Si rrallë herë, Lulzim Basha ka zgjedhur sot t’i përgjigjet Sali Berishës. Përmes rrjeteve sociale, ish-kreu demokrat shkruan se Rama, Meta dhe Berisha janë bashkë.
“Sa herë do të fshehë diçka, non grata hap thesin e mashtrimeve dhe shpifjeve. Trekëndëshi i Bermudës është i pandarë në korrupsion, lidhje me krimin dhe minim të demokracisë. E vërteta është e thjeshtë: Bashkë i kanë oligarkët dhe mediat, lejet, kullat, koncesionet e tenderat, bandat dhe policët e gjyqtarët e korruptuar” – thotë Lulzim Basha.
Sali Berisha tha sot se Edi Rama dhe Lulzim Basha janë aksionerë të fshehtë në kompaninë që do të ndërtojë portin e ri të Durrësit.
“Pasi ka vjedhur 420 milionë euro me firmën e tij për ndërmarrjen e tij të djegësve, vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë në një sipërmarrje, shumë shpejt do e njihni, me dokumente false. 60 për qind të aksionerëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava dhe mafiozët e tyre”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Berisha e ka akuzuar disa herë Bashën se ka bashkëpunuar me Ramën, por kjo është hera e parë që emri i ish-kryetarit të PD përfshihet në debatet për ndërtimin e portit të ri në Durrës.
/a.r