Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i është përgjigjur akuzave të ngritura nga Partia Demokratike ku këta të fundit akuzonin qeverinë se po u jep oligarkëve të karburanteve dhe ndërtimit me koncesion një port privat.
Më tej MIE shkruan se këto akuza të PD janë të pabaza dhe janë keqinterpretuar me një kontratë ekzistuese që prej vitit 2015.
Reagimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:
Opozita ka dalë sot me një mori akuzash dhe shifjesh për vendimarrjen e sotme të parlamentit, i cili miratoi me shumicë votash, projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncensionit të formës BOT (Ndërtim, shfrytëzim, transferim) të një porti të llojit MBM në Porto Romano Durrës, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncensionare “Porti MBM (multi buoy mooring)”.
Me keqardhje për akuzat e pabaza dhe keqinterpretimet e një kontrate ekzistuese qysh prej vitit 2015, sqarojmë se:
Kontrata bazë e këtij koncensioni është miratuar me ligjin Nr.104/2015. Kjo kontratë është ndryshuar në vitin 2018 me ligjin nr.13/2018.
Ndryshimet e bëra së fundmi në këtë kontratë janë tërësisht ligjore dhe në përputhje me dokumentet strategjikë të zhvillimit të sektorit detar, të miratuar nga Qeveria Shqiptare.
- Kontrata bazë
Në kontratën e vitit 2015, në Nenin 3 përcaktohet “Objekti i koncensionit”, i cili parashikon ndërtimin e Portit dhe ofrimin e shërbimit të ngarkim – shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure.
Në pikën 1 të kontratës bazë, “Përkufizime”, cilësohet se “shërbime” do të thotë veprimtaria që do të kryhet nga koncensionari, sic përcaktohet në nenin 25, “Shërbimet”. Kjo do të thotë se ndryshimi në kontratë nuk parashikon ofrimin e një shërbimi të ri në port.
- Ligji i posaçëm i koncesioneve dhe partneritetit publik
Ligji nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” i ndryshuar, në nenin 31, pika 2, gërma “ç”, parashikon se “Ndryshimet në kontratë mund të bëhen me iniciativën e të dyja palëve kontraktuese, veçanërisht në rastet e mëposhtme:
ç) Në raste të tjera që çojnë në ndryshimin e situatës reale ose ligjore për përdorimin e objektit apo ofrimin e shërbimeve, ose në realizimin e kontratës.”
- Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Planit të Veprimit 2016-2020
Ky projektligj është në përputhje të plotë me Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016-2020 ku në objektivat e Prioritetit të dytë Strategjik “Rritja e qëndrueshme për tregjet detare dhe portuale” parashikohet rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës dhe shërbimeve portuale, edhe nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës së koncesionit Porti MBM.
Shtesa e kontratës koncensionare ka qëllim të vetëm shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të lira të akuatoriumit në terminalin verior edhe në argjinaturën jugore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj klientëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës së Porto Romanos.
Nga ana financiare, kjo shtesë e kontratës nuk shoqërohet me efekte shtesë për buxhetin e shtetit, përkundrazi, duke u shtuar të ardhurat e koncensionit, shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit nga Fee koncensionare. Referuar nenit 13 të kontratës bazë, koncensionari i paguan autoritetit kontraktues, një tarifë koncensioni të barabartë me 2% të xhiros vjetore, që koncensionari grumbullon nga tarifat e aplikuara.
Shtesa e kontratës nuk ka asnjë ndikim në çështjet e sigurisë kombëtare, pasi sipas legjislacionit në fuqi:
- Konventa e Organizatës Ndërkombëtare Detare, “Për krijimin e lehtësiravë për trafikun ndërkombëtar detar”, Londër 9 prill 1965, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me ligjin nr.9428 datë 13.10.2005 dhe
- VKM Nr.892, datë 21.12.201, “Për miratimin e rregullores ‘Për formalitetin e anijeve që operojnë në portet detare të Republikës së Shqipërisë”,
të gjitha anijet që hyjnë në Republikën e Shqipërisë janë të detyruara, që 24 orë përpara mbërritjes në port, të dërgojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë të gjitha strukturave shtetërore, të cilat kanë detyrimin për monitorimin dhe kontrollin e mallit.
Porti MBM në këtë aspekt nuk ka asnjë ndryshim, nga portet e tjera të vendit, përsa i përket procesit të monitorimit të anijeve. Janë të njëjtat institucione, që monirojnë anijet që hyjnë si në portin MBM, ashtu dhe portet e tjera detare të vendit. Pjesa më e madhe e këtyre institucioneve kanë zyra brenda territorit të portit, ose në afërsi të tij, pasi ky port është prej kohësh funksional.
Bazuar në gjithë sa më lart, është e qartë se sulmet e PD-së synojnë të dezinformojnë opinion publik, për të denigruar punën e Qeverisë, duke hedhur baltë mbi një projekt, i cili synon të rrisë zhvillimin ekonomik të zonës së Porto Romanos, por edhe më gjerë.
Në respekt të së vërtëtës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përgatisë një padi për shpifje, për zëdhënësin e kësaj morie sajesash, z.Çlirim Gjata.
/e.rr