Cili është elementi që bashkon një ish manjat të naftës dhe dikur padron të klubit futbollistik të Parmës, tashmë në gjendje arresti në Zvicër; një ish kryeministër dhe ndër njerëzit më të fuqishëm të vendit të vet; dhe një investitor misterioz azer me pasaportë amerikane që operon përmes një shoqërie të regjistruar në ishujt britanikë Virxhine?
Nëse vendi për të cilin flasim është Shqipëria, atëherë e përbashkëta nuk mund të jetë veçse Trans Adriatik Pipeline, TAP, gazsjellësi që duhet të bashkojë Greqinë me Italinë duke kaluar përmes pikërisht vendit më të varfër të Ballkanit Perëndimor, tashmë partner qëndror për realizimin e infrastrukturës më të madhe energjetike që ka vënë bast Bashkimi Europian.
Që kur Rusia ngeci nën zjarrin e kryqëzuar të sanksioneve dhe gazsjellësi South Stream u tret si bora nën diell, – me penalitete për t’u paguar, duke qenë se në Bullgari ndërkohë po shtroheshin tubacionet – mega-gazsjellësi prej 3500 kilometrash që duhet të lidhë Azerbajxhanin me Italinë, etapa e fundit e të cilit është TAP, është shndërruar në “projekt të prioritetit europian për të siguruar pavarësinë energjetike të BE-së nga Rusia.
Deri nja dy vjet më parë, entuziazmi i investitorëve për këtë super vepër prej 45 miliardë dollarësh ishte i lartë. Sot gjendja është disi më ndryshe. Para së gjithash, për pasigurinë e madhe që endet rrotull Turqisë dhe për ripërkufizimin e marrëdhënieve në këtë rajon. Së dyti, sepse nga 2012-ta deri sot “lopët janë gjithnjë e më të dobëta”, konsumi i gazit ka rënë, kërkesat për rezerva reale të gazit në Azerbajxhan në rritje dhe investitorët privatë kërkojnë pjesëmarrje dhe garanci publike gjithnjë e më të mëdha për ndërtimin e strukturave të këtyre përmasave, që përmbajnë rreziqe të mëdha dhe faza të gjata ndërtimore.
Kantieret fantazmë
Gjithë sa thamë i kemi konfirmuar, duke vizituar dy vendet që përveç Italisë, kanë angazhuar pjesë të territorit, por edhe makinerinë politike e diplomatike, për të bërë të mundur që ndërtimi i TAP-it jo vetëm të fillojë, por t’ja dalë të përfundohet. Në Shqipëri kemi ndjekur gjurmën e gazsjellësit nga Fieri, pranë bregdetit, deri në Potom, në malet e Shqipërisë qëndrore, duke gjetur kantiere të ndryshëm që po angazhohen në punët e para-konstruksionit. Më saktë, në zgjerimin e rreth 100 km rrugë dhe ura, si dhe në ndërtimin e rrugëve të reja që do shërbejnë për kantieret e projektit. Kantiere këto, që deri në fillim të majit ishin vetëm në letër – pavarësisht ceremonisë së fillimit të punimeve në Shqipëri që u mbajt në vitin 2015 – ndërsa tubacionet kishin pak që kishin mbërritur në portin e Durrësit dhe aty janë vënë kapicë nga Spiecapag, kompania franceze që ka fituar tenderin e ndërtimit në Shqipëri. Sipas gazetarëve dhe specialistëve, këtu gazsjellësi është punë e mbaruar, pasi nuk ka asnjë arsye që të shtyn të besosh se Shqipëria mund të tërhiqet. Projekti është gjithashtu një pjesë përbërëse e politikës së jashtme, më shumë sesa një përgjigje për nevojat reale të vendit, që nuk është i pajisur me rrjet për shfrytëzimin apo shpërndarjen e gazit në tregun e brendshëm. Sipas disave, për këtë vend të vogël të Ballkanit perëndimor, TAP mund të shërbejë si leje-hyrjeje për në Europë.
Sali Berisha dhe ortakët
Siç nënvizon një raport i rrjetit të gazetarisë investigative OCCRP këto ditë, Shqipëria ndërkaq ka shumë rrugë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, ndër pengesat kryesore të saj për të hyrë në BE. Edhe lidhur me TAP-in, skandalet nuk kanë munguar; një projekt i dëshiruar nga presidenti i parë i vendit pas rënies së komunizmit, Sali Berisha, që urtë e butë krijoi lidhje të ngushta në Zvicër me shoqërinë që kreu projektimin e TAP-it, asokohe EGL, sot pjesë e grupit AXPO. Ishte viti 2012 kur kryeministri Berisha e shihte TAP-in si pjesë e riorganizimit të sektorit energjetik të vendit, teksa negociatat që e shihnin TAP-in si segmentin final të “Korridorit jugor të gazit” ishin ende në zhvillim e sipër. Qeveria Berisha përmblodhi në një një mega-tender të vetëm, privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, ndërtimin e një rafinerie dhe transportin e shpërndarjen e gazit natyror të vendit për 25 vitet e ardhshme. Tenderi u fitua nga një kompani misterioze e regjistruar në Singapor, pronësia e së cilës doli vetëm më pas: Ishte një prej “mjeteve” që përdorte manjati i naftës Rezart Taçi. Për t’i rënë shkurt një historie që vetëm e shkurtër nuk është, Taçi përdori një garanci bankare false për të siguruar qeverinë se e mbulonte parapagesën që duhej të derdhte prej 10% (afera totale ishte prej 850 milionë eurosh), tenderi u pezullua dhe manjati me shpejtësi mori rrokullimën.
