Lidhur me vizitën e senatorit McCain në qendrën e Moxhahedinëve në Tiranë, ka reaguar edhe Ambasada e Republikës Islamike të Iranit-Tiranë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ajo e komenton këtë vizitë se u bë “në një qendër terroriste” dhe se McCain “nuk ka bërë pjesë në radhën e njerëzve paqedashës të botës”.
Deklarata
Në lidhje me vizitën e Z.McCain në qendrën e sektit terrorist të Moxhahedinëve dhe takimin me kreun e këtij sekti, tërheqim vëmendjen e publikut si më poshtë:
- Deri më sot nuk është dëgjuar asnjë mesazh paqeje ose miqësie nga Z. McCain dhe emri i tij asnjëherë nuk ka bërë pjesë në radhën e njerëzve paqedashës të botës. Mesa duket ai jeton ende në kohën e luftës së Vietnamit dhe u jep dorën e miqësisë atyre që në të kaluarën e tyre terroriste kanë të shënuar vrasjen e gjashtë vetëve, bashkëatdhetarë amerikanë të Z. McCain.
- McCain shkon në qendrën e sektit terrorist që ka mbi shpinë përgjegjësinë e vrasjes së 17 mijë vetëve, autorite zyrtare dhe qytetarë të thjeshtë të Iranit, si edhe të vrasjes në bashkëpunim me Sadam Hyseinin të mijëra arabëve dhe kurdëve të Irakut, e sektit, një numër i madh i anëtarëve të të cilit janë në ndjekje nga Interpoli, që i përdor mësimet e përditshme terroriste për të ndarë anëtarët e vet të paditur nga shoqëria dhe jeta e zakonshme dhe që është i gatshëm të përdorë këtë përvojë kurdoherë, kudo dhe në shërbim të kujtdo.
Sektori i Shtypit
Ambasada e Republikës Islamike të Iranit-Tiranë /ma.me