Nga Prof. Paskal Milo
Aleks Buda si personalitet i shkencës dhe i kulturës shqiptare nuk është studiuar e vlerësuar akoma në të gjithë dimensionin e tij. Ai ishte dhe mbetet profesor i kombit shqiptar sepse vlera e studimeve e të ligjërata0ve të tij, i kanë kapërcyer kufijtë e auditorëve universitare e të sallave të konferencave kombëtare e ndërkombëtare. Jeta dhe vepra e tij prej dijetari sipëror ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e shkencës historike shqiptare e në atë të albanologjisë në tërësi. Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë duhet parë edhe në një këndvështrim tjetër, të veçantë që pak është folur e shkruar. Është fjala për Aleks Budën si diplomat e për marrëdhëniet që pati me mjediset politike, diplomatike e shkencore ndërkombëtare.
Ai nuk mbaroi ndonjë shkollë të posaçme diplomacie as edhe shërbeu ndonjëherë në shërbimin diplomatik shqiptar. Po të dëshironte të gjitha dyert e diplomacisë jo vetëm shqiptare, por edhe evropiane do të ishin të hapura për të. Nuk u josh nga karriera e mirëfilltë diplomatike, por u bë një ambasador i shkëlqyer i Shqipërisë, i kulturës dhe i shkencës shqiptare falë disa cilësive të jashtëzakonshme që zotëronte, të trashëguara e të kultivuara. Aleks Buda ka qenë subjekt dhe objekt i diplomacisë shqiptare. Ai kontribuoi në mënyrë aktive përmes pjesëmarrjes direkte në misione të rëndësishme diplomatike, si konferenca ndërkombëtare, delegacione parlamentare e në shoqërimin e personaliteteve të spikatura të politikës evropiane.
Profili i tij i lartë si njeri i edukuar me vlera humane e perëndimore e si një autoritet shkencor shumë i respektuar ka bërë që natyrshëm ai të ndodhej në qendër të vëmendjes kur referonte e diskutonte e të zgjonte kërshëri e tërheqje për ta dëgjuar. Regjimi komunist i ka dashur personalitetet e shkencës, të letërsisë, të kulturës e të artit, aq sa është gjykuar se u shërbenin interesave të tij. Kështu ka ndodhur edhe me Aleks Budën. Është çmuar e mbështetur për aq sa u duhej, por jo për aq sa meritonte. Aleks Buda kishte qasjen e vet kritike ndaj disa veprimeve e qëndrimeve në politikën e jashtme të shtetit shqiptar. Jo vetëm bënte sugjerime të matura me iniciativën e vetë kur e gjykonte të arsyeshme, por vetë Ministria e Jashtme në mënyrë të rregullt kërkonte mendime nga Akademia e Shkencave nën drejtimin e Aleks Budës për çështje të rëndësishme me interes kombëtar.
KONFERENCA E PAQES
Aleks Buda me kapacitetin e tij si historian ka marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 si anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar. Në fillim, në korrik ai u caktua anëtar në delegacionin jo zyrtar që do të shkonte në Konferencë si vëzhgues nën kryesinë e Kahreman Yllit në atë kohë ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Francë. Në përbërje të delegacionit do të ishin edhe Behar Shtylla, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme; Dhimitër Popa, diplomat me përvojë; Pëllumb Dishnica, Shefqet Musaraj e Llambi Dishnica. Por disa ditë më vonë kur Shqipëria u ftua zyrtarisht për t’u dëgjuar në Konferencë me rastin e diskutimit të projekt Traktatit të Paqes me Italinë, përbërja e delegacionit shqiptar ndryshoi.
Në krye të tij përkohësisht u caktua Hysni Kapo, ministër i Shqipërisë në Beograd, ndërsa u shtua ministri i drejtësisë, Manol Konomi, Misto Treska e Sali Angoni. Aleks Buda jo vetëm mbeti anëtar por u shtua edhe një historian tjetër, Petraq Pepo. Profesor Buda së bashku me kolegun e tij Pepo studiuan urgjentisht në ditët e fundit të korrikut dhe në dhjetëditëshin e parë të gushtit literaturë e dokumente për çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit 1919-1920, veçanërisht për kufijtë shqiptarë. Ishte koha kur qeveria greke e Kostandin Caldarisit kishte ngritur pretendime në Konferencë për kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe për ndëshkimin e saj si shtet aleat i Boshtit fashist. Detyrë kryesore e delegacionit shqiptar do të ishte që të hidhte poshtë me fakte dhe argumente pretendimet greke, të cilat kishin edhe mbështetjen e hapur të disa qeverive perëndimore. Këto fuqi do të shënonte në atë kohë, Prof. Buda “na kanë mohue të drejtat tona. Qëndrimi i anglo- saksonëve nuk asht i drejtë; e njofin realitetin e megjithatë nuk na ndihmojnë…”. Kjo vështirësi e bënte edhe më të rëndësishme detyrën e dy historianëve për t’i dhënë udhëheqjes së delegacionit argumente sa më të mbështetura e bindëse.
