Ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, ka deklaruar se gjyqi francez është i obliguar ta shqyrtojë flet-arrestin e lëshuar nga Serbia sepse nuk është e njëjta lëndë për të cilën Haradinaj është liruar.
Chabert ka mbajtur një leksion para studentëve dhe profesorëve të Kolegjit AAB me temën “Diplomacia publike e Francës”, ku foli për historikun e diplomacisë publike franceze, për themelimin e shtetit të Francës, tranzicionin nga monarkia në Republikë, rolin e Presidentit si i pari i shtetit, e shumë më tepër.
Në fund të ligjëratës të pranishmit patën rastin t’i parashtrojnë ambasadorit Chabert pyetje. Mes tjerash u prek edhe tema e arrestimit të ish-komandantit të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze.
Chabert tha se pyetja duhet t’i parashtrohet më tepër serbëve të cilët janë ata që e kanë lëshuar mandatin për arrest. Ai po ashtu tha se fletë-arresti për Haradinajn nuk ka të bëjë me çështjet për të cilat kryetari i AAK-së është gjykuar dhe shpallur i pafajshëm më parë.
“Së pari ndoshta është dashur që kjo pyetje t’u parashtrohet serbëve të cilët kanë dhënë një mandat për arrest, edhe ky mandat arrest që e kanë dhënë serbët nuk ka të bëjë me ato dy gjykimet për të cilat është liruar zoti Haradinaj, nuk janë të njëjtat gjëra dhe periudha e njëjtë. Ju nëse keni njohur për të drejtat, ne e dimë se si aplikohet kjo.
Gjyqi francez është i obliguar ta shqyrtojë këtë çështje sepse nuk është e njëjta lëndë për të cilën ai është liruar. Ju ndoshta do mund t’u parashtroni edhe pyetjen vendeve tjera pse ato nuk e kanë bërë tërheqjen e mandat arresteve për qytetarët e Kosovës, mirëpo mandat arresti serb ka ekzistuar”, tha ai, përcjell ksp.
Ambasadori Chabert po ashtu e komentoi edhe mundësinë e fitimit të zgjedhjeve të ardhshme në Francë nga kandidatja Marie Le Pen dhe mundësinë e ndryshimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës.
“Për mua është ndryshe, për mua Kosova është një vend tërësisht sovran, i pavarur, dhe pas Gjermanisë ne jemi dy vende që e kemi njohur Kosovën para Shteteve të Bashkuara të Amerikes. Për mua Kosova është një vend i cili i ka të gjitha prerogativat e një vendi të pavarur dhe për ne është tërësisht një vend i pavarur”, tha ai.
Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Chabert tha se Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete mike dhe kjo është një çështje që duhet zgjidhur.
“Kanë qenë dy kushte për të cilat janë parashtruar, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, dhe unë mendoj se Mali i zi është një shtet aq mik i Kosovës i cili i ka pranuar refugjatë gjatë luftës në Kosovë, dhe unë mendoj se nuk duhet të ketë vështirësi për demarkimin e një kufiri me një shtet mik me të cilin nuk ke kurrfarë problemesh. Askush nuk ka parashtruar kusht Kosovës për demarkimin e kufirit me Serbinë meqë e dimë se nuk është realizuar,”, tha ambasadori Chabert.
Ai po ashtu tha se përgjigja pse ky kusht për liberalizimin e vizave nuk është përmbushur duhet të kërkohet nga deputetët e parlamentit të Kosovës dhe jo tek Bashkimi Europian, përgatiti Koha. (b.an)











