Nga Drini Kuqo/
Në shumicën e vendeve të botës, diplomatët nuk detyrohen të flasin kaq hapur sa në vendin tonë. Në këto 28 mijë kilometra katrorë, mesa duket, mesazhet e kamufluara pas fjalëve të kujdesshme të diplomatëve nuk funksionojnë.
Kështu, vetëm një vit më parë, kur vetingu kërcënohej të bllokohej në Kuvend, ambasadori Lu u detyrua të thonte se të gjithë ata që do të votonin kundër, do të përballeshin që të nesërmen me sanksione personale nga ana e Ambasadës Amerikane. Një hap flagrant shmangie nga zanati i diplomatit, por një hap i domosdoshëm për të treguar se si qëndronin gjërat.
Pak më shumë se një vit më pas, “kakofonia” e luftës politike në vend detyron Amerikën që të flasë përsëri qartë, e jo një herë, por dy herë brenda 24 orëve. i pari, Ambasadori Lu, që thotë se “Tahiri nuk mund të dënohet si në komunizëm”, kohë kur nuk kishte nevojë për prova për të dërguar një njeri pas hekurave apo akomë më keq, përpara togës së pushkatimit.
I dyti, zëvendës asistent Sekretari i Shtetit për rajonin Hoyt Brian Yee, i cili për qëndrimet e tij të prera ka merituar pseudonimin “buldozeri”. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, “buldozeri” nuk mund të fliste më qartë, kur tha: “Më lejoni të them për Shqipërinë, SE JEMI SHUMË TË KËNAQUR ME PËRPARIMIN QË SHQIPËRIA KA ARRITUR dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reforma në drejtësi”.
Përpara se të bëjmë gabimin e zakonshëm dhe të arrijmë në përfundime se me cilën palë është Amerika, duhet të mendojmë se çfarë i detyron diplomatët dhe funksionarët e lartë amerikanë, që të dalin jashtë çdo nocioni diplomatik në vendin tonë.
Sa i takon rastit Tahiri, dyshja Yi-Lu nuk mund të thonë më qartë se kaq se nuk ka asnjë çarje në marrëdhënien SHBA-Shqipëri, ashtu siç opozita dëshiron të na bëjë të besojë. Jo vetëm kaq, por mesa duket, “provat” e paraqitura në formën e një përmbledhje të shkurtër prej katër faqesh nga Prokuroria, nuk kanë bindur as palën amerikane, e cila kështu siç kanë shkuar gjërat në këtë vend, nuk do të ishte e turpshme për të kërkuar një proces të menjëhershëm për Tahirin, nëse do të ishte e bindur në fajësinë e tij.
Ajo që amerikanët kërkojnë është drejtësi dhe ajo të cilët ata nuk janë të gatshëm të tolerojnë, është që lufta politike të rikthehet të shtrembërojë drejtësinë, për hir të karrigeve politike. Pa dyshim, amerikanët nuk kanë nevojë për ndihmën tona për t’u dëgjuar. Ata janë në gjendje të bëjnë të qartë, me hir apo me pahir, qëndrimet e tyre në çdo rast. Ajo që mbetet për të kuptuar është nëse ne do të kemi veshë këtë herë për t’i dëgjuar?