Nga Thoma Gëllçi
Ekonomia, rritja e çmimeve, emigracioni, lufta me Iranin dhe pakënaqësia ndaj administratës Trump po përcaktojnë fushatën për zgjedhjet amerikane të mesmandatit. Sondazhet e fundit tregojnë një epërsi të konsiderueshme të demokratëve në nivel kombëtar, por lufta për kontrollin e Senatit mbetet e hapur. Rezultati i 3 nëntorit mund të ndryshojë mënyrën se si do të qeverisen Shtetet e Bashkuara gjatë dy viteve të ardhshme.
Zgjedhjet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillohen në një periudhë pakënaqësie të konsiderueshme me gjendjen ekonomike dhe drejtimin e vendit. Presidenti Donald Trump vazhdon të ketë mbështetjen e një pjese të rëndësishme të elektoratit republikan, por vlerësimi i përgjithshëm për punën e tij ka rënë në nivele të ulëta. Për demokratët, kjo krijon mundësinë e një rikthimi në pushtetin legjislativ. Për republikanët, sfida është të bindin votuesit se politikat e administratës kanë sjellë rezultate dhe se ndryshimi i shumicës në Kongres do të pengonte zbatimin e programit presidencial.
Në një editorial të New York Times të shkruar nga Bordi Editorial, shkruhet: “Presidenti Donald Trump u ka kërkuar votuesve të sillen sikur ai vetë të jetë në fletën e votimit për zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit. Këtë herë, mund të biem dakord me këshillën e tij politike. Amerikanët duhet të kenë parasysh administratën Trump kur të votojnë për anëtarët e Kongresit dhe për zyrtarët e pushtetit në shtetet e tyre. Votuesit duhet të kujtojnë dështimin e Trumpit për të mbajtur premtimet elektorale, përpjekjet e tij për të dëmtuar demokracinë amerikane dhe korrupsionin e hapur që ka karakterizuar administratën e tij. Ata duhet të mendojnë edhe për mënyrën se si Partia Republikane i ka pranuar këto abuzime me pushtetin dhe t’u kërkojnë republikanëve përgjegjësi.”
Sipas analizave, zgjedhjet e mesmandatit historikisht kanë qenë të pafavorshme për partinë në pushtet. Megjithatë, polarizimi politik, ndarja e zonave zgjedhore dhe numri relativisht i vogël i garave konkurruese e bëjnë rezultatin e këtij viti më të vështirë për t’u parashikuar.
Çfarë do të vendoset më 3 nëntor
Në këto zgjedhje do të përcaktohet përbërja e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve, një pjesë e konsiderueshme e Senatit dhe drejtimi i shumë shteteve amerikane. Rezultati do të përcaktojë nëse Trump do të vazhdojë të punojë me një Kongres të kontrolluar nga republikanët apo do të përballet me një shumicë demokrate në njërën ose në të dyja dhomat. Në 3 nëntor do të votohet për 435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 vende në Senatin amerikan dhe 36 poste guvernatorësh në shtete të ndryshme.
Republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Kongres. Demokratëve u duhen katër vende shtesë për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe po aq për të siguruar shumicën në Senat. Por dy dhomat funksionojnë ndryshe nga njëra-tjetra. Në Dhomën e Përfaqësuesve votohen të gjitha vendet dhe rezultatet ndikohen më drejtpërdrejt nga prirjet kombëtare. Në Senat votohet vetëm për një pjesë të vendeve, ndaj demokratët duhet të fitojnë në disa shtete ku republikanët tradicionalisht kanë qenë më të fortë.
Në të njëjtën ditë zhvillohen edhe zgjedhjet për guvernatorë, parlamentet e shteteve dhe poste të tjera vendore. Për qytetarët, këto gara kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre sepse votohet shkollat publike, taksat shtetërore, shëndetësinë, sigurinë dhe administrimin e zgjedhjeve.
Sondazhet kombëtare: një epërsi e qartë për demokratët
Të dhënat e publikuara më 26 dhe 27 tetor tregojnë se Partia Demokratike ka krijuar një epërsi të qëndrueshme në pyetjen se cilën parti do të votonin amerikanët për Kongresin. Kjo matje nuk i krahason kandidatët konkretë, por preferencat kombëtare për dy partitë.
Në sondazhin Reuters/Ipsos, të zhvilluar më 22–26 tetor, demokratët kryesojnë me 53% kundrejt 44% mes votuesve që pritet të marrin pjesë në zgjedhje. Ky rezultat përputhet me disa matje të tjera të ditëve të fundit. Edhe sondazhet e CBS News, Economist/YouGov dhe Morning Consult japin avantazh për demokratët, megjithëse me diferenca të ndryshme.
