e korrupsionit ka zbuluar shumë afera korruptuese, ka dëshmuar pasurinë e kryeministrit shumëvjeçar Dmitri Medvedev dhe zyrtarëve të tjerë rusë. Për Putinin dhe rrethin e tij, Navalni sidomos sivjet është i padëshirueshëm në Rusi. Më 19 shtator në Rusi mbahen zgjedhjet parlamentare.
Me kthimin e tij Navalni deshi t’i shmanget fatit të oligarkut të dikurshëm, Mihail Kodorkovski, të cilin regjimi e futi në burg dhe tek pas përpjekjeve disavjeçare të politikanëve gjermanë Putini u tregua “zemërgjerë” dhe lejoi shkuarjen e tij në Perëndim. Nga Perëndimi Kodorkovski nuk luan kurrfarë roli në jetën publike dhe politike ruse. Ngjashëm do të ndodhte edhe me Aleksej Navalnin po të vazhdonte të jetonte në Gjermani. Para 10 vjetësh Navalni e kishte quajtur partinë e Putinit Rusia Unike “një parti horrash dhe vjedhësish”. Navalni u kishte prirë protestave, Kremlini iu hakmor duke ia ndaluar kandidimin për poste publike.
Përkundër kësaj fushate të egër kundër opozitës dhe përkundër sulmeve edhe në botën e jashtme nga agjentët e Putinit, në Gjermani ka politikanë që kërkojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë (për shkak të agresionit kundër Ukrainës dhe pushtimit të Krimesë). Politikanë prorusë në Gjermani ka në Partinë Socialdemokrate, tek e majta (Die Linke) që e ka zanafillën te partia komuniste e Gjermanisë Lindore, por adhurues të Vladimir Putinit janë edhe të djathtit ekstremë nga Alternativa për Gjermaninë (AfD). Së fundi, shefin e kësaj partie e ka pritur ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Deri më tani muri i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë ka qëndruar edhe falë autoritetit të Angela Merkelit. Por, Gjermania gjendet nën presionin e disa vendeve të BE-së dhe Washingtonit për të ndërprerë ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”. Merkeli e ka trashëguar këtë projekt nga kancelari Gerhard Schröder, i cili është argat i firmës ruse “Gazprom”, por kancelarja nuk ka hequr dorë nga projekti përkundër kritikave. Pas sanksioneve amerikane kundër firmave pjesëmarrëse në ndërtimin e “Nord Stream 2”, punët pushuan përkohësisht. Për të evituar bllokimin definitiv të projektit, pala ruse po përpiqet të gjejë një rrugëdalje. Para disa ditësh u bë e ditur se kryeministrja e landit Mecklenburg-Vorpommern, socialdemokratja Manuela Scheswig, mbështeti themelimin e një fondacioni për mbrojtjen e klimës. Ky fondacion po përkrahet me 20 milionë euro nga Rusia. Mediat gjermane njoftojnë se përmes këtij fondacioni të rrejshëm Rusia po përpiqet të krijojë një kanal për të financuar ndërtimin e mëtutjeshëm të gazsjellësit.