Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj në emisionin “Studio Live” në Report Tv shprehet se shteti i Izraelit nuk do të negociojë me militantët e Hamas.
Duke konfirmuar se Tel Avivi është i hapur për negociatat e paqes me Autoritetin Palestinez, Peleg konfirmon se objektivi i Izraelit është shkatërrimi i infrastrukturës së Hamas në Gaza. Ajo tha se ushtria izraelite nuk ka për qëllim të vrasë civilët në Gaza, ndërsa shtoi se 2 orë përpara ccdo sulmi kundër militantëve, telefonohen banorët palestinezë që të largohen nga objektivat e Hamas të cilat bombardohen nga ajri.
Ambasadorja Galit Peleg i bën thirrje Tiranës zyrtare që të shpallë Hamasin organizatë terroriste, ndërsa solli në vëmendje masakrat barbare që militantët kanë kryer në territorin e shtetit hebre përgjatë 7 ditë luftime, duke mos kursyer foshnjat, gratë dhe të moshuarit.
Për Peleg, Irani qëndron pas organizimit të sulmeve të Hamas. Sipas saj, Izraeli ka të dhëna që Irani ka trajtuar dhe armatosur militantët e Hamas.
Intervista e Plote
Arbër Hitaj: Ambasadore Peleg, faleminderit për kohën tuaj. Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet për viktimat e pafajshme! Si është situata në Izrael?
Galit Peleg: Që nga java e kaluar, Izraeli ka përjetuar diçka që nuk e ka përjetuar asnjëherë më parë. Ne kemi një konflikt të hapur me Hamasin në Rripin e Gazës. Çdo sulm terrorist është i tmerrshëm, kudo që ndodh, por kësaj radhe ne u përballëm me diçka të paimagjinueshme. Ajo që ndodhi në Izrael ishte një masakër e vërtetë. Diçka që nuk mund të shpjegohet. Fillimisht është numri i të vrarëve, që ka shkuar në 1300, dhe mund të rritet edhe më shumë pasi ka shumë të tjerë që mungojnë. Afërsisht janë 3000 të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë dhe nuk e dimë nëse do të mbijetojnë ose jo. Por kemi dhe 100 të tjerë të marrë peng. Kjo sa i takon numrave, por ka një aspekt tjetër shumë të rëndë. Aq më shumë kalon koha, dëshmitarët që mbijetuan tregojnë historitë e tyre – janë të tmerrshme, të tmerrshme, nuk jam e sigurt nëse duhet ose jo t’i them në mikrofon. Gjëra që nuk imagjinohen nga njerëz që do t’i quaja barbar, madje as fjala njerëz nuk duhet të përdoret për këta barbarë.
Shumë qytetarë izraelitë ishin në shtëpitë e tyre në strehimet e sigurta, dhe këta terroristë kanë shkuar i kanë vendosur flakën shtëpive që të dilnin nga tymi. Shumë dolën që të mos asfiksoheshin, dhe u vranë, por më parë u torturuan në mënyrë makabre. Edhe pse kanë kaluar shumë ditë, aty ende ka aromë vdekje.
Sot një mjek i njohur në Izrael që kishte qenë në zona ku ka patur shpëthime në restorante apo në shpërthime bombash në disa autobuze, ishte duke folur dhe po dridhej. Kjo ka qenë një masakër e paparë ndonjëherë më parë. Nuk e di nëse duhet apo jo t’i them këto gjëra, por njerëzit duhet ta dinë të vërtetën se çfarë ka ndodhur atje. 40 foshnjeve iu është prerë koka! Këto janë gjëra që i kemi parë te ISIS, apo edhe gjatë holokaustit, por si kemi parë në situate të tjera. Dhe fëmijët para se tju pritej koka janë torturuar. Nuk mund ta kuptoj dot cila nënë mund të rrisë një fëmijë të tillë. Por besoj jo në mënyrë njerëzore. Por ka shumë pasoja psikologjike të i gjithë populli. E pavarësisht kësaj njerëzit në Izrael janë duke ndihmuar njëri tjetrin, kanë hapur zemrën ndaj njerëzve të tyre. Ka një ndjenjë të fortë solidariteti. Në rast lufte shumë njerëz largohen nga vendi, por në Izrael po ndodh e kundërta shumë po kthehen dhe duan të japin kontributin e tyre në ushtri. Ka shumë mjekë që jetojnë jashtë dhe kanë ardhur të japin kontributin e tyre pasi edhe spitalet nuk ishin gati për një situatë si kjo. Por pavarësisht kësaj ne po përjetojmë një traumë shoqërore, sepse kemi me qindra, mos me mijëra, të larguar nga shtëpitë e tyre. Ne jemi një shtet që nuk kemi popullatë që ikën nga vendi i tyre, por kemi shumë diasporë që kthehet të japë kontribut. Por në këtë situatë njerëzit që jetojnë në fermat e kufirit me Gazën, janë larguar, dhe janë të pastrehë. Por jo vetëm kaq, ata kanë humbur familjet e tyre pasi janë ekzekutuar në mënyrë barbare, fshatrat e tyre janë djegur ose shkatërruar. Pa harruar që janë mbi 100 pengje, mes tyre një foshnje 6 muajshme, fëmijë, gra, vajza apo edhe zonja të moshuara si rasti i 85-vjeçares, që ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me të. Nuk e dimë a janë gjallë ose jo.