Kjo epërsi është politikisht e rëndësishme, sepse demokratët nuk po mbështeten vetëm në pakënaqësinë ndaj presidentit. Ata po fitojnë terren edhe në çështjen e ekonomisë, ku republikanët kishin pasur tradicionalisht avantazh në perceptimin e votuesve.
Megjithatë, votimi për Kongresin zhvillohet në zona të veçanta. Një parti mund të fitojë më shumë vota në shkallë kombëtare pa fituar dot numrin përkatës të vendeve. Shpërndarja gjeografike e elektoratit, kufijtë e zonave zgjedhore dhe pjesëmarrja ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
Donald Trump dhe ndikimi i tij mbi zgjedhjet
Sondazhi Reuters/Ipsos më 26 tetor e vendos miratimin e përgjithshëm të punës së presidentit Trump në 32%. Kjo shifër përbën një problem për kandidatët republikanë, sidomos në zonat ku zgjedhjet vendosen nga votuesit e pavarur dhe ata të moderuar. Sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e votuesve nuk është e kënaqur me rezultatet praktike, veçanërisht me çmimet dhe koston e jetesës.
Trump vazhdon të jetë figura qendrore e Partisë Republikane. Ai ka zhvilluar dhe zhvillon aktivitete elektorale për të mobilizuar mbështetësit, ndërkohë që kandidatët e partisë përpiqen të lidhin politikat e tyre me arritjet që administrata pretendon se ka realizuar. Ulja e kalimeve të paligjshme në kufi, masat kundër emigracionit të parregullt dhe politikat fiskale janë ndër argumentet kryesore që përdorin republikanët.
Por ndikimi i Trump nuk është i njëjtë në të gjitha shtetet. Në zonat me shumicë republikane, mbështetja e tij mbetet një përparësi për kandidatët. Në zonat konkurruese, ndodh e kundërta: edhe kandidatët republikanë kërkojnë të vendosin distancë me presidentin në disa nga problemet më të ndjeshme. P.sh. në Michigan republikani Rogers shpreh distancimin e tij me Trump për problemin e Kanadasë, luftën në Iran, tarifat tregtare, sulmin ndaj Kapitolit, marrëdhëniet me Rusinë etj. Duket që lidhja shumë e fortë me presidentin mund të largojë votuesit që janë të pakënaqur me drejtimin e administratës.
Një element tjetër është pjesëmarrja. Trump ka treguar se mund të mobilizojë një elektorat të madh dhe besnik në zgjedhjet presidenciale. Mbetet e pasigurt nëse e njëjta pjesëmarrje do të përsëritet në zgjedhje ku emri i tij nuk është drejtpërdrejt në fletën e votimit. Për demokratët, nga ana tjetër, kundërshtimi ndaj presidentit është një faktor që nxit interesimin për të votuar.
Ekonomia dhe kostoja e jetesës: problemi më i rëndësishëm për amerikanët
Ekonomia është çështja që bashkon shqetësimet e votuesve të të dyja partive. Sipas të dhënave të publikuara, 84% e votuesve të regjistruar e konsiderojnë ekonominë shumë të rëndësishme për votën e tyre. Kjo përqindje arrin në 88% mes atyre që mbështesin demokratët dhe 82% mes mbështetësve të republikanëve.
Të dhënat ekonomike paraqesin një gjendje të përzier. Sipas një analize të Associated Press të publikuar në javën e fundit, inflacioni vjetor ka arritur në 3.7%, ndërsa papunësia mbetet në 4.2%. Ekonomia vazhdon të rritet, por ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës është ngadalësuar. Normat e interesave janë rritur, duke e bërë më të shtrenjtë blerjen e banesave dhe financimin e automjeteve.
Për votuesit, dallimi mes statistikave të përgjithshme ekonomike dhe gjendjes së financave familjare është thelbësor. Rritja e bursës apo një nivel i ulët papunësie nuk e kompenson rritjen e shpenzimeve për ushqime, energji, qira, kredi dhe sigurime shëndetësore.
Sondazhi Reuters/Ipsos i 26 tetorit tregon se vetëm 25% e amerikanëve miratojnë mënyrën si Trump po drejton ekonominë, ndërsa vetëm 20% miratojnë trajtimin e kostos së jetesës. Rreth 73% e të anketuarve mendojnë se kostoja e jetesës po shkon në drejtimin e gabuar.
Republikanët mbrojnë politikën e uljes së taksave dhe argumentojnë se masat e tyre mund të nxisin investimet dhe rritjen ekonomike. Demokratët theksojnë se përfitimet nga politikat fiskale nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë dhe se familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta vazhdojnë të përballen me vështirësi.
