Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoan, tha se nëse humbet Jerusalemi pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, atëherë do të humbet edhe Medina dhe rrjedhimisht edhe Meka dhe Qabeja.
“Nëse humbet Jerusalemi, nuk do të mund ta mbrojmë Medinën. Nëse humbet Medina, nuk do të mund ta mbrojmë Mekën. Nëse shkon Meka, do ta humbasim edhe Qabenë”, tha Erdogan në programin e ndarjeve të çmimeve “Necip Fazil Kisakurek” në Stamboll, që organizohet nga gazeta Star dhe në të cilën shpërblehen personalitete në fushën e artit dhe letërsisë.
“Mos harroni se Jerusalemi do të thotë Stambolli, Islamabadi, Xhakarta. Medina do të thotë Kajro, Damasku, Bagdadi. Qabeja do të thotë nderi, dinjiteti dhe qëllimi i ekzistencës i të gjithë neve si myslimanë.
Ne nuk do të heqim dorë nga asnjëra prej këtyre. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’u dalë zot urdhrave të Allahut dhe amanetit të paraardhësve tanë”, shtoi presidenti turk.