Por ka edhe një mbështetje ndaj qeverisë për të qenë e bashkuar, dhe për të luftuar kësaj radhe me qëllimin e vetëm të shkatërrohet gjithë infrastruktura e Hamasit. Prandaj aviacioni izraelit po bombardon në Gaza, me qëllimin e vetëm goditjen e bazave të Hamasit. Ne nuk duam të vriten civilë, edhe pse e dimë mirë se civilë janë vrarë. Por nuk është asnjë moment qëllimi ynë. Por, ajo që do t’ju them tani është e paimagjinueshme, e pandodhur më parë. Ushtria izraelite i merr në telefon qytetarët e thjeshtë në Gaza, në celularin e tyre personal, dhe ju thotë largohuni se do të ketë bombardime. Këto janë dëshmi të vetë qytetarëve palestinezë, tani më tregoni ju një ushtri tjetër në botë që të telefonon 2 orë para dhe të thotë largohu se mund të vritesh. Por Hamasit nuk i intereson kjo gjë, ata duan që njerëzit e tyre të vriten. I kanë bazat e tyre poshtë xhamive, poshtë shkollave apo poshtë spitaleve siç kanë një nga bazat e rëndësishme. Ata e dinë që ne nuk do t’i bombardojmë. Dhe ju them një gjë, ne e dimë ku i keni ju bazat tuaja.
Pa harruar raketat, që gjatë sulmit janë lëshuar me mijëra të tilla. Ata i përdorin këto vende që kanë një numër shumë të lartë me popullsi pasi është një zonat me densitetit më të lartë me banorë. Ne e dimë me saktësi, ku i kanë, por nuk do t’i bombardojmë pasi e dimë që ka dhe shumë civilë. Ata janë thjeshtë frikacakë që sakrifikojnë popullsinë e tyre, me qëllim që t’i thonë botës shikoni, Izraeli po vret civilë. Por kjo nuk është e vërtetë ata vetë po vendosin me qëllim civilët dhe nuk ju intereson shumë jeta e tyre. Ajo që po ndodh në Gaza është një mobilizim i ushtrisë izraelite për të shkatërruar infrastrukturën e Hamasit.
Arbër Hitaj: Zonja Ambasadore, kam parë në shumë media ndërkombëtare dhe jo vetëm, analiza se ky reagim që vjen nga Hamasit është si pasojë e bombardimeve që ka bërë ushtria izraelite në vitet e mëparshme në Gaza, a mund të krahasohen?