Ekonomia është bërë kështu një nga arsyet kryesore të ndryshimit të preferencave elektorale. Nëse votuesit e lidhin gjendjen e tyre financiare me politikat e Shtëpisë së Bardhë, republikanët do të humbasin mbështetje edhe në zona ku kanë qenë fitues në zgjedhjet e mëparshme.
Shëndetësia dhe sigurimet shëndetësore
Shëndetësia është një tjetër çështje me ndikim të madh. Debati është përqendruar te kostoja e sigurimeve, financimi i programeve publike dhe pasojat e ndryshimeve në shpenzimet federale. Demokratët kritikojnë shkurtimet e miratuara në financimin e Medicaid dhe të programeve të tjera shëndetësore, ndërsa republikanët argumentojnë se ndryshimet janë pjesë e përpjekjeve për kontrollin e shpenzimeve dhe reformimin e sistemit.
Kjo çështje prek drejtpërdrejt të moshuarit, familjet me fëmijë, qytetarët me të ardhura të ulëta dhe personat që blejnë sigurime individuale. Në zonat ku diferenca mes kandidatëve është e vogël, ndryshimet e kostos së shërbimeve shëndetësore sigurisht që do të ndikojnë në vendimin e votuesve.
Emigracioni: një politikë që vazhdon të ndajë elektoratin
Emigracioni mbetet një nga temat kryesore të fushatës republikane. Administrata Trump e konsideron kontrollin e kufirit, dëbimin e emigrantëve pa status të rregullt dhe forcimin e zbatimit të ligjeve të emigracionit si pjesë qendrore të programit të saj.
Sipas njoftimeve, numri i ndalimeve për kalime të paligjshme në kufi ka rënë ndjeshëm gjatë administratës Trump. Republikanët e paraqesin këtë si rezultat të politikave të tyre, ndërsa demokratët kritikojnë metodat e zbatimit të ligjit, trajtimin e emigrantëve dhe incidentet e dhunshme që kanë shoqëruar disa operacione federale.
Për republikanët, emigracioni është një çështje ku ata synojnë të ruajnë avantazhin politik. Për demokratët, problemi nuk është vetëm kontrolli i kufirit, por edhe kufijtë e pushtetit federal dhe respektimi i procedurave ligjore. Kjo përplasje ka rëndësi të veçantë në shtetet me komunitete të mëdha emigrantësh, por edhe në zonat ku emigracioni ndikon në tregun e punës dhe shërbimet publike.
Demokracia, institucionet dhe kontrolli i pushtetit
Një tjetër temë e rëndësishme është funksionimi i institucioneve demokratike. Në një sondazh të publikuar kohët e fundit 73% e votuesve thonë se e ardhmja e demokracisë është shumë e rëndësishme për votën e tyre. Shqetësimi është më i madh mes demokratëve, me 85%, por mbetet i konsiderueshëm edhe mes republikanëve, me 69%. Në editorialin e New York Times që cituam në fillim të shkrimit thuhet: “Brenda 21 muajve, Trumpi i ka shkaktuar demokracisë dhe shtetit të së drejtës më shumë dëme sesa çdo president tjetër në epokën moderne, dhe ndoshta edhe më herët. Ai ka shkelur betimin për të mbrojtur Kushtetutën duke u përpjekur ta ndryshojë atë sipas dëshirës së tij. Ka refuzuar të respektojë kompetencën e Kongresit për kontrollin e shpenzimeve publike dhe ka përdorur në mënyrë të gabuar ligjet e sigurisë kombëtare për qëllime politike.”
Dy partitë e interpretojnë ndryshe këtë shqetësim. Demokratët përqendrohen te kufizimi i kompetencave presidenciale, mbikëqyrja e administratës dhe pavarësia e institucioneve. Republikanët theksojnë nevojën për një administratë më të përgjegjshme ndaj presidentit të zgjedhur, forcimin e rendit dhe zbatimin e programit për të cilin kanë marrë mandatin.
Nëse demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ata do të mund të drejtojnë komisione parlamentare, të kërkojnë dokumente nga administrata dhe të zhvillojnë hetime mbi veprimtarinë e qeverisë federale. Kontrolli i Senatit do të kishte pasoja edhe më të gjera, veçanërisht për miratimin e emërimeve të larta dhe gjyqtarëve federalë.
Këto zgjedhje nuk do të përcaktojnë vetëm se cila parti ka më shumë vende në Kongres. Ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e presidentit për të miratuar ligje, buxhete dhe reforma.
