Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.
Në një për RTK-në, Kosnett, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë Kosovën si rrëfim të shkëlqyeshëm të suksesit.
“Kemi thënë që është rrëfim suksesi për SHBA-në, por ç’është më e rëndësishmja është se është rrëfim i suksesshëm për popullin e Kosovës. Dhe mund t’ju them që në muajt që i kalova në Washington duke u përgatitur për këtë detyrë, u takova me shumë njerëz, nga qeveria, nga Kongresi, si dhe jashtë qeverisë, dhe mendoj se përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës është i palëkundur”, ka thënë Kosnett.
“Në fakt, do të thoja se është fushë ku ka konsensus të plotë ndërmjet republikanëve dhe demokratëve, ndërmjet qeverisë, administratës dhe Kongresit. Të gjithë ndjehen që Kosova është mike shumë e afërt e Kosovës dhe jemi thellësisht të përkushtuar për ta mbështetur Kosovën”, ka shtuar më tej ai.
Ambasadori Kosnett ka thënë tutje se ka shumë çështje ku Ambasada do të vazhdojë të punojë shumë ngushtë me kosovarët.
“Siguria ekonomike është kritike për investimet e jashtme dhe për krijimin e vendeve të punës. Po ashtu, jemi të përqendruar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, që mbetet prioritet shumë i lartë për ne. Pastaj është edhe çështja e sigurisë. Siguria ka shumë kuptime dhe shumë aspekte.
Sigurisht që në krye të agjendës është t’i mbështesim përpjekjet e prijësve në Kosovë dhe në Serbi për ta gjetur një mënyrë për të ecur përpara në dialog për ta arritur një zgjidhje të levërdishme për të dy palët, e cila do t’i ndihmojë prosperitetin dhe sigurinë e të dy qeverive në të ardhmen”, ka thënë Kosnett. “Po ashtu, sa i përket sigurisë, ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Kosovën në çështjet kundër terrorizmit dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – një varg çështjesh që ndërlidhen me sigurinë”, ka thënë ai.
Ambasadori Kosnett ka thënë se Kosova është prioritet shumë i madh në politikën e jashtme amerikane.
“Në fakt, do të thosha që administrata e tanishme në Washington është më e interesuar për të mbështetur jo vetëm Kosovën, por gjithashtu përparimin në rajonin e Ballkanit, se që e kam parë me vite të tëra. Kjo është një administratë që i shikon problemet afatgjata dhe thotë: duhet t’i shkundim gjërat; duhet të gjejmë mënyrën për të shkuar përpara”, ka thënë ai.
Kur është pyetur për taksën prej 100% për mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Kosnett ka thënë se “ka më pak se një javë që është kthyer në Kosovë dhe në këtë pikë, dëshiron të dëgjojë nga shumë njerëz dhe të marrë mendimet e tyre para se të fillojë të bëjë shumë deklarata të mëdha”.
“Megjithatë, besoj, dhe qeveria ime beson, se ky është moment kritik në procesin e dialogut dhe se është me rëndësi për Kosovën dhe Serbinë për t’iu qasur këtij procesi në frymën e bashkëpunimit. I kuptoj sfidat për këtë; dua të them se e di historinë e vendit – por, t’i qasen në frymën e bashkëpunimit për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara”, ka thënë Kosnett.
“Kur flasim për dialogun në Washington, atëherë flasim për diskutime gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet që i kanë ndarë të dy vendet për shumë vite. Çka duhet të shohim është proces që përfundon me marrëveshje nga e cila përfitojnë të dy vendet. Të gjithë negociojmë në jetën tonë të përditshme. Negociojmë me familjet tona, me fqinjët, afaristët negociojnë – nuk janë vetëm qeveritë dhe diplomatët që negociojnë”, ka thënë Kosnett. “Një gjë që mendoj se është kritike për negociata të suksesshme është se duhet të jenë të levërdishme për të dy palët, ashtu që të dy palët të kenë stimulim për t’i përmbushur detyrimet e tyre, për t’iu përmbajtur marrëveshjeve për të ecur përpara.
Dhe çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë jetëgjatë, duhet të jetë e qëndrueshme, dhe ta them sërish, duhet të jetë e levërdishme për të dy palët. Mendoj se nganjëherë njerëzit hyjnë në negociata me frymën: do t’i fitoj këto negociata; do ta mposhti palën tjetër. E kur e bën këtë, atëherë është mjaft e vështirë që pala tjetër të ketë besimin e nevojshëm për të parë që një negociatë zbatohet me sukses.
