Gjatë verës së kaluar, një 37-vjeçare nga Shkodra, e cila erdhi për pushime në Velipojë nga Italia pësoi një shok emocional. Makinën ia kishin hapur me forcë dhe i kishin vjedhur kursimet e jetës. Pavarësisht se policia nuk ka një emër për autorin, 37-vjeçarja thotë se e njeh atë.
Gruaja ka treguar sot në emisionin “Me zemër të hapur” se dijeni për paratë kishte vetëm kunata dhe djali i saj, ndaj dhe i akuzon si autorë të vjedhjes.
“Erdha në shtëpi më 10 gusht, kam qëndruar në Velipojë. Nuk kisha shtëpi dhe lekët i mbaja në makinë. Janë lek gjaku. I mora me vete t’i fusja në bankë. Kisha 10 mije euro dhe 3 mijë euro bizhuteri. Dijeni për këto kishin vetëm kunata dhe nipi i burrit. Ata nuk e dinin sa para ishin, por më panë kur unë merrja lekë nga makina. Një herë më panë se u dhashë 40 euro dhe i mora nga makina”, deklaroi Emiljana.
Nga ana tjetër kunata mohoi akuzat dhe tha se ka qenë e hapur për hetime. Ajo tha se nëse i ka hak i jep dyfish të shumës, duke u betuar mbi 5 fëmijët.
“Kur i humbi lekët më tha më bëj be, i bëra, por nuk besoi dhe shkoi në polici. Ka nxjerr fjalë se i kanë hapur makinën. Kam qenë e hapur të hetohem. Nëse i kam hak, ua jap dyfish betohem mbi 5 fëmijët tim. Paratë asaj ia kanë marrë lavazheve ku çon makinën e i lë paratë grumbuj-grumbuj”, tha kunata.
Por sipas 37-vjeçares, kunata bën be të rreme. “E ka treguar kur ka pasur probleme me djalin e saj, me incizime. Punoj me djersë edhe pse jam e sëmurë. Askush nuk e dinte që unë kisha lekë. Nëse nuk i kanë marrë kunata ajo është hjekse për dikë tjetër”, tha ajo.
Kunata solli në vëmendje dhe bashkëshortin e 37-vjeçares dhe tha se ai e di si është ngjarja.
“Po pse flet vetëm Emiljana, a ka burrë kjo apo jo. Burri i saj nuk flet se e di si është ngjarja”, u shpreh kunata.
/a.r