Alkool, muzikë dhe.. seks. Nuk është titulli i ndonjë kënge apo slogani, por janë detaje të reja që dalin në dritë lidhur me festën e organizuar në Downing Street më 16 prill të vitit 2021, një ditë përpara funeralit të Princit Filip në Londër.
Kështu “Partygate” rikthehet të përndjekë sërish ish kryeministrin britanik, Boris Johnson, skandal i cili e detyroi të dorëhiqej nga drejtimi i qeverisë. Televizioni i njohur në Mbretërinë e Bashkuar, ITV, raporton se në festën e organizuar në selinë kryeministrore nga bashkëpunëtorët e kryeministrit të atëhershëm nuk ka pasur vetëm shumë alkool dhe muzikë me zë të lartë gjatë gjithë natës deri në agim dhe shkeljes flagrante të rregullave për luftimin e pandemisë koronavirus, por edhe raporte intime të shfrenuara.
Të paktën 2 çifte janë spikatur në intimitet, njëri në një zyrë pa drita dhe tjetri fillimisht në kuzhinë dhe më pas në një zyrë, larg nga sytë e të pranishmëve. Për eventin e ndaluar janë vendosur disa gjoba nga policia e Londrës, për shkak të shkeljes së masave anti-covid. Vetë Boris Johnson nuk ka qenë i pranishëm në festën e shfrenuar, pasi ishte jashtë kryeqytetit, por kishte kërkuar ndjesë publike përballë Mbretëreshës Elizabet, e cila në atë kohë drejtonte fronin britanik dhe vuante humbjen e bashkëshortit Filip, për mungesën e respektimin të zisë kombëtare.
/a.r