Pika e fundit këtu, kur flasim për zbatimin e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përqendruara për të ardhmen e Kosovës, por po ashtu edhe për stabilitetin e tërë rajonit të Ballkanit. Kemi çdo arsye për të dashur që të qëndrojmë përkrah jush për tu siguruar që nëse qeveritë zotohen për diçka, atëherë ato iu përmbahen atyre. Nuk do qëndrojmë duke duartrokitur gjatë nënshkrimit të një cope letre dhe pastaj të kalojmë te kriza e ardhshme”.
Në komentin se “qeveria e Kosovë e mori këtë masë, siç e thashë, pas dështimit për të hyrë në Interpol, por qeveria po ashtu thotë se kjo masë është pasqyrim i pengesave të vazhdueshme të Serbisë ndaj Prishtinës, dhe për arsye se Beogradi nuk i ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara më përpara”, ambasadori Kosnett është përgjigjur se të dy qeveritë kanë ndërmarrë hapa për të treguar se kanë mundësi, se kanë vegla që mund t’i përdorin kundër palës tjetër.
“Të dy qeveritë, sinqerisht, kanë treguar se mund të jemi të fortë – mund t’i dalim zot vetes. Sinqerisht, më me dëshirë do të shihja garë që nuk është kush mund të jetë më i vështirë, por garë kush mund të jetë më kreativë dhe progresivë në përpjekje për të gjetur mënyra për të ecur përpara. Mendoj se është shumë e rëndomtë në negociata që të haset në pengesa, që të arrihet në një fazë të vështirë dhe që palët të tërhiqen në këndin e tyre dhe të mendojnë çka të bëjnë më tej.
E di se disa njerëz janë të shqetësuar që procesi i dialogut është në një fazë të vështirë, por kjo është mjaft e rëndomtë në negociata. Përparon, pastaj bën një hap prapa, pastaj sërish ec përpara. Po ashtu, mendoj se është me rëndësi që strategjia negociuese dhe pozicioni negociues i Kosovës të pasqyrojë një gamë të gjerë të mendimeve politike dhe gamë të gjerë të mendimeve popullore. E në këtë aspekt, e jam i sigurt që do t’i kthehemi kësaj sërish, SHBA-ja mendon se është me rëndësi që të dëgjohet çdo zë në Kosovë, që pjesëtarët e të gjitha komuniteteve, të të gjitha partive politike, si gratë, si burrat, kanë hise në të ardhmen e vendit të tyre dhe të ndjejnë që zëri i tyre po dëgjohet dhe po respektohet”, ka thënë Kosnett.
Ambasadori Kosnett ka thënë se “disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit”.
“Eprorët e mi në Ëashington janë përpjekur që ta sqarojnë se jemi të interesuar për një marrëveshje të negociuar në mirëbesim nga të dy palët. ShBA-ja nuk ka ndonjë paragjykim se çka mund të përfshijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse nga dialogu. Mund të jetë që të dy palët të vendosin – sinqerisht në mirëbesim – për të bërë një rregullim të kufirit. Ata mund të vendosin që të mos e bëjnë këtë, dhe më besoni se i kuptoj shqetësimet e thella, arsyet historike, se pse rregullimi i kufirit është shumë i ndërlikuar”, ka thënë Kosnett.
“Sërish, dëshiroj ta theksoj se qeveria ime nuk po shtyn për këtë gjë. Jo domosdoshmërisht e shohim këtë si çelës të dialogut. Mendoj se një pjesë e madhe e diskutimit në dialog është përqendruar në këtë. Mendoj se diskutimi për kufirin është vetëm një aspekt i një game të gjerë të diskutimeve që duhet të mbahen ndërmjet dy vendeve, që gjithashtu duhet të prekë bashkëpunimin ekonomik, sigurinë, kulturën, edukimin, drejtësinë, sidomos drejtësinë – një gamë të gjerë të çështjeve për të cilat duhet të flasin të dy qeveritë dhe është me rëndësi që të mos mbërthehen vetëm në një aspekt të problemit”, ka thënë Kosnett.
“Pra, jemi përpjekur ta bëjmë të qartë se nuk kemi paragjykime. Nuk po themi që çështje të caktuara nuk do të duhej të diskutoheshin dhe nuk po themi se kërkohen rezultate të caktuara. Serbia dhe Kosova janë partnerët negociatorë. Ato janë dy vende sovrane, të pavarura. Ne gjithmonë do ta mbështesim Kosovën. Me: ‘Do ta mbështesim Kosovën’, nuk mendoj se do të pajtohemi verbërisht për çdo ide që vjen nga qeveria në Prishtinë. Por, do ta mbështesim Kosovën në përpjekje për të vënë paqe, prosperitet, drejtësi në vend dhe në rajon”, ka thënë më tej Kosnett. “Ne nuk i shohim këto qëllime si kundërthënëse të qëllimit më të gjerë – të dëshirës së të njëjtave gjëra për vendet e tjera në rajon. Mendoj se është me rëndësi të theksojmë se jemi të gatshëm për t’i mbështetur palët për të ardhur te një përmbyllje e qëndrueshme, e levërdishme për të dy palët, por nuk jemi ne duke e shkruar skenarin”, ka shtuar më tej.
