Enkel Demi ka intervistuar në emisionin e tij “Shih Programin” në TVSH, deputeten Albana Vokshi. Ja teksti i plotë i intervistës:
E.D. – Cili është komenti që ke për buxhetin e Shëndetësisë?
Ka shumë për të folur për buxhetin e Shëndetësisë apo për të ashtëquajtuarat politika të Ministrisë për shëndetësinë. A keni marrë ndonjëherë shëndetësi falas deri më sot? Kur keni marrë shërbimin e duhur pa ndërhyrje? Ne si opozitë mendojmë që kemi të bëjmë me një tjetër buxhet manipulativ dhe klientelist, ndaj votuam kundër, pasi kemi dyshimet tona që paratë e buxhetit të shëndetësisë nuk do të shkojnë tek qytetarët, por do të orientohen tek klientëla e Beqës, Ramës dhe qeverisë. Brenda dy viteve unë mendoj se e kanë shkërmoqur e kanë gllabëruar gjithë sektorin e shëndetësisë dhe kjo është arsyeja pse në denoncimet e PD-së shëndetësia ka zënë një ndër vendet e më të rëndësishëm.
E.D. – Parashikohen shkurtime të personelit mjekësor?
Orët e para të mbledhjes së komisionit të ditës së premte u fokusuam tek shkurtimet që ka paralajmëruar ministri. Janë shkresa të dërguara në të gjitha spitalet bashkiake dhe rajonale për shkurtime të konsiderueshme. Drejtorët vetëm duhet të zbatojnë urdhërin dhe ti bëjnë këto shkurtime. Sipas vetë ministrit bëhet fjalë për 5 % shkurtime të personelit shëndetësor dhe 20 % të personelit joshëndetësor. Kjo do të thotë se do kemi të larguar sanitarë, personel ndihmës, infermierë dhe jo vetëm, të cilët me një të rënë të lapsit do të hidhen në rrugë. Nuk ka asnjë studim për këtë shkurtim, megjithë pretendimin e Beqes. Një pjesë e drejtorëve kanë reaguar duke u dorëhequr. Atëherë si mundet që një ministër të shkurtojë personel në Pukë pa folur me titullatrët e institucioneve? Mendimi i tyre jo vetëm nuk është marrë parasysh, por shkurtimet janë vendosur apriori. Ky është proces për të spastruar personelin e emëruar gjatë kohës së PD-së dhe për t’u zëvëndësuar me militantë. Ministri tha se do të shkurtohen 338 persona, por mua kjo aritmetikë nuk më del, pasi më rezultojnë rreth 150 shkurtime vetëm në QSUT, shto dhe ato në rrethe, mendoj se do të bëhen rreth 600 shkurtime. Pastaj, po i njëjti ministër tha se do të ketë dhe emërime vitin tjetër. Në komision u bë publik sms-ja e dërguar një deputeti të Vlorës, i cili njoftohej se ishte hapur vend në spital për një bojaxhi. Ky deputet duhej të jepte emrin e punonjësit që duhej punësuar nga rradhët e militantëve. Bashkë më fushatën “të pastrojmë Shqipërinë”, ka nisur nga socialistët dhe fushata “të spastrojmë shëndetësinë”.
E.D. – Gjithmonë kështu ka ndodhur në këtë vend. Dhe në kohën tuaj lista të ngjashme janë publikuar…
Nëse është bërë gabim njëherë, duhët ta bëjmë gjithmonë?! Kemi gabuar edhe ne, por jo në këto përmasa dhe jo në shëndetësi. Çdo gjë sot po bëhet me prapamendim.
E.D. – Po preket personel mbështetës, apo personel shëndetësor?
