Udhëzimi i ri që përcakton procedurat se si tatimorët e terrenit duhet të kontrollojnë biznesin, që hyri në fuqi një muaj më parë, tregon format se si ky kontroll duhet realizuar për vendndodhjen, regjistrimin, numrin e punonjësve të biznesit, si dhe përdorimin e kasës fiskale.
Sipas këtij udhëzimi, konstatimi që në herën e parë se mungon pajisja fiskale apo mospërdorimi, ka një gjobë në masën e 50 mijë lekëve.
Konstatimi i të njëjtës shkelje për herë të dytë, vendos një masë më të rëndë, atë të konfiskimit të të gjithë sasisë së mallit.
Ndërsa, udhëzimi saktëson se vazhdimi i kësaj shkeljeje, i përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe vijon procedimi penal.
Për moslëshimin e kuponit tatimor nga bizneset, gjoba shkon nga 200 mijë lek për subjektet e tatim fitimit dhe 50 mijë lekë për bizneset e tjera.
Sipas udhëzimit, edhe mallrat që kapen gjatë transportit të pashoqëruara me faturë tatimore do të konfiskohen menjëherë.
Një tjetër sanksion ndaj bizneseve është parashikuar në rastet kur nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit, me gjobë në masën 40 mijë lekë dhe kur nuk njofton për difekt në kasën fiskale, në masën 25 mijë lekë.
Mosmarrja e kuponit tatimor , sipas nenit 124 të ligjit për Procedurat tatimore, për një individ, blerës gjobitet në masën 1 mijë lekë.
Udhëzimi thotë se Blerësi ose përfituesi i shërbimit, duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të shitjes apo të kryerjes së punimit ose shërbimit . Në të kundërt, në rast kontrolli nga tatimoret, n.q.s nuk ka kupon tatimor, dënohet me gjobë me 1 000 lekë.
Montitor