Aleks Buda si drejtor i Bibliotekës Kombëtare rrëmoi e gjeti në fondet e saj gjithçka sa kishte, ndërsa Pepo shkoi në Korçë e mori nga biblioteka e qytetit gjithë dokumentet, letrat e memorandumet e Konferencës së Parisit 1919-1920 që ndodheshin aty. Kontributi i Prof. Budës nuk ka qenë vetëm në grumbullimin e fakteve historike e në paraqitjen e argumenteve që zunë vend edhe në fjalimin e Enver Hoxhës para Konferencës, por edhe në hartimin e dokumenteve të tjera në mbrojtje të kufijve shqiptarë e për çështjen e dëmshpërblimeve, reparacioneve e restitucioneve të Luftës. Prof. Buda e kolegu i tij Pepo morën pjesë në mjaft debate të hapura që organizoheshin jashtë Konferencës dhe kundërshtuan pretendimet greke. Në shënimet që ka lënë ai kujtonte se “dëgjuesit u kushtonin vëmendje çështjeve që ngrinim ne që i ndriçonim në një dritë të re”.
Imazhi për një vend është i lidhur ngushtë edhe me atë që njihet si diplomaci publike, domethënë me aftësinë e një shteti që përmes instrumenteve e metodave të ndryshme ta bëj atë sa më të pëlqyeshëm e sa më tërheqës në sytë e njerëzve në vendet e tjera. Pa dyshim që personalitetet e shquara të shkencës, të letërsisë, artit, kulturës, etj., luajnë një rol të pazëvendësueshëm me veprimtarinë e tyre në promovimin e vëndit. Aleks Buda ka qënë një prej tyre, ndër të paktët që ka pasur e ka Shqipëria. Shpesh, të huaj, kolegë të tij apo edhe politikanë të rangjeve të larta kanë vënë në dukje cilësitë e tij të vyera si diplomat por ai me modesti nuk pranonte të quhej i tillë. Kultura e tij e thellë dhe e gjithanshme, artikulimi mjeshtëror në shumë gjuhë të huaja, natyra e tij e butë dhe shpenguese vetvetiu impononte respektin e auditorëve, të konferencave, të takimeve por edhe të tavolinave. Shumë të huaj shfaqnin habi pse jo edhe zili e xhelozi që Shqipëria kishte një thesar të tillë shkencor e kulturor.
Kujtimet e Prof. Budës janë të kursyera në këto vlerësime por jo arkivat për sa ka qenë e mundur të dokumentojnë. Nuk duhet harruar se diplomacia shqiptare autocensurën e kishte normë dhe askush nuk duhej të vlerësohej më shumë e me superlativa se sa kreu i regjimit komunist. Por atje ku kishte me tepri vlera e që mund të shfrytëzoheshin edhe në favor të regjimit ato edhe lejoheshin të shfaqeshin gjithnjë në mënyrë të kontrolluar.
VIZITA E FRANC JOZEF SHTRAUS
Kur në Shqipëri erdhi për herë të parë për vizitë, në gusht të 1984, “la bête noire”, siç e cilëson Prof. Buda, Franc Jozef Shtrausin, të gjithë u habitën, madje edhe vetë kryetari i Akademisë së Shkencave. Shtrausi në sytë e shqiptarëve ishte paraqitur si përfaqësues tipik i “militarizmit dhe i revanshizmit” gjermanoperëndimor. Për liderin historik të socialdemokracisë gjermane, Vili Brandt-in ai ishte “sundimtar e rebel” e për shumë gjermanë ishte personalitet kompleks dhe i kontestueshëm. Për vete, Shtrausi kishte gjetur të thoshte se nuk ishte as shenjtor por as edhe demon. Pikërisht ky gjerman, disa herë ministër në qeveritë e Bonit, kryetar i partisë Bashkimi Kristian Social dhe kryeministër i Bavarisë, u lejua të vinte në Shqipëri nga njeriu që e kishte akuzuar deri në ekstrem, Enver Hoxha. Shtrausi në pritjen për të marrë vizën për në Shqipëri, i kishte shprehur dëshirën një miku të tij profesor, se dëshironte të takonte Enver Hoxhën. Profesori që e njihte Shqipërinë i kishte thënë se do të ishte e vështirë dhe i kishte sugjeruar që të takonte kryetarin e Akademisë së Shkencave “i cili di mirë gjermanisht dhe është në gjendje të flasë për çdo problem”. Ky informacion i ardhur nga ambasada shqiptare në Vjenë u lexua nga Enver Hoxha dhe ishte ai pa dyshim që vendosi që Prof. Buda të shoqëronte Shtrausin.