Për të të provuar se çdo gjë është politike po të jap një fakt. Në Tropojë nuk ka asnjë mjek, sepse kanë ikur jashtë të gjithë. Atje çdo gjë bëhet nga infermierët. Nëse i heqim dhe ato atëherë kush merret me popullatën? Shkurtimet po bëhen në emër të mos funksionimit të shtretërve. Por, nëse nuk ka mjek, nuk ka shërbim, pse do të shkojnë njerëzit në këto spitale. A erdhën këta në pushtet me moton shëndetësi falas dhe shëndetësi të barabartë për të gjithë? Jemi në vitin e tretë dhe jo vetëm që nuk ka shërbim falas, por kanë plasur shumë skandale në këtë sektor. QSUT-ja mbeti pa ujë! Në 25 vjet kjo nuk kishte ndodhur kurrë! Të gjithë ngritën duart përballë faktit të ndodhur. Kurrë nuk ka humbur jetën një qytetar se nuk punojnë mjekët në fundjavë! Pastaj, gjithçka reflektohet dhe në buxhetin e shëndetësisë. Ne dyshojmë se një pjesë e madhe e këtyre parave do të kalojë nga INTECH që është kompania de facto mbase jo de jure e zotit Beqja. Janë mbi 600 milion lekë të destinuara për shëndetësinë elektronike. Ku do të shkojnë këto para, kur në spitale nuk ka barna dhe kushte? Mjekësi me laptop do të bëjmë, kur nuk ka barna? Në vend të recetës elektronike, mendoj se më të nevojshme janë barnat. Miliona euro do të shkojnë për konçesionet, per check up-in e famshëm që ka rezultate të dyshimta. Imagjinoni. Kanë dalë 50% e grave shqiptare të alkolizura sipas përgjigjeve të atyre që i janë nënshtruar këtij kontrolli shëndetësor! Ai që ka qenë shëndosh ka dalë i sëmurë e anasjelltas! Ky është një koncension që ka dhe shumë problematika të tjera sepse i ka shkuar zonjës Nushi, e cila nuk ka patur as liçensën dhe as ekspericën. Për sterilizimin keni dëgjuar ditët e fundit. është miku i ngushtë i Beqes dhe ka përfituar tenderin. Miqësinë e tyre mund ta provoni lehtë nga rrjetet sociale dhe mesazhet që shkëmbejnë aty.
E.D. – A ka ndonjë problem nëse një emigrant kthehet në atdhe dhe fiton ndonjë tender, siç është ky i sterilizimeve?
Jo asnjë problem, nëse ky emigranti do të kishte një kompani, e cila të kishte liçensa dhe eksperincë e burime njerëzore për të bërë sterilizimin, duke qenë një proces thelbësor në mjekësi. Por fakti që është bërë një konçesion që nuk duhej bërë, flet për abuzim. Beqja gjen një herë personin dhe pastaj bën konçesionin. Gjeti Vilmën dhe bëri check up-in, gjeti tjetrin dhe bëri sterilizimin. Veç kësaj, megjithë respektin, po zonja Nushi merret dhe me tregti duhani e alkoli. Ateherë kujt do t’i japë prioritet më shumë konsumimit të duhanit dhe alkolit apo parandalimit të sëmundjeve nga alkoli dhe duhani? 120 milion euro nuk janë pak. Lidhur me sterilizimin dua të kujtoj se në vitin e fundit të qeverisë sonë është bërë një investim i madh lidhur me sterilizim në QSUT. Janë pajisje të teknologjisë së fundit, kanë kushtuar 1.3 milion euro. Duhej vetëm staf mjekësor, 4-5 njerëz për t’i trajtnuar dhe për ta vënë në funksionim. A e kupton se sa pak gjë duhej? A e kupton se sot i është dhënë këtij njeriut pajisja, stafi dhe 100 milion euro që ai i bie t’i fusë në xhep pa bërë asnjë investim? Nuk duhet të centralizohet sterilizimi, sepse nëse ndodh diçka e tillë i bie që të gjithë spitalet në të gjithë vendin të kenë problem. Ja ndodh diçka në këtë qendër, gjithë spitalet në rrethe dalin jashtë loje.
E.D. – E para, zotëria që ka fituar tenderin ka dy grupe italine me eksperincë në këtë fushë dhe e dyta ndoshta ai e ka fituar tenderin për ta bërë kudo në Shqipëri sterilizimin dhe jot a centralizojë në Tiranë?
Është shumë e qartë e shkruar kur është bërë tenderi se çfarë ka ndodhur. E gjitha si procedurë ka problematika. Ka dhe një kompani të dytë fantazëm që ka bërë ankimim. Ndërkohë, fituesi ka një kompani në Itali vetëm me një punëtor. Ka shumë fakte të tjera që ne po i publikojmë për të provuar se ky është një tender që nuk duhej bërë dhe që 100 milion euro nuk duhet të ishin hedhur kot nëpër xhepa dhe të mos shkojnë aty ku duhet në spitale, qendra mjekesore dhe barna. Beqja po shkërmoq çdo pjesë të sistemit shëndetësor për ta ndarë me klientët e tij.
E.D. – Si është kjo puna e shtëpisë në Peruxhia?
Në fakt, nuk është shumë e rëndësishme se ku është, apo nuk është e rëndësihme të diskutohet sa para harxhon Beqja për mobilimin e shtëpisë së re me rreth 400 mijë euro. Ne i kemi bërë thirrje prokurorisë të hetojë, sepse nuk është detyrë e opozitës ta bëjë këtë.
