Kur Donald Trump u bë president në vitin 2017, ai ia kaloi menaxhimin e përditshëm të pasurive të patundshme dy djemve të tij më të mëdhenj, Donald Jr. dhe Eric Trump.
Ndërsa tashmë familja Trump po lufton për të ruajtur biznesin e familjes, dy vëllezërit pritet të dëshmojnë në procesin gjyqësor nën akuza për mashtrim në Nju Jork, që rrezikon të ardhmen e Organizatës Trump.
Donald Trump Jr. pritet të dëshmojë të mërkurën dhe Eric Trump të enjten, duke shënuar kështu një fazë të re në muajin e dytë të gjyqit në Nju Jork të filluar nga padia e prokurores Letitia James.
Prokurorja James, e zgjedhur në këtë detyrë si kandidate demokrate, akuzon ish-Presidentin Donald Trump, kompaninë e tij dhe drejtuesit, ndër ta edhe Eric dhe Donald Trump Jr., se ekzagjeruan në bashkëpunim vlerën pasurisë prej miliarda dollarësh në deklaratat financiare të dërguara bankave, siguracioneve dhe të tjerëve, me qëllim sigurimin e kredive favorizuese dhe arritjen e marrëveshjeve të biznesit.
Zoti Donald Trump, ish-president dhe patriark i familjes, si dhe kandidati kryesues republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, pritet të dëshmojë të hënën, i pasuar më 8 nëntor nga dëshmia e vajzës së tij të madhe, ish-drejtuesja e Organizatës Trump dhe ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump. Në vazhdim, pritet që avokatët mbrojtës të kenë shansin për të thirrur dëshmitarët e tyre.
Donald Trump Jr. dhe Eric Trump janë zëvendës presidentë ekzekutivë në Organizatën Trump dhe ndër të akuzuarit në padinë e Prokurores James. Eric Trump mbikëqyr operacionet e kompanisë, ndërsa Donald Trump Jr. është i përfshirë në zgjerimin e pasurive të patundshme të kompanisë. Ai, së bashku me kryefinancierin e hershëm Allen Weisselberg, janë gjithashtu ndër personat të cilëve ish-Presidenti Trump u dha autorizim të përkohshëm për të vepruar si titullarë për pasuritë e kompanisë, gjatë kohës që ai shërbente si president.
Përpara këtyre seancave gjyqësore, gjykatësi Arthur Engoron pati marrë vendimin se deklaratat financiare të zotit Trump ishin të pavërteta. Ai urdhëroi që një person i autorizuar nga gjykata të merrte kontrollin e disa prej kompanive të zotit Trump – duke i hequr kështu ndoshta familjes Trump kontrollin e disa prej pronave më të rëndësishme, si Kulla Trump në Nju Jork. Sidoqoftë, gjykata e apelit ka ndaluar për momentin zbatimin e këtij urdhëri.
Ashtu si babai i tyre, të dy djemtë kanë mohuar të kenë bërë ndonjë shkelje.
Eric Trump ka qenë për disa ditë i pranishëm gjatë procesit gjyqësor, më shpesh gjatë ditëve kur ka qenë i pranishëm edhe babai i tij. Ai ka komentuar në mënyrë sporadike, përgjithësisht në mediat sociale. Më 5 tetor, ai publikoi një video në rrjetin Truth Social, ku shihet prokurorja James duke kritikuar babanë e tij. Ai shkruajti: “Ky është korrupsioni që babai im dhe familja jonë po luftojmë! Sistemi përdoret si armë politike, (është) i prishur dhe neveritës!”.
Donald Trump Jr. nuk është shfaqur në gjykatë, por kur filluan dëshmitë më 2 tetor, ai e ka denoncuar në mënyrë të përsëritur çështjen gjyqësore dhe gjykatësin Engoron si të pambështetur në fakte. Ligjet e shtetit Nju Jork nuk lejojnë që të ketë juri nga populli për këto lloj procesesh gjyqësore, kështu që do të jetë gjykatësi Engoron që do të vendosë.
“Nuk ka rëndësi se cilat janë rregullat, nuk ka rëndësi se çfarë thotë Kushtetuta, nuk ka rëndësi se cilat do të ishin praktikat e përgjithshme dhe biznesi”, tha Donald Trump Jr. të hënën për kanalin televiziv Newsmax. “Nuk ka rëndësi. Ata kanë një variant, kanë një objektiv përfundimtar dhe do të bëjnë gjithçka që do të duhet për ta arritur atë”.
