Diplomati i Shqipërisë në Prishtinë flet për Tema Javore pas polemikave të hapura për barrierat e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve
Nga Ylli Pata
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë të dhënë për Tema Javore flet për zhvillimet e marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes dy vendeve por edhe mbi shqetësimine një pjese të biznesmenëve të Kosovës që kërkojnë masa lehtësuese për tregtarët nga ana e qeverive të dy vendeve.
Minxhozi analizon këmbimet tregtare të 4 viteve, duke e lidhur edhe me zhvillimet e fundit pas vendosjes së taksës për prodhimet serbe nga ana e qeverisë së Kosovës.
Në një debat të zhvilluar ditët e fundit, ka hyrë edhe qeveria e Kosovës, që ka përkrahur kërkesën e disa tregtarëve që kërkojnë që të ulen barriarat për disa mallra si mielli, birra dhe patatja.
Madje qeveria e Kosovës ka thënë se do të aplikojë reciprocitetin në marrëdhëniet tregtarë me Shqipërinë, duke lajmëruar një taksë 100 për qind për prodhimet shqiptare.
Por ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tenton të ulë gjakrat duke tehksuar për TemA Javore se situate mes dy vendeve është pozitive në aspektin e shkëmbimeve tregtare.
“Në vitet e fundit shkëmbimet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur vazhcimisht dhe në mënyrë progressive. Këtë e tregojnë shifrat e këtij shkëmbimi. Ndërsa tre vite më parë ky shkëmbim ishte 170 milionë euro, vitin e shkuar ishin 220 milionë euro dhe këtë vit presim që të shkojmë tek 320 milionë euro”, thotë ambasadori Minxhozi, i cili flet për eksportet shqiptare në Kosovë.
Në lidhje me pakënaqësite e shprehura nga ana e tregtarëve të Kosovës, ambasadori Minxhozi thekson se ka disa gjëra që duhen rishikohen, duke u nisur nga ligjet që kanë të bëjnë me tarifat doganre, por shton se ka edhe probleme që janë të majisura në kohë, por që duhen parë me kujdes dhe hap pas hapi.
“Flitet për birrën, por në çështja është se nuk është vetëm birra e Kosovës që paguan një tarifë kur arrin në sasi të mëdha, por janë të gjitha birrat e importit. Ka presione nga marka të mëdha në botë që importojnë sasi të mëdha birre në Shqipëri që kërkojnë ulje tarifash, por gjithçka është e vendosur në ligj. Megjithatë gjithmonë ka rrugë për të ndrequr dhe çuar përpara gjërat.
Ne i njohim problemet që janë tarifa e skanimit, një konçension i miratuar që në 2013-n me ligj parlamenti, gjithashtu është tarifa e rrugës etj, të cilët edhe mund të ndërhyjen për të arritur një lehtësim për tregtarët. Megjithatë unë mendoj se situata ka sjellë zhvillime positive mes dy vendeve.
Kosova është vendi që ka eksportet më të mëdha në Shqipëri duke krahasuar me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Dhe ky trend vetëm rritet. Pra kemi një përfitim të dyanshëm për të dy vendet. Dhe të dhënat tregojnë se ka pasur vetëm zhvillime pozitive”, thotë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ndërkaq, i pyetur në lidhje me impaktin që ka pasur taksa ndaj mallrave serbe për të rritur eksportin e mallrave shqiptare në Kosovë, diplomati shqiptar thekson se ky vendim i Prishtinës nuk ka ndikuar në një boom shtes për mallrat shqiptare.
“Në fakt trendi i rritjes ka ardhur në mënyrë normale të eksporteve shqiptare në Kosovë, ndërkohë që kanë qenë vende të tjera rajonale që kanë përfituar apo po zënë vakumin tregtar të shkaktuara nga pengesa e prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Mallrat shqiptare kanë hyrë në treg në mënyrë të natyrshme dhe po ecin progresivisht.
Duhet pasur parasysh këtu edhe veçantitë e dy vendeve, ku Shqipëria është vend më i madh dhe ka asete turistike më të mëdha, ndaj edhe shifrat e këtij shkëmbimi anojnë nga Shqipëria”, thekson Minxhozi, që bën thirrje për të lënë këtë trend që po rritet që të mos preket me polemika.
Në fakt deri tani mbledhjet e dy qeverive vetëm se kanë ndihmuar në frymën e integrimit si treg por pak ka pasur masa konkrete për të hequr barrierat reale. Herë pas herë ka ankesa e polemika edhe nga qeveritarë të dy vendeve, të cilët më shumë kanë kontribuar për të ndezur debatin sesa për të përmirësuar klimën.
Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje të fortë në pjesën e parë të këtij viti, sidomos gjatë muajit prill, të nxitura nga dy grupe, ai i mineraleve e lëndëve djegëse (kryesisht naftës) dhe materiale ndërtimi e metale, të cilat së bashku zunë 74% të eksporteve drejt këtij shteti për janar-prill 2019.
Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-prill janë shitur në vendin fqinjë mallra me vlerë 8.9 miliardë lekë, me një rritje prej 52% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kosova renditet në këtë mënyrë në destinacionin e dytë të eksporteve, pas Italisë, me 9% të totalit, nga 5.8% që ishte kjo peshë në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe ishte në muajin prill, kur eksportet kërcyen me 70%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka pasur grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, që janë katërfishuar për 4 mujorin, duke arritur në 2.3 miliardë lekë. Ky grup ka zënë 26% të totalit të eksporteve. Rritja e tij lidhet me rifillimin e aktivitetit të rafinerisë ARMO, e cila një pjesë të naftës së përpunuar e çon në Kosovë. ARMO ka rritur prodhimin në vend në muajt e parë të këtij viti, teksa ka marrë më shumë naftë të papërpunuar nga BankersPetroleum dhe ky i fundit ka ulur eksportet drejt shteteve të tjera.
Grupi më i madh eksportues është “materiale ndërtimi dhe metale”, kryesisht metalet. Eksportuesi më i madh është Kurum, që e ka Kosovën një nga destinacionet kryesore të eksporteve të veta.
Për 4 mujorin, eksportet e materiale ndërtimi dhe metale ishin 4.1 miliardë lekë, me rritje 18% me bazë vjetore. Ky grup zë peshën më të madhe, me 46% të totalit të eksporteve drejt Kosovës.
Shqipëria nuk duket të ketë përfituar shumë nga vendosja e taksës 100% që Kosova i vuri mallrave serbe, pasi rritja e këtyre dy grupeve është ndikuar më shumë nga faktorë të brendshëm, si psh rifillimi i punës së ARMO.
Gjithsesi dhe produktet e tjera kanë shënuar rritje, ndonëse nisur nga një bazë e vogël. Eksportet e ushqimeve e pijeve, ndonëse janë rritur me 38%, duke përbërë rreth 10% të totalit. Produktet kimike dhe plastike u rritën me 60% për katër mujorin, duke zënë 6.2% të totalit.