Akuza e Berishës: “Kushtrimi është në këmbë, të gjithë për mbrojtjen e demokracisë. Rama duke kapur për fyti pengun e tij, asgjesoi pluralizmin”

Berisha 1

VLORË

Ish-kryeministri Sali Berisha tha nga Vlora se misioni i “Foltores” së nisur prej tij me demokratët është bashkimi i PD dhe t’i rikthejë zemrën asaj, liria dhe vota e lirë.

Berisha akuzoi sërish Bashën për humbjet e PD dhe e quajti të marrë peng nga Rama që ka asgjësuar pluralizmin në vend. Ai lëshoi ‘kushtrimin’ në këmbë të gjithë për mbrojtjen e pluralizmit dhe demokracisë.

“Zotëria në vend të jepte dorëheqjen mendoi për veten e tij. Doli e tha ishte masakër elektorale. Humbja ishte e tmerrshme. Edi Rama vodhi vota, dyfishin e 2017. U përdorën lekë në konto, u dërguan 120 mln euro në zonat e tërmetit, iu dhanë bashkive 63 mln gjatë fushatës. U shkel çdo rregull për një fushatë elektorale dhe unë i tregova gjithë eksperiencën e vitit 2001, si na i morën zgjedhjet dhe përmbysëm raportin. Ajo u shndërrua në levë Arkimedi për të fituar zgjedhjet e 2005. Për ndryshe ne të ardhme nuk kemi. Në vend se të merrej me këto, të denonconte patronazhistët, blerjen e votës, u mor me karrigen e tij sepse kishte frikë, e di vetë ai nga kush por edhe injoroi dhe kjo e dyta është absolutisht tradhti ndaj jush, ndaj mbi 600 mijë zgjedhësve që votuan për PD.

Nuk u bë lider ky se ia humbi partisë konturet. Partia është parti e të drejtave të njeriu, do të thotë që kurdo që shkelen, partia qëndron në mbrojtje të qytetarëve, që një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut partia e çon në gjithë botën. Na rrinin njerëzit burgjeve, pa treguar as interesin më të vogël, se i kapnin në protesta apo thjesht për arsye partiake. Ne kishim një trashëgimi në PD, intelektualët, të përndjekurit, ish-të burgosurit. U dëgjuan ata në këto 8 vite, askund, një qëndrim indiferent ndaj të rinjve. PD sa herë ka fituar, ka fituar nga të rinjtë, para së gjithash. I kemi bërë të rinjtë me vete dhe kemi fituar bashkërisht. Kanë qenë ata indiferentë ndaj nesh ne kemi humbur. Ata janë zgjedhësit e rinj, ata bëjnë ndryshimin. Në 8 vite ky që erdhi i ri në krye të PD-së, vetëm largoi masivisht dhe nuk tregon dot me një gishtat e një dore të rinjtë që solli në drejtimin e PD. Ne humbëm. Por mbi të gjitha çfarë humbëm tjetër, jemi parti e interesit kombëtar, e djathta është parti e patriotëve, nuk mund të jetë i djathtë ai që nuk është patriot. Ne bazohemi në disa vlera, në disa parime që kanë bërë të mëdha shoqëritë e lira.
Vetëm se fundmi, keni dëgjuar PD-në të thotë një fjalë për minishengenin, për “Ballkanin e hapur”? Ja ku janë rezultatet, janë tanket në kufijtë e Kosovës, bombarduesit e Beogradit në kufijtë e Kosovës. ….
Pse mor komb jetim jemi ne? Ne nuk jemi komb jetim, i dalim Zot! U çlirua dhe Kosova, u dyfishua fuqia kombëtare, në çdo aspekt, Si ta bëjmë ta pjesëtojmë? Të bëhemi me Beogradin e Shkupin e ta rrethojmë me klika armiqësore, si bëri Rama dhe heshti Basha. Ballkani i hapur vjen në kundërshtim të qartë me Nismën e Berlinit. Nisma për Berlinin është nisma për rajonin dhe na përgatit ne për BE.
Nisma e Berlinit bazohet në bashkëpunim shtetesh të barabarta, kurse Ballkani i Hapur, në hegjemoninë serbe mbi Shqipërinë e Maqedoninë dhe rroftë Kosova që nuk e pranoi.
Çfarë do bëjmë ne në këto kushte? Do bëjmë gjithçka të ngrihemi në këmbë, gjithçka të bashkohemi. Kjo foltore së pari ka misionin e bashkimit të PD. Së dyti, t’i rikthejë zemrën asaj, liria dhe vota e lirë. U ndala tek votëbesimet në 91 që na mbanin së bashku. Çfarë ndodh tani? A mund ta imagjinoni pas 30 vitesh të themi që nuk votojmë, që nuk pyesim forumet, që nuk mbledhim forumet. Më thoshte një vajzë e re, ish-anëtare e Këshillit Kombëtare, u bashkova me të me shumë gëzim, por kur shikoj që ky nuk ka respektin më minimal për votën, për forumet, nuk arrita ta konceptoj dhe u largova me shpejtësi. Si asnjëherë tjetër në 30 vjet, jemi në një moment de facto të asgjësimit të pluralizmit. PD ka një njeri i cili vendos pa pyetur asnjë forum, asnjë parim, asnjë nen të statutit dhe Kushtetutës, dhe i cili deklaron se Kuvendi Kombëtar, forumi më suprem i partisë nuk do mblidhet pavarësisht se do mblidhen firmat. Kjo do të thotë se pluralizëm politik në Shqipëri nuk ka, pasi shtylla kryesore e pluralizmit, që është opozita sovrane, nuk ka forume, as statut, as anëtarësi, por ka vetëm një njeri që thotë nuk pyes për ligjet e partisë. Kjo është fasada më e shëmtuar e pluralizmit. Edi Rama duke kapur për fyti pengun e tij, ka asgjësuar pluralizmin në Shqipëri, ndaj kushtrimi është në këmbë të gjithë për mbrojtjen e pluralizmit, për mbrojtjen e demokracisë”, deklaroi Berisha në Vlorë.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com