Gjatë ditëve të fundit në vendin tonë është evidentuar një fushatë mashtrimi online që targeton qytetarët përmes mesazheve SMS, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si Policia Rrugore apo Posta Shqiptare.
Qytetarët njoftohen për një gjobë të papaguar apo një pako të padorëzuar dhe ftohen të klikojnë në një link që në të vërtetë të çon në një faqe të rreme që imiton një faqe zyrtare, ku përdoruesve u kërkohet të vendosin të dhënat e kartës bankare, të cilat përfundojnë në dorën e mashtruesve.
Specialisti i sigurisë kibernetike, Juled Mardodaj thotë: “Format e phishing me mesazhe janë më të përhapurat edhe në botë, jo vetëm te ne. Qëllimi është marrja e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve. Autorët janë kryesisht të huaj”.
Nisur nga kjo situatë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka bashkëpunuar me operatorët, bankat dhe institucionet për të kufizuar impaktin dhe për të bllokuar domenet mashtruese.
Megjithatë, hallka më e rëndësishme mbetet përdoruesi fundor, pra qytetarët, të cilët duhet të jenë më të kujdesshëm në lundrimin online.
“Qytetarët duhet të kenë parasysh disa rregulla bazë: Mos klikoni linke nga SMS apo email të panjohura. Verifikoni gjithmonë adresën e faqes (URL). Institucionet shtetërore nuk kërkojnë pagesa apo të dhëna bankare përmes linkeve në SMS. Mos ndani të dhëna sensitive si numrin e kartës. Në rast se merrni një SMS të tillë, raportojeni rastin tek autoritetet përkatëse”, shton eksperti.
Sipas ekspertëve, një kontroll i thjeshtë prej disa sekondash para klikimit të një linku mund të parandalojë humbje financiare dhe ekspozim të të dhënave personale. Prandaj, përpara çdo klikimi duhet kryer një verifikim dhe të dhënat personale të mos jepen në platforma të pasigurta.











