Nga Jakin Marena
Pjesëmarrja e këngëtarit kroato-serb Goran Bregoviç në festën e birrës në Korçë ishte vetëm preteksti për të shpërthyer në debate të forta ndërshqiptare, në të dy anët e kufirit.
Janë investuar shumë në këtë përplasje duke treguar se prapa saj qëndrojnë qarqet politike të interesuara për të ngritur nivelin e sherrit, për interesa të ngushta elektorale ose loje politike.
Fakt është se në Kosovë më 17 tetor të këtij viti zhvillohen zgjedhjet vendore, për të cilat Vetëvendosja e Albin Kurtit pretendon të realizojë një fitore të madhe për t’ia bashkangjitur fitores së mëparshme në zgjedhjet parlamentare.
Madje vetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati ‘luksin’ që në kulmin e pandemisë në Kosovë, të bënte thirrje në drejtim të diasporës që të nxitojnë e të regjistrohen për të pasur një pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 17 tetorit.
Themi pati ‘luksin’ pasi në Kosovë e kanë kaluar 1 mijë vetët në ditë të infektuarit me Covid dhe sidomos me variantin “Delta” çka mund të kthehet në fundjavat turistike dhe në një “minë me sahat” për Shqipërinë që e pret në bregdetin e saj këtë dyndje masive të premten, të shtunën dhe të dielen dhe rreziku i përhapjes së infeksionit është i madh. Ka dhënë dhe efekte deri më tani, pasi ka shtim rastesh dhe në Shqipëri, sidomos në moshat e reja. Pra më shumë plazhistët!
Albin Kurti që qëndron pas këtyre përplasjeve për Bregoviç po mendon për zgjedhjet dhe aspak nuk është i shqetësuar për faktin se një kompani private shqiptare e birrës ka thirrur për të performuar këngëtarin kroato-serb.
Themi kroato-serb ndryshe nga “patriotët” në të dy anët e kufirit që e cilësojnë serbo-kroat, sepse Bregoviçi babanë e ka pasur kroat dhe nënën serbe. Pasi po të vepronim si këta ‘patriotë’ atëherë dhe fëmijët e Sali Berishës do të quheshin serbo-shqiptarë apo ata të Albin Kurtit norvegjezo-shqiptarë. Nëse ndiqet linja e nënës sipas kutit të “patriotëve” me Bregoviçin, të kuptohemi.
Pra, kreu i qeverisë së Kosovës njëherësh dhe i Vetëvendosjes më shumë se për patriotizëm po mendon për shtimin e votave në Kosovë, duke përdorur këtë “patriotizëm”, të cilin ndoshta në kohën e luftës pjesa më e madhe e atyre që po sulmojnë Shqipërinë për afri me serbët nuk e kanë shfaqur pasi nuk kanë shkrehur një pushkë kundër serbit, apo më keq kanë qënë duke u “thekur” në plazhet e Shqipërisë. Për fat e kemi përcjellë atë kohë, dhe si gazetarë!
Një “gozhdë” tjetër ku “patriotët” aktualë kishin varur kauzën e tyre kundër qeverisë shqiptare, ishte ajo e kundërshtisë së “Open Balkan” nga ana e aleatëve tanë të mëdhenj!
Kosova e refuzoi pjesëmarrjen, duke atakuar direkt Shqipërinë, si pjesë e kësaj nisme, nën akuzën se po bën lojën e Vuçiç duke marrë pjesë përpara se Serbia të njihte gjenocidin që kishte ushtruar në Kosovë dhe të kërkonte falje për viktimat. Dhe pa mbështetjen e SHBA e BE!
Askush nuk e përjashton faktin se Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë, ndryshe trupat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA nuk do bombardonin Beogradin dhe trupat serbe në Kosovë dhe ta çlironin njëherë e mirë nga okupimi serbe në vitin 1999.
