Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka dënuar dhunën e mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë, duke thënë se ishte një akt i shëmtuar që i rrënon imazhin vendit, ndërsa bën thirrje për gjakftohtësi dhe kërkon që problemi të zgjidhet me mjete politike.
“Ngjarjet e mbrëmshme janë ngjarje që duhet gjykohen, që duhet dënuar nga çdo parti politike nga të gjithë qytetarët e RM-së, është një akt i shëmtuar. Të dhunosh përfaqësuesit e popullit, të dhunosh tempullin ku qytetarët presin që të prodhohet vlera dhe demokracia dhe të sillesh si vandal do të thotë është një akt i turpshëm i dënueshëm dhe me pasoja që rrënon imazhin e RM-së, imazhin qytetarëve të RM-së dhe si një akt i tillë i shëmtuar duhet dënuar”, tha Ahmeti.
Ai me këtë rast u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë, dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik, por problemi të zgjidhet me mjete politike.
BDI-ja sipas Ahmetit nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga Ivanov sepse sipas Ahmetit Ivanovi nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit.
“Mendojmë që Ivanovi është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit dhe nuk mendoj që vendimi në kryesi do të jetë që ne t’i përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhet përdorur mekanizma tjerë për ti ulur palët, për ti ulur gjakrat në fillim dhe tani të shihet se cilat masa duhet mare për veprimet e ardhshme”, deklaroi Ali Ahmeti, përgatiti Koha. (b.an)