Galit Peleg: Nuk mund ta krahasohen dhe kjo është diçka që e dëgjoj edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Në çdo rast që aviacioni izraelit ka bombarduar Gazën, zona specifike, kanë qenë si reagim pas sulmeve me raketa të lëshuara nga Gaza. Pra, nuk kanë qenë sulmet tona. Sa herë që e dëgjoj parimin e proporcionalitetit nga komuniteti ndërkombëtar irritohem, ose kur numërojnë viktimat. Ne kemi investuar shumë në gjithë këto vite për të mbrojtur qytetarët në Izrael, nuk kemi investuar në sulmin e Gazës. Nëse do të donim ne mund ta bombardonim Gazën dhe ta kthenim në një fushë parkimi. Por s’e kemi bërë sepse nuk duam të sulmojmë qytetarët civilë të Gazës. Kjo është shumë e qartë. Ne nuk zgjohemi në mëngjes dhe themi le të ikim në plazh, apo dikush thotë jo le të bombardojmë Gazën. Ne i kemi të gjitha reagime pas sulmeve me raketa nga ana e tyre, madje nuk sulmojmë qytetin, por vetëm objektiva të qartë dhe të saktë, që janë të Hamasit, apo organizatave të tjerë si Xhihadi Islamik etj. A e imagjinoni dot nëse nuk do të kishim sistemin e mbrojtjes ajrore, apo vendstrehimet në çdo shtëpi, sa do të ishte numri i viktimave nga ana e Izraelit? A e numëroni dot numrin e raketave që janë hedhur në Izrael qëkur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës në 2007? Nëse ne nuk do t’i mbronim dot njerëzit tanë, a e imagjinoni dot sa persona do të ishin vrarë? Por ata nuk i mbrojnë qytetarët e tyre, interesin e vetëm e kanë të vrasin izraelitët. Po nëse dikush sulmon Izraelin, ne do të reagojmë, nuk ka asnjë shtet në botë që do rrijë e të presë ta sulmojnë me bomba. Pra, ne i kemi kundëreagime, jo sulme.
Arbër Hitaj: Ka shumë lajme që thonë se ka shenja se në këtë sulm që ishte i mirëpregatitur nga Hamasi, ka dorë edhe Rusia dhe Irani, që ka thënë e mbështesim Hamasin, por nuk kemi lidhje me sulmin? A keni evidence?
Galit Peleg: Po, padyshim, Irani nuk është i përfshirë, si thotë gjithmonë! Nuk kemi evidence se Rusia ka qenë e përfshirë në këtë sulm. Nuk mund ta konfirmoj. Por nuk ka asnjë dyshim se Irani e mbështet Hamasin, me para, me trajnime me armë e shumë të tjera. Në një tjetër operacion më parë kemi zbuluar një ushtarak të Iranit aty që trajnonte Hamasin. Ne e dimë që i kanë trajnuar edhe më parë në Iran. Pra kur thonë se nuk kemi gisht, është qesharake, asnjë nuk i beson këto. Po ta shikojmë cili aktor përfiton më shumë dhe dëshiron destabilitet, qartazi është Irani… Kur Irani shikon që Izraeli është pranë marrëveshjeve me shtete të tjera arabe… Siç bëmë me marrëveshjen Abraham 3 vite më parë, ndërsa tani që kemi dëgjuar edhe liderët e Arabisë Sauditë për një marrëveshje në të ardhmen me Izraelin, ata shqetësohen. Sepse kjo mund të kthehet në rrezik për ata. Prandaj mbështesin Hamasin, apo Hezbollahun në veri. Por ne e kemi të qartë se aftësitë e Hamasit nuk janë të atilla që të organizonin një sulm të tillë, prandaj mendojmë se i kanë mbështetur.
Arbër Hitaj: Ju keni patur një thirrje direkte ndaj qeverisë shqiptare që ta shpallë organizatë terroriste Hamasin. A ka patur reagime? Çfarë ju kanë thënë?
Galit Peleg: I kam kërkuar qeverisë shqiptare që ta shpallë Hamasin organizatë terroriste, ka shumë shtete që e kanë bërë këtë, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Japonia etj. Për është shumë domethënëse, sepse në momentin që e vendos në këtë listë, atëherë i bllokon të gjitha aktivitetet në vend. Të gjithë e thonë dhe ne jemi dakord, por duhet dhe ligjërisht që Hamas të konsiderohet organizatë terroriste. Duhet të shikojmë aksione. Por pozita e qeverisë tuaj është, shumë mbështetëse ndaj Izraelit. Politika juaj e kupton shumë mirë pozicionin tonë, dhe çfarë po ndodh. Ata ishin ndër të parët që e dënuan sulmin. Presidenti juaj, kryeministri, kryetarja e parlamentit, ministri i jashtëm, deputetë nga Partia Socialiste apo nga ajo demokratike më kanë shkruar duke më dhënë suport. Por jo vetëm, edhe njerëzit në rrugë me japin suport, dhe besoj e kuptojnë shumë mirë që ky ishte sulm terrorist. Por më duhet ta them se kjo mbështetje na jep shumë kurajo. Edhe pse zemra ime është në Izrael dhe do të doja të isha atje, një vend i dytë që ndihem shumë mirë është Shqipëria. Ndihem si në shtëpinë time këtu. Njerëzit e kuptojnë dhe kjo është gjë e mirë. Ne kemi patur edhe shumë mbështetje nga Shqipëria në Këshillin e Sigurisë dhe mendoj se populli dhe qeveria shqiptare do të na qëndrojnë pranë edhe në këto kohë të vështira.