Nuk mund të mohohen masakrat serbe në Kosovë, ndryshe nuk do të vihej gjithë struktura e shtetit shqiptar në atë kohë në funksion të luftës, që nga lirimi i porteve dhe aeroporteve për aleatët që të intervenonin dhe në rrugë tokësore e deri tek ndihma konkrete me armë, logjistikë dhe burime njerëzore. Shqipëria ka shumë dëshmorë të kësaj lufte në Kosovë.
Por lufta ka mbaruar që në vitin 1999, e ka fituar Kosova këtë luftë, ndonëse ish komandantët e saj tashmë janë në Hagë, për shkak të vetë shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, si të akuzuar për krime lufte. Në Kosovë janë në politikë e pushtet 90 përqind e atyre që s’ka dhënë asnjë kontribut për këtë luftë.
Luftëtëtarët e vërtetë janë lënë pas dore dhe kjo është e certifikuar zyrtarisht nga ankesat e vetë shoqatës së ish luftëtarëve të UÇK, apo për faktin se për gjithçka flitet, vetëm për kontributin e UÇK që solli Kosovën që është sot, duket sikur është e ndaluar të flasësh.
Pra Kosova është fituese e luftës me Serbinë falë SHBA dhe vendeve anëtare të BE e të NATO-s që e çliruan. Tani Kosova duhet të fitojë dhe paqen, duke u përfshirë në të gjitha nismat rajonale, që janë dhe me mbështetjen e SHBA dhe të BE.
Ballkani i Hapur, ku deri më tani merr pjesë vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia e që është një nismë që hap tregjet për lëvizjen e lirë të mallrave, investimeve, njerëzve dhe kulturës, nuk është një mbivendosje për aspiratën e këtyre vendeve për t’u integruar në BE. As dhuratë për Serbinë për të krijuar atë që kundërshtarët e saj e quajnë “Jugosllavi e tretë”. Aspak.
Nuk mund të krijohet as shtet dhe as organizëm në Ballkan e më gjërë pa “lejekalimin” e SHBA dhe BE, ta harrojnë njëherë e mirë të gjithë “patriotët” e mëdhenj në Kosovë dhe në Shqipëri, sado mburren se mbrojtën kufinjtë dhe Kosovën.
Asnjëherë Shqipëria dhe asnjë vend ballkanik nuk ka vendosur vetë për kufijtë, dhe kur kanë qënë kundër nuk kanë arritur në asnjë rast të ndryshojnë gjë, asnjë centimetër nuk kanë lëvizur. Kanë vendosur dhe do vendosin gjithnjë të mëdhenjtë. Ndaj bërja si i fortë i Ramush Haradinajt, Albin Kurtit në Kosovë apo e Sali Berishës e Ilir Metës në Shqipëri, është një mentalitet kalamani, madje kalamani të keq!
Ajo që mund të themi është se “Ballkani i Hapur” është një produkt i iniciuar dhe mbështetur nga SHBA dhe BE. Vetë kundërshtarët e kësaj nisme e detyruan SHBA-në dhe BE-në që të reagojnë zyrtarisht në mbështetje të “Balkanit të Hapur”, teksa panë se “patriotët” në të dy anët e kufirit spekulonin me faktin se partnerët tanë nuk janë prononcuar asnjëherë zyrtarisht pro saj.
Në fillim reagoi vendi kryesor i BE, Gjermania që përmes zëdhënësit të qeverisë së Merkel nënvizoi se “çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”. Duke deklaruar se është një nismë që i ka rrënjët të Samitin e Berlinit.
Pra BE e mbështet këtë nismë. Por duke qënë se asgjë në hapësirën shqiptare nuk i shpëton keqinterpretimit, detyrohet dhe vetë SHBA që të japë mbështetjen zyrtare.
I pyetur nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, të përqafuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo nga vende të tjera në rajon, zëdhënësi i DASH thekson përmes deklaratës se “SHBA u bëjnë thirrje udhëheqësve në rajon të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”. Deklarata e cilëson me rëndësi “esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike” krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal- i tillë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në BE” thuhet në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Dhe menjëherë pas DASH, ka qënë vetë BE që ka deklaruar përmes zëdhënënëses Ana Pisonero se i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal.