Ambasadori ka thënë se ngurron të sugjeroja çfarëdo afati kohor apo afati përfundimtar për dialogun mes Kosovës e Serbisë, por gjithashtu ka thënë se mendon se koha është e rëndësishme.
“Është me rëndësi për të lëvizur përpara sa më shpejt që është e mundur dhe sinqerisht, kjo është për arsye se siç e thashë më herët, qeveria ime është me të vërtetë e fokusuar për të arritur përparim në rajon tani. E keni vëmendjen tonë të plotë; mbështetjen tonë të plotë. Është mundësi e shkëlqyeshme dhe nuk mendoj se kushdo, nga cilado anë, apo njerëzit e cilitdo vend përfitojnë diçka duke e vonuar procesin e negociatave. Prandaj, mendoj se koha për të bërë diçka, zakonisht, është pikërisht tani”, ka thënë ai.
Numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka komentuar edhe çështjen e mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Mendoj se zhgënjimi lidhur me statusin e tanishëm të liberalizimit të vizave është shenjë se kosovarët dëshirojnë t’i forcojnë lidhjet e tyre me perëndimin. Këtu e shohin të ardhmen e tyre ata. Sigurisht që e mbështesim këtë, pajtohemi me këtë. Mendojmë se lidhjet më të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë po ashtu edhe në interes të SHBA-së, si dhe të popullit të Kosovës”, ka thënë Kosnett.
“Dhe edhe në këtë kohë të shkurtë që jam kthyer, më kanë lënë përshtypje të rinjtë e hatashëm që po i takoj. Njerëz të shkolluar, me shkathtësi, me një këndvështrim shumë të gjerë evropian dhe global, që kanë sasi enorme për të kontribuar në vendin e tyre dhe botës. Ata duan që të kenë mundësi për ta bërë këtë këtu, por edhe në vendet e tjera. Ma merr mendja se sa më shumë që të rinjtë e Kosovës kanë mundësi për të udhëtuar, për të studiuar e punuar në vendet e tjera dhe pastaj në shumë raste për t’u kthyer në Kosovë për të kontribuar këtu, kjo do të jetë e mrekullueshme për vendin. Nuk do të hyj se kur është koha e duhur për liberalizim të vizave, por më inkurajon fakti se njerëzit e këtij vendi shohin kah perëndimi, shohin kah Bashkimi Evropian”, ka thënë më tej.
Ambasadori Kosnett është pyetur edhe për serbët e Kosovës, teksa ka thënë se është “me rëndësi për të gjithë në vend – për çdo komunitet në vend që të ndjehen se ky është vendi i tyre dhe që kanë të ardhme këtu, si dhe që zërat e tyre dëgjohen e roli i tyre respektohet”.
“E dini, Amerika, njëjtë si Kosova, është vend i larmishëm. Kemi njerëz të të gjitha religjioneve, të grupeve të ndryshme etnike, racave të ndryshme, si dhe një histori shumë të ndërlikuar, siç e dinë njerëzit. Nuk i dimë të gjitha përgjigjet se si duhet të jetojnë njerëzit në një shoqëri shumetnike. Mendoj se jemi përmirësuar në kërkimin e përgjigjeve – në bisedë të sinqertë për historinë tonë dhe për ta kuptuar sa është e domosdoshme për ta ekzaminuar historinë e vendit për të ecur përpara në të ardhmen.
Dhe në këtë aspekt, do të dëshiroja të them se mendoj që është me rëndësi që të gjithë pjesëtarët e të gjitha grupeve pakicë të ndjejnë se kanë zë dhe që ata janë pjesëmarrës të barabartë në vend dhe kjo është fushë ku pres me padurim të bëj miq dhe t’i dëgjoj këndvështrimet nga të gjitha komunitetet”, ka thënë Kosnett. “Sa më rehat që të ndjehen njerëzit, sa më shumë ndjejnë që zëri i tyre ka rëndësi, që ky njëmend është vendi i tyre, aq më pak do ti marrin shenjat nga jashtë”, ka thënë ai më tej.
Kur ka folur për FSK-në, ambasadori Kosnett ka thënë se Washingtoni vazhdimisht ka mbështetur zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur.
“SHBA-ja ka investuar shumë para; kemi kaluar shumë kohë në trajnime; kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Po ashtu, prijësit kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura të Kosovës do të mund të merrnin pjesë në operacione paqembajtëse jashtë vendit; se Kosova ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, ajo mund edhe t’i kontribuojë asaj. Kjo e tëra është e mirëseardhur. Tash, ky është proces i gjatë.