Lufta me Iranin dhe politika e jashtme
Politika e jashtme është bërë një faktor më i rëndësishëm sesa në shumë zgjedhje të mëparshme të mesmandatit. Konflikti me Iranin, shpenzimet ushtarake, marrëdhëniet me aleatët dhe pasojat ekonomike të tensioneve ndërkombëtare kanë hyrë në debatin elektoral.
Sipas Pew Research Center, një organizatë e pavarur amerikane e njohur ndërkombëtarisht për sondazhet dhe studimet, vetëm rreth një e treta e amerikanëve miratojnë mënyrën se si Trump po e menaxhon konfliktin me Iranin. Rreth 77% presin që konflikti të vazhdojë edhe për të paktën gjashtë muaj të tjerë.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme sepse pasojat e konfliktit janë lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë dhe me pasigurinë ekonomike. Mbështetësit e administratës argumentojnë se një politikë e fortë ushtarake është e nevojshme për sigurinë kombëtare dhe interesat amerikane. Kritikët kundërshtojnë kostot, kohëzgjatjen dhe mundësinë e zgjerimit të konfliktit.
Në zgjedhjet amerikane, politika e jashtme rrallëherë e zëvendëson ekonominë si shqetësimin kryesor të votuesve. Por kur një konflikt ndërkombëtar ndikon në çmimin e karburantit, buxhetin federal dhe perceptimin e sigurisë, ai mund të bëhet vendimtar për votuesit e pavendosur sepse kthehet në problemin e xhepit të tyre.
Aborti, arsimi dhe çështjet sociale
Debati mbi të drejtën e abortit vazhdon të jetë pjesë e fushatës, veçanërisht pas ndryshimeve të mëdha ligjore që pasuan vendimin e Gjykatës së Lartë në vitin 2022. Demokratët mbrojnë zgjerimin e mbrojtjes ligjore për të drejtat riprodhuese, ndërsa qëndrimet republikane ndryshojnë sipas shteteve dhe kandidatëve.
Megjithatë, në vitin 2026, aborti nuk ka të njëjtën peshë elektorale si në zgjedhjet e vitit 2022. Sipas Pew, 46% e votuesve e cilësojnë shumë të rëndësishëm, ndërsa ekonomia dhe shëndetësia renditen dukshëm më lart. Arsimi konsiderohet shumë i rëndësishëm nga 62% e votuesve dhe politika për armët nga 45%.
Përplasjet mbi programet shkollore, të drejtat e prindërve, financimin e arsimit publik dhe rregullat për armët vazhdojnë të mobilizojnë grupe të veçanta votuesish. Ato mund të jenë vendimtare në garat për guvernatorë dhe parlamentet shtetërore, ku shumë prej këtyre politikave përcaktohen në praktikë.
Beteja për Dhomën e Përfaqësuesve: demokratët kanë shanset më të mira
Nga dy dhomat e Kongresit, Dhoma e Përfaqësuesve është ajo ku demokratët kanë mundësinë më të madhe për të fituar shumicën. Epërsia e tyre në sondazhet kombëtare, pakënaqësia ndaj presidentit dhe shqetësimet ekonomike kanë krijuar kushte të favorshme për një ndryshim të kontrollit politik.
Pothuajse të gjitha sondazhet tregojnë një përparësi demokrate. Një përmbledhje e sondazheve, tregjeve të parashikimit dhe analizave akademike, e përditësuar më 27 tetor nga studiuesi Kevin DeLuca në Universitetin Yale, jep projeksione që lëvizin afërsisht nga 233 në 238 vende për demokratët. Për kontrollin e Dhomës nevojiten 218 vende. Pritet vetëm të shohim se sa i saktë do të jetë ky studiues.
Megjithatë, ekziston një faktor që mund ta kufizojë suksesin demokrat. Gjatë dekadave të fundit, numri i zonave zgjedhore vërtet konkurruese është zvogëluar. Shumë distrikte kanë një shumicë të qëndrueshme republikane ose demokrate, çka do të thotë se rezultati kombëtar varet nga një numër relativisht i vogël zonash.
Ndryshimi i kufijve të zonave zgjedhore
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2026 është ndryshimi i hartës zgjedhore në nëntë shtete. Ky proces ka ndikuar në mënyrën se si shpërndahen votuesit ndërmjet distrikteve të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ndryshimet e bëra janë kryesisht të favorshme për republikanët. Në Texas, Florida dhe disa shtete të tjera janë miratuar harta të reja që mund të rrisin numrin e vendeve republikane. Kalifornia ka miratuar ndryshime që synojnë të kompensojnë një pjesë të këtij avantazhi. Nëse hartat funksionojnë sipas parashikimeve fillestare, sipas shumë gazetave, republikanët mund të përfitojnë deri në nëntë vende neto.
