Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka sqaruar se nuk ka parë asnjë provë për ekzistencën e kontaktit me alienë, disa orë pasi një deklaratë e tij në një podcast shkaktoi bujë në media.
Gjatë një bisede me prezantuesin amerikan të podcastit Brian Tyler Cohen, Obama iu përgjigj një serie pyetjesh të shpejta. I pyetur “A janë alienët realë?”, ai tha: “Janë realë, por unë nuk i kam parë.”
Ai shtoi me shaka: “Nuk po mbahen në Zonën 51. Nuk ka ndonjë strukturë nëntokësore, përveç nëse ekziston një komplot gjigant dhe e kanë fshehur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”.
Deklarata u pasqyrua nga media në mbarë botën, me tituj që sugjeronin se Obama kishte konfirmuar ekzistencën e alienëve. Edhe Time Magazine raportoi mbi reagimet, duke cituar fjalët e tij.
Pas reagimeve të shumta, Obama publikoi një sqarim në Instagram të dielën në mbrëmje.
“Po përpiqesha t’i qëndroja frymës së raundit të shpejtë të pyetjeve, por meqë mori vëmendje, po e sqaroj. Statistikisht, universi është aq i madh sa ka gjasa të mira që të ketë jetë diku tjetër”, tha ai. “Por distancat mes sistemeve diellore janë aq të mëdha sa mundësia që të jemi vizituar nga alienë është e ulët, dhe gjatë presidencës sime nuk pashë asnjë provë që jashtëtokësorët kanë bërë kontakt me ne. Vërtet!”.
Prej kohësh ekziston një teori konspirative sipas së cilës qeveria amerikane fsheh prova për jashtëtokësorë në atë që quhet “Area 51”, një bazë ajrore shumë e klasifikuar në Nevada.
Në vitin 2019, pasi rreth 1.5 milionë persona u regjistruan në rrjetet sociale për ta “sulmuar” zonën, rreth 150 persona u mblodhën pranë pistës ajrore, por ngjarja përfundoi pa incidente serioze dhe u kthye kryesisht në një festival muzikor.
Dokumente të deklasifikuara të publikuara në vitin 2013 zbuluan se pista sekrete ishte përdorur për testime ajrore të projekteve qeveritare amerikane, përfshirë programet e mbikëqyrjes ajrore U-2 dhe Oxcart. Sipas dokumenteve, testimet në lartësi të mëdha çuan në një rritje të raportimeve për objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO).