E di se njerëzit – disa njerëz në vendet fqinje janë mbërthyer në një datë të caktuar që po afrohet shumë shpejt dhe i kanë shprehur shqetësimet e tyre se evoluimi i FSK-në në Forca të Armatosura do të mund të kishte ndërlikime negative për siguri. Do të dëshiroja të them se ky është proces që do të marrë shumë vite, që Kosova ka çdo arsye, ka të drejtë të ketë aftësi vetëmbrojtëse. Pika më e rëndësishme që dua ta theksoj është: nëse ka njerëz që përnjëmend besojnë se Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Forcat e Armatosura – me çfarëdo etikete – përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale, atëherë mendoj se ky është edhe një tregues tjetër për rëndësinë e dialogut. Mendoj se është me rëndësi për njerëzit në të dy vendet që ta kuptojnë pikëpamjen e palës tjetër sepse kur nuk komunikoni, e dini, çdo lloj i frikës del në sipërfaqe dhe njerëzit gjithmonë i frikohen gjërave që nuk i kuptojnë”, ka thënë Kosnett.
Kur ka folur për 14 dhjetorin, Kosnett ka thënë se “qoftë nëse e miratojnë ligjin ose i ndërrojnë shenjat në uniformat e personelit në datën e caktuar, kjo nuk është gjëja më e rëndësishme”.
“Me rëndësi është që ky do të jetë proces i gjatë i qëndrueshëm dhe që përderisa Forcat e Armatosura të themelohen – që siç thamë, është proces i gjatë – që të jetë forcë shumetnike. Është me rëndësi që pjesëtarët e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera të marrin pjesë me të madhe në Forcat e Armatosura siç kanë bërë në FSK dhe në Polici, sepse kjo është përvojë që e kemi parë në vendin tonë: është me rëndësi që pjesëtarët e komuniteteve të mendojnë, të shohin, se njerëzit në uniformë i përfaqësojnë ata e jo që janë vetëm forcë e jashtme”, ka thënë Kosnett.
Kosnett ka thënë tutje se nxitja e investimeve amerikane është prioritet i lartë për Ambasadën dhe qeverinë amerikane.
“Tashmë kemi parë disa investime të shkallës së vogël. Por, është shumë me rëndësi që njerëzit i shohin këto franshizat ushqimore amerikane nëpër vend dhe thoni, mirë, kjo është shumë e mirë, e dini se njerëzve iu pëlqejnë këto, edhe mua më pëlqejnë, por këto janë në shkallë mjaft të vogël, por bizneset amerikane vëzhgojnë për të parë se çka po bëjnë franshizat ushqimore sepse ato janë të famshme se bëjnë hulumtim të thuktë në një vend para se të hyjnë në treg. Kur ndërmarrjet shohin se Domino’s, Famous Famiglia, Kentucky janë në Kosovë, atëherë kjo gjë e shtyn Kosovën më lart në planin e tyre. Kjo është e rëndësishme. Ne mbështesim propozimin e Contour Global për termocentral të ri sepse mendojmë se do të ketë leverdi shumë të madhe jo vetëm për mjedisin, por edhe për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Më lejoni ta them këtë ndryshe: kur flasim për fushat e ndryshme në të cilat bashkëpunojnë vendet tona; kur flasim për stabilitetin rajonal; kur flasim për sundimin e ligjit dhe masat kundër korrupsionit; kur flasim për zhvillimin ekonomik, këto fusha të ndryshme janë ngushtë të ngërlidhura me njëra-tjetrën. Ndërmarrjet amerikane duan të shohin një sistem ligjor ku të gjithë trajtohen njëjtë. Ndërmarrjet amerikane duan ta dinë se do të trajtohen drejt nëse kanë mospajtime me ndonjë partner vendor. Ndërmarrjet amerikane i kushtojnë shumë vëmendje asaj që e quajmë “analizë të riskut”. Ato i kushtojnë vëmendje stabilitetit rajonal dhe nganjëherë ngurrojnë të investojnë në një vend ku shohin tensione etnike, ose tensione ndërmjet një vendi dhe fqinjëve të tij.
Pra, jam plotësisht i bindur se përderisa Kosova dhe Serbia i përmirësojnë marrëdhëniet; përderisa lëvizin drejt normalizimit, njohjes, drejt marrëdhënieve të respektueshme fqinjësore, përderisa Kosova vazhdon jo vetëm ti miratojë ligjet kundër korrupsionit, që është e rëndësishme dhe për çka e përgëzoj, por kur ajo i zbaton ato në mënyrë të paanshme dhe të vijueshme, atëherë ndërmarrjet amerikane dhe ndërmarrjet e tjera gjithnjë e më shumë do ta shohin Kosovën si vend tërheqës për investime”, ka thënë Kosnett, përgatiti RTK. (b.an)