Një gjykatës brazilian ka bllokuar emërimin e ish-Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva si shef të stafit të pasueses së tij, Dilma Rousef.
Një gjykatës federal lëshoi një vendim në të cilin thuhej se ekzistonte rreziku që një hetim gjyqësor federal të devijohej nëse Lula do të bëhej ministër.
Sipas ligjit brazilian, anëtarët e kabinetit mund të hetohen vetëm nga Gjykata Supreme, jo nga gjykatat federale. Lula da silva është nën hetim në lidhje me një skandal korrupsioni.
Qeveria thotë ndërkohë se ai do të bëjë apel kundër vendimit. Prokurorët akuzuan Lula da Silvën, javën e kaluar për larje parash dhe mashtrim, akuza këto që vetë ai i mohon.
Ndërkohë, emërimi i Lula da Silvës si shef i stafit, ka bërë që brazilianët të ndahen. Disa thonë se kjo ishte një lëvizje për ta mbrojtur atë nga përndjekja ndërsa të tjerë e mirëpritën kthimin e tij në politikën aktive.
Para ceremonisë së betimit, grupe mbështetësish dhe kundërshtarësh të qeverisë u përleshën para pallatit presidencial. Vetë ceremonia ishte ndërprerë nga një protestues që thërriste “turp”. Ai u nxorr jashtë nga mbështetësit e partisë në pushtet, që hidhnin slogane pro qeverisë dhe ish-presidentit.