E.D. – Beqja është bërë i pasur si sipërmarrës gjatë qeverisje suaj…
Ejani të shikojmë deklaratën e pasurisë së Beqes, kur u bë ministër. Është shumë e thjeshtë, me rrogën e një ministri apo një deputeti nuk mund të bëhen pasuri. INTECH-u, kompania e tij, që merrte me zor 1 tender, sot merr 30 tendera në pak muaj.
E.D. – Nuk e keni personale me ministrin?
Nuk e kam fare personale. Unë nuk denoncoj Ilirin si fqinj, por denoncoj abuzimet në shëndetësi.
E.D. – Kjo është një betejë e opozitës apo ka dhe përfaqësues të shumicës që janë koherent me ju?
Ka çështje flagrante që nuk janë shumë politike, si për shembull testimi i mjekëve, ku ka qenë në unison me qëndrimin e PD-se edhe LSI-ja, por dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës që deklaronin se nuk duhej bërë. Rasti i shkurtimeve nga puna është sërish i tillë.
E.D. – Gjeni dhe në shumicë një rezistencë ndaj këtyre reformave?
Po, absolutish po.
E.D. – Petrit Vasili m’u duk afër opozitës gjatë mbledhjes së të premtes në komision…
Jo vetëm ai, por edhe zoti Tavo. Pra, dy ish-minista shëndetësie që kërkuan bashkë me ne raportim me detjae nga ministri për shkurtimet ne shëndetësi. 600 familje janë në rrezik për të humbur bukën e gojës. Nuk janë ata që duhet të ikin nga puna. Pastaj dua të kthej në vëmendje se çerek ore pasi u diskutua për spitalin e Tepelenës vajtën dy kontrolle në këtë spital. Çfarë të kujton kjo? A nuk janë si presionet e dikurshme që askush nuk duhet të flasë dhe ankohet. Në informacionin tim lidhur me konçesionin e sterilizimit Beqja është pyetur nga një gazetar nëse e njeh fituesin dhe ai është përgjigjur që “jo nuk e njoh fare”. Kur i është dërguar nga gazetari një foto, menjëherë ka ndryshuar qëndrim. Më pas doli se e ka edhe mik, edhe shok. Më tej është ushtruar dhe presion mbi gazetarët që po merreshin me këtë çështje. A nuk të kujton kjo diktaturën e dikurshme?!
E.D. – 8 Dhjetori, e marta e ardhshme, për ju opozitën, është ditë për të rrëzuar qeverinë. Ku është lidhja me këtë datë historike?
25 vjet më parë u rrëzua diktatura
E.D. – Edhe? Ku është lidhja?
Unë jam e bindur edhe nga çfarë ju parashtrova më sipër se ne po jetojmë në një një kohë, në të cilën ka shenja të rikthimit të diktaturës në Shqipëri. Është dita simbolike e rrëzimit të diktaturës. Kjo nuk është dita e PD-së, është ditë e të gjithë qytetarëve, e reagimit të tyre. Kjo mungon sot në shoqërinë tonë, reagimi. Ne e kemi zgjedhur si ditë të fillojmë luftën për të rrëzuar këtë diktaturë të re që po tentohet të instalohet.
E.D. – Unë nuk shikoj shumë lidhje këtu, më shumë do të shikoja, nëse do ta kishit lënë ditën e themelimit të PD-së që nuk është shumë larg. Në 8 dhjetor proteta ka nisur pas një takimi që Ed Rama dhe Dan Klosi organizuan në Akademinë e Arteve. Tani, po në 8 dhjetor ju thoni hajde të rrëzojmë Edi Ramën. Ai atë kohë ishte në të njëjtën barrikadë me ju…
Nuk e di a ka qenë, ashtu pretendon, por nuk ka qenë atje ku thotë se ishte. Rama në librin e tij “Refleksione” thotë se Partia e Punës duhet të dalë jashtë ligji. Por, në fakt çfarë po ndodh? Ai po e drejton vëtë këtë parti, duke rikthyer çdo gjë që kanë bërë etërit e tij. 8 dhjetori nuk është një ditë proteste vetëm për simpatizantët e PD-së, por për çdo qytetar që ka arsye që të protestojë kundër qeverisë, që i shkelen me këmbë të drejtat. Çdo shqiptar e ka një arsye për të dalë në shesh. E ka, sepse nuk mori shëndetësi falas, e ka sepse 97 % e shqiptarëve nuk jetojnë më mirë, po aq kanë të gjitha çmimet më të larta nga nafta, ushqimet e deri tek energjia. 97 % jetojnë shumë më keq sesa dy vjet më parë. Qytetarët do të dalin jo në një protestë si 21 Janari, por në një protestë paqësore.
