Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e aksionit më të madh për pastrimin e qytetit që do të bëhet më 4 shtator. Veliaj u ka dërguar të gjithë familjeve në çdo shtëpi një letër ku u kërkon banorëve të Tiranës që t’i bashkohen luftës kundër zhulit, duke kontribuar vullnetarisht në një ditë të vetme.
Letra e plotë që kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
E nderuar familje e Tiranës,
Gjatë këtij muaji të parë kemi nisur nga puna për ta rikthyer Tiranën në normalitet, duke filluar nga ato ndërhyrje që i kemi konsideruar si më urgjentet – pastrimi, transporti publik e hapësirat publike. Natyrisht, në kaq pak ditë veç sa kemi gërvishtur sipërfaqen e problemeve me të cilat përballet qyteti ynë. Por unë besoj se të gjithë bashkë po tregojmë ditë pas dite se aty ku ka dëshirë për të punuar dhe mbështetje nga qytetarët, nuk ka asgjë të pamundur.
Një ndër nismat tona më të rëndësishme të këtyre ditëve është ajo për pastrimin e qytetit. Po bëjmë maksimumin për të garantuar një qytet të pastër me moton #LufteZhulit. Ua kemi bërë të qartë kompanive të pastrimit se rinovimi i kontratave të tyre do të vendoset mbi bazën e anketimeve qytetare, ku ju do të vlerësoni me notë punën e kompanive. Shumë prej jush na e kanë pohuar diferencën positive.
Por unë dëshiroj t’ju ftoj edhe ju të na jepni një dorë në këtë përpjekje duke na u bashkuar në Aksionin Qytetar për Pastrimin e Qytetit, në datë 4 Shtator. Angazhimi juaj në këtë ditë, duke ndihmuar për pastrimin e rrugës apo lagjes tuaj, është garancia më e mirë për një qytet të pastër e të jetueshëm për të gjithë. Duhet veç një palë doreza, një qese e shumë dashuri për Tiranën tonë.
Për çdo informacion lidhur me këtë aksion apo gjithçka tjetër që lidhet me komunitetin tuaj, ju ftoj të lidheni me Administratorin e Njësisë, z. …. në numrin 06…. Ashtu si çdo punonjës tjetër i Bashkisë që unë drejtoj, edhe Administratori ka një detyrë të qartë: t’ju shërbejë juve, qytetarëve, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Për çdo ide apo shqetesim mund të më kontaktoni me SMS tek numri …. dhe email: kr******@ti****.al
Duke ju falenderuar nga zemra për mbështetjen ju pres në 4 Shtator për aksionin e pastrimit të lagjes tuaj.
Sinqerisht,
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkise Tirane