Vizitat e Kryeministrit të Bavarisë në Shqipëri janë temë më vete, sigurisht interesante për t’u studiuar e për të shkruar e kjo është çështje tjetër. Ajo çfarë ka lidhje me Aleks Budën është habia dhe kënaqësia që ndjeu Shtrausi që gjeti një gjermanishtfolës të shkëlqyer që ishte shkolluar e rritur në Austri, fillimisht në Salzburg, afër Bavarisë, që recitonte Gëten, Hajnen e të tjera yje të letërsisë gjermane, që ndante me të greqishten e vjetër dhe vargjet e Homerit e diskutonin deri edhe për Pirron e Epirit. I magjepsur, Shtrausi jo pa humor, por edhe si vlerësim të lartë e shumë miqësor i propozoi kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë postin e shefit të propagandës të partisë së tij. Nëse Shtrausi filloi ta shikojë me simpati Shqipërinë, padyshim që një nga arsyet ka qenë edhe “i famshmi Prof. Buda” siç shprehej ai.
VIZITA NE GREQI
Aleks Buda ishte shkencëtar i përmasave ndërkombëtare. Profili i tij i lartë akademik shpesh rezononte edhe domethënie politike. Në fund të vitit 1985 i ftuar nga Akademia e Shkencave të Greqisë, ai vizitoi Athinën si kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pasi ishte marrë edhe miratimi i udhëheqjes më të lartë. Vizita bëhej në rrethanat kur marrëdhëniet shqiptaro-greke ishin për mirësuar ndjeshëm. Vetë ministri i Jashtëm grek i kohës dhe pas 20 vitesh edhe president i Greqisë, Karolios Papulias u kujdes për këtë vizitë dhe shprehu dëshirën për ta takuar Aleks Budën dhe për të qenë i pranishëm në sallë, ku ai do të mbante ligjëratën. Papulias e vlerësoi vizitën si kontribut “në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis të dy vendeve”.
Ambasada shqiptare në Athinë raportonte në Tiranë se pjesëmarrja e Papuliasit në konferencën që mbajti Aleks Buda në Akademinë e Shkencave “ishte një veprim politik”. Ende pa u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave, historiani elitar shqiptar që shkëlqente në konferencat ndërkombëtare, veçanërisht në ato kongrese që organizoheshin nga Shoqata e Studimeve të Evropës Juglindore (AIESEE) çmohej, jo vetëm si dijetar, por edhe si personalitet, që mund të dëgjohej nga udhëheqja e lartë politike e shtetërore e vendit të tij. Ndaj edhe disa udhëheqës komunistë të Evropës Lindore si Nikolae Çaushesku i Rumanisë, Teodor Zhivkovi i Bullgarisë dhe Valter Ulbrihti i RDGJ, kanë kërkuar që përmes Aleks Budës t’i përcillnin Enver Hoxhës mesazhe për normalizimin e zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
LARG POLITIKES
Aleks Buda ka qenë sa i zgjuar, aq edhe i kujdesshëm për të mos u kompromentuar me misione të tilla delikate politike. Ai i qëndroi larg angazhimit politik për shkak të formimit të tij perëndimor, bindjes së tij se shkenca e historia ishin fushat e tij të veprimit e kënaqësia e jetës. Prof. Buda i ka shërbyer Shqipërisë, historisë, shkencës e kulturës shqiptare. Nëse në momente të caktuara këto shërbime të çmuara kanë përkuar edhe me interesat e regjimit komunist ose janë shfrytëzuar prej tij, këtu nuk ka asnjë faj e përgjegjësi historiani i madh, apo shkrimtarë, shkencëtarë e artistë të tjerë të mëdhenj. Vepra dhe mbijetesa e tyre ishte shumë më e rëndësishme për Shqipërinë e për kombin se sa përdorimi i emrave të tyre për reklamën politike të regjimit.
Aleks Buda në heshtje nuk pajtohej me rrjedhjen e punëve në Shqipëri, me luftën e klasave, me mungesën e lirive, me persekutimet politike dhe me kufizimet drastike të kontakteve njerëzore, shkencore e kulturore me botën e jashtme. Për shkak të personalitetit të tij shkencor e kulturor ai ka qenë ndër njerëzit që udhëtonte e kontaktonte me kolegë të huaj në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Ai e cilësonte të shëmtuar urdhrin e dhënë për të mos kontaktuar e për tu kthyer kurrizin diplomatëve e shkencëtarëve amerikanë e sovjetikë në takime e konferenca ndërkombëtare. Prof. Buda nuk mund të pajtohej me një politikë të tillë e së bashku me të tjerë të pakët shqiptarë, takoheshin fshehurazi me kolegët e tyre të huaj, por edhe kosovarë, bisedonin e diskutonin me ta. Prof. Buda censurohej në kontaktet ndërkombëtare. Ftesat në adresë të tij për kongrese, konferenca, simpoziume ndërkombëtare, për ligjërata universitare ose në kuadër të shkëmbimeve akademike ishin të shumta.
