Qeveria reagoi të shtunën ndaj deklaratave të deputetes të PD-së, Arbiola Halimi , e cila ngriti pretendimin për abuzime lidhur me procedurën e prokurimit publik për sistemin e kontabilitetit Oracle, pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Përmes portalit transparenca.al, qeveria sqaron se kontrata në fjalë është lidhur pas një procedure prokurimi ‘tender i hapur elektronik’, e zhvilluar me shumë se një vit më parë nga FSDKSH-ja, për mbështetjen e sistemit ekzistues të kontabilitetit dhe auditit te FSDKSH-së. “Ky sistem është blerë që në vitin 2007 nga e njëjta kompani, si dhe është realizuar në periudhën 2007-2008, në bazë të kontratës Nr. 5/15 Prot., dt. 09.07.2007, me objekt “Blerje softi për menaxhimin financiar dhe burimeve njerëzore”, me vlerë 11,870,400 lekë”, thuhet në sqarimin e qeverisë.
.
Sipas këtij sqarimi, shërbimi së cilit i referohet deklarata e PD-së ka të bëjë me përditësimin, apo siç njihet në gjuhën teknike, “upgrade” të shërbimit që parashikohet në kontratën që shoqëria “Intech+”, sh.p.k., ka lidhur që më dt. 9/7/2007 me institucionin e atëhershëm të ISKSH-së, të drejtuar nga Elvana Hana, dhe të realizuar me sukses deri më dt. 1/8/2008, në përputhje me të gjitha kërkesat e rregulloreve të prokurimit publik në fuqi këtë shërbim. Po ashtu, më 29/5/2012, është nënshkruar një tjetër shtesë kontrate prej 463,320 lekësh, midis së njëjtës kompani, Intech+ dhe ISKSH-së të drejtuar nga Elvana Hana, për mirëmbajtjen e të njëjtit shërbim.
Ndërkohë, në raportin përfundimtar të auditimit të ushtruar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2013, në pikën 13.2 dhe 13.4 citohet se nga auditimi i bilancit përmbledhës të konsoliduar të FSDKSH-së, u konstatua se të gjitha drejtoritë rajonale përfshirë edhe Aparatin, mbajnë kontabilitetin në formate të përpunuar në excel. “Kjo lloj praktike rrit probabilitetin e “gabimit njerëzor”, por komprometon dhe sigurinë e të dhënave duke krijuar hapësira të ndryshimit të të dhënave në çdo kohë dhe duke mos lënë gjurmë.
Institucioni është pajisur me programin e kontabilitetit ORACLE (me bazë Oracle E-Bussines Suite), me të cilin aktualisht nuk operohet për mbajtjen e llogarive apo menaxhimin financiar. Institucioni (pra, FSDKSH) të marrë masa në mënyrë që sistemi Oracle të bëhet operativ dhe efiçent, në mënyrë që të shmanget mbajtja e të dhënave në formate excel-i”, thuhet në raport
Duke qenë se shoqëria, Intech+ është i vetmi subjekt që mund të bëjë “upgrade” të softit që mundëson këtë shërbim, kjo shoqëri ishte edhe ofertues i vetëm në procedurën e prokurimit publik për mbështetjen e sistemit të administrimit financiar “Oracle E-Business Suite R12” që operon në FSDKSH, por në bazë të ligjit për prokurimin publik dhe të rregullave të prokurimit publik në fuqi, procedura e ndjekur edhe me një ofertues quhet e rregullt.
Në raportin e fundit të auditimit, të ushtruar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare” për vitin 2014, zbatimi i kontratës së me vlerë 8,496,000 lekë, dt. 22/12/2014 dhe përkundrejt asaj çfarë thuhet në deklaratën e deputetes së PD-së, ka qenë një projekt i suksesshëm i FSDKSH-së.
Ashtu siç është shpjeguar shumë qartë edhe nga verifikimi i procedurave të ndjekura dhe dokumentacionit në raportin përfundimtar të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, “Për auditimin e ushtruar në FSDKSH”, nuk është gjetur asnjë parregullsi dhe nuk ka asnjë rekomandim për dëm financiar.
Raporti i sipërcituar i KLSH konfirmon se procesi i prokurimit publik ka qenë tërësisht i rregullt, ku kërkesat kualifikuese të operatorit ekonomik fitues, në këtë rast, Intech+, kanë qenë në mbështetje të plotë të rregullave të prokurimit publik në fuqi, përfshirë edhe plotësimin e kërkesës kualifikuese nr. 3, ku kërkohet që Operatori Ekonomik duhet të jetë i certifikuar sipas standardit ISO 9001:2008, e cila është në të njëjtën fushë me kategorinë dhe specifikën e produkteve dhe shërbimeve të prokuruara.