E.D. – Kjo situatë e vështirë ishte më 8 gusht, kështu ishte në 8 shtator, kështu ishte në 8 tetor, nëntor e kam frikë kështu do të jetë dhe në 8 janar. Pse ju keni pritur 8 dhjetorin dhe nuk i keni bërë më parë këto protesta?
Ka 2-3 muaj që çdo ditë kreu i PD-së ka shkuar jo në qendrat e qyteteve, por në fshatra për të dëgjuar hallet dhe parë problemet në terren.
E.D. – Po shkohet për të dëgjuar hallet me kamera, duke bërë PR?!
Po, sigurisht që shkohet se është kryetar partie. Nuk janë vetëm militantë. E di që më së shumti na ankohen socialistë? E vetmja gjë që funksionin në këtë qevri është vetëm propaganda. Kurse, ne po shkojmë atje ku janë njerëzit, ku janë hallet, jo nëpër salla. Rama nuk takon njerëz. Çdo gjë e ka me regji. Ne mund të kemi gabime të tjera, por jo këtë lloj marrëdhënie që lidershipi po ndërton me qytetarët.
E.D. – Në 8 dhjetor do protestoni e pastaj do të ikni, apo do të qendroni në shesh për një kohë të pacaktuar?
Këtë nuk di ta them. Detajet ende nuk janë diskutuar.
E.D. – Nuk ka rrezik që po bëheni si Rama në opozitë? A po përsëriten skenarët?
Ne nuk do të bëjmë 21 janar, pastaj çdo lloj proteste jo e dhunshme është demokratike.
E.D. – A do të ishte sakrilegj bashkëpunimi me Ilir Metën për të rrëzuar qeverinë?
Politika ka vërtetuar se asgjë nuk është sakrilegj, por unë dua të shpreh bindjen time personale, jo në emër të PD-së, pasi Basha tashmë është shprehur për këtë mundësi dhe është shprehur kundër. Por për mua, ne nuk duhet të gjejmë shpëtimin e PD-së në faktorë të jashtëm. Ne duhet të punojmë brenda PD-së me strukturat, të bëjmë atë lloj opozitarizmi të përshtatshëm me këtë qeveri që për mendimin tim është qeveria më e keqe në 25 vite.
E.D. – Reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi do të kenë votat e opozitës?
Dekriminalizimi është një fitore e PD-së, sepse ka qenë e para që e ka ngritur zërin për dekriminalizimin e Parlamentit, qeverisë, administratës. Sigurisht, që mesa jemi vënë në dijeni është rënë dakord tashmë mes palëve për procesin e dekriminalizimit, pavarësisht se PD-ja insiston në futjen e testit të drogës në këtë proces dhe kam bindjen se pa u bërë dekriminalizmi nuk mund të bëjmë reformën në drejtësi. Cilët deputetë të inkriminuar do të miratojnë reformën në drejtësi? Absolutisht, është urgjente reforma në drejtësi, por me kushtin që të mos përdoret nga Rama si mjet lufte ndaj kundërshtarit. Rama nuk duhet të jetë dhe kryeministër dhe kryetar SHIK-u dhe kryeprokuror dhe kryegjyqtar. Në një reformë për drejtësi të gjetur të mirë midis palëve, ne sigurisht do të japim votën. Por duhet dekriminalizimi dhe më pas refroma në drejtësi.
E.D. – Ju do e jepni votën pavarësisht sesi do të shkojë çështja e testit të drogës?
Ne do të ngulmojmë deri në fund për testin e drogës, sepse një person i cili është përdorues droge shpesh nuk e ka mendjen e kthjellët dhe vendimet që do të marrë nuk do të jenë as ato të kthjellëta. Një përdorues droge nuk mund të vendos për fatin e qytetarëve. Kushdo qoftë i varur nuk i mjafton rroga për ta blerë drogën, prandaj kushdo qoftë ky person do të mundohet të gjejë paratë në rrugë të tjera jo të ligjshme për të blerë drogën. Unë do ta bëja që nesër dhe nuk më duket aspak qesharake që ta bëjnë të gjithë. Çfarë shembulli do t’i japim të rinjve, nëse ashtu si thuhet, mbajmë një kryeministër përdorues droge? Deri tani është provuar se Edi Rama e ka mbushur sallën e Kuvendit me persona me të shkuar kriminale. Pse, sepse vetëm të tillë mund të paguanin. A nuk iu hoq e drejta e mandatit dy grave në Lezhë për të futur nëparlament Arben Ndokën? Ne, ligjvënëset kemi trokitur në dyert e çdo institucioni zyrtar dhe ambasade për të mbrotjtur të drejtën e atyre grave, njerës prej të cilave iu rrëmbye dhe i afërmi. E ku jemi sot?!