Po kështu shumë shkencëtarë të huaj me emër por edhe studiues të rinj i drejtoheshin atij për t’i ndihmuar për të ardhur në Shqipëri për kërkime arkivore e bibliografike, për ekspedita shkencore e universitare, si dhe për aktivitete në fushën e albanologjisë. Veçanërisht ftesat më të spikatura i vinin nga RFGJ, nga universitete të ndryshme, akademi landesh, shoqata ‘Maks Plank’, Shoqata e Studimeve të Evropës Juglindore në Mynih, etj. Filtri i parë i gjykimit politik nëse duheshin pranuar ose jo ftesat apo propozimet që vinin nga jashtë ishte Ministria e Jashtme, ndërkohë që filtri i dytë ishte Këshilli i Ministrave dhe i treti dhe më i rëndësishmi, udhëheqja më e lartë partiake. Për herë të parë në RFGJ, Prof. Buda shkoi në vitin 1981 me ftesë të Universitetit të Bonit, por që zhvilloi ligjërata edhe në disa universitete të tjera të vendit.
Pas këtyre ligjëratave të suksesshme vërshuan ftesa të tjera nga universitete të ndryshme por posaçërisht nga Shoqata e Evropës Juglindore në Mynih. Për këtë Shoqatë kryetari i Akademisë së Shkencave që në vitin 1981 i kishte bërë një relacion të detajuar Ministrisë së Jashtme në të cilën argumentonte se ishte e rëndësishme që të vendoseshin lidhje e shkëmbime shkencore me të. Por në këtë ministri ishte rrënjosur paragjykimi se kjo Shoqatë merrej me “punë agjenturore”, se financohej nga qeveria federale për interesat e saj dhe se ajo mbante lidhje me shkencëtarë shqiptarë në emigracion me bindje antikomuniste (Martin Camaj, Stavro Skëndi, etj.). Për rrjedhojë të gjitha ftesat që vinin nga kjo Shoqatë për Aleks Budën për të marrë pjesë në konferenca shkencore e për tu bërë anëtar korrespondent i saj refuzoheshin me pretekste të ndryshme.
Madje në vitin 1985 u krijua një farë shqetësimi për të mos thënë edhe dyshimi se cila ishte arsyeja që kryetarit të Akademisë së Shkencave i dërgoheshin kaq shumë ftesa nga RFGJ. Prof. Buda detyrohet t’i bëjë të ditur Ministrisë së Jashtme ftesat që i kishin ardhur nga viti 1982 deri në vitin 1985. Në të njëjtën kohë siç edhe shkruhet në kujtimet e tij, kundër vullnetit, i imponuar nga politika e mbyllur që ndiqte regjimi, detyrohej tu përgjigjej në mënyrë mohuese shumë ftesave. Vetëm pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve në tetor 1987, Shoqata e Evropës Juglindore filloi të shihej me sy tjetër në Tiranë. Në nëntor 1987 kjo Shoqatë organizoi në RFGJ një simpozium për ekonominë shqiptare e atë gjermano- perëndimore ku morën pjesë edhe disa studiues shqiptarë. Një vit më vonë, zëvendëspresidenti i kësaj shoqate erdhi në Tiranë, u prit nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe realizoi një vizitë studimore.
Shoqata në vitin 1988 përsëriti propozimin e saj për ta zgjedhur Prof. Budën anëtar korrespondent të saj që më në fund u pranua edhe nga qeveria shqiptare. Vizita e fundit e Aleks Budës në RFGJ ishte ajo e kryer në prill 1988 me ftesë të Akademisë së Shkencave të Bavarisë ku u prit me nderime të veçanta jo vetëm nga kolegët e tij por edhe nga kryeministri Shtraus. Jo vetëm aty por edhe në Austri, në atdheun e tij të dytë siç do ta nënvizonte vetë Prof. Buda ai çmohej e respektohej shumë. Çdo vlerësim që bëhej në adresë të tij në të gjitha vendet që shkonte ishte njëkohësisht vlerësim për Shqipërinë.Ishte personi që kishte shpirtin iluminist të rilindasve, kulturën dhe edukatën gjermanike, pasionin për historinë, zemërgjerësinë e dashurinë njerëzore që e bënë një model për dje, për sot e për nesër jo vetëm për historianët, shkencëtarët e intelektualët por për të gjithë shqiptarët.
BW/d.i.