Pasuria e tij iu shit veresie një kompanie të regjistruar në ishujt Virxhin, Heaney Asset Corporation, që të çonte në pronarë azerë të cilët ndoshta ishin kreditorë (ose ortakë biznesi) të Taçit. Prej muajit maj, Taçi ndodhet nën arrest në Zvicër nën akuzën e korrupsionit ndërkombëtardhe interesat e reja të TAP në Shqipëri i ka kompania Gener 2, firma e ndërtimit që ka fituar bashkë me Sicilsaldo-n tenderët për punimet e para-konstruksionit të përmendura më lart. Ndërsa privatizimi i Albpetrolit u shty për kur të rritej çmimi i naftës.
Padyshim, në këtë klimë shtrohet pyetja se kush do përfitojë realisht nga TAP, përtej kompanive që kanë fituar tenderat. Por edhe kush do ta paguajë, duke parë se konsorciumi me seli në Baar, një prej zonave me juridiksionin më sekret të Zvicrës, ka kërkuar një hua prej 2 miliardë eurosh nga Banka Europiane e Zhvillimit, e cila nga ana e vet do pretendojë kundër-garanci të forta.
Siç na tha Selami Xhepa, ekonomist dhe këshilltar i disa qeverive shqiptare, që e takuam në maj, “Shqipëria nuk është në gjendje të rrisë në asnjë mënyrë borxhin e saj publik”, e rrjedhimisht aq më pak është në gjendje të ofrojë garanci për hua të kësaj madhësie. Vështirë të imagjinoeht një përfitim direct për 1200 familje me të cilat TAP ende po negocion për çmimet e shitjes dhe qerave të terrenit nga do kalojë tubacioni. Veçanërisht në zonat malore, ku bëhej fjalë për pronarë të vegjël që jetojnë me një bujqësi mbijetese, për të cilat kompensimet e ofruara nga kompania (sidomos lidhur me terrenet e drufrutorëve) nuk mjaftojnë për të siguruar një alternativë mbijetese gjatë dhe pas ndërtimit të gazsjellësit. Prandaj familje të ndryshme i janë drejtuar mekanizmit të kontrollit të pavarur të Bankës Europiane për Zhvillim, duke u ankuar për shkelje të standardeve ndërkombëtare, çka nuk përputhet me aktivitetin e Bankës. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe disa fermerë në Kavalla të Greqisë, që së bashku me provicën e Serresit do vuajnë impaktin direkt të ndërtimit të gazsjellësit në tokën greke.
Rezistenca greke
Kemi takuar në korrik Themistoklis Kalpakidis, president i shoqatës, e bashkë me të përshkuam itinerarin e parashikuar për TAP-in, si dhe problemet e shumta që i shkakton projekti Bankës Europiane në fjalë. “Ankesat tona i kemi dërguar që në gusht 2015, dhe ende s’ka ardhur kush për të verifikuar gjendjen”, thotë ai duke na treguar letrën dërguar presidentit të Bankës.
Institucioni me seli në Luksemburg, ka shtyrë për mbi një vit kohën, pa dërguar përgjigje konkrete ndaj ankesave mëse të ligjshme që lidhen me TAP-in në Greqi; kjo para se një letër e dytë nga ana e fermerëve të fuste në veprim mekanizmin e pavarur të kontrollit, që premtoi një vizitë në vend, në javët e ardhshme.
Në Greqi, si në Salento, zbatimi i munguar i direktivës Seveso është mes shqetësimeve kryesore që kanë sinjalizuar katër ankesat për vlerësimin e impaktit mjedisor, ankesa këto të dorëzuara nga shoqata e fermerëve në provincëne Kavallës, nga komiteti i rezidentëve të Serresit, nga qyteti i Kavallës dhe nga qyteza e Dhoksatos. Të gjitha këto, në pritje për t’u diskutuar në Këshillin e Shtetit.
Fusha nëpër të cilën do kalojë gazsjellësi, është ndër me pjelloret në Europë, e pasur me material organik, (është rajon i bonifikuar) dhe me rrezik të madh vetëshpërthyes. “Çfarë do t’u ndodhë fermerëve që punojnë tokën përgjatë gazsjellësit, gjithë banorëve që jetojnë përgjatë segmentit, nëse do ketë rrjedhje gazi?”, pyet i shqetësuar Themistokliu, duke dhënë shembuj nga incidente të shumta në vende të tjera.
Pyetje mëse të ligjshme, të cilat nuk mund të fashiten me “garanci të përgjithshme”. “Janë mbi 200 fermerë dhe pronarë terrenesh që kanë refuzuar të firmosin kontratat me TAP”, thotë ai. Gjatë konsultimeve për impaktin mjedisor ata propozuan alternative konkrete për një rrugë tjetër, por nuk u morën parasysh. “Askush nuk na ka informuar mbi pasojat reale që ky project do ketë mbi jetët tona, e që sipas nesh është i papërputhshëm me modelin ekonomik actual”, nënvizon aktivisti grek.
Në gusht, fermerrët dhe komiteti civik që është kundër projektit, kanë denoncuar hyrjen e paautorizuar në tokat e disa fermerëve që ende nuk I kanë firmosur kontratat me kompaninë, duke shkaktuar protesta që kërkoan ndërhyrjen e policisë. Kompani në fjalë, Jp AVAX, në fakt kishte nisur të priste arat me misër përgjatë gjurmës së gazsjellësit, që po vonohej pikërisht nga protestat.
Përtej deklaratave plateale dhe fasadës së optimizmit që kanë institucionet, duket se edhe jashtë Salentos italiane, TAP është shumë larg të qenit “në ndërtim”, dhe ka shumë shpirtra ende për të qetësuar. Edhe kësaj here, zërat nga terreni konfirmojnë se rezistenca është e fermerëve dhe fshatarëve.
Përktheu DITA
ma.me