I shte pasdite marsi 1997 kur kapiteni Fatmir Koka mbeti i rrethuar teksa vrojtonte kaltërsinë e detit në pozicionin luftarak mbi bedenat e kalasë së Ali Pashë Tepelenës, në Porto Palermo. Bënte disi ftohtë e herë pas here nga majat e Llogarasë varej një tis mjegulle. Në fillim, krismat kishin qenë të rralla e mandej ishin dendësuar.
Këtë radhë piratët nuk vinin nga deti, por kishin vërshuar nga shpina. Ishte koha kur sa kishte filluar shembja e madhe e pranverës ‘97. Jo rastësisht, djaloshi me vështrim nga deti ndëshkohej ndër të parët. Dëshmitarët që përcollën ngjarjen, nuk donin ta besonin atë që kishin parë me sy. Fatmir Kokën nuk e vranë me plumb, por i vunë thikën te fyti. Para se t’i gjakosnin gushën, i përplasën bajonetën te sytë.
Si Ali Pashës! Po jo dhe si Ali Pashës! Se Ali Pashës ia vunë kokën në sini të huajt nga që s’pranoi çizmen e tyre në trojet amtare. Fatmir Kokën e masakruan kapuçonët e zinj, piratët e detit që flisnin shqip si dhe ai. Krimi kërkoi shpagim te sytë e tij, për të thyer pasqyrën ku shihte vetveten…
BOSËT QË PËRGATISNIN NDËSHKIMIN
“Fatmir Koka ishte një radiometrist shembullor”, kujton Çapajev Filja, ish-shefi i shtabit i Flotës Luftarake Detare. Për të, detyra luftarake, vrojtimi në ekranin e radarit, ishte diçka e shenjtë. Sytë e tij duhej të vigjilonin detin. Djaloshi nga Qeparoi duhej t’iu thoshte “Ndal” atyre që do të trazonin kaltërsinë e tij, sa të shfaqeshin në horizont, matanë Otrantos. Me bindjen se kështu bënte detyrën, kapter Fatmir Koka i përgjigjej betimit ushtarak, raportonte në kohë për çdo rast kur anijet që vinin nga larg ankoroheshin te bregu. Pikërisht atëherë kur mendonte se piratët e detit do të binin në grackë, Fatmir Koka revoltohej ndërsa shikonte qetësinë, me të cilën ata shkëmbenin mallin që binin nga larg me milionat që merrnin me vete.
Dikush kishte hapur udhën e tyre… “Ndodhi kështu edhe një natë janari, kur te gjiri erdhën dy anije të mëdha”, vazhdon rrëfimin Çapajevi. Ai, sa i pa, raportoi. Teksa shikonte që nuk po veprohej, i shqetësuar, përsëriste raportimin. Po fjala e tij diku “burgosej”, diku zhurmohej. Atë e priste një vesh i shurdhër. Ndërkaq anijet shkarkoheshin, maunat me radhë që aty merrnin udhën e Vlorës. Kështu deri në agim. Në të gdhirë, Shpella e Piratëve mbeti sërish në vetmi. Në kala mbërriti fonogrami: “Fatmir Koka të çmobilizohet nga radhët e Ushtrisë, se nuk ka raportuar për anijet e kontrabandës”(!) Ishte rasti i dytë që “shpërblehej” kësisoj. “Kalloja” në të cilën shkelte, duke kryer shërbimin në mënyrë shembullore, nuk i përkiste një eprori të zakonshëm. Milionat që “buronin” nga Shpella e Piratëve merrnin udhën për në hierarkinë e bosëve.
