Nga Ilir Yzeiri
Jo pse nuk ka edhe argumente të tjera me të cilat ia vlen të merresh, jo pse ka aq shumë idotësi, banalitet, tema të vjetëruara dhe neveri që të nisësh e të merresh përsëri me Ilir Metën e Sali Berishën, jo pse opinioni publik ka tridhjetë vjet dhe sa herë shfleton faqet on-line apo edhe ato pak letra të zhubrosura që dalin ende si gazeta, do të gjejë në faqe të parë fotografinë e Mehmet Shehut dhe pyetjen në se e vranë apo u vetëvra, pra, jo vetëm për këto e as për shumë e shumë të tjera argumente me të cilat mund të merrej cilido prej nesh, por, thjesht për faktin se videoja e Grida Dumës që shfaqet si aktore e pikëlluar për fatkeqësinë e një familjeje të dëmtuar nga tërmeti, si edhe vendi që ka fituar në opinion zemërimi dhe këcënimi i disa presidentëve të ekipeve të elitës së futbollit shqiptar për të bojkotuar kampionatin, më duket se të dyja këto mund të shërbejnë për të treguar më shumë se çdo gjë tjetër se opozitarizmi në Shqipëri ka marrë tani përmasa të tjera dhe është spektakolarizuar duke u kthyer në një festival filmi apo kampionat idesh.
Gjëja e parë që bie në sy në videon e Grida Dumës nuk është ngjarja apo ideja që ka marrë përsipër të tregojë minidokumentari i shkurtër i përgatitur nga studiot kinematografike të PD-së. Qëllimi është tjetërkund. Në atë video autorët kanë bërë kujdes të tregojnë aktoren kryesore që shfaqet në një sfond banesash të rrënuara në një figurë bardh e zi me një këmishë të bardhë dhe e vendosur në një vend ku të ndihet era në mënyrë që të valëviten flokët dhe në portretin e saj të theksohet sidomos kontrasti mes të bardhës e të zezës. Kur ndjek më tej zhvillimin e ngjarjes e ke të vështirë të përqëndrohesh të personazhet sepse tërheqja që bën kamera pas portretit të tyre të krijon idenë se ke të bësh me një trillim filmik.
Mamaja e Alesios, po ashtu, shfaqet e kuruar dhe me makiazh të lehtë, e vendosur në një sfond muri të bardhë dhe edhe aty kontrasti bardhë e zi dhe kujdesi për portretin e saj të nxit më shumë të ndjekësh portretin dhe jo atë që thotë protagonistja. Alesio, personazhi i famshëm që takoi edhe Kristiano Ronaldon, shfaqet po ashtu si një adoleshent me portret të rregulluar në zyrat e grimit të PD-së dhe ajo që bie në sy është një zinxhir floriri në dorën e djathtë.
Autorët e këtij minidokumentari dhe regjia janë kujdesur që të tregojnë se këta dy personazhe janë përdorur nga kryeministri për propogandë dhe se tragjedia e tyre mund të ishte shmangur nëse qeveria do t’i kishte nxjerre nga shtëpia që në tërmetin e shtatorit. Kujdesi i kryeminsitrit për Alesion e vogël në spital, udhëtimi në Itali për të takaur Ronaldon, shoqërimi prej tij i Alesios në shkollë, janë paraqitur si fakte që, sipas autorëve dhe regjisë, tregojnë se Alesio i vogël është përdorur.
Ndërkaq, me kujdesin për t’i dhënë më shumë vend narratorit – aktores Gridë – dhe me vëmendjen që edhe protagonistët të përsëritin po ashtu tekstin e narratorit, kompozimi i figurës, makiazhi, veshjet, të gjitha të krijojnë ndjesinë se po sheh një dokumentar artistik. Dhe nga ky dokumentar më shumë të mbetet në përfytyrim portreti i Gridës, flokët e saj që ia merr era. Artikulimi me përsëritje fjalësh dhe tonaliteti i zërit jo fort i punuar nuk të bien shumë në sy. Ndërsa qëllimi ia atyre që përgatitën këtë dokumentar duket se nuk funksionon, sepse një krijim artistik si ky ka disa mesazhe dhe mund të lexohet në disa variante. Duke qenë krijim trillues ai nuk ka pasur për qëllim të tregojë se sa cinik është kryeministri Rama, por sa e talentuar është aktorja Gridë. Dhe këtë qëllim e ka arritur.
