Analisti Afrim Krasniqi thotë se deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla ndaj ambasadorit amerikan ishte gati gati një deklaratë politike.
Ai deklaroi se mos dhënia e vizave ambasada amerikane ndodh edhe në vende të tjera si një mënyrë për të ndalur zyrtarët e korruptuar.
Krasniqi thotë se pas kësaj deklarate, ishte e pritshme që Prokurori Llalla të jepte dorëheqje.
Krasniqi: Konflikti do të thellohet në të ardhmen jo vetëm me ambasadorin amerikan. Ne në Kushtetutë ne kemi përfshirë misionin ndërkombëtar që përfaqësohet nga ambasadori i SHBA dhe i BE-së. Në këtë lloj shqetësimi nuk shoh ndonjë problem tek ambasadori. Në çdo vend, një numër zyrtarësh nuk marrin viza, ose ndëshkohen në mënyrë publike si një shenjë e vullnetit antikorrupsion për të nxitur shoqërinë civile për të reaguar ndaj rasteve korruptive dhe Shqipëria është një model antikorrupsioni.
Reagimi i Prokurorit të Përgjithshëm, nëse nuk thuhej se ishte Prokurori i Përgjithshëm, ishte reagimi i qytetarit të revoltuar në atë që quhet gjuha e kafeneve të politikës. Nuk ishte deklaratë institucionale dhe nuk përmendte asnjë nen në Kushtetutë. Ishte tërësisht personale, emocionale dhe deri diku një nivel degradues të asaj që do të donim të ishte Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri. Është e pafalshme që kryeprokurori shqiptar të akuzojë SHBA-të për shantazh, për blerje votash, për mesazhe kërcënuese, të përmendë personazhe të luftës politike në Amerikë. Këto i thonë njerëzit në kafene.
Nëse ai ka pasur shqetësime siç ishte rasti që ai përmendi, do të duhet t’ia kishte bërë me dije publikut jo në mënyrë direkte por në rrugë institucionale. Duhet t’ia kishte dërguar Presidentit, Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Parlamentit ku raporton dhe të gjitha strukturave të parashikuara nga ligji. Ne nuk e dimë nëse e ka bërë këtë gjë, por dimë se sot ai përdori një kartë për të mbrojtur diçka që është e prambojtshme.
Ne ndodhemi në fundin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe sado që ai pretendon se e ka kryer punën mirë, ne nuk kemi asnjë zyrtar para drejtësisë të akuzuar për korrupsion. Kemi një stivë të madhe dosjesh korruptive që janë mbyllur. Deklarata ishte politike dhe gati gati në sinkron me parti të caktuara politike në Shqipëri. Kjo përbën një lloj zhgënjimi të madh se si mundet që institucionet të shkojnë deri në atë pikë sa të bëhen palë me klasën politike.
Ka një motiv të fshehur pas saj?
Krasniqi: Ka shumë politikanë në Shqipëri ka bërë deklarata në faza të caktuara kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose kundër politikanëve apo zyrtarëve të lartë të DASH. Politikanët ia lejojnë vetes ta bëjnë këtë sepse ata votohen, testohen. Nëse marrin vota, vazhdojnë jetën politike. Ke kudo në rajon dhe në Evropë nuk përbën mëkat në Shqipëri. Ka raste kur me të drejtë, politikanë të caktuar kanë bërë kritika. Në këtë rast, flasim për institucione. Ato na përfaqësojnë ne, të gjithë qytetarët. Përfaqësojnë interesin dhe emrin e Shqipërisë. Ato duhet të kenë një etikë tjetër me të cilën duhet të flasin me institucionet ndërkombëtare. Këto elementë nuk i pamë në deklaratën e kryeprokurorit. Ne e kemi jetike prezencën ndërkombëtare në Shqipëri, në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, unë të them të drejtën prisja dorëheqjen e tij nga detyra. Ai i ka bërë një dëm të madh Shqipërisë. Nuk i ka bërë dëm individit. Një prokurori i Përgjithshëm është aty për të luftuar krimin dhe për të mbrojtur interesin publik dhe shtetëror, gjë që nuk e ka bërë.