Zoti Donald Trump kritikoi të mërkurën gjykatësin Engoron në rrjetin Truth Social, si një i emëruar politik që urren ish-Presidentin Trump dhe që po bën detyrat që i ka caktuar Partia Demokrate.
“Lëri të qetë fëmijët e mi, Engoron. Je një turp për profesionin e juristit!”, shkruajti ish-Presidenti Trump në një prej postimeve të tij.
Duke i paraprirë dëshmive të Donald Trump Jr. dhe Eric Trump-it, prokurorët kanë pyetur dëshmitarë të tjerë për rolin e tyre në drejtimin e Organizatës Trump dhe përfshirjen e tyre, gjatë viteve, në vlerësimin e pasurive të patundshme të babait të tyre dhe në përgatitjen e deklaratave të tij financiare. Emrat e tyre janë shfaqur gjithashtu në komunikime të ndryshme nëpërmjet postës elektronike që tashmë janë bërë pjesë e evidencës së prokurorisë.
David McArdle, i kompanisë “Cushman & Wakefield”, tha në dëshminë e tij se Eric Trump-i kishte rol domethënës në përcaktimin e vlerës së një kompleksi shtëpish që nuk u ndërtuan dot kurrë, në fushën e golfit Trump në rrethinat e qytetit Nju Jork. Zoti McArdle tha se Eric Trump konkludoi në një vlerë më të lartë se vlera që kishte përcaktuar ai vetë për projektin dhe se nuk do të kishte patur besueshmëri nëse do të kishin vazhduar me atë shifër të lartë.
Donald Trump Jr. dhe Eric Trump kanë dhënë edhe më parë copëza dëshmish për këtë proces gjyqësor. Gjatë deklaratave fillestare më 2 tetor, prokurorët shfaqën gati një minutë filmime nga deponimet e secilit.
Në një deponim të korrikut 2022, Donald Trump Jr. dëshmoi në lidhje me njohuritë e tij jo të thella për standardet e kontabilitetit, për të cilat prokurorët thonë se janë zbatuar në disa raste dhe janë injoruar në raste të tjera gjatë përgatitjes së deklaratave financiare të ish-Presidentit Trump.
Trump Jr., i cili nuk ka qenë ndonjëherë kontabilist, tha se nuk mbante mend t’i ketë përdorur këto standarde gjatë punës së tij. Ai shkaktoi buzëqeshjen e prokurorit kur tha se mund të ketë mësuar për këto standarde ndoshta gjatë klasave fillestare në universitet, por se nuk i kujtohej më tepër se fakti që ato janë përgjithësisht të pranuara.
Në dëshminë e tij në mars 2023, Eric Trump dëshmoi se, “nuk mendoj se kam patur ndonjë përfshirje në ‘Deklaratën e Gjendjes Financiare’, me sa më kujtohet”. Ai duket se minimizoi rolin e tij si drejtues në kompani, duke thënë gjatë dëshmisë se ishte përpjekur të përqëndrohej tek gjërat për të cilat ishte i interesuar dhe i apasionuar, ndërkohë që i ndante përgjegjësitë menaxhuese me të vëllanë.
“Unë jam personi për ndërtimet, operacionet konkrete dhe në terren”, tha Eric Trump, sipas një transkriptimi të dëshmisë së tij.
I pyetur në një tjetër moment rreth vendimmarrjes më herët në karrierën e tij, Eric Trump tha: “Unë shtroj betonin. Menaxhoj pronat. Nuk përqendrohem tek vlerësimet mes një firme ligjore dhe (firmës) Cushman. Thjesht nuk është kjo çfarë unë bëj bazuar tek përgjegjësitë e mia të përditshme”.
Ish-Presidenti Donald Trump mori pjesë në procesin gjyqësor tre ditë në fillim të tetorit dhe u shfaq sërish për katër ditë gjatë dy javëve të fundit, por axhenda e fushatës së tij elektorale sugjeron se nuk ka gjasa të rikthehet që të ndjekë dëshminë e djemve të tij.
Gjatë pjesëmarrjes së mëparshme, ish-Presidenti Trump protestoi përballë kamerave të vendosura përpara godinës së gjykatës, duke e quajtur çështjen gjyqësore një “sajesë”, “mashtrim”, dhe “vazhdimësi e gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave”. Ai gjithashtu e zemëroi në dy raste gjykatësin, duke marrë kështu 15 mijë dollarë gjoba për shkelje të urdhrit për të mos komentuar publikisht për punonjësit e gjykatës.
/a.d