Nga Baton Haxhiu
Unë kam qenë dhe mbetem përkrahës i Reformës në Drejtësi dhe i SPAK-ut si një instrument i nevojshëm për pastrimin e politikës shqiptare nga korrupsioni. Kam besuar dhe besoj ende se një drejtësi e pavarur është themeli i një shteti modern dhe demokratik. Por ajo që po shohim sot, veçanërisht nën drejtimin e Altin Dumanit, po rrezikon ta shndërrojë këtë reformë nga një proces profesional në një gjyq popullor, ku gjuha e përdorur dhe mënyra e trajtimit të të akuzuarve po dalin jashtë kornizave të një drejtësie të ftohtë dhe objektive.
Drejtësia duhet të jetë e ftohtë, e paanshme dhe e balancuar. Ajo nuk duhet të jetë një mjet hakmarrjeje politike dhe as një mekanizëm që ushqen emocionet e turmës. Kur drejtësia humbet profesionalizmin dhe fillon të prodhojë spektakël, ajo nuk ndëshkon vetëm ata që shkelin ligjin, por rrezikon edhe besimin e qytetarëve tek institucionet e reja.
Rasti i Erion Veliajt si duket ka korrupsion serioz brenda sipas Prokurorisë. Por me veprime konkrete ka krijuar një situatë të re, ku hetimi nuk po zhvillohet si një proces normal ligjor, por si një tribunë publike e ndërtuar mbi detaje anësore, spekulime dhe një gjuhë që e zhvendos drejtësinë nga profesionalizmi në populizëm. Nuk jam pajtuar asnjëherë me gjuhën e Veliajt ndaj SPAK-ut; por publikimi i informacioneve të caktuara, përfshirja e elementeve personale dhe përdorimi i një retorike të ashpër nga Prokuroria, nuk e bëjnë sistemin më të fortë, por e dëmtojnë atë.
Kur drejtësia vepron në mes të një procesi zgjedhor, ajo ndikon drejtpërdrejt në dinamikën politike dhe në barazinë e garës. Zgjedhjet në Shqipëri mbahen më 11 maj dhe arrestimi i një kandidati apo një figure kyçe politike në këtë periudhë nuk është një veprim neutral, pavarësisht justifikimeve ligjore.
Drejtësia ka mundur të presë për një kohë të shkurtër, duke mos ndërhyrë brutalisht në fushatë dhe duke shmangur ndikimin e drejtpërdrejtë në rezultatet e zgjedhjeve. Nuk do të kishte asnjë pasojë ligjore nëse procedurat do të respektonin kohën e nevojshme për të mos krijuar perceptimin se prokuroria po bëhet një faktor politik, në vend që të mbetet një institucion i pavarur.
Këtë qëndrim kam pasur edhe për zotin Berisha. Sepse nuk mund të mbetej opozita pa lider.
Në një demokraci të konsoliduar, siç është Franca, edhe kur François Mitterrand u hetua për çështje të ndryshme gjatë kohës që ishte kryetar i Bashkisë së Parisit, procesi vazhdoi pa u kthyer në një përpjekje për ta shkatërruar publikisht figurën e tij. Nuk pati arrestime të bujshme dhe nuk pati linçim publik, por një ndjekje të qetë të procesit gjyqësor, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke ruajtur stabilitetin e funksionimit.
Historia e ka treguar se kur një sistem drejtësie fillon të përdorë gjuhën e gjyqit popullor, ai nuk mbetet më një institucion ligjor, por shndërrohet në një instrument të pastrimit politik.
Ky ishte rasti i Rumanisë, ku drejtësia, në vend që të funksiononte mbi bazën e provave të forta, filloi të vepronte mbi bindje personale dhe perceptime politike. Kjo nuk ishte drejtësi, por hakmarrje me vulë shtetërore. SPAK nuk mund të lejojë që të shndërrohet në një institucion që ndjek këtë model, sepse nëse e bën, humb besueshmërinë dhe e kthen reformën në një farsë.
Nëse SPAK vazhdon të ndjekë këtë rrugë, rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, ku njerëzit jo vetëm që mund të ikin nga drejtësia, siç ndodhi me Arben Ahmetajn, por edhe të perceptojnë se institucionet nuk janë më të drejta dhe të balancuara. Ahmetaj është një rast që e vuri SPAK-un në një pozitë të vështirë, sepse tregoi se kur institucionet nuk janë efikase në veprimet e tyre, ata që kanë mundësi largohen.
Por kjo nuk do të thotë se për të kompensuar këtë dështim, SPAK duhet të bjerë në ekstremin tjetër, duke përdorur një model të drejtësisë që shërben më shumë për të kënaqur opinionin publik sesa për të zbatuar ligjin në mënyrë profesionale.
Një nga problemet kryesore me mënyrën se si po vepron SPAK sot është perceptimi i selektivitetit. Deri më tani, të gjithë emrat e mëdhenj që janë ndjekur penalisht vijnë nga Partia Socialiste, ndërsa opozita ka mbetur kryesisht e paprekur, me përjashtim të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Në një vend ku korrupsioni ka qenë i përhapur në të gjitha kampet politike, është e pakuptueshme që vetëm njëra anë e spektrit po përballet me ndëshkimin penal.