2.
Kërcënimi i elitës së futbollit shqiptar me bojkotim të kampionatit është po ashtu një rast për të treguar se problemi nuk ka lidhje me qëllimin. Le të hapim një parantezë.
Futbolli shqiptar nën drejtimin e Armando Dukës ka shënuar rritje. Por është rritur si çdo biznes tjetër ekonomik në Shqipëri. Me ndeshje të shitura, me korrupsion, kampionë të shpallur që në fillim dhe me të defektet që kanë edhe industri të tjera në këtë vend si ndërtimi apo edhe ndonjë fushë tjetër. Futbolli shqiptar është fytyra e Shqipërisë, e një shoqërie që pëlqen shkeljen e rregullave dhe jo respektimin e tyre, e një vendi që drejtohet më shumë nga pasionet e gangsterëve apo të fortëve dhe më pak nga logjika e ligjit. Futbolli shqiptar, ashtu si gjithë shoqëria jonë, paraqet edhe progresin që është bërë.
Këtu meritën kryesore e ka Edi Rama. Ai, duke e njohur mirë marketingun që mund të bëjë me futbollin, pati n jë plan të qartë e konkret. U ndërtuan dy stadiume olimpikë një në Elbasan e një në Shkodër dhe kulmin e shënoi stadiumi super luksoz Arena Kombëtare ose Air Albania. Në të gjitha këto investime edhe Federata e Futbollit Shqiptar ka meritën e saj të padiskutueshme. Ndërsa rezultatet e kombëtares apo të disa klubeve janë përsëri një shenjë që futbolli shqiptar është zhvilluar përmes kaosit.
Tani vijmë te kërkesat e presidentëve dhe paralajmërimi për bojkot. Të jemi të qartë për një gjë : çdo kërkesë edhe në formën e grevave, protestave apo manifestimeve të tjera është e ligjshme. Mirëpo unë nuk di vend tjetër në botë që presidentët e klubeve të futbollit të kërcënojnë qeverinë me bojkot të kampionatit nëse nuk u plotësohen kërkesat ekonomike që mund të jenë edhe të drejta. Që në fillim duhet të ndajmë një gjë ; Shqipëri është një vend i varfër dhe nuk ka këllqe që të heqë dorë nga taksimi i kësaj industrie që edhe në vendin tonë ka filluar të bëhet fitimprurëse. Sporti është biznes, por më së pari është pasion, është zbavitje dhe kënaqësi. Njerëzit në të gjithë botën e paguajnë kënaqësinë madje edhe shtrenjtë.
Por e paguajnë kur ata zbaviten dhe jo kur ata mashtrohen. Futbolli shqiptar nuk është biznes që mund të rritet duke lehtësuar barrën fiskale të pronarëve të këtyre klubeve. Futbolli duhet të dhurojë kënaqësi që të mbushen fushat sportive, stadiumet modeste dhe jo një bast pronarësh që i përdorin ekipet e tyre për të arritur fitime të tërthorta. Koncepti se futbolli është industri që mund të bëjë të pasur presidentët është një mentalitet tipik shqiptar dhe bën pjesë në tipologjinë e të menduarit të pjesës më të madhe të biznesmenëve shqiptarë që punojnë për të bërë lekë dhe jo për të pasuruar vendin dhe shëndoshur ekonominë.
Ndaj kjo shfaqje e këtyre presidentëve ngjet me atë filmin e Grida Dumës në të cilin autorët nuk kishin hallin e familjes Cakoni, por dëshirën për të promovuar aktoren Gridë. Edhe këtu, ideja se pasunarët mund të protestojnë për të ulur taksat duke dalë në rrugë është një nonsens. Zakonisht rrugët e sheshet i mbushin spektatorët, jo presidentët e klubeve.
Shtoju këtyre të dyjave dhe vapën e madhe të muajit shtator dhe atëherë do ta kuptosh se Shqipëria është e bukur sepse asnjëherë nuk di se çfarë bën.