Arbër Hitaj: Dua të kthehem pas të lufta në rripin e Gazës, cilët janë skenarët më të mundshëm për paqen, sepse paqja duket shumë e largët?
Galit Peleg: Sa kohë të jetë Hamasi atje, paqja do të jetë shumë e largët. Nuk e di nëse do t’i shkatërrojmë totalisht tani, por infrastruktura e tyre me siguri do të pësojë dëm të madh shumë. Ata nuk do të jenë më të gatshëm të na sulmojnë më nga territori tyre dhe ky është një objektiv. Por nuk do përjashtojmë asnjë mundësi negociate me Autoritetin e Palestinës për paqe. Ne kemi nënshkruar me shumë shtete arabe Traktatin Abraham, që ka shumë peshë ekonomike gjithashtu, dhe e kemi thënë se ka hapësirë edhe për Autoritetin Palestinez që të bëhet pjesë. Po shikoj debatet në mediat në Izrael dhe ka 10 milionë analistë dhe specialistë që flasin në mëdia.
Njëlloj edhe këtu.
Ata sjellin shumë ish-ushtarakë, gjeneralë, që japin mendim dhe thonë se nëse situata ekonomike do të ishte e mirë në Rripin e Gazës nuk do të ishte kjo situatë. Sepse njerëzit nëse e kanë ekonominë e mirë nuk ndërmarrin veprime të tilla. Por nuk mund të ketë marrëdhenie ekonomike me një vend që drejtohet nga terroristët. Ata nuk duan t’ja dinë për njerëzit. Në 2007, Izraeli iku nga Gaza dhe ia la autoritetin Autoritetit Palestinez, por ata u rrëzuan dhe në pushtet erdhën liderët e Hamasit. Ata morën pjesëtarët e PLO (Organizata për Çlirimin e Palestinës), dhe i hodhën nga katet e larta të ndërtesave, por disa i lidhën, i tërhoqën zvarrë. Madje në iu lamë disa shtëpi të gjelbra me lule dhe bujqësi të zhvilluar me lule. Madje iu lamë edhe disa pajisje, sepse disa ëndërrimtarë thanë do të krijojmë Singaporin e lindjes së Mesme, kështu thanë atëherë. Dhe e dini se çfarë bënë ata, i morën tubat e ujitjes dhe i përdorën për të ndërtuar raketa kundër nesh. Çdo gjë e shkatërruan, sepse nuk ju intereson ekonomia apo zhvillimi ata duan thjesht të shkatërrojnë Izraelin. Shumë njerëz tani po thonë mos mendoni për Hamasin sikur janë njerëz normalë, sepse nuk janë.
Sa kohë Hamasi të jetë në kontroll atje, nuk do të ketë ndryshim. Ne duam ndryshim. E dini që përreth Gazës në Izrael ka shumë Kbuce, apo ferma që janë krijuar prej shumë dekadash, dhe njerëzit atje ne i quajme paqësorët, sepse mendojnë se mund të ketë paqe me Palestinën, madje dhe në orientimin e tyre janë socialistë. Dhe e dini apo jo që këta janë njerëzit që vuajtën më shumë, madje u therën nga Hamasi, pra ata që besonin më shumë se do të ketë paqe. Ata që mendonin se duhet t’i ndihmojmë palestinezët duke iu dhënë punë. Dhe ata u therën, nuk u vranë në luftë, por në qetësi, familje të tëra. Është një organizatë terroriste që nuk mund të vendosësh gjë në tavolinë. Ne duam t’i dobësojmë ata dhe shpresoj të forcohet Autoriteti Palestinez që të negociojmë më pas për paqen. Por me Hamasin më duket shumë e largët. Ne jemi lënduar shumë nga ky sulm, por nuk na është cenuar ekzistenca, ne do të vijojmë të ekzistojmë, por ata që do të vuajnë janë populli palestinez pasi shteti i tyre do të vijojë të mos ekziztojë edhe për një kohë të gjatë. Asnjë nuk mund të ulet në tavolinë me dikë nga Hamasi që mund t’i ketë vrarë një të afërm.
Arbër Hitaj: Zonja Ambasadore faleminderit shumë për kohën tuaj!
Galit Peleg: Faleminderit juve.