Kjo ka rëndësi të madhe sepse në një Kongres ku shumica përcaktohet nga pak vende, ndryshimi i kufijve mund të ndikojë në kontrollin politik edhe pa ndryshuar shumë preferencat e përgjithshme të votuesve.
Sipas Reuters, rreth 40 vende të Dhomës konsiderohen realisht konkurruese. Pikërisht rezultatet në këto distrikte, sidomos në periferi të qyteteve dhe në zonat me shumë votues të pavarur, do të përcaktojnë nëse demokratët arrijnë të kthejnë epërsinë e tyre kombëtare në një shumicë parlamentare.
Senati: gara më e vështirë dhe më e rëndësishme
Në Senat, situata është më e ndërlikuar. Republikanët kanë një shumicë prej 53 vendesh kundrejt 47 të demokratëve dhe senatorëve të pavarur që bashkëpunojnë me ta. Demokratët kanë nevojë për katër vende shtesë për të marrë kontrollin e kësaj dhome, duke supozuar se ruajnë të gjitha vendet që kontrollojnë aktualisht.
Megjithëse disa gara kanë ndryshuar në favor të demokratëve, ata ende duhet të fitojnë në shtete ku një fitore e tyre do të përbënte një rezultat të rëndësishëm politik. Parashikimet dhe sondazhet e ditëve të fundit tregojnë se disa nga garat më vendimtare ndodhen në North Carolina, Maine, Ohio, Texas, Alaska dhe Iowa. Demokratët duhet njëkohësisht të mbrojnë vendet e tyre në Michigan, Georgia dhe New Hampshire.
North Carolina: demokratët përpara
Në North Carolina, ish-guvernatori demokrat Roy Cooper përballet me republikanin Michael Whatley. Cooper ka ruajtur një epërsi të konsiderueshme gjatë javëve të fundit. Mesatarja e RealClearPolling e vendos atë rreth dhjetë pikë përpara rivalit republikan, ndërsa një sondazh i fundit i jep 51% kundrejt 43%.
Kjo është një nga mundësitë më të qarta që demokratët të fitojnë një vend aktualisht republikan në Senat. Megjithatë, North Carolina mbetet një shtet ku republikanët kanë një elektorat të madh dhe ku pjesëmarrja mund të ndryshojë rezultatin.
Maine: Susan Collins përballet me një garë të vështirë
Senatorja republikane Susan Collins, e njohur për pozicionimet e saj relativisht të moderuara, përballet me demokratin Troy Jackson. Collins ka fituar më parë në një shtet që në zgjedhjet presidenciale ka prirje demokrate, por klima politike e vitit 2026 e ka bërë garën më konkurruese.
Sondazhet e publikuara deri më sot i japin Jackson 49% kundrejt 47% për Collins. Diferenca është e vogël dhe brenda pasigurisë statistikore të një sondazhi të vetëm. Gara konsiderohet një nga më të rëndësishmet për përcaktimin e shumicës në Senat.
Ohio: Sherrod Brown kërkon rikthimin
Në Ohio, demokrati Sherrod Brown kërkon të rikthehet në Senat përballë republikanit Jon Husted. Ohio është bërë më republikan në zgjedhjet e fundit kombëtare, por Brown ka një histori të gjatë politike në këtë shtet dhe mbështetje mes disa kategorive të punonjësve.
Sondazhet e tetorit japin rezultate të ndryshme, megjithëse disa matje e vendosin Brown përpara. Një sondazh i Fox News, i zhvilluar më 15–19 tetor, jepte 52% për Brown dhe 47% për Husted. Gara mbetet konkurruese dhe është një nga mundësitë e demokratëve për të fituar një vend republikan.
Texas: një garë që ka marrë rëndësi kombëtare
Në Texas, demokrati James Talarico përballet me republikanin Ken Paxton. Sondazhet e fundit tregojnë një garë shumë më të ngushtë nga sa do të pritej në një shtet që për dekada ka votuar kryesisht republikan në zgjedhjet shtetërore.
Sondazhet i japin Talarico 50% dhe Paxton 45%, ndërsa një sondazh tjetër i publikuar më 24 tetor i vendoste kandidatët në barazim me nga 45%. Këto rezultate tregojnë se një fitore demokrate është e mundshme, por jo e sigurt.
Gara ndikohet edhe nga kandidaturat e partive të treta. Media ka raportuar se kandidati libertarian Ted Brown mund të tërheqë një pjesë të votave të konservatorëve të pakënaqur me Paxton apo me disa politika të Trump. Në një garë me diferencë të vogël, votat për kandidatët e tretë mund të kenë ndikim të rëndësishëm.