“Do të ndëshkohej Fatmir Koka!”, kujton kapiten Filja, eprori i tij. – do të çmobilizohej një nga radiometristët më të mirë të FLD! Shkaku: nuk kishte raportuar për dy anije të huaja që ishin shkarkuar natën te Shpella e Palermos. A thua ta kishte zënë gjumi?! A thua mos t’i kishte dalluar syri i tij?! Po kush i kishte parë tjetër? Posti i tij ishte e vetmja pikë që vrojtonte atë sektor. Askush në komandën e Flotës nuk e mori vesh atë ditë pse u paraqit me aq urgjencë ky rast, madje për një masë ekstreme. Gjithsesi, ai erdhi vetë të nesërmen në Tiranë dhe e kundërshtoi ndëshkimin. Ankesa u bë shkak që në krye të një grupi, unë të shkoja e të bëja verifikimet në vend. Hapëm ditarin. Gjithçka ishte shkruar e raportuar saktësisht! Çfarë kishte ndodhur? Një enigmë që lidhet me piraterinë. Gjithsesi, komanda e korrigjoi urdhrin e vet. Fatmir Koka u kthye në detyrë. Rifilloi punën. Si gjithnjë, korrekt, i papërtuar, model në shërbim…
Te eprori i lartë i Fatmir Kokës, edhe sot ka një peng që lidhet me motivet që servireshin në komandë aq befasisht pör ndëshkimin e tij. Po Fatmir Koka, ky djalë dinjitoz, diti të ngrihej mbi to…
VRASJA ISHTE PARALAJMËRUAR
“Dy herë e ndëshkoi komanda dhe mbaj mend si qante nga inati”, rrëfen i vëllai, Skënderi. – “E mundonte veten që nuk dallonte nga i vinin ato goditje”. “Mos të ka inat njeri, i thosha unë, që nuk ia njihja mirë natyrën e shërbimit”. “E, jo, a derëbardhë. Ç’të kenë me mua?!”, më përgjigjej shkujdesur. Një ditë, ndërsa pinim birrë këtu në Himarë, na u afrua te tavolina një mesoburrë, gjysmë i dehur dhe iu drejtua në vesh, kërcënueshëm: “Mos u hiq më katolik se Papa! Në s’di t’i mbyllësh sytë vetë, t’i mbyllin të tjerët. Punë të dehurish, mendova aty për aty”.
Një “kujtesë” e tillë, në një ditë të bukur, kishte shkuar edhe te nëna e tij, aty në Qeparo. E, nëna si nëna, mezi kishte pritur t’i vinte në darkë Fatmiri e t’ia thoshte, me merak e shqetësim njëherazi. “E, jo a derëbardhë, ç’të duan me mua?!”, e kishte qetësuar ai, duke i hedhur dorën mbi supe. “Ç’do i ligu, i pabesi, the? Kokën të do, thikën pas shpine të vë. Se janë kohë të vështira, biro…”.
“E kujt mund t’i duhet koka ime, moj nënë”, ia kishte kthyer ai buzagaz…
Fatmir Kokën e kishin paralajmëruar haptazi. Në zërin e atyre që e ndiqnin nuk kishte mëdyshje: ose do të mbyllte sytë, ose do të ndëshkohej rëndë. “Kishte nga ata që ia përcillnin këtë mesazh edhe greqisht, – shton Skënderi, po Fatmiri, si gjithnjë shpërfillës. Ai kishte kohë që ndiqej nga njerëzit – hije.
HAKMARRJA E PIRATËVE
Emri i Fatmir Kokës ishte vonë në rreth të kuq, për t’u asgjësuar me çdo mjet. Ai ishte një shqiponjë që e kishte detin në sy dhe e donte kthjelltësinë e tij, si jetën e vet. Ata që e trazonin atë, tinëz, netëve pa hënë, ishin brenga, shqetësimi i tij. Ishin sytë, drita e papërgjumur e tyre, që do ta fuste kësisoj Fatmir Kokën në një duel të pazë, me njerëzit që ushtronin piraterinë e detit. Dikush donte që sytë e tij të mos vështronin larg përditshmërisë së halleve të këtij 30-vjeçari, që jetonte familjarisht vetëm me ardhurat modeste të rrogës së një kapteri. Po këtë zë ai e kishte shpërfillur, se Fatmir Koka nuk jetonte thjesht për përballimin e halleve të mbijetesës, po shumë më tepër se kaq. Jetonte për nderin, për dinjitetin e vet, ndaj vështronte shumë herë më larg nga kaq.
Ai kishte kohë që merrte kërcënime, vetëm se shikonte gjëra që nuk duhej t’i shikonte. Sytë asnjëherë nuk i kishin gabuar. Ah, sytë e tij! Dëshmia e tyre dikujt i prishte punë, i sillte andralla, i linte plane në mes…
Plot 48 orë zgjati beteja në rrethim. Ai, një i vetëm, përballë dhjetëra e dhjetëra banditëve të armatosur. Me qindra plumba fluturonin për tek ai. Po Fatmiri diti ta mbronte repartin, diti të mbrohej deri në fishekun e fundit.
Pastaj…
Aleks Kokëdhima tregon me lot në sy: “Kur reshtën krismat, dëgjova zërin e parë nga turma: Mbaroi municioni. T’i afrohemi, ta asgjësojmë me zjarr. Mos! Jooooo! Ta zëmë të gjallë! T’i nxjerrim sytë! “T’i presim kokën”, urdhëroi një tjetër. Pastaj, ata u turrën si bisha. Fatmiri iu përgjigjej me gurë. Më në fund e kapën. I vunë thikën te fyti. I vunë bajonetën te sytë. Pastaj trupin ia hodhën mbi radar. Radarit i ranë me çfarë mundën dhe e bënë copë-copë…”.