Pasojat e përplasjes
Krasniqi: Një konflikt i tillë nuk ka pse të ekzistojë në Shqipëri dhe është një luks i madh. Prokurori është aty për të zbatuar detyrën. Nëse ai ka politikanë të inkriminuar siç tha sot, çfarë pret për t’i vënë përpara drejtësisë? Ka pasur raporte ndërkombëtare pa fund drejtuar Prokurorisë për këtë gjë. Pse Prokurori nuk vepron? Sepse kjo lloj logjike dhe deklarata e sotme tregon se ato përdoren si presione për luftë politike. Ai ka dhjetëra padi të dërguara. Ai kur ka qenë në krye të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive ka akuzuar Prokurorinë për dosjet. Të paktën të hetojë dosjet e tij. Ai ka ndjekur një politikë “mos e prish me askënd” dhe “ruaj ekuilibrat midis kaheve politike dhe luftës politike”. Deklarata e sotme ishte lojë politike, hyrje në një krah politik dhe kur them krah politik, nuk flasim për opozitën në Shqipëri. Opozita ia ka adresuar me dhjetëra ankesa dhe nuk kemi një rast t’i ketë kthyer përgjigje për dosje konkrete. Flasim për një luftë brenda mazhorancës dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të përdoret për gjëra të tilla.
Qasja e ambasadorit Lu në politikën ose drejtësinë në një vend të caktuar
Krasniqi: Varet sa shoqëritë i japin hapësirë. Për shembull një ambasador në Shqipëri dhe në Ballkan, ka më tepër autoritet publik se sa ka ambasadori në vendet perëndimore. Atje ekzistojnë institucionet. Elitat politike janë të korruptuara dhe krijojnë kriza politike. Ne e kemi jetike prezencën e BE-së dhe SHBA-së dhe është me fat që e kemi. Ne kemi zgjedhur një eksperiment që nuk e ka asnjë vend në BE.
Kemi futur në Kushtetutë të drejtën për të pasur veton mbi vendimmarrjen mbi gjithë sistemin e drejtësisë. Në momentin që e kemi bërë, ne nuk mund të komentojmë më. Mbetemi me shpresën se ata do ta bëjnë mirë. Prokurori tha se në një rast, ambasadori është interesuar për një çështje. Në dijeninë time, të paktën 6 ambasadorë janë interesuar për të mbrojtur firmat dhe bizneset e shteteve përkatëse. Nëse është përdorur autoriteti për qëllime të tjera, Prokurori i Përgjithshëm informon Presidentin e Republikës dhe Presidenti përdor kanalet e tjera të komunikimit që i zgjidh këto konflikte por nuk besoj se është ky rasti shqiptar.
Akuzat e Kryeprokurorit
Krasniqi: Nuk e marr seriozisht, sepse nuk ishte serioze. Ky është fundi i karrierës së tij në sistemin e drejtësisë dhe një hap për të kaluar në politikë. Interesi ynë është të kemi Prokuror në funksion dhe të mos merret peng prokuroria. Nëse sot jep dorëheqjen Prokurori i Përgjithshëm, dhe unë e prisja, për shkak të sistemit nuk kemi zv/prokuror dhe vendi hyn në krizë dhe këtë duan partitë politike që të mos hetohet askush dhe kriminelët të vazhdojnë të qetë deri në zgjedhje. Nëse ju lexoni mediat, në katër vitet e fundit, Prokuroria thotë verën e ardhshme kemi ngjarje të mëdha. Asgjë nuk ka ndodhur. Edhe raste që janë bërë publike janë investim ndërkombëtar.
Përplasja me SHBA
Krasniqi: Jo! Jemi një vend i vogël. Në dijeninë time, Presidenti, kryetari i Parlamentit dhe kryeministri kanë një qasje tjetër ndaj SHBA-ve. Normalisht takimet siç ndodhi midis Presidentit dhe ambasadorit, i bëjnë mirë sepse sqarojnë shumë problematika.
Edhe pas rastit të fundit të ministrit të Drejtësisë. Nëse Prokurori i Përgjithshëm do të donte të respektonte aq shumë shtetin ligjor në deklaratë, do të duhet të hapte dosjet me deklarimet e ministrit të Drejtësisë dhe të fillonte hetimet. Askush nuk u ndje.
Ndryshimet.
Krasniqi: Pritshmëria e reformës në drejtësi do të jetë thelbi i një politike afatgjatë dhe do të shoqërohet edhe me një reformë në politikë. Nuk ka sens tjetër. Kjo lloj klime konfliktuale na shërben dhe ata që mendojnë se janë në pushtet, kanë para, bien. Partnerët ndërkombëtarë kanë një projekt për këtë. Nga ana tjetër është edhe një mësim që tregon se si institucionet nuk funksionojnë. /Ora News/a.m.