Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar sot thirrjen për hapjen zyrtare të aplikimeve për Programin Fulbright 2027–2028, një nga programet më prestigjioze të shkëmbimit akademik të financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në njoftimin e saj, ambasada fton studiues, pedagogë universiteti dhe ekspertë nga institucionet akademike dhe kërkimore në Shqipëri të aplikojnë për programin “Fulbright Visiting Scholar”, i cili ofron mundësi për kërkim shkencor dhe/ose ligjërim në universitete amerikane për një periudhë 3 deri në 6 muaj.
“Programet Fulbright 2027-2028 janë zyrtarisht të hapura – bëhuni një nga 300 ish-studentët shqiptarë që kanë marrë pjesë në këtë përvojë që të ndryshon jetën! Programi Fulbright është programi kryesor i shkëmbimit i Departamentit të Shtetit të SHBA, i cili ofron bursa të financuara plotësisht për profesionistë dhe studiues të rinj, për të fituar ekspertizë amerikane në mënyrë që të përballen me sfidat globale dhe për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë”, thekson ambasada e SHBA.
Programi është i hapur për të gjitha fushat e studimit dhe përfituesit përzgjidhen mbi bazë merite, në një proces konkurrues. Bursa përfshin mbështetje financiare të plotë, duke mbuluar shpenzimet mujore të qëndrimit, udhëtimin ndërkombëtar vajtje-ardhje dhe fonde shtesë për aktivitete profesionale.
Sipas kritereve të përcaktuara, aplikantët duhet të jenë shtetas dhe rezidentë të Shqipërisë, të kenë përfunduar studimet doktorale (PhD), si dhe të kenë të paktën pesë vite eksperiencë në mësimdhënie ose kërkim shkencor. Gjithashtu kërkohet njohje e mirë e gjuhës angleze dhe përmbushja e kushteve për vizë J-1.
Programi parashikon që përfituesit të rikthehen në Shqipëri për të paktën dy vite pas përfundimit të bursës, ndërsa anëtarët e familjes mund të shoqërojnë pjesëmarrësit në raste të caktuara.
Aplikimet duhet të dorëzohen online përmes platformës zyrtare të programit, brenda datës 30 qershor 2026. Një aplikim i plotë përfshin formularin elektronik, përshkrimin e detajuar të projektit kërkimor, CV-në, tre letra reference, dokumentacionin akademik të noterizuar, si dhe dokumente të tjera mbështetëse.
Programi Fulbright synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin profesional dhe mirëkuptimin mes vendeve, duke krijuar një rrjet global liderësh dhe inovatorësh në fusha të ndryshme.