E.D. – Po pse iku opozita kur u votua imuniteti i Tom Doshit?
Ne ikëm se nuk ishim dakord me procedurën e ndjekur, por ne të gjithë kërkonim heqjen e imunitetit të Tom Doshit.
E.D. – Përgjegjësi e kujt është disfata në zgjedhjet vendore?
Pd-ja e ka nisur një analizë. Janë bërë dy mbledhje kryesie për të diskutuar këtë. Ende nuk ka përfunduar si analizë për të nxjerrë qartë shkaqet reale të humbjes. Unë do të dëshiroja që analiza të bëhej e thelluar dhe e detajuar dhe të nxirrte realisht problemet që ne kemi patur në dy zgjedhjet e fundit. Do isha shumë e kënaqur nëse analiza do të evidentonte shkaqet dhe shkaktarët. Nuk dua që kjo të kthehet kurrsesi në gjueti shtrigash, por që fenomene që ndodhën në zgjedhjet e fundit të mos përsëriten në zgjedhjet e tjera. Analiza dhe marrja e përgjegjësive duhet të jetë qoftë horizontale, qoftë vertikale që nga anëtari i fundit i PD-së tek kryetarët e grupseksioneve, degëve dhe deri tek kryetari i partisë. Duhet parë nëse ka patur zgjedhje të gabuar të kandiddatëve, mungesë vizonit të tyre apo shkëputje të strukturave të PD-së.
E.D. – Me këto ritme a ka gjasa që analiza të shkojë deri në vigjilje të zgjedhje të ardhsme?
Po shkon pak me gjatë, por kjo qeveri është qeveria e skandaleve dhe grupi parlamentar duhet të jetë i përqendruar për të bërë opozitë reale, pasi duhet bërë dhe opozitarizëm në qendër, por edhe në bazë.
E.D. – Në 8 dhjetor do të bëni një protestë për largimin e qeverisë. Udhëeqja e sotme çfarë lidhje ka me dhjetoristët?
Mendoj se vokacioni, qëllimi, objektivat janë të ngjashme me ato të para 25 viteve, por kushtet nuk janë të njëjta
E.D. – Opozita e asaj kohe ka qenë shumë frymëzuese. Opozita e sotme sa është e tillë?
Çfarë po më thua nëse është frymëzues opozitarizmi që bëj edhe unë vetë? Mund të them që po bëjmë makismunim. Mund të bënim edhe pak më shumë në kushtet kur ka shumë qytetarë që kërkojnë që ne të reagojmë më fort. Qytetarët ashtu si 25 vjet më parë kërkojnë që të dalim në rrugë, në protesta. Mund të ishte bërë më shumë për ligjin për Arsimin e Lartë, nuk bëmë aq sa duhet në mbështetje të studentëve. Ne ishim kundër projekt-ligjit. Kemi bërë seanca maratonë dhe dëgjesa duke ndryshuar madje disa prej neneve të atij ligji. Por si opozitar mund të kishim bërë akoma më shumë lidhur me protestat e studentëve. Por, shpesh këto protesta janë dhe delikate, sepse ato nuk duan përfshirje të forcave politike.
E.D. – Cili është komenti juaj për deklaratat e Eduard Selamit?
Mirë është që unë most ë komentoj për komentet e kolegëve.
E.D. – Po për komentet e kryetarit Bashan ë lidhje me komentet e Eduard Selamit?
E thashë që mirë është të mos komentoj unë, por diçka duhet ta them. Edhe nëse nuk na pëlqen, Eduard Selami në ato çka thotë, ai është një njeri, i cili është themelues i Partisë Demokratike, e ka drejtuar atë, ndaj duhet dëgjuar, madje me shumë vëmendje.
E.D. – Keni koment për garën e FRPD-së?
Është një formë e re gare. Nuk do isha për një proces kaq të gjatë, por i kam qëndruar larg kësaj gare, sepse dhe impenjimet nuk ma kanë lejuar. Di që nuk mund të votojnë sipas statutit të PD-së njerëz që të paktën nuk kanë dy muaj më parë anëtarësim.
E.D. – E dini se pas Rinisë i vjen rradha Forumit të Gruas?
Ne jemi një Forum që veprojmë në bazë të programit dhe statutit tonë, ndaj dhe gara jonë do të organizohet në bazë të këtyre rregullave.