Alaska dhe Iowa: dy gara që mund të përcaktojnë shumicën
Në Alaska, demokratja Mary Peltola konkurron me senatorin republikan Dan Sullivan. Peltola ka treguar më parë se mund të tërheqë votues përtej elektoratit tradicional demokrat. Sondazhet e disponueshme tregojnë një garë të ngushtë dhe disa mesatare e vendosin atë pak përpara.
Në Iowa, republikania Ashley Hinson përballet me demokratin Josh Turek. Mesatarja e sondazheve të fundit tregon pothuajse barazim mes tyre. Republikanët kanë një avantazh politik historik në këtë shtet, por problemet ekonomike dhe ndryshimet e preferencave elektorale e kanë bërë garën më konkurruese.
Georgia dhe New Hampshire: demokratët duhet të mbrojnë vendet e tyre
Senatori demokrat Jon Ossoff kërkon rizgjedhjen në Georgia përballë republikanit Mike Collins. Mesatarja e RealClearPolling i jep Ossoff një epërsi prej rreth tetë pikësh, duke e vendosur në pozitë relativisht të favorshme. Megjithatë, Georgia mbetet një shtet me elektorat të ndarë politikisht.
Në New Hampshire, demokrati Chris Pappas konkurron kundër republikanit Chris Sununu. Një sondazh i publikuar më 26 tetor e vendos Pappas përpara me 50% kundrejt 44%. Republikanët shpresojnë se profili i njohur politik i Sununu mund t’i ndihmojë të fitojnë mbështetje mes votuesve të pavarur.
Në tërësi, demokratët kanë rrugë të besueshme për të fituar shumicën në Senat, por kjo kërkon një kombinim fitoresh në disa shtete. Një epërsi e madhe kombëtare nuk është e mjaftueshme nëse partia dështon në garat e ngushta për vende individuale.
Michigan: dy gara me rëndësi të veçantë kombëtare
Michigan është një nga shtetet më të rëndësishme në zgjedhjet e 3 nëntorit. Votuesit do të përcaktojnë senatorin e ri amerikan dhe guvernatorin që do të pasojë Gretchen Whitmer. Në të dyja garat, kandidatët demokratë kryesojnë në sondazhet e fundit, por diferencat janë të ndryshme.
Senati: Abdul El-Sayed kundër Mike Rogers
Demokrati Abdul El-Sayed përballet me republikanin Mike Rogers në garën për vendin që lirohet nga senatori Gary Peters. Sipas sondazheve, El-Sayed kryeson me 50% kundrejt 48% për Rogers mes votuesve që pritet të marrin pjesë në zgjedhje. Diferenca prej dy pikësh është brenda marzhit të gabimit.
Ky sondazh tregon gjithashtu se El-Sayed ka mbështetje relativisht më të fortë mes votuesve nën 30 vjeç, ndërsa disa kategori të moderuara favorizojnë më shumë kandidaten demokrate për guvernatore sesa atë për Senat.
Sondazhet e tjera të ditëve të fundit e konfirmojnë avantazhin e ngushtë të El-Sayed, por jo një fitore të sigurt. Rezultati mund të varet nga pjesëmarrja në Detroit, periferitë e tij, zonat universitare dhe qarqet me elektorat të pavarur.
Guvernatori: Jocelyn Benson përballë John James
Gara për guvernator paraqitet më e favorshme për demokratët. Jocelyn Benson, aktualisht sekretare e shtetit të Michiganit, konkurron me republikanin John James.
Sondazhi i Michigan State University, i publikuar më 26 tetor, e vendos Benson në 53.3% dhe James në 40.9%, një diferencë prej 12.4 pikësh.
Për demokratët, ruajtja e postit të guvernatorit është e rëndësishme për vazhdimësinë e politikave shtetërore në arsim, infrastrukturë, ekonomi dhe çështje sociale. Për republikanët, fitorja e James do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm politik në një shtet që ka qenë vendimtar në zgjedhjet presidenciale.
Pesha e votuesve të pavarur në Michigan
Një nga të dhënat më interesante të sondazhit të fundit është se 44% e votuesve të mundshëm në Michigan thonë se vota e tyre për Kongresin është kryesisht një votë kundër Donald Trump. Vetëm 18% e lidhin votën kryesisht me mbështetjen ndaj presidentit, ndërsa 37% thonë se Trump nuk ndikon shumë në vendimin e tyre.
Kjo e dhënë ndihmon të kuptohet përse kandidatët demokratë kanë avantazh. Megjithatë, ajo nuk do të thotë se të gjithë votuesit e pakënaqur me Trump do të zgjedhin automatikisht demokratët. Reputacioni personal i kandidatëve, programet e tyre ekonomike dhe shqetësimet lokale vazhdojnë të luajnë rol.