Nëse drejtësia nuk tregon se është e barabartë për të gjithë, atëherë ajo nuk funksionon si një institucion i pavarur, por si një mekanizëm i orientuar politikisht. Për këtë arsye, është e rëndësishme që SPAK të mos bjerë në grackën e të qenit një institucion që godet me njëanshmëri, duke krijuar idenë se drejtësia është një instrument në duart e një grupi të caktuar.
Reforma në drejtësi u krijua për të pastruar politikën dhe për të ndërtuar institucione të forta, jo për të bërë spektakël publik. SPAK duhet të qëndrojë larg tendencave për të krijuar gjyqe popullore dhe të fokusohet vetëm në faktet dhe provat. Drejtësia nuk mund të bëhet një fushatë morale, ku prokurorët përdorin një gjuhë të mbushur me urrejtje dhe ku akuzat transformohen në ndëshkim mediatik përpara se të vendosen në gjykatë.
Në këtë drejtësi selektive, një vëmendje e veçantë po u kushtohet grave të politikanëve, një qasje që nuk është e rastësishme. Gratë nuk mund të mbeten pa punë vetëm sepse burrat e tyre janë politikanë. Ato nuk mund të trajtohen si faktorë të jashtëm të fajit, dhe nuk ka asnjë logjikë ligjore që një burrë të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si gruaja e tij e menaxhon jetën personale apo financat e saj.
Bizhuteritë dhe çantat Arminës dhe Ajolës nuk janë më ndryshe nga çantat e shtrenjta të Monika Kryemadhit, apo aksesorët luksozë të politikaneve tjera. Por këtu nuk po kemi një hetim të barabartë, por një strategji selektive, ku më shumë rëndësi po merr opinioni publik sesa provat reale.
Drejtësia duhet të sjellë frikë për të gjithë ata që shkelin ligjin, por nuk duhet të përdorë brutalitetin për të ndaluar zhvillimin ekonomik. Një sistem gjyqësor që dominon skenën politike dhe ekonomike pa kujdesin e duhur, krijon pasiguri në administratë dhe shkurajon investimet. Nuk mund të kemi drejtësi efektive nëse krijohet një klimë ku çdo vendim ekonomik i një politikani apo zyrtari shihet si një rrezik për ndëshkim, pa një analizë të qartë dhe objektive të rrethanave.
Altin Dumani ka një ftohtësi ekstreme në vendimmarrje, por drejtësia nuk mund të jetë thjesht një akt formal që përmbushet për hir të dominimit të prokurorisë. SPAK nuk mund të sillet si një trup që dikton moralin dhe vë damkën mbi këdo që zgjedh ta akuzojë. Drejtësia duhet të jetë për të gjithë dhe nuk mund të mbetet në duart e një institucioni që, me gjuhën e një gjyqi popullor, po tenton të krijojë një rend të ri, ku ligji nuk është më mbi politikën, por pjesë e saj.
Ky është fundi i drejtësisë si profesion dhe fillimi i një drejtësie të komanduar nga perceptimi, dhe ky është rreziku më i madh që na kanoset.
Altin Dumani ka marrë një medalje nga Antony Blinken për rolin e tij në luftën kundër korrupsionit, por medalja nuk është një simbol i fuqisë për të vepruar mbi fuqinë e votës. Drejtësia nuk ka nevojë për spektakël dhe nuk mund të funksionojë si një forcë e pakontrolluar. Fuqia e saj janë vetëm faktet, asgjë më shumë.
Mos u frikëso, por mos u rrëmbe. Ata që e kanë mundësuar reformën në drejtësi dhe lirinë e SPAK për të vepruar, kanë qenë të kërcënuar me kokë nga bandat dhe grupet e interesit. Ata nuk luftuan për të krijuar një prokurori që të bëhet vetë rrezik për demokracinë. Reforma nuk u ndërtua për të ushqyer gjyqe popullore, por për të ndërtuar një shtet të së drejtës. Nëse SPAK devijon nga ky parim, atëherë nuk është më reforma e premtuar, por një mjet i ri për të sunduar mbi të tjerët.
Partia Socialiste është në pushtet prej 12 vitesh dhe nuk ka asnjë dyshim se kjo kohë e gjatë sjell me vete mëkate, korrupsion dhe abuzime me pushtetin. Ndoshta edhe sistem korruptiv në Bashkinë e Tiranës.
Por të ndëshkosh një forcë politike vetëm sepse ka qenë gjatë në pushtet nuk është drejtësi, por hakmarrje politike. Drejtësia nuk duhet të funksionojë mbi idenë e ndëshkimit për arsye kohore, por mbi provat konkrete dhe prishjen e sistemit korruptiv.
Individët duhet të ndëshkohen për aktet e tyre, jo për kohën që kanë qenë në pushtet. Përndryshe, drejtësia bëhet një mekanizëm hakmarrjeje dhe jo një forcë që çmonton korrupsionin real.