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara.
Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar.
Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE” tha Pisonero.
Nuk dihet se si do t’i intepretojnë këto qëndrime të SHBA dhe BE, “patriotët” tanë!
Teksa ka rënë dhe pretendimi i kundërshtarëve të “Ballkanit të Hapur” se është një nismë pa mbështetjen e SHBA dhe BE, zhvillimet tregojnë se në Kosovë dhe në politikën jashtë pushtetit në Shqipëri, në aleancë me njëra tjetrën po ndiqet një diskurs anti-SHBA.
Këtë e tregoi dhe vendimi më i fundit i Parlamentit të Kosovës që nuk miratoi rezolutën për implementimin e marrëveshjes së Uashingtonit me Serbinë, të nënshkruar nga ish kryeministri Abdullah Hoti dhe Presidenti Aleksandër Vuçiç në prani të ish presidentit amerikan Donald Trump. Një kundëvënie e qartë ndaj SHBA, pasi ka qënë dhe presidenti i ri Joe Biden ai që ka bërë thirrje për ta vijuar këtë marrëveshje.
Në Shqipëri është ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, por dhe presidenti Ilir Meta dhe ithtarët e tij ata që janë shprehur kundër nismës së “Ballkanit të hapur” duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si tradhëtar të kombit shqiptar dhe të shitur tek Serbia. Nuk lënë rast pa i përsëritur këto akuza.
Për hir të së vërtetës, Berisha dhe Meta janë njerëz në hall. Ish kryeministri demokrat është shpallur “non grata” nga SHBA për minim të demokracisë dhe korrupsion të lartë në Shqipëri dhe për pasojë kanë kërkuar që të zhduket tërësisht dhe nga jeta politike, përmes dorëzimit të mandatit të deputetit dhe distancimit të Bashës dhe PD prej tij.
Madje Sali Berisha dhe familja e tij mund të jenë dhe subjekt të drejtësisë së re, për abuzim me pushtetin dhe aferat e shumta korruptive në këtë vend, deri tek krimet si në rastin e “Gërdecit”!
Ndërsa Ilir Meta praktikisht është një president i shkarkuar dhe do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë “vulën” përfundimtare në shkarkimin e tij. Për më tepër që është nën akuza të shumta për shkelje ligji dhe korrupsion, dhe përballja me drejtësinë është e pashmangshme. Nëse do të bëhet ndonjëherë drejtësi në këtë vend.
Albin Kurti dhe ithtarët e tij në këtë përballje me SHBA-në dhe BE po veprojnë pikë për pikë siç është sjellë Berisha dhe Meta me aleatët tanë të mëdhenj. Ku Berisha padit sekretarin amerikan të shtetit dhe akuzon SHBA se ka caktuar ambasadoren Yuri Kim si “guvernatore” në Shqipëri, duke cënuar sovranitetin e vendit, ndërsa Meta herë deklaron se “do kapë për veshi amerikanët” e herë se do ta vrasin amerikanët me raketa në Malin me Gropa, dhe se raketa kanë dhe rusët.
Dhe “leksionet” e konfliktit me SHBA që Albin Kurti merr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, aleanca anti-amerikane e Kurtit me këta dy politikanë që janë gati jashtë politikës në Shqipëri, jo vetëm nuk është në shërbim të Kosovës dhe rajonit, por është një “vetëvrasje” politike dhe për vetë Albin Kurtin dhe një rrënim i imazhit të Kosovës përballë partnerëve që e bënë shtet!
Janë “leksione” që merren nga dy njerëz që po dalin nga politika për shkak të zullumeve që kanë bërë sa kanë drejtuar shtetin në Shqipëri, dhe që janë abandonuar nga SHBA-BE. Me sa duket Albin Kurti është vonë që të ndryshojë, pasi tenton të fitojë zgjedhjet vendore përmes konfliktit, por që pas kësaj rruga drejt rrënimit është pa kthim. “I mbyturi të mbyt”!