Fatmir Kokën nuk e vranë me plumb, por i prenë kokën. I prenë kokën pasi i nxorën sytë. Si Ali Pashës! Po, jo dhe si Ali Pashës. Se Ali Pashës ia prenë kokën dhe ia vunë në sini të huajt, ngaqë u vuri fre lakmive të tyre për ta copëtuar Shqipërinë. Fatmir Kokës ia prenë kokën kapuçonët e zinj piratët e detit, që flisnin shqip, si dhe ai. Te sytë e nxjerrë, te koka e tij e prerë, krimi theu pasqyrën ku shihte vetveten. Pjesëmarrës në këtë vrasje makabre ishin edhe njerëzit që argëtohen salloneve të mëdha me dollarët e përgjakur nga ky kapter 30-vjeçar.
Dhe u ngjitën njerëzit, vonë, pasditen e dy marsit, deri në kala. Flisnin, bisedonin në heshtje, dëgjonin, dëgjonin, pastaj ngrinin supet dhe derdhnin lot. Vinin rishtas të tjerë që vështronin njeriun me kokë të prerë, pa arritur të tregonin se e kujt ishte dora e krimit dhe uleshin dhe ata si të parët, duke psherëtirë dhe lotuar. Nuk Historitë e trishta të marsit ‘97 të Armatosura. Ashtu sikundër veproi 30-vjeçari Fatmir Koka, heroi i këtij shkrimi, që qëndroi deri në pikën e fundit të gjakut i palëkundur në pozicionin luftarak. Nëse kjo për kohën kaloi pa rënë shumë në sy, kemi nevojë t’i rikthehemi e mos të hallakatemi nga histori vulgare si kjo me spiunë rusë që çapiten nëpër objekte të braktisura të ushtrisë.
Kemi nevojë t’i rikthehemi modelit të Fatmir Kokës dhe mjaft ushtarakëve të tjerë që u flijuan në krye të detyrës. Gazeta “Panorama” do risjellë histori të tjera të ushtarakëve që nuk pranuan të braktisin objektet duke u sakrifikuar vetë. kishin nga ta kuptonin ato çaste ata se për herë të parë pas gati 200 vjetësh, qysh kur ishte dëgjuar balada e Ali Pashë Tepelenës (Të prenë, o Ali/Të grinë/Koka në Stamboll /Trupi në Janinë), ky bir i tyre me emrin Fatmir Koka, kishte provuar të bënte, me jetën e vet, një baladë të re…
NË VEND TË EPILOGUT
Kështu ndodhi: Fatmir Koka, ky djalë i bukur, si djemtë e Bregut, i paktë në trup, pa tul në faqe, me flokë të zinj e vështrim të kthjellë; me dy sy të ndritshëm, me një fytyrë fisnike me flokë paksa të rralluar mbi ballë, me një jetë të kristaltë si ujët e Jonit, një ditë të trazuar të gjitha ia fali nderit, detyrës, Atdheut! Asgjë nuk kurseu për atë që ai e quante dinjitet… Kjo ishte ngjarja, ajo që u përjetua aty, në kala. Kjo ishte legjenda që shkroi si Ali Pasha, Fatmir Koka. Po në hullitë e shkresave e të jetëshkrimit zyrtar, ajo “nuk gjen dot urdhër” për t’u futur e tillë. Që nga zyrat e eprorëve më të ulët e deri në zyrën e komandës eprore të FLD-së, për të është vetëm një “procesverbal” (!) i akullt, pa jetë e madje i pasaktë. As më pak, as më shumë ai dëshmon (ose përpiqet të dëshmojë): “Më 2.3.’97 u sulmua reparti nga banda të armatosura, rreth 30 vetë. Nga turma u qëllua me breshëri. Në këtë kohë, pesë metra në veri të fanarit u godit dhe vdiq kapteri Fatmir Koka”. Kaq dhe asgjë me tej. O zot!
Fatmir Koka fali jetën për detyrën. Mbrëmjeve vonë aty në Qeparo, e qajnë me ligje, siç bëjnë njerëzit e këtyre anëve, nëna, bashkëshortja dhe djali tashme mbi të 20-tat. Fatmir Koka ishte një kapter, por me legjendën që shkroi u ngrit mbi dhjetëra gjeneralë…/m.j
Çfarë historie..?! Sa e trishtë, aq edhe frymëzuese për të gjithë ata që e duan dhe e mbrojnë vendin e tyre..