Ambasadorja e Shqipërisë në Tel Aviv, Meri Kumbe, deklaroi se situata në 48 orët e fundit në Izrael ka qenë e tensionuar për shkak të sulmeve të shpeshta ajrore që Irani ka kryer si kundërpërgjigje.
Nga sulmet ka pasur viktima, por ambasadorja Kumbe tha se asnjë shqiptar nuk është i prekur dhe se ato ndodhen të sigurt të strehuar në vendstrehime.
Në një intervistë për RTSH 24, Kumbe bëri me dije se deri më tani 12 shqiptarë në Izrael kanë kërkuar asistencën e ambasadës, ndërsa shtoi se në vend jetojnë shumë më tepër shtetas shqiptarë, të cilët janë në gjendje të mirë.
“Situata në 48 orët e fundit ka qenë e tensionuar në Izrael, ku ka pasur sulme të shpeshta ajrore kundrejt Izraelit. Sot ka më pak sulme, por ato kanë qenë më të fuqishme. Deri tani ka pasur viktima, por nuk ka qytetarë shqiptarë të prekur, të cilët ndodhen të sigurt dhe të strehuar në dhomat e sigurisë, sipas rregullave të raportuara. Shqiptarët në Izrael që kanë kërkuar asistencën tonë janë 12 deri tani. Ndërkohë, në Izrael jetojnë shumë më shumë shqiptarë dhe të gjithë janë shumë mirë”, tha ambasadorja.
Ajo sqaroi se objektiv i sulmeve ka qenë i gjithë territori i Izraelit, përfshirë edhe zonat civile.
“Target ka qenë i gjithë Izraeli, përfshirë edhe vetë civilët. Banorët janë të organizuar pranë banesave, ku çdo godinë ka vendstrehime nën tokë, dhe bashkia ka gjithashtu vendstrehime të mëdha, struktura më të organizuara, ku të gjithë qytetarët që nuk kanë një vendstrehim i drejtohen pikërisht këtyre strukturave të bashkisë. Ato janë të shumta. Qytetarët tanë kanë akses të menjëhershëm në dhomat e sigurisë private në banesat ku janë akomoduar”, tha ajo.
Ambasada shqiptare në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe është e gatshme të ofrojë asistencë për çdo rast emergjent.
“Kemi kontaktet e secilit prej qytetarëve shqiptarë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta për çdo rast dhe njoftim që duhet bërë”, tha ambasadorja.