Michigan ka gjithashtu një numër të madh votuesish që nuk identifikohen fort me asnjërën parti. Pikërisht këta votues mund të bëjnë dallimin ndërmjet një fitoreje të ngushtë dhe një rezultati më të qartë.
Zgjedhjet për guvernatorë: rëndësia e pushtetit në shtete
Përveç Michiganit, zgjedhjet për guvernator zhvillohen në 35 shtete të tjera. Disa prej garave më të ndjekura janë në Arizona, Nevada, Wisconsin, Pennsylvania, Ohio, Georgia dhe Florida.
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve nuk kufizohet te administrimi i përditshëm i shteteve. Guvernatorët mund të vendosin veto ndaj ligjeve, të propozojnë buxhete, të drejtojnë administratën shtetërore dhe të ndikojnë në politikat e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës.
Në shtetet ku kontrolli politik është i ndarë ndërmjet guvernatorit dhe parlamentit shtetëror, rezultati mund të përcaktojë mundësinë e miratimit të reformave. Në disa prej tyre, zgjedhjet do të kenë rëndësi edhe për mënyrën se si do të organizohen proceset e ardhshme elektorale.
Për partitë kombëtare, guvernatorët janë gjithashtu figura të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Disa prej kandidatëve dhe fituesve të këtij viti mund të bëhen pjesë e debatit të ardhshëm për udhëheqjen e dy partive.
Pjesëmarrja në votime dhe roli i të rinjve
Një faktor vendimtar do të jetë pjesëmarrja e votuesve. Tradicionalisht, zgjedhjet e mesmandatit tërheqin më pak zgjedhës sesa zgjedhjet presidenciale. Por klima politike e këtij viti ka rritur interesimin, sidomos mes votuesve që kundërshtojnë administratën Trump.
Sondazhi Reuters/Ipsos i 26 tetorit tregon se 46% e demokratëve shprehen shumë entuziastë për të votuar, kundrejt 30% të republikanëve. Kjo diferencë është e rëndësishme sepse në garat e ngushta numri i njerëzve që shkojnë realisht në qendrat e votimit ka më shumë rëndësi sesa numri i atyre që deklarojnë mbështetje në sondazhe.
Votuesit e rinj, sidomos ata nën 30 vjeç, janë një kategori që demokratët synojnë ta mobilizojnë në mënyrë të veçantë. Shqetësimet për qiratë, kostot e arsimit universitar, sigurimet shëndetësore dhe mundësitë e punësimit ndikojnë te preferencat e tyre. Në disa shtete, si Michigan, sondazhet tregojnë se kandidatët progresistë demokratë kanë mbështetje veçanërisht të fortë mes të rinjve.
Republikanët, nga ana tjetër, përpiqen të mobilizojnë elektoratin konservator, votuesit që mbështesin politikat e emigracionit dhe ata që e konsiderojnë sigurinë publike si përparësi. Pjesëmarrja në zonat rurale dhe në komunitetet e vogla mund të jetë vendimtare për kandidatët e tyre.
Një element që duhet ndjekur gjatë javës së fundit është votimi i parakohshëm. Ai mund të japë informacion për numrin e pjesëmarrësve dhe organizimin e fushatave, por nuk mund të përdoret i vetëm për të përcaktuar fituesin. Prirjet e votimit të parakohshëm ndryshojnë sipas shtetit dhe mënyrës së votimit.
Siguria e zgjedhjeve dhe besimi te rezultati
Procesi zgjedhor është bërë vetë pjesë e debatit politik amerikan. Pas mosmarrëveshjeve mbi rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, autoritetet shtetërore dhe lokale po përgatiten për sfida që lidhen me dezinformimin, sigurinë kibernetike, kërcënimet ndaj punonjësve zgjedhorë dhe përhapjen e pretendimeve të pabazuara për manipulime.
Reuters raporton se autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe përpjekjet për informimin e publikut. Kontrolli i regjistrimit të votuesve, kërkesat për identifikim dhe verifikimi i nënshkrimeve janë ndër mekanizmat që përdoren për mbrojtjen e procesit. Provat e disponueshme tregojnë se votimi i paligjshëm nga persona pa shtetësi amerikane dhe format e tjera të mashtrimit zgjedhor janë dukuri jashtëzakonisht të rralla.
Rëndësia e kësaj çështjeje rritet në shtetet ku rezultati mund të përcaktohet nga disa mijëra vota. Prandaj, transparenca në numërim, respektimi i procedurave dhe pranimi i rezultateve të certifikuara do të jenë të rëndësishme për besimin publik edhe pas përfundimit të votimit.
A mund t’i kthejnë demokratët sondazhet në një fitore të madhe?
Sipas të dhënave të disponueshme më 27 tetor, demokratët janë në pozitën më të mirë për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve. Në Senat, mundësitë e tyre janë përmirësuar ndjeshëm, por shumica mbetet e pasigurt.
Analiza e Reuters e 26 tetorit identifikon disa arsye përse demokratët mund të mos arrijnë një fitore aq të madhe sa sugjerojnë sondazhet kombëtare. Ndër to janë numri i kufizuar i zonave konkurruese, ndryshimi i kufijve zgjedhorë, polarizimi i elektoratit dhe vështirësia për ta kthyer pakënaqësinë ndaj presidentit në mbështetje për kandidatë të veçantë.
Edhe për demokratët ekzistojnë probleme politike. Pakënaqësia ndaj Trump nuk nënkupton automatikisht besim te udhëheqja e Partisë Demokratike. Partia përfshin grupe me qëndrime të ndryshme për ekonominë, emigracionin, politikën e jashtme dhe shpenzimet federale. Nëse fiton kontrollin e Kongresit, ajo do të duhet të përballojë edhe pritshmëritë e votuesve që kërkojnë ndryshime konkrete.
Republikanët kanë ende mundësi të ruajnë Senatin, madje edhe të kufizojnë humbjet në Dhomën e Përfaqësuesve. Për këtë u duhet një pjesëmarrje e lartë e mbështetësve dhe rezultate më të mira sesa sondazhet në një numër të vogël garash vendimtare.
Rezultati i 3 nëntorit dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2028
Megjithëse zgjedhjet e mesmandatit nuk përcaktojnë presidentin, rezultatet e tyre do të ndikojnë në përgatitjet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Një fitore e madhe demokrate mund të forcojë pozitat e figurave të reja të partisë dhe të ndikojë në debatin për drejtimin e saj të ardhshëm. Një rezultat më i dobët nga sa pritet do të nxisë diskutime mbi strategjinë, kandidatët dhe aftësinë për të tërhequr votuesit e moderuar.
Për republikanët, rezultati do të shërbejë si një tregues i mbështetjes së elektoratit për politikat e Trump dhe për kandidatët që identifikohen me të. Humbjet e mëdha mund të nxisin diskutime mbi mënyrën se si partia duhet të përgatitet për zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Një rezultat më i mirë se parashikimet do të forconte argumentin e republikanëve se mbështetja për programin e tyre mbetet e qëndrueshme.
Zgjedhjet për guvernatorë do të ndikojnë gjithashtu në këtë proces. Kandidatët që fitojnë në shtete të rëndësishme dhe me elektorat të ndarë mund të fitojnë profil kombëtar, duke u bërë figura të mundshme për garat presidenciale ose për poste të larta në administratat e ardhshme.
Amerika përpara një ndryshimi të mundshëm politik
Një javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, sondazhet paraqesin një prirje të qartë. Demokratët kryesojnë në preferencat kombëtare për Kongresin dhe kanë mundësi të mëdha të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Kontrolli i Senatit është më i vështirë për t’u parashikuar, megjithëse disa gara që më parë favorizonin republikanët janë bërë konkurruese.
Faktori kryesor që ka ndikuar në këtë ndryshim është pakënaqësia me administratën Trump, sidomos për ekonominë dhe koston e jetesës. Një pjesë e amerikanëve nuk po i shohin rezultatet që prisnin nga politikat ekonomike të presidentit. Lufta me Iranin, debatet për emigracionin dhe shqetësimet për funksionimin e institucioneve kanë shtuar arsyet e pakënaqësisë.
Për republikanët, objektivi kryesor është të ruajnë kontrollin e Senatit dhe të kufizojnë humbjet në Dhomën e Përfaqësuesve. Për demokratët, sfida është të shndërrojnë epërsinë në sondazhe në fitore konkrete, veçanërisht në shtetet ku rezultati përcaktohet nga një diferencë e vogël votash.
Rezultati i 3 nëntorit do të përcaktojë raportin e forcave ndërmjet presidentit dhe Kongresit gjatë dy viteve të ardhshme. Një fitore demokrate do të sillte më shumë kontroll parlamentar ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe më shumë kufizime për programin legjislativ të administratës. Ruajtja e shumicave republikane do t’i jepte Trump mundësinë të vazhdonte me më pak pengesa institucionale.
Sondazhet e fundit favorizojnë demokratët, por përfundimi mbetet në dorën e votuesve. Më 3 nëntor amerikanët do të vendosin nëse duan të ruajnë drejtimin aktual politik apo të ndryshojnë përbërjen e Kongresit dhe mënyrën se si ushtrohet kontrolli mbi pushtetin federal.









