Juristja Alesia Balliu, e cila u përjashtua ditën e djeshme nga PD e Elbasanit, tha sot në një intervistë televizive se me këtë vendim, Sali Berisha e renditi krah Azem Hajdarit (i cili po ashtu ishte përjashtuar nga PD).
“Jam lartësuar pasi Sali Berisha më ka privilegjuar duke më vënë në krah të demokratëve, në krah të individëve që guxojnë e luftojnë, në krah të individëve që ngrenë zërin. Më ka renditur në krah të Azem Hajdarit. Për mua është privilegj të renditem në krah të Azem Hajdarit. Ky përjashtim është bërë sepse unë hodha kandidaturën për kryetare të PD-së. Berisha e merr këtë vendim sepse ka frikë garën dhe mendimin ndryshe”, tha Balliu.
Ajo shtoi më tej se Berisha është shkaku kryesor që PD sot është në opozitë. Sipas saj, eksponentë të lartë të PD-së janë të lidhur me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk e lejon askënd që mendon ndryshe nga ai që të garojë dhe që kjo parti të ketë meritokraci. Ai e ka shndërruar këtë parti në funksion të tijin personal dhe rrethit të tij të ngushtë klientelist. Sali Berisha është shkaku kryesor pse opozita sot është në opozitë dhe pse opozita sot nuk vjen në pushtet. Individë të PD-së janë të lidhur me qeverinë dhe bëjnë pazare, dhe nëpër media bëjnë sikur e sulmojnë qeverinë. Berisha po përdor metodat e Enver Hoxhës për të përjashtuar çdo zë kundër. Linja ime ka qenë linjë kundër Berishës, jo kundër PD-së. Berisha është kundër drejtësisë dhe ndërkombëtarëve. Sot dëmin më të madh Shqipërisë po ja bën vetëm Sali Berisha, duke mbajtur peng opozitën dhe duke lënë PS-në pa kundërshtarë”, shtoi Balliu.
Ajo nuk i kurseu akuzat as ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokës, për të cilin tha se ka horizont të kufizuar mendor. Sipas Balliut, roli i Nokës në PD është ai i gomarit të Sali Berishës.
“Kur del Flamur Noka në konferencë për mediat, edhe mikrofonat rrinë serioz. Jo nga respekti, por nga frika se çfarë budallallëku do thotë. Pasi ky person ka një horizont të kufizuar mendor. Roli i tij në PD është roli i gomarit të Sali Berishës, si gomari i Sanço Panços. Sot Noka nuk përfaqëson opozitën”